MESHARI Buzuku dhe “tekstet delikate” sipas Çabejt

0
380

Evalda Paci

 

 

Vështrim kritik/ Meshari i Gjon Buzukut (1555), botim kritik punuar nga Eqrem Çabej, botime Çabej, Tiranë, 2013. Pjesë të librit që mbartin mjaft veçanti janë Psalmet Pendestare apo të Pendesës, tekste delikate nga ana e përmbajtjes (duke qenë se përmbahen që në versionet më të hershme biblike), të cilat në disa raste te Buzuku janë bërë bartës shmangiesh nga origjinali, fakte këto të vëna re në çdo rast nga Eqrem Çabej…

 

 

meshari-3Meshari i Gjon Buzukut përbën një libër që përveç se shënon një hap të rëndësishëm për historinë e shkrimit shqip, ka vijuar të mbajë për studiuesit çështje të pashpjeguara për arsye të mungesës së të dhënave objektive që lidhen kryesisht me rrethanat e botimit dhe të daljes në dritë të shtypit në një kontekst ndryshimesh të rëndësishme për historinë e Ballkanit dhe Evropës.

Për çdo studiues të teksteve të vjetra shqipe dhe të historisë së librit në atë periudhë kohore të rëndësishme për Ballkanin e pa dyshim dhe për vendin tonë, përmbajtja e librit bën të kuptosh se ngërthimi në të i disa modeleve parashtronte një shkallë të caktuar vështirësie jo vetëm për hartuesit e shqipëruesit e tij, por dhe për vetë përgatitësit e botimit në fjalë.

Këto fakte bëjnë të mendohet gjithashtu se modeli i tij duhej të ishte i përcaktuar, duke qenë se libra orësh me elemente të liturgjisë së orëve në Evropë qarkullonin prej kohësh e madje dhe me elemente teknike e ornamentale më të plota se ato të Mesharit tonë.

Historia e këtij libri në traditën e studimeve tona është e shënuar nga çdo kontribut që sado i pjesshëm i parapriu një arritjeje më të madhe që nuk ndërmerret shpesh e që kushton kohë të gjatë e vite të tëra gjurmimesh mbi gjuhën e vetë veprës dhe gjithashtu me tekstet fetare të ngjashme.

Një rrugëtim të tillë mjaft të rëndësishëm por që lidhet dhe me historinë e letërsisë sonë të shkruar e me çdo arritje tjetër të ngjashme në drejtim të botimit të librave me destinacion të përafërt me atë të librit të Gjon Buzukut, Eqrem Çabej e trajtoi gjerësisht në studimet e tij, duke lënë për pasardhësit një sprovë të mirëfilltë të një hyrjeje në historinë e letërsisë së shkruar shqiptare.

Vetë mënyra e konceptimit të këtij botimi i lejoi studiuesit tonë të nënvizonte çështje që në çdo kohë i interesojnë teologut, filologut dhe studiuesit të historisë së gjuhës shqipe, dialektologjisë historike etj.

Pjesë të librit që mbartin mjaft veçanti janë Psalmet Pendestare apo të Pendesës, tekste delikate nga ana e përmbajtjes (duke qenë se përmbahen që në versionet më të hershme biblike), të cilat në disa raste te Buzuku janë bërë bartës shmangiesh nga origjinali, fakte këto të vëna re në çdo rast nga Eqrem Çabej. Në këtë mënyrë autori i botimit kritik-filologjik u ka hapur rrugë dhe hipotezave që janë ngritur dhe për pjesë të tjera të veprës ndoshta dhe për arsye të ngjashme, në lidhje me tekstet referenciale që duhet të ketë përdorur përgatitësi i saj.

Tërësia e shënimeve shpjeguese të pranishme në këtë botim dyvëllimësh e në veçanti në pjesën e dytë të tij, pa dyshim që hedh dritë dhe mbi atë përgjigje të dëshiruar prej shumë studiuesve në lidhje me përshtatshmërinë e përdorimit në ambiente rregulltarësh të vetë librit.Të njëjtat fakte u morën parasysh ndër të tjera dhe nga Atë Marlekaj O.F.M. në fund të viteve ’50, ndërsa shqyrtonte në perspektivën e një botimi të mundshëm riprodhues të librit pasaktësitë që gjindeshin në faqet e ekzemplarit të Mesharit (1)

Ribotimi i librit të Gjon Buzukut përbën një ngjarje të rëndësishme për studiuesit e shkrimeve të vjetra dhe të historisë së shkrimit shqip, por njëkohësisht për vetë historinë e librit shqip.

Një ngjarje e tillë risjell në vëmendjen tonë personalitetin e një studiuesi që gjatë gjithë rrugëtimit profesional të tij iu kushtua disa disiplinave, duke lënë për gjithsecilën kontribute të papërsëritshme dhe themelore për çdokënd që orientohet kah studimet albanologjike. Me një vullnet të rrallë E.Çabej shqyrtoi çdo detaj të përmbajtjes së librit të Buzukut, duke vënë në shërbim të çdo përgjigjeje të mundshme hollësitë që dilnin nga këto hulumtime.

Ndryshe nga veprat që i përkasin së njëjtës traditë shkrimore por që dhe që dallojnë nga ky libër në pikëpamje të përmbajtjes dhe dimensioneve tekstologjike, paraqitja në një formë të cunguar ka qenë një pengesë objektive që ka vështirësuar përherë arritjen e përfundimeve konkrete mbi historinë e librit, vendit të përgatitjes dhe të përpilimit, autorëve që mund të kenë kontribuar me tekste kishtare ndërkohë në proces përdorimi, burimeve të sakta referenciale që ishin përdorur dhe tipografisë që përdori ndër të tjera shkronja jashtë alfabetit latin por që rezultojnë të jenë përdorur dhe për shtypjen e librave që kishin destinacion të ngjashëm dhe përfaqësonin pak a shumë të njëjtën prirje të zhvillimit të traditës shkrimore jashtë kufijve të atëhershëm të vendit tonë.

Në një përpjekje për një compte-rendu të punës me Mesharin nga E.Çabej sigurisht do të duhej të merreshin në konsideratë dhe një sërë kontributesh të tijat që në fakt përbëjnë më të mirën sprovë për një hyrje të arsyetuar në shumë dimensione në historinë e letërsisë së shkruar shqiptare, duke qenë se autori kishte reflektuar mbi këto fakte dhe gjatë punës konkrete me librin e Buzukut, duke mos lënë asnjë herë jashtë vëmendjes rrethanat historike që kërkuan dhe realizimin e një libri të tillë në kontekstin shqiptar dhe në atë fqinj, dalmat e bosniak (2). Nga ana tjetër, rikonsiderimi i shënimeve shpjeguese me të cilat E.Çabej ka pajisur çdo pjesë të botimit dyvëllimësh të këtij libri të botuar për herë të parë në vitin 1968, na shpie në përfundimin se ato i kanë kaluar përmasat e një studimi të zakonshëm rreth tij. Mjafton të mendohet sa disiplinave mund t’u shërbejnë të tilla shënime dhe sa studiues mund të shërbehen duke marrë parasysh se autori i këtyre shpjegimeve a priori u ka lehtësuar punën duke sqaruar vendin që çdo lutje e caktuar zë në ecurinë e meshës dhe në korpusin e Ofices, Ritualit, elementeve kateketike, Mesharit, sa herë i njëjti tekst është rimarrë nga autori në pjesë të ndryshme të vetë librit etj.

Duhet rikujtuar që qysh në vitet ’30 të shekullit të kaluar Eqrem Çabej përfshiu në një mënyrë origjinale tekste të ngjashme nga Buzuku, Matranga dhe Pjetër Budi, jo vetëm duke vënë në dukje pika përkimi në punën e gjithsecilit me tekstet kishtare, por dhe duke i bërë një shërbim të vyer edukimit të brezave me njohjen e fillesave të lëvrimit të shkrimit në gjuhën shqipe (3).

Ai nuk la asnjëherë jashtë vëmendjes lidhjen në një kontekst të përbashkët të veprave që e pasojnë këtë libër, duke gjykuar për një lëvizje mendore-kulturore që nuk presupozonte domosdoshmërisht që autorët e kësaj tradite të kishin njohur njëri-tjetrin (4).

Në shkrimet e tij të fundit të viteve ’50 Çabej parashtron një platformë metodologjike mbi hulumtimin shkencor por dhe përgatitjen për botim të shkrimeve të vjetra shqipe, një pjesë e mirë e të cilave dhe në atë kohë në krahasim me çka parashtronte vite më parë Mario Roques(1932), akoma nuk kishin parë dritën e botimit (5). Aktualiteti i këtij shkrimi të Eqrem Çabejt, realizuar ndërkohë që ai vetë ishte në rrugë të përfundimit të këtij botimi kritik mbi librin e Buzukut, vlerësohet dhe së fundi nga filologët tanë më të mirë, që gjetën në të një udhërrëfyes të vyer metodologjik për gjurmimet e tyre (6).

Origjinaliteti me të cilin janë trajtuar pjesë të caktuara të librit mbetet një tjetër meritë e autorit të këtij botimi. Mjafton të kujtojmë integrimin e teksteve nga Oficja dhe sa herë ka qenë e mundur, qasjen e tyre me tekste të ngjashme të përmbajtura në pjesë të tjera të mëtejme të librit. Janë vënë në dukje në pjesën e parë të librit himnet e përsëritura, fragmentet antifonare që në fakt janë ndër vargjet më të gjetura nga Besëlidhja e Vjetër, elementet tekstore që janë rimarrë nga autori i librit, figurat themelore të këtyre pjesëve etj.Merren parasysh këtu dhe vënia në dukje e ndërhyrjeve në tekstin kanonik nga ana e Buzukut, mungesat që duhen shpjeguar gjithnjë me variantin referencial që duhet të ketë konsultuar autori apo me vështirësitë nga ana e tij për të arritur në përfundim të shembëlltyrave dhe nga ana e vetë Eqrem Çabejt qasjet me disa tekste referenciale në gjuhë të tjera, të cilat hedhin dritë mbi përgatitjen e autorit të librit.

Në shënimet që i takojnë kolofonit, nuk gjejmë shpjegime të thjeshta gjuhësore, por dhe rimarrje apo citime pasazhesh biblike që i paraprijnë atij dhe që kujtojnë shqipërime të mëparshme të përmbajtura në të.Kontributi i Eqrem Çabejt përqendrohet gjerësisht dhe në vlerësimin objektiv të Gjon Buzukut si përkthyes, vëmendje kjo e shprehur në vise të ndryshme të punimit të tij, ndër të tjera dhe në parathënien e plotë me të cilën ai ka introduktuar botimin dyvëllimësh të vitit 1968, të ribotuar sërish së fundi nga kolana e botimeve Çabej.

Marrja parasysh e këtij faktori çon çdo studiues drejt zbulimit të personalitetit të autorit të librit dhe të rrugës së vështirë që ndër të tjera bëhej e tillë dhe për faktin se në të konvergojnë njëherësh disa modele librash, duke e vënë Mesharin në një optikë më të veçantë nëse e krahasojmë me manuale të thjeshta katekizmi, shqipërime doktrinash doracake apo modele të bazuara mbi një libër të vetëm.

Një pjesë e mirë e emërtesave specifike të pranishme në libër iu nënshtruan dhe provës së kohës duke arritur të mbijetojnë në terminologjinë kishtare të liturgjisë së krishterë, por dhe duke u zëvendësuar në disa raste me terma të reja që mbartin kuptim të ngjashëm. Një çështje e tillë që ka të bëjë me vijimësinë e përdorimit të leksikut të librit të Buzukut dhe në veçanti me atë liturgjik, prek gjithë inventarin e përdorimeve të përmbajtura në të, problematikë kjo që e gjen rrugën e vet të trajtimit dhe në shfrytëzimin e të dhënave të vjela nga libri por të trajtuar në një tjetër këndvështrim në vetë studimet etimologjike që kanë për autor Eqrem Çabejn.Vetëm gjurmimi i evidentimit të kësaj terminologjie në studimet etimologjike të Çabejt jo vetëm te Buzuku por dhe te autorët e tjerë të kësaj tradite shkrimore, kërkon një studim të mirëfilltë gjuhësor por dhe ndërdisiplinor.

Ky ribotim më se i nevojshëm nënvizon sërish shërbimin e vyer që iu bë dijes së filologjisë së tekstit me botimin e vitit 1968, përbërë prej dy vëllimesh, ku ndër të tjera spikat një bibliografi e pasur me burime referimi që autori përdori gjatë gatitjes së kësaj pune voluminoze si dhe një regest i plotë i pjesëve biblike të pasqyruara në modelin e librit të sjellë nga Gjon Buzuku. Ribotimi i këtij kontributi nga botimet Çabej risjell mes nesh një monument të letratyrës shqipe por dhe të historisë së përkthimit të teksteve biblike në gjuhën tonë, risjell gjithashtu kujtimin e një personaliteti që nderon në çdo rrethanë studimet albanologjike.

 

Shënime:

1-Marlekaj L., Doli libri mâ i vjetri i gjuhës shqipe, Shêjzat, nr. 1-2, 1959.

2. Çabej E., Shqipja në kapërcyell:Epoka dhe gjuha e Gjon Buzukut, botime Çabej, Tiranë, 2006.

3. Çabej E., Elemente të gjuhës e të literaturës shqipe, Tiranë, 1936.

4. Çabej E., Pjetër Budi dhe gjuha e tij, në SF n.4, 1966, f.139-150.

5. Çabej E., Tekstet e vjetra shqip dhe disa kritere rreth botimit të tyre, në BUSHT, n.2, 1959.

6. Mandalà M., Gjurmime filologjike për letërsinë e vjetër arbëreshe, botime Çabej, Tiranë, 2006, f.28-30.

 

 

Brikena Çabej: Botimi i ‘Mesharit’, amaneti i tim

 

Botimi i ‘Mesharit’, amaneti i tim eti. Kështu do të shprehej me një ndjenjë mes gëzimit dhe hidhërimit Brikena Çabej, e bija e gjuhëtarit të madh, Eqrem Çabej, në promovimin e ribotimit anastatik të “Mesharit” të Gjon Buzukut. Në një mori stendash e librash që mbushin Panairin e 16-të të Librit, një nga ngjarjet më të mëdha të këtij edicioni është pa dyshim ribotimi i “Mesharit” të Buzukut, nën kujdesin gjuhëtarit Çabej, i shtypur për herë të parë në vitin 1968, shkruan Panorama.  Për Brikena Çabejn, lidhja me këtë vepër është shumë personale. “Unë linda kur im atë sapo kishte mbyllur punën e tij 10-vjeçare mbi këtë vepër dhe emrin e Buzukut unë e dëgjoja nëpër shtëpi. Fëmijëria ime nuk kuptohet pa emrin e Buzukut. Siç duket, ishte periudha kur im at përpiqej për ta botuar këtë libër. Një përpjekje 10- vjeçare. Në shtëpi ruaj letërkëmbimet me kolegët e tij rumunë, të cilëve u kërkonte ta ndihmonin me shtypjen e librit. Dhe në momentin që libri erdhi në Shqipëri, ai nuk u shpërnda dot, sepse në vitin 1967-1968, me ndalimin e fesë në Shqipëri, edhe ky libër u burgos. Pra, ai mbeti vetëm i shtypur, por jo i botuar. Ky ishte pengu më i madh i tim eti deri në shtratin e vdekjes, një amanet, të cilin unë e kam dëgjuar nga të tjerët, pasi atëherë isha shumë e re”, tregon Çabej, teksa shpreh shqetësimin se edhe pas kaq shumë vitesh, përpjekje të tilla, si këto të Eqrem Çabejt, mbeten të vetmuara. Dhe vepra të tilla të rëndësishme për kulturën shqiptare botohen me kontributet modeste të fëmijëve të autorëve. Në promovimin e botimit kritik, studiuesi Seit Mancaku e Anila Omari vunë në dukje rëndësinë që ka “Meshari” i Gjon Buzukut, si e para vepër e shkruar e gjuhës shqipe, që bëri ndarjen mes periudhës paraletrare dhe asaj letrare, por dhe të studimeve të Çabejt, të tezave të tij mbi gjuhën shqipe dhe për dialektet. Në botimin e ri të Mesharit përfshihen faksimile të tekstit origjinal të vitit 1555, transliterimi dhe transkribimi i tij, si dhe një hyrje e vetë profesor Çabejt për Buzukun, i cili përbën një studim të hollësishëm dhe të thelluar të librit më të parë në shqip të njohur deri më sot. Edhe pse i përfunduar në vitin 1958, për shkak të problemeve në gjetjen e një shtypshkronje, “Meshari” u botua në 1968, pas ndalimit të fesë në Shqipëri. “Meshari” i Çabejt u shtyp në Rumani. Libri do të strehohej në bodrumet-magazina të Institutit të Gjuhësisë, kurse vetëm ndonjëherë apo tek-tuk dhurohej me ndonjë rast special. Shumica u shkatërrua për shkak të viteve dhe braktisjes.

 

 

 

Rexhep Ferri, nostalgjinë e ’67-ës në Tiranë

Nesër, në orën 18.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë,  akademiku dhe njeriu i letrave të Kosovës, piktori Rexhep Ferri paraqet për publikun në Shqipëri ekspozitën vetjake e kuruar nga studiuesja e GKA-së, Suzana Varvarica Kuka. Në ekspozitë paraqiten 50 vepra në pikturë, në teknikën vaj mbi pëlhurë. Veprat janë një pjesë e krijimtarisë 50 vjeçare të Ferrit. Vepra më e hershme është e vitit 1967, me titull “Porosia”. Atmosfera e ekspozitës ndërtohet në idenë e titullit të saj: “Larg dhe Afër”, si një ndjesi e natyrshme dhe e gjeneruar nga hapësira e zhvillimit të arteve pamore në të dy vendet tona shqipfolëse, që në fillim të shek. XX.

Rexhep Ferri u lind në Kukës, më 10 tetor 1937. Familja dhe jeta e tij ka përshkruar pothuajse të gjithë Veriun e Alpeve shqiptare. Ferri ka përfunduar shkollën e mesme të artit në Pejë në vitin 1958 dhe është diplomuar në pikturë në Akademinë e Arteve në Beograd në vitin 1966. Kreativiteti i tij ka rrugëtuar në dy paralele: në pikturë dhe në letërsi, që njëkohësisht, janë zhvilluar së bashku. Në vitin 1962, botoi poezitë e para në librin “ Shëtitësit e vonë” dhe në vitin 1967 hapi ekspozitën e parë personale, në galerinë e Qendrës Kulturore në Prishtinë. Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë se Arteve Figurative në Prishtinë dhe në vitin 2000 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku punon aktualisht.

Rexhep Ferri i përket artistëve që e formuan stilin e tyre përmes studimit dhe kërkimit në disiplinat e modernizmit botëror. Ai kapërceu me shumë sukses kahet e forta e ndikuese të tyre dhe arriti të ketë gjuhën e tij pamore. Ajo spikat për imazhin e pastër figurativ, ku subjekti i nisur tretet si një mbresë e lënë dhe mediumi imagjinar merr pushtetin kryesor dhe dallon i pa ngatërrueshëm në mesin e pasurisë së pafund të eksperiencave ndërgjegjësore figurative.

Më 18 nëntor, të hënën, në orën 12.00, në Galerinë Kombëtare të Arteve zhvillohet konferenca për shtyp gjatë së cilës do të jetë pjesëmarrës artisti Rexhep Ferri, i cili do të prezantojë më gjerësisht ekspozitën vetjake.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency