Denoncojnë: “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” -nuk duhet të shitet, është i piratuar!

0
163

Dje, në ditën e tretë të Panairit të Librit “Tirana 2013”, Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka organizuar konferencën, “Pirateria dhe ilegaliteti po e vrasin librin në Shqipëri”. Në fjalën e hapjes kreu i Shoqatës së Boutesve, Petrit Ymeri ngriti edhe një herë shqetësimin, gjithnjë e më të dukshëm të botuesve për fenomenin e piraterisë së librit në Shqipëri. “Pashë një vëllim të botuar së fundmi, “Shenjat e pikësimit në gjuhën shqipe”…

 

timthumbDje, në ditën e tretë të Panairit të Librit “Tirana 2013”, Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka organizuar konferencën, “Pirateria dhe ilegaliteti po e vrasin librin në Shqipëri”. Në fjalën e hapjes kreu i Shoqatës së Boutesve, Petrit Ymeri ngriti edhe një herë shqetësimin, gjithnjë e më të dukshëm të botuesve për fenomenin e piraterisë së librit në Shqipëri. “Pashë një vëllim të botuar së fundmi, “Shenjat e pikësimit në gjuhën shqipe”, tha ndër të tjera ai.

“Dikush nga ne mund të mendojë se sa mirë që drejtëshkrimi i gjuhës shqipe qenka i botuar. Padyshim, është shumë mirë, por atë ka të drejtë ta botojë vetëm autoriteti që e ka përgatitur që është Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë. Nuk mund ta botojë asnjë shtëpi botuese pa të drejtë. Po kështu edhe Shenjat e Pikësimit, duhet t’i botojë vetëm instituti i Gjuhësisë apo një botues i autorizuar prej tij. E solla këtë shembull sepse pashë një akt shumë pozitiv në stendën e Librarisë Albania. Kutinë me vëllimin “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” e kishin vënë menjanë me shënimin “nuk duhet të shitet, është i piratuar. Sepse, për fat të keq, në libraritë tona ekspozohen libra të piratuar, që nga këta tituj që pëmenda e deri tek autorë shumë të njohur, të cilët janë bërë publikë, por që përsëri janë nëpër librari. Pavarësisht se u fol e u shkrua, nga “Meinf Kamf” i Hitlerit e deri te “Arqipelagu Gulag” e shumë e shumë libra të tjerë të autorëve të njohur vazhdojnë të shiten. Libraritë në asnjë mënyrë nuk mund të punojnë më në këto forma. Të gjitha bashkë duhet të bashkëpunojmë, botuesit, me botuesit, botuesit me distributorët, botuesit me librarët. Në qoftë se në do të jemi të gjithë në një front të përbashkët atëherë do ta arrijmë këtë qëllim”. Në emër të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Ymeri ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithëve, botuesve e institucioneve shtetërore për t’u përballur siç duhet me këtë problem.

Prej vitesh e angazhuar në këtë fushë, një panoramë të plotë mbi piraterinë në Shqipëri ka bërë edhe specialistja e së drejtës së autorit, në ZSHDA, Mirlinda Çollaku. Ajo e ka ndarë situatën e të drejtës së autorit në Shqipëri në dy etapa: 1992-2005- krijimi i një tregu informal, sipas mundësisë; 2005-2013- standartizimi i tregut të librit, standartizim, i cili për fat të keq nuk ka ndodhur plotësisht.

“Si në shumë fusha dhe veprimtari që zhvillohen në Shqipëri edhe në fushën e të drejtës së autorit fajin nuk e ka mungesa e Ligjit, por moszbatimi i tij”, tha ajo. Si shkeljet më të shpeshta me të cilët janë ndeshur Çollaku ka veçuar disa. E para, rastet kur autorë, ndryshojnë, gjatë kohës së kontratës, shtëpi botuese, duke prodhuar një situatë, ku dy shtëpi botuese, hedhin të njëjtën vepër në qarkullim, pa dakordësinë e palëve në kontratë ose pa u zgjidhur kontrata, sipas ligjit. “Këtu duhet patur parasysh se njëri nga elementet e kontratës se botimit është forma ekskluzive ose jo ekskluzive  e kalimit të të drejtës nga autori tek shtëpia botuese. Në rastin e një kontrate ekskluzive autori nuk mund ta kalojë të drejtën e botimit të veprës tek një shtëpi tjetër botuese. Kurse në rastin e kontrates jo ekskluzive ai është i lirë ta bëjë këtë gjë”.

Rast tjetër i ndeshur shpesh, sipas Çollakut, është kur një shtëpi botuese, e cila, pasi analizon dhe bindet për zhanrin artistik, i cili i prodhon të ardhura një shtëpie tjetër botuese, futet në treg, pa marrë asnjë autorizim nga autori, kryesisht i huaj, duke qenë të bindur në mosfunksionimin e shtetit. “Në të tilla raste, mundësia e marrjes se Barcode, ISBN, Rregjistrim Kontrate, etj, nuk ekzistojnë”, tha ajo. “Pa përmendur asnjë emër, por kemi dëgjuar dhe publikisht të shprehen shtëpi botuese, që kanë botuar vepra “dhe nuk e kanë ditur se kush është mbajtesi i të drejtës se autorit. Ç`ka do të thote botim “pa autorizim nga autori”

Gjithashtu raste të tjera të ndeshura shpesh e të veçuara nga Çollaku ishte edhe kur një shtëpi botuese, riprodhon, vepra artistike të shtëpive botuese të falimentuara, duke bërë lidhje të shkurtër me shtypshkronjat përkatëse. “Shtypshkronja, të cilat furnizojnë tregun e librit, me kopje libri, më shumë se tirazhi, i kërkuar nga shtëpia botuese. Ky fenomon ka çuar, që shumë shtëpi botuese, të zotërojnë vetë edhe shtypshkronja. Por ka raste edhe kur shtëpitë botuese botojnë apo ribotojnë veprën e autorit dhe deklarojnë më pak kopje të shitura apo të botuara duke i munguar kështu një pjesë të të ardhurave autorit”.

Shkelje të tjera që tregu shqiptar i librit njeh sipas Çollakut është edhe përkthimi dhe shtypshkrimi i veprave artistike, të blera jashtë Shqipërisë, për qëllime personale, të cilat në Shqipëri, shndërrohen në vepra artistike për tregtim. “Shkolla dhe universitete, të cilat shesin produkte librare, pa asnjë të drejtë, bile në formë fotokopje të veprave artistike nga më të mirat, në botë. Mjafton të bësh një shëtitje rreth ambjenteve universitare dhe shiten mijëra kopje librash të fotokopjuar”. Por, sipas Çollakut, njësoj problem mbeten edhe përkthimi dhe botimi i veprave artistike të marra  nga interneti, sipas programeve kompiuterike Bit Torrent ose Common Creative. “Por për fat të keq dhe të mirë pirateria e librit në Shqipëri, deri më sot, ndeshet kryesisht në formën më primitive te saj”, tha ajo. “Them për fat të keq, pasi është e turpshme që institucionet shqiptare nuk kanë mundur të eliminojnë as këtë formë elementare piraterie. Them për fat të mirë, pasi sot në botë problem madhor me piraterinë është i lidhur me zhvillimet teknologjike dhe me botën e re virtuale të internetit”.

Për situatën e piraterisë ndër botime ka folur në Konferencë edhe shefja e zyrës së të Drejtës së Autorit në Kosovë, Zjarrta Osmani. “Ndikimi i piraterisë shihet gjithandej, si në industrinë e muzikës, të filmit, në hapsirën ekonomike ashtu edhe tek libri. Çështja e luftimit të piraterisë është një sfidë botërore dhe jo vetëm e jona”, tha ajo duke shtuar se ndërkohë në Kosovë ka nisur puna dhe janë bllokuar dhjetra tituj të piratuar e po punohet fort që situata të vihen në kontroll e të mundësohet zbatimi i ligjit.

Gjithashtu Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, tha se 20 vitet e fundit në Shqipëri ka ndodhur një revolucion i vërtetë në fushën e librit në përgjithësi dhe atij artistik në veçanti. “Mijëra e mijëra tituj që janë botuar e botohen e bëjnë këtë dukuri kulturore unike në Europë, pasi askund tjetër nuk vërshuan botimet me këtë etje si në Shqipëri, sepse askush tjetër nuk u privua më rëndë nga libri sesa lexuesi shqiptar”, tha Kumbaro. Ndaj kjo meritë e jashtëzakonshme e botuesve dhe sidomos e lexuesit te mrekullueshme shqiptar duhet permendur e permendur pa rreshtur, sepse sa më të ndërgjegjësuar të jemi për ato që kemi arriur, aq më të përgjegjshëm bëhemi për sfidat që na rezervon e tashmja dhe e ardhmja e librit shqip”. Sipas Kumbaros dukuria e leximit ka kaluar gjithashtu pragun e një revolucioni teknologjik ku letra kaq e dashur për miliona lexues anë e kënd, po konkurrohet nga ekrane duke sfiduar kështu lexuesin dhe në fund të fundit librin. “E në këtë kuptim kjo dukuri që tashmë ka zënë rrënjë edhe në Shqipëri ka rolin e vet të padiskutueshëm në rënien e titujve apo tirazheve, por jo të lexueshmërisë në përgjithësi. “Situata ekonomike e viteve të fundit, pavarësisht që kurrë nuk u pranua me zë të lartë, dëmtoi jo vetëm xhepat e shqipëtarëve, por edhe bibliotekat shtëpiake të cdo shqiptari, që reshti më pak libra, që vari më pak piktura në mure etj pasoja të ngjashme. Pas kësaj arsyeje vijnë edhe arsye të tjera që luajnë rolin e tyre negativ në shëndetin e librit artistik në Shqipëri: cmimet relativisht të larta ( apo cmimet mbuluar nga cmimet) krahasimisht me mirëqenien e lexuesit të vërtet dhe aktiv (lexuesi i shtresës së mesme), ka rolin e vet negativ; përkthimet e dobëta; zhgënjimet nga shtëpitë botuese që rendin pas kolanave tërësisht komerciale apo joletrare, dëmtojnë dukshëm shëndetin e librit artistik; mosvënia në qendër të vëmendjes e autorit/përkthyesit dhe zëvendësimi i rolit të tyre publik dhe opinionbërës nga ana e botuesit (shpesh krejt amator dhe jo profesional) është një tjetër dëm që i shkaktohet shëndetit të librit; shkëputja nga lexuesi i ri, mosedukimi apo më mirë akoma keqedukimi i të rinjve më shijen mediokre apo mesatare i bën ata blerës jo potencialë të librit artistik të mirëfilltë dhe kjo ndikon në shëndetin e librit; mungesa e theksuar e periodikëve letrarë, e nje klime të qartë kulturore dhe artistike; mungesa e suplementeve të vërteta dhe të përgjegjshme letrare dhe kritike, është një tjetër dëm që i shkaktohet librit; mungesa e cmimeve të shumta, të shumëllojta letrare; mospërshtatja me format e reja leximore, që përparojnë gati cdo ditë, është një tjerë dëm që i shkaktohet librit; mungesa e promovimeve të librave dhe autorëve dhe lënia e tyre një herë në vit para lexuesve më shumë i mistifikon autorët sesa i bën ata të prekshëm, të gjallë për lexuesit shtuar dhe apatitë e bibliotekave dhe librarive kudo ku janë që ende nuk i kanë hapur dyert ndaj shkrimtarëve dhe përkthyesve, janë të tjera shkaqe që e dëmtojnë shëndetin e librit”, tha Kumbaro. Përveç të gjitha këtyre arsyeve Ministrja e Kulturës ndali edhe në dukurinë e piraterisë dhe informalitetit, për të ciat shprehu shqetësim duke theksuar se po mendohet mënyra se si do të ndërhyet për t’i dhënë një ndihmë të vërtet librit, lexuesve,krijuesve dhe botuesve. “Një amendim i mundshëm i Ligjit të Librit ku të evidentohen këto shqetësimie, një shtim i konsiderueshëm i partneritetit me Shërbimet tatimore ndaj shkelësve të të drejtave të autorit, apo atyre botuesve që janë të palicensuarar, apo ndërgjegjësimin qytetar për t’i refuzuar botime të tilla. Zyra e Të drejtave të Autorit, duhet të ristrukturohet e të luajë një rol juridik që sot nuk po e realizon, duke kthyer Inspektorët në komisionerë të zbatueshmërisë së Ligjit të të drejtave të autorit”. Në konferencë diskutuan edhe botues nga Shqipëria dhe Kosova, pjesëmarrës në Panairin e Librit, por edhe përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri.

A.Cenaj

 

 

 

Me librin “Pothuajse dje”, Lleshanaku autorja më e  mirë e Botuesve

Mëngjesi i së shtunës në Panairin e Librit “Tirana 2013” është hapur me konferencën e zhvilluar nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, me temë, “Trans/Port, Autori dhe Përkthyesi”. Nën drejtimin e vetë ministres është zhvilluar një bashkëbisedim, janë hedhur ide e trajtuar probleme me të cilat ndeshet sot bota e përkthimeve në Shqipëri. Pjesëmarrës në konferencë ishin shkrimtari Fatos Kongoli, përkthyesi Edmond Tupja, Mira Meksi, Bashkim Shehu, Javier Cercas, Manuel Montobbio, Romeo Çollaku, Arian Leka, Anteo Hrisostomidhi, por edhet pedagogë dhe studentë të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë dhe të Gjuhëve të Huaja.

Pas kësaj në sallën ovale të Pallati të Kongreseve, juria e këtij viti e përbërë nga Arta Marku, Dhurata Shehri, Fatos Baxhaku, Parid Teferiçi dhe Saverina Pasho kanë dhënë çmimet e Panairit të Librit. Ceremoninë e ka hapur Dhurata Shehri e cila ka sqaruar edhe kriteret mbi të cilat janë vlerësuar veprat dhe prurjet e këtij viti.

“Kriteri i parë që duhej të plotësonin veprat e paraqitura ishte që këto libra të ishin botime të paraqitura në panairin e 16-të, pra të mos ishin vepra të pranishme në panairin e vitit të kaluar. Thënë ndryshe vepra të botuara nga dhjetori i vitit 2012 deri në momentin e hapjes së panairit të këtij viti. Librat janë paraqitur para jurisë që në qershor, 105 libra nga 27 shtëpi botuese. Numri i shtëpive botuese, por edhe i autorëve është më i madh këtë vit. Fatkeqësisht numri i shtëpive botuese pjesemarrese ne këtë panair është më i madh sesa ato që kanë paraqitur librat e tyre para jurisë. Një tjetër dukuri me të cilën jemi ndeshur është se numri i shtëpive botuese nga Kosova, të pranishme në konkurrim është gjithashtu më i madh sesa vitin e kaluar. Gjithashtu kam kënaqësi të them se, pas dy vjetësh mungesë, këtë vit rikthehet çmimi i librit më të mirë për fëmijë. Pra kemi prurje të mira në letërsinë për fëmijë”, tha Shehri.

Çmimin Autori i Vitit, i cili këtë vit i është dhënë Luljeta Lleshanakut për librin me poezi “Pothuajse dje”, botuar nga “Ombra GVG”, me motivacionin “kuota e spikatur e bashkëkohësisë sjell dhe një ekuiliber të ri të forcave të saj shprehëse”.

Pas marrjes së çmimit shkrimtarja Luljeta Lleshanaku tha: “Ata që shkruajnë poezi e dinë sesa e vështirë është të shkruash poezi. Me këtë libër jam marrë pothuajse 6 vjet”.

Më tej, Parid Teferiçi ka dhënë çmimin Përkthyesi i Vitit, Astrit Beqirajt, për përkthimin e veprës “Udhëtime me Herodotin” të Rishard Kapushcinskit, me motivacionin: “Për përkthimin e veprës “Udhëtime me Herodotin” të Rishard Kapushcinskit, duke na sjellë me koherencë dhe zhdërvjelltësi një autor të rëndësishëm të kohëve tona.

Çmimin  për Veprën Studimore i është dhënë Sabri Hamitit për veprën “At Zef Pllumi”, botuar nga “Albas”. Motivacioni: Për librin studimor “Zef Pllumi”, në të cilin rigoroziteti dhe eleganca shoqërojnë përkufizimin e një figure madhore, por ‘sui generis’, të letrave shqipe”.

Ndërsa kreu i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri i ka dhënë Gaqo Bushakës çmimin e Librit më të mirë për Fëmijë, për librin “Pas festës së abetares”.

“Çmimi i vitit që kemi dhënë për letërsinë për fëmijë i jepet një emri shumë të njohur nga breza të tërë lexuesish”, tha Ymeri. “Është një emër emblematik, krijuesi i personazhit të njohur të Çufos me të cilin janë rritur shumë breza. Gaqo Bushaka ka një kontribut të jashtëzakonshëm në letërsinë shqipe dhe jetën kulturore në Shqipëri. Figura e tij modeste është e lidhur pashmangshmërisht me veprën e tij me kualitet të veçantë”.

Motivacioni për Gaqo Bushakën ishte “Gaqo Bushakës, për librin për fëmijë “Pas festës së abetares”, në të cilin aftësia argëtuese bashkohet me atë didaktike”.

Këtë vit juria ka akorduar edhe një çmim të veçantë, atë të përkthyesit më të mirë të veprës së Albert Kamysë, meqë ky ishte edhe 100 vjetori i lindjes së shkrimtarit të madh. Ky çmim iu dha, pas vdekjes, profesor Petrit Sinanit për përkthimin “Miti i Sizifit”.

Me motivacionin: “Për përkthimin e veprës “Miti i Sizifit” të Albert Camus, duke na sjellë në një shqipe, sa besnike aq edhe dinjitoze, një prej kryeveprave të mendimit modern”, çmimin e ka tërhequr bashkëshortja e profesorit, e cila mes lotëve të mallëngjimit ka falenderuar jurinë. “Petrit Sinanit diti me punën e vet ta bënte veten të pranishëm sot dhe në brezat që do vijnë duke na lënë pas një punë të shkëlqyer”, tha Saverina Pasho. “Çmimi jepet në konteksin e 100 vjetorit e Albert Kamy, i cili është nga ata shkrimtarë që koha i jep të drejtë, një përcjellës i ideve të mëdha të demokracisë”. Juria e Panairit të Librit ka dhënë sot edhe çmimin “In memoriam” zonjës Hida Halimi për romanin “Shpina”, botim i “OMbra GVG”, me motivacionin “kthjelltesia e rrefimit “fsheh” dhe tiparet me origjinale të prozës së saj”. Panairi i Librit “Tirana 2013” mbyllet sot në mbrëmje. Këtë vit kanë marrë pjesë 94 shtëpi botuese nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova dhe për publikun janë prezantuar 1200 tituj të rinj. Siç bëri me dije edhe kreu i shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, qysh në ceremoninë e hapjes së panairit, tregu i librit po përjeton faktin e mbylljes së mjaft librarive ose pikave të shitjeve në Tiranë, në Fier e qytete të tjera. Kriza e pagesave është duke u rënduar gjithmonë e më shumë dhe në dy vitet e fundit shitjet kanë rënë në përqindje mjaft të dukshme, 20 deri në 30 për qind. Numri i botimeve gjithashtu është ulur (1086 deri sot, krahasuar me 2866 te vitit te kaluar) dhe ndër motivet kryesore, përveç krizës së përgjithshme ekonomike e politikave aspak lehtësuese për botuesit, shkak janë edhe dukuria e piraterisë dhe informalitetit, fenomene që ekzistojnë rëndom jo vetëm tek botimet e librave artistikë, por edhe ata shkollorë, universitarë. Ndërsa Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka thënë se së shpejti do të ketë reforma ligjore në fushëne librit, dhe nga ana tjetër priten të merren masa duke hapur një fushatë të re në tregun e botimeve shqiptare!

Arlinda Cenaj

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency