Karburantet Vazhdojnë mashtrimet, 341 pistoleta nafte dhe benzine me probleme

0
132

 

Drejtoria e Metrologjisë, gjoba për 76 pika

Ende nuk dihen pikat e karburanteve që vjedhin konsumatorët

 

KarburantetPas skandalit të disa muajve më parë, duket se pikat e karburanteve nuk kanë frikë nga shteti. Pavarësisht se u zbuluan me dhjetëra pika, të cilat mashtronin me sasinë, ditët e fundit janë zbuluar një sërë shkeljesh të tjera. Kryesisht, shkeljet kanë të bëjnë me pistoletat, aty ku kalon edhe nafta ose benzina. Pikat e karburanteve përdorin mjete të ndryshme, duke mos i regjistruar pistoletat apo duke ndryshuar të dhënat. “Janë bllokuar nga grupet e inspektimit dhe u është kërkuar riverifikim për 341 pistoleta, pasi gjatë testimeve rezultuan me gabime të matjes jashtë kufirit ligjor të lejuar”, – shprehet Drejtoria e Metrologjisë. Shkeljet më të rënda janë bërë kur vetë pronarët e karburanteve kanë ndërhyrë në matës. “Për 76 subjekte janë mbajtur procesverbale dhe janë marrë masa administrative, pasi kishin në përdorim instrumente matëse të paverifikuar, instrumente që u kishte kaluar afati i verifikimit periodik si dhe dëmtime nga subjekti të shenjave metrologjike”, – thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Metrologjisë. Brenda disa ditësh janë inspektuar 225 subjekte, që dispononin në total 488 aparate matëse të karburanteve me një total prej 2251 pistoletash furnizuese. Janë të shumta rastet kur konsumatorët ankohen për sasinë që hidhet në makinën e tyre. Mashtrimi kryesor lidhet me ndryshimin e të dhënave që shfaqen te matësi. Sipas prokurorisë, pikat e karburanteve që po hetohen, në çdo 10 litra kanë vjedhur 1 litër. Burime bëjnë me dije se sa më shumë naftë ose benzinë t’i hidhet makinës, aq më shumë përfitojnë pikat e karburanteve.

Cilat janë karburantet që mashtrojnë?

Ish-kryeministri Berisha lëshoi një urdhër gjatë muajit gusht për publikimin e karburanteve që vjedhin konsumatorët. Ky urdhër nuk u zbatua nga administrata e atëhershme e metrologjisë, me justifikimin se cenohej privatësia e subjekteve. Argumenti i Drejtorisë së Metrologjisë nuk ishte i mbështetur në ligj, në një kohë që legjislacioni shqiptar e detyron Metrologjinë për publikimin e subjekteve që mashtrojnë qytetarët. Aktualisht, çështja ka kaluar në Prokurorinë e Tiranës dhe vazhdon ende hetimi. Fillimisht kanë qenë 13 pika që abuzonin me sasinë, ndërsa tani është ngushtuar vetëm me 7. Kërkesa e vazhdueshme e konsumatorëve për publikimin e pikave të karburanteve që mashtrojnë me sasinë, duket se ende nuk po dëgjohet nga drejtuesit aktualë të Metrologjisë.

Kontrollet e Metrologjisë

Gjatë kësaj periudhe, janë inspektuar dhe janë mbajtur akt-kontrolle edhe për 105 subjekte që dispononin 106 instrumente matëse (peshore elektronike). Nga këto subjekte 97 rezultojnë me instrument matës të verifikuar. 8 subjekte rezultojnë me instrumente matëse të paverifikuara. Gjatë 40 ditëve, janë kryer 186 kalibrime (rezervuar karburantesh, kontalitrat karburantesh, kontator elektrik, makina të forcave material, peshore, gramar, termometra, manometra, instrumente matëse dimensional). Një pjesë e këtyre kalibrimeve janë instrumente matëse kampion të sektorëve të shërbimit metrologjik në Tiranë, Fier e Korçë. Të ardhurat nga kalibrimet arrin në vlerën 1 milion lekë, nga të cilat deri tani janë arkëtuar 581.889 lekë.

 

Ministri i Mjedisit: Pas 15 dhjetorit, asnjë gurore në Krujë

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, paralajmëroi dje të gjitha subjektet e inerteve në Krujë të mbyllin vullnetarisht aktivitetin, në të kundërt pas datës 15 dhjetor do të prishet çdo gurore.
“24 furra të gëlqeres në Krujë u mbyllën përfundimisht, për shkak të ndotjes së lartë të mjedisit, ndaj masat ndaj këtyre subjekteve që merren me shfrytëzimin e materialeve inerte kanë qenë, pezullim të aktivitetit si dhe masa administrative e gjobës”, – tha Koka. Në fjalën e tij, Koka tha se masat e ndërmarra kanë për qëllim rehabilitimin e natyrës shqiptare. Koka tha se në vazhdim do të ketë kontrolle të rrepta mjedisore. Ministri i Mjedisit u kërkoi qytetarëve që në 22 nëntor të gjithë të pastrojmë Shqipërinë. “Secili prej nesh duhet të japë kontributin e tij ndaj mjedisit, prandaj më 22 nëntor do të ndërmarrim një aksion në të gjithë vendin, duke përfshirë edhe veten time do të jem bashkë me 100 mijë vullnetarët. Ky është fillimi i një ndryshimi të madh!”, – u shpreh Koka.

 

Dolën në protestë kundër armëve kimike, notë thyerje në sjellje

Me dhjetëra nxënës të shkollës së mesme “Andon Zako Çajupi” protestuan mëngjesin e së hënës, për shkak të thyerjes së notës në sjellje nga drejtoria. Pjesëmarrja e nxënësve në protestën kundër armëve kimike ka bërë që të penalizohen nga komisioni i disiplinës shkollore ku për shkak të paralajmërimeve u rrezikohen provimet e maturës. Sipas përfaqësuesve të protestës kundër armëve kimike të cilët ishin të pranishëm në mbështetje të nxënësve ka pasur mbi 200 thyerje notash në sjellje ndërsa peticionet dërguar në adresë të drejtorit të shkollës nuk janë marrë parasysh. Vetë nxënësit nuk pranojnë t’i kthehen mësimit, ndërsa sipas tyre protesta do vazhdojë deri në heqjen e vërejtjeve si dhe ndryshimin e penaliteteve ku vetëm për shkak të disa mungesave atyre u rrezikohen provimet. “Gjatë protestës që u bë për armët kimike, të gjithë nxënësit që morën pjesë atje morën vërejtje. Kjo gjë është e padrejtë sepse ne kemi të drejtë të shprehemi dhe të kërkojmë më të mirën për të ardhmen tonë”, – u shpreh një nxënësit. “Ne i kemi dërguar një letër për të pasur një komunikim më të mirë. Kemi dërguar disa kushte por ai nuk e ka lexuar fare letrën dhe e ka hedhur poshtë. Ka shënuar në regjistrat tona vërejtje dhe gjithashtu edhe thyerje në notë në sjellje që shumë nxënës në këtë shkollë nuk futen në provimin e maturës”. tha një nxënës. Ditën e protestës në njërën nga klasat maturante vetëm 9 nxënës kanë qenë prezentë në orën e mësimit ndërsa për 28 të tjerë është marrë masa e thyerjes së notës në sjellje. Kjo tregohet dhe në këtë faqe regjistri ku nga 38 nxënës që ka klasa 28 prej tyre mungonin për shkak të pjesëmarrjes në protestën kundër armëve kimike. Nga ana tjetër drejtori i këtij institucioni arsimor Vladimir Boneci tha se nxënësit duhet t’i rikthehen mësimit ndërsa asnjëri prej tyre nuk rrezikon provimet e maturës.
“Mbas lajmërimit që i bëmë prindërve për një thyerje të disiplinës, nxënësit të vijnë në shkollë dhe jo vetëm që nuk do të marrin masë por nuk të t’u vihet as mungesë. Masat që kemi menduar ne, të cilat do t’i rishikojmë kanë qenë vetëm qortim edhe vërejtje.” tha Vladimir Boneci, Drejtor i Shkollës së mesme “Andon Zako Çajupi”. Nxënësit u shprehën se do të vazhdojnë me bojkotimin e orëve të mësimit nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen deri në heqjen e thyerjes së notave në sjellje ndërsa pritet një përgjigje nga drejtoria e këtij institucioni arsimor.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency