Kundër armëve kimike, studentët ngujohen para Kryeministrisë: Duam përgjigje

0
151

Driçim Çaka

 

Studentët: Nëse na sillni armët kimike, do t’u rikthehemi protestave, njësoj si në vitin 1991

 

 

2013-11-14-210Duke filluar nga ora 8 e mëngjesit të djeshëm, studentë dhe qytetarë të thjeshtë kanë protestuar kundër armëve kimike. Fillimisht përpara Parlamentit dhe më pas te sheshi përballë Kryeministrisë, protestuesit janë ngujuar dhe nuk kanë pranuar të lëvizin. “Do të qëndrojmë këtu derisa qeveria të mos pranojë helmet siriane”, – thoshin ata. Me pankarta në duar, duke brohoritur dhe kënduar, protestuesit u kanë thënë “jo” helmeve nga Siria. “Nuk kemi pse studiojmë kur do vdesim”; “Kjo qeveri, është rilindje apo vdekje?”; “Ne jemi parlamenti i Shqipërisë”, ishin thirrjet e vazhdueshme të qytetarëve. Të ulur në gjunjë dhe duke kënduar himnin kombëtar, protestuesit kanë kërkuar të dëgjohet zëri i tyre ose në të kundërt do të shkojnë deri në mosbindje civile.

Para Parlamentit

Që në orët e para të ditës së djeshme studentët dhe nxënësit, të nisur nga Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, shkolla e mesme “Ismai Qemali”, shkolla “Sami Frashëri” dhe nga shumë shkolla dhe universitete të tjera i janë drejtuar ndërtesës së Parlamentit të Shqipërisë. Me pankarta në duar dhe me maska në fytyrë, të gjithë kishin vendosur të bojkotonin mësimin. Duke filluar nga ora 8:30, përpara Parlamentit ishin mbledhur mijëra protestues. Që në momentet kur kanë mbërritur përpara Parlamentit, të rinjtë u përballën me një kordon policie, i cili nuk i lejoi për të protestuar përpara Parlamentit, por në krah të tij. “Ne jemi e ardhmja, mos na rrezikoni jetën”; “Nuk kemi pse studiojmë, kur do vdesim nga armët kimike”; Ne u themi ‘jo’ armëve kimike”, ishin disa nga pankartat që mbanin në duar nxënësit dhe studentët. Protestës së të rinjve i janë bashkuar ambientalistë dhe qytetarë të thjeshtë. “Nxënës dhe studentë, protestoni sot kundër armëve kimike që nesër të mos kemi një Hiroshimë të dytë. Zëri juaj është prova më e mirë që këta 140 deputetë t’i thonë “jo” ardhjes së armëve kimike në vendin tonë”, – u shpreh ambientalisti Sazan Guri.

Të gjithë kundër

Pavarësisht se ishin “paralajmëruar” nga mësuesit e tyre për të mos braktisur mësimin, nxënësit e të gjithë shkollave të mesme të Tiranës kishin vendosur të protestonin kundër armëve kimike. “Jemi këtu kundër lejes së mësuesve, por ne paralajmërojmë të gjithë deputetët se nuk do të shkojmë në mësim derisa t’u thuhet ‘jo’ armëve kimike”, – u shpreh një nxënëse e shkollës “Ismail Qemali”.

“Bashkëmoshatarë, prindër dhe gjyshër, ju bëjmë thirrje që të ngriheni të gjithë për të kundërshtuar ardhjen e armëve kimike në Shqipëri. Ne jemi e ardhmja, do ta vendosim ne nëse ato armë do të vijnë apo jo”, – u shpreh një përfaqësues i Universitetit të Inxhinierisë.

Me thirrjet “Shqipëria është e jona” dhe me këngën “Xhamadani vija-vija”, të rinjtë u kërkuan deputetëve që në atë sallë të dëgjohet zëri i protestuesve, në të kundërt çdo ditë do të dalin në protestë. “Në shesh do të na keni çdo ditë. Nëse i sillni ato armë në Shqipëri, do të përballeni me forcën e një brezi plot energji”, – tha një nxënëse e shkollës “Sami Frashëri”.

Studentët e Mjekësisë kishin zgjedhur një mënyrë të veçantë për të shprehur kundërshtinë e tyre ndaj një vendimi të mundshëm, duke u veshur të gjithë me përparëse të bardha dhe maska kundërgazi.

Studentët u kujtuan deputetëve për protestën e vitit 1991. “Shumica prej atyre studentëve që ndodhen në atë sallë, kanë qenë në protestën e vitit 1991 për rrëzimin e diktaturës. Ju duhet ta kuptoni shumë mirë se studentët nuk kanë frikë nga asgjë dhe nëse na sillni armët, ku jeta jonë do vihet në rrezik, ne do ta rikthejmë atë vit”, – u shpreh një student i Fakultetit Ekonomik.

Të gjithë dëshironin të flisnin, nga më i vogëli te më i madhi. Një nënë kishte ardhur në protestë për të sjellë mesazhin e tri vajzave që jetonin në Amerikë. “Studentë, protestoni sot, pasi nesër ato armë do të na vrasin. Amerika nuk i do armët kimike, se ka frikë për popullin e saj. I kërkojmë qeverisë që edhe ajo të ketë frikë për popullin shqiptar kudo që ndodhet”, – u shpreh e moshuara.

Meta: Qeveria është juaja

Thirrjet e vazhdueshme të ambientalistit Sazan Guri dhe të nxënësve kanë bërë që para fillimit të seancës parlamentare, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, të ndalet disa minuta përpara protestuesve. “Dua t’ju siguroj se ky është vendi juaj dhe kjo është qeveria juaj. Asnjë vendim nuk është marrë dhe nuk do të merret pa dëgjuar zërin tuaj dhe të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Të jeni të sigurt se çdo vendim do të ketë në themel të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjithë të rinjve dhe të rejave që janë këtu dhe kudo në të gjithë vendin”, – u shpreh Meta. Ndërkohë, gjatë fjalës së tij, dhjetëra nxënës kanë vërshëllyer kundër fjalëve të kreut të Kuvendit, Ilir Meta. “Kini besim, sepse ky është Parlamenti juaj. Kjo është qeveria juaj. Të jeni të qetë dhe të sigurt se çdo vendim do të ketë në themel zërin tuaj, të ardhmen tuaj që nuk do të cenojë. Unë ju premtoj që bashkë me përfaqësuesit më të shquar të shoqërisë civile, bashkë me të gjithë ata që kujdesen për të ardhmen e vendit, ne do të jemi në krahun tuaj dhe në të ardhmen e vendit dhe absolutisht ju duhet të jeni të sigurt që ky Parlament dhe kjo qeveri nuk mund të vihet kundër vullnetit tuaj”, – përfundoi Kryetari i Kuvendit fjalën e tij. Për afro 2 orë e 30 minuta nxënës, studentë dhe qytetarë të thjeshtë shprehën mendimin e tyre kundër armëve kimike. Nuk donin që protesta e tyre të etiketohej si politike, por donin që 140 deputetët që ata vetë i kishin zgjedhur të dëgjonin zërin e brezit që do të drejtojë Shqipërinë në të ardhmen.

Para Kryeministrisë

Nga ora 11 e paradites deri në orët e vona të mbrëmjes protestuesit kanë qëndruar përpara Kryeministrisë. Herë në këmbë duke brohoritur, herë të ulur në gjunjë, qytetarët njëzëri i kanë kërkuar qeverisë të mos pranojë armët kimike nga Siria. Të pranishëm në shesh ishin të gjithë, të rinj, qytetarë të thjeshtë, analistë të njohur, grupe tifozësh dhe si në çdo rast qytetarë nga Kosova. “Shqipëria është imja dhe unë them jo”; “Parlamenti jemi ne”; “Unë vendos dhe unë them jo”, ishin disa nga thirrjet e vazhdueshme të protestuesve. Si çdo ditë, qytetarët kanë mbajtur në duar pankarta, të cilat i kishin shkruar vetë dhe ku pjesa më e madhe e tyre kishin mbishkrimin “jo”. “Kjo qeveri është rilindje apo vdekje?”; “E duam Shqipërinë pa helme”, shkruhej në pankarta.

Protestuesit

Në një skenë përpara Kryeministrisë dhe me një mikrofon që nuk dëgjohej nga të gjithë, qytetarë të ndryshëm kanë thënë fjalët e tyre para protestuesve. Si çdo ditë, ambientalisti Sazan Guri dhe Zirkon Disha kanë qenë moderatorët e protestës. “Ne kemi pashallarë në krye të institucioneve, turp për ata që na drejtojnë, turp për ata krerë fetar që nuk reagojnë, turp për policinë dhe për shtetin që na kanë rrethuar si të ishim karkaleca”, – u shpreh Albani, një prej organizatorëve të protestës. Ndërkohë që qytetarë të ndryshëm flisnin, policia nga ana e saj kishte rritur numrin e forcave të saj dhe kishin rrethuar Kryeministrinë. “Nuk jemi këtu se na ka thirrur Partia Demokratike, nuk jemi këtu se na ka thirrur Partia Socialiste, nuk na ka thirrur as LSI, por jemi zëri i popullit shqiptar, të cilët u thonë ‘jo’ armëve kimike”, – tha një nga protestuesit. “Do të preferoja që djemtë e mi të shkonin ushtarë në luftë sesa armët kimike të vinin në Shqipëri”, – u shpreh një protestuese nga Tirana. Rreth orës 3 të drekës organizatorët e protestës kanë falënderuar të pranishmit dhe janë larguar për disa momente, duke lënë të nënkuptohet se protesta mori fund. Por pavarësisht nga kjo thirrje, protestuesit, kryesisht studentë, nuk kanë pranuar të lëvizin dhe kanë vazhduar të qëndrojnë të ulur para Kryeministrisë. “Nuk ikim, nuk ikim, nuk Ikim”, – vazhdonin thirrjet e protestuesve.  “Askush nuk do të largohet derisa qeveria t’u thotë ‘jo’ armëve kimike”, – u shpreh një studente në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Ndërkohë që gjatë gjithë ditës dhe natës qytetarët kanë protestuar, edhe sot do të vazhdohet me protesta masive në çdo qytet.

 

 

Basha dhe Berisha mbështesin protestën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministri, Sali Berisha, kanë mbështetur protestën që u zhvillua përpara Kryeministrisë. Rreth orës 2 të drekës, Basha dhe Berisha kanë parakaluar mes protestuesve, duke qëndruar disa momente të ulur në tokë. Kreu i PD-së, Basha, dhe ish-kryeministri janë përshëndetur me të rinjtë. Pas një parakalimi mes turmës së protestuesve të dy janë larguar drejt ndërtesës së Partisë Demokratike.

 

Protesta në Shkodër, Elbasan, Fier dhe Durrës: Për një Shqipëri të pastër

Qytetarët e Shkodrës kanë protestuar ditën e djeshme kundër armëve kimike. Protestuesit kanë bërë thirrje për një “Shqipëri të pastër”. Nxënësit e shkollave të mesme në Durrës kanë dalë në protesta. Tubimi i tyre është zhvilluar në qendër të qytetit dhe ata kanë bllokuar rrugën. Protesta u zhvillua në sheshin “Iliria”, pikërisht në zonën qendrore, ku ndodhen edhe institucionet kryesore vendore. Ata kanë bërë thirrje që armët kimike siriane të mos vijnë në Shqipëri për t’u shkatërruar. Ndërkohë, nga Shkodra ka reaguar për armët kimike edhe Arqipeshkvi Metropolitan i Shkodër-Pultit, Massafra. “Jemi kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri, nuk mund të trajtohemi kështu se jemi një vend i varfër, armët t’i demontojnë ato vende që i kanë prodhuar ose t’i demontojë ai vend që i ka pasur në posedim”, – u shpreh Arqipeshkvi Metropolitan i Shkodër-Pultit.

Nën moton “Stop armëve kimike”, protestuesit në Elbasan kanë përcjellë mesazhin e tyre për qeverinë në Tiranë. Rrugëtimi i protestuesve ka vijuar nga stadiumi “Ruzhdi Bizhuta” deri në qendër të bulevardit “Aqif Pasha”. Protestës i janë bashkuar edhe përfaqësuesit e lëvizjes ekologjike AKIP nga Tirana, të cilët deklaruan se kjo protestë do të shtrihet në të gjithë vendin. Studentë të Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, por edhe nxënës të shkollave 9-vjeçare, e kanë mbështetur edhe ditën e djeshme protestën në një numër më të madh se në ditën e para. “Ne do të protestojmë derisa Edi Rama të thotë jo, jo dhe jo!”, – u shprehën ata.

Edhe në Fier qindra qytetarë kanë dalë në protesta për të kundërshtuar sjelljen e armëve kimike siriane në Shqipëri për t’u shkatërruar. Protestuesit i kanë bërë thirrje Parlamentit që të mos sillen armët në Shqipëri. Protesta është organizuar në qendër të qytetit.

 

 

Protestohet në Paris, Milano dhe Berlin

Emigrantët shqiptarë, edhe pse larg, kanë protestuar për t’u thënë “jo” armëve kimike. Në Paris dhe Berlin protestat janë zhvilluar përpara ambasadave shqiptare, ndërkohë që në Milano është protestuar në “Piazza Cordusio”. Të shumta kanë qenë reagimet edhe në rrjetet sociale. Në faqen e hapur në “Facebook”, “Të bëhemi 1 milionë shqiptarë kundër armëve kimike”, deri dje ishin bashkuar më shumë se 110 mijë përkrahës.

 

 

Armët kimike, ipeshkvit kundër ardhjes së armëve kimike

Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare është shprehur kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri, për t’u shkatërruar. Konferenca është zhvilluar në datat 12-13 nëntor 2013, ku të pranishëm ishin të gjithë ipeshkvit e Shqipërisë, Kosovës etj. dhe u drejtua nga Imzot Angelo Massafra. Ndër të tjera, në këtë konferencë vëmendje e veçantë iu kushtua çështjes së armëve kimike siriane. Kisha Katolike shprehet kundër një vendimi të tillë duke pasur parasysh edhe parimin e parandalimit të pasojave që mund të sjellë procesi i demontimit. “Çdo vendimmarrje me natyrë politike e sociale duhet të ketë parasysh si princip të patjetërsueshëm mbrojtjen e jetës njerëzore. Importimi nga Siria i armëve kimike për shkatërrim që këto ditë shqetëson opinionin publik, fakt mbi të cilin Konferenca Ipeshkvnore shprehet kundër. KISH bashkohet me shqetësimin e gjithë qytetarëve shqiptare duke pasur parasysh pasojat që mund të kenë armët kimike në shëndetin e popullit dhe në ambientin”, – thuhet në deklaratën e Konferencës së Ipeshkvnore Shqiptare.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency