Aksidenti tragjik Humb jetën deputeti të PD-së Sokol Olldashi

0
182

Anxhela Tato

 

Makina rrëzohet në greminë nga 100 metër lartësi, po kthehej nga Elbasani

Policia, dyshohet se automjeti ka humbur kontrollin për shkak të shiut të dendur

 

 

olldash1Vdekje tragjike e një prej figurave kryesore të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, i cili u përfshi në një aksident të rëndë në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Nga të dhënat e para të policisë mësohet se automjeti, me të cilin po udhëtonte deputeti Olldashi ka rënë në një greminë nga një lartësi prej 100 metrash. Fillimisht u publikua se rreth orës 21:18 minuta, një aksident automobilistik ishte shënuar në zonën e njohur si Lapidari i Krrabës me dy të plagosur. Në momentin e aksidentit, deputeti Olldashi po udhëtonin me automjetin tip “Benz”  i zi me targë “AA003HN”. Makina ka rënë nga një lartësi e madhe, ndërsa vështirësi është paraqitur në nxjerrjen e trupave. Policia, dy ambulanca dhe një makinë zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendngjarje. Pas kësaj në vendin e ngjarjes mbërriti dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe deputeti Flamur Noka, deputeti Taulant Balla, Astrit Patozi, Sali Berisha, prefekti i Tiranes. Deputeti Flamur Noka ndodhej në vendngjarje, por nuk ka pranuar të flasë. “Nuk mund të flas dot”, – tha ai. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit për shkak të shiut të dendur. Policia sqaron se drejtuesi i automjetit, i cili ka qenë deputeti Olldashi ka humbur kontrollin, pasi reshjet e dendura të shiut e kanë penguar të shohë rrugën dhe si pasoje ka përfunduar në greminë. Mësohet se automjeti ka pësuar disa rrotullime të njëpasnjëshme në greminë, duke u shkatërruar tërësisht. Terreni ku është rrëzuar automjeti është tepër i vështirë.

Ngjarja

Aksidenti ka ndodhur dje në mbrëmje në aksin rrugor Tiranë-Elbasan në lapidarin e Kërrabës rreth orës 21:20 minuta, në kilometrin e 6 të rrugës Tiranë-Elbasan, ku për shkak të reshjeve të shiut, mendohet se automjeti tip “Benz Q7”, me targë “AA003NH”, ka humbur kontrollin ka dalë nga rruga, ka bërë disa rrotullime dhe ka rënë në humnerë. Bashkë me Olldashin mendohet të ketë qenë edhe një person tjetër. Të plagosurit fillimisht nuk janë mundur të nxirren nga automjeti, për t’u shoqëruar në spital, për shkak të terrenit shumë të vështirë. Këto janë të dhënat paraprake, ndërkohë që policia sapo ka mbërritur në vendngjarje ka nisur hetimet për rrethanat e plota të aksidentit. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë dy ambulanca, forcat e policisë së komisariatit numër 1 dhe policia rrugore. Ka qenë e vështirë fillimisht të konfirmohej humbja e jetës së deputetit Olldashi për shkak se pamja e tij ishte shfytyruar dhe makina gjendej e përmbysur 180 gradë në një terren të vështirë. Por tek trupi i tij janë gjetur dokumentet e identifikimit të deputetit, të cilat krijuan menjëherë idenë se viktima është pikërisht Olldashi, i cili ka qenë në timon në çastin e aksidentit. Rreth një orë pas aksidentit, në 23:35 është bërë e mundur nxjerrja e trupit të tij dhe transportimi me makinën e morgut për në Spitalin Ushtarak, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore. Ndërsa policia ka mundur që rreth orës 00:28 të nxjerrë nga gremina edhe automjetin, me të cilin deputeti Olldashi po kthehej nga Elbasani për në Tiranë. Nga ekspertiza e vendit të ngjarjes konstatohet se automjeti ka rrëshqitur, është përmbysur dhe më pas ka rënë në greminë. Lajmi i vdekjes së deputetit është konfirmuar rreth orës 00:20 nga zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Laura Totraku.

Kronologjia

Ora 22:50 – Igli Cara ka njoftuar i pari sallën operative në orën 21:18 se një aksident është shënuar në Krrabë. Më pas u konfirmua se një ndër personat e aksidentuar ka qenë deputeti Sokol Olldashi.

Ora 23:16 – Në Spitalin Ushtarak nuk ka mbërritur ende ambulanca me personat e aksidentuar  në greminën e Krrabës.

Ora 23:20 – Bllokohet qarkullimi në Kërrabë. Një radhë e gjatë me makina prej 1 km ka arritur zgjatimi në këtë aks, ndërkohë që vijon dhe moti i keq.

Ora 23:22 – Deputeti i PD, Igli Cara konfirmon se: Po bëhet nxjerrja e trupit. Ka dalë trupi i parë, po nxirret trupi i Olldashit.

Ora 23:30 – Aksidenti shumë pranë varrezave të Kërrabës ku poshtë në greminë ndodhet makina e përmbysur e deputetit të Olldashit, në një terren të thyer malor. Mësohet se automjeti ka pësuar disa rrotullime të njëpasnjëshme në greminë duke u shkatërruar tërësisht. Terreni ku është rrëzuar automjeti është tepër i vështirë.

Ora 00:05 – Mbërrin në Spitalin Ushtarak makina e morgut me trupin e pajetë të deputetit Sokol Olldashi

Ora 00:20 – Konfirmimi nga Policia e Shtetit se deputeti Olldashi ka qenë i vetëm në automjet dhe ka humbur jetën

Ora 00:28 –  Nxirrte makina Benz me targa “AA 003 NH” e deputetit Olldashi

 

CV e Sokol Olldashit

Deputeti i Partisë Demokratike Sokol Olldashi ka lindur me 17 dhjetor të vitit 1972 në qytetin e Durrësit. Olldashi në vitin 1995 ka mbaruar Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Drejtësisë. Në vitin 2004, ai ka mbaruar studimet gjithashtu tek Kolegji i Mbrojtjes pranë Komandës së Doktrinave (Politikat e Sigurimit Kombëtar). Olldashi është diplomuar me “Medalje të Artë”,  shkolla e mesme e përgjithshme “Naim Frashëri” në Durrës. Në karrierën e tij me profesion jurist, Olldashi në vitet 1994-1996 ka punuar si reporter pranë ATSH-së e ndërsa në vitet 1995-1999 si Zëvendëskryeredaktor për politikën në gazetën “Albania”. Në vitin 1999-2001 Olldashi mbajti postin e  kryeredaktorit në Televizionin ATN1. Sa i përket veprimtarisë politike, Olldashi në vitin 2002 u zgjodh si Kryetar i Forumit Rinor të PD-së. Ndërkohë në maj të 2005-ës deri në maj të 2009-ës Olldashi ka mbajtur detyrën e Kryetarit të PD-së në Tiranë. Ai është zgjedhur si deputet i qarkut të Durrësit për katër legjislatura V, VI, VII, VIII. Në vitet 2005-2007, Olldashi  ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm e ndërsa nga viti  2007 deri në shtator 2013, ka mbajtur postin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit. Po ashtu ai ka qenë pjesë e një sërë Komisionesh parlamentare, si Anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme, anëtar i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisit dhe anëtar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Tregtinë dhe Mjedisin. Ndërsa nga vitet 2001-2005 Olldashi ka mbajtur postin e Nënkryetarit të Komisionit të Përhershëm të Mandateve, Imunitetit dhe Rregullores. Po ashtu ai ka qenë Kryetar i Komisionit Hetimor për shqyrtimin e ligjshmërisë së përdorimit të fondeve në Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës si dhe zbatimin e ligjshmërisë për zhvillimin urbanistik në Tiranë.

 

 

Gerti Bogdani

Një lajm i tmerrshëm dhe fatkeq, që sikurse shkreptima e natës kur vjen, prishi qetësinë e familjes, miqve, atyre që e kanë njohur apo jo!!! Një humbje jashtëzakonisht e rëndë për familjen, miqtë, shoqërinë dhe politikën shqiptare!!!

Lutjet e shkojnë për shpirtin e tij që të prehet në paqe dhe për familjen që Zoti t’i japi forcë në momentin më të veshtirë të jetës së tyre!!!

R.I.P. MIK!!!

Kastriot Islami

I dashur Koli

Sonte morëm vesh

Një lajm tronditës

Deri në fund të pabesueshëm

Për një ngjarje të rëndë për familjen e të afërmit, miqtë, kolegët, të gjithë ne…

Uroj të prehesh i qetë

Zoti i dhëntë forcë familjes

Andis Harasani

Refuzoj ta besoj lajmin për mikun tim Sokol Olldashi!

Piro Lutaj

I trishtuar pa masë për aksidentin tragjik i cili i mori jetën kolegut tim Sokol Olldashi, nuk gjej fjalë për të ngushëlluar familjarët e Sokolit, në menyrë të vecantë bashkëshorten dhe 2 djemt.

U preht në paqe Sokoli i paharruar.

Erjon Braçe

U prehtë në paqe Sokol Olldashi!

Taulant Balla

Një lajm i hidhur në këtë mbrëmje për të gjithë ndarja nga jeta e kolegut tonë Sokol Olldashi. U prefsh në paqe Sokol !

Elisa Spiropali

Lutëm që mrekullia të ndodhë dhe Sokol Olldashi t’i mbijetojë aksidentit fatal. Trishtim i madh, humbje e rëndë!

Statusi i fundit i Sokol Olldashit në “Facebook”

15 nëntor

“Çështja e armëve kimike, përfundimisht u zgjidh. Ose, më sakte akoma, u fitua!

U fitua nga ata mijëra djem dhe vajza që i dolën për zot problemit dhe që meritojnë mirënjohjen dhe falënderimin tonë më të madh njerëzor.

Sot shoqëria shqiptare është më e mirë dhe, kjo, në sajë të brezit të gjimnazistëve dhe studentëve që treguan së janë po aq të pjekur sa ç’ishte brezi ynë 23 vjet më parë.

Unë ndihem mirë që isha ndër të parët politikane që iu bashkova protestës së tyre, si qytetar.

Miqësisht do t’i ftoja ta kultivonin edhe me këtë kulturë proteste që krijuan në këto dy jave sepse është një garanci e fortë për mbarëvajtjen e punëve të këtij vendi.”, – ka shkruar Sokol Olldashi pak ditë më parë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency