Kundër armëve kimike në Shqipëri Dritëro Agolli: Të gjithë intelektualët të flasin, do ngordhim njësoj me karkkalecat

0
118

Protestat, shqiptarët u thonë “jo” armëve kimike

Protesta në Tiranë, Prishtinë dhe Peruxha të Italisë

 “Los Angeles Times”: Qeveritë shqiptare janë të ndjeshme ndaj presionit amerikan

 

 

protesta ne tiraneAgolli kundër armëve kimike: Të gjithë intelektualët të flasin, do ngordhim me breza, njësoj me karkalecat

Mes turmës së njerëzve të mbledhur, dje, në promovimin e librit mbi krijimtarinë e tij, shkrimtari Dritëro Agolli  ndan të njëjtin mendim prej dy ditësh në kundërshtimin e ardhjes së armëve kimike në Shqipëri. Është ndër të vetmit shkrimtar në Shqipëri, që artikulon me zë të lartë dhe në mënyrë të prerë se armët kimike siriane nuk duhet të eliminohen në Shqipëri.  Po ashtu Agolli në fjalën e tij të shkurtër pyetur nga gazeta “standard”, u shpreh dhe për heshtjen e intelektualëve dhe shkrimtarëve, duke thënë se “duhet të reagojnë të gjithë sepse janë shumë të rrezikshme, jo për jetën e njerëzve që jetojmë tani, por edhe për brezat që vijnë. Në qoftë se pëlcet një nga ato armët kimike atëherë edhe karkalecat do ngordhin, dhe bari do ikë, e jo  më njerëzit”. 

Tiranë, Elbasan, Prishtinë, çdo qytet ku ka shqiptarë, po u thotë “jo” armëve kimike siriane. Protesta të vazhdueshme, thirrje në rrjetet sociale, organizime në shkolla dhe universitete janë vetëm disa nga format më të cilat po reagon shoqëria civile dhe njerëzit e thjeshtë. Nga dita në ditë, po shtohen zërat kundër dhe mbi të gjitha po rritet numri i pjesëmarrësve në protesta. Këtë e tregoi edhe protesta e djeshme e zhvilluar përpara Piramidës. Me thirrjet “Jo armë kimike”, me parulla në duar kundër lëndëve helmuese dhe me maska në fytyrë, qindra qytetarë kanë kundërshtuar ardhjen e armëve të Bashar al-Assadit. “Shqipëria e shqiptarëve, jo e ndërkombëtarëve”, – ishin thirrjet e protestuesve. Pasi kanë protestuar disa minuta të pranë Kryeministrisë, qytetarët i janë drejtuar Ambasadës Amerikane te Rruga e Elbasanit. Një kordon i vendosur nga policia në rruga “Dervish Hima”, ka ndaluar protestuesit të shkonin pranë Ambasadës Amerikane. “Nuk jemi kundër Amerikës, jemi kundër ardhjes së armëve kimike”, – u shpreh ambientalisti Sazan Guri. Blendi Kajsiu, anëtar i shoqërisë civile, paralajmëroi protesta të tjera në të gjitha qytetet, duke filluar nga Durrësi, Fieri, Vlora etj.

 

Prishtinë

 

Kundër ardhjes së armëve kimike të Sirisë janë bashkuar edhe qytetarë të Kosovës. Ditën e djeshme qindra protestues në Prishtinë kanë ngritur zërin kundër asgjësimit të lëndëve helmuese në Shqipëri. Vedat Xhymshyti, organizator i protestës, i ka dërguar një mesazh Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, që t’i thotë “jo” ofertës së Sekretarit të SHBA-së për ta përdorur territorin e Shqipërisë për shkatërrimin e armeve kimike, pasi, sipas tij, lloji i atyre armëve është i rrezikshëm dhe shkakton ndotjen e ajrit, duke rrezikuar kështu edhe shoqërinë njerëzore. Protestuesit kanë marshuar deri në afërsi të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Protestë është zhvilluar edhe në Itali, të rinj në qytetin e Peruxhas me pankarta në duar i kanë kërkuar qeverisë që të mos sjellë armët kimike në Shqipëri.

“Los Angeles Times”

Gazeta prestigjioze “Los Angeles Times” i ka kushtuar një analizë asgjësimit të armëve kimike në Shqipëri. Në këtë analizë flitet për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, ku, sipas gazetës, sa herë që Shtete e Bashkuara kanë pasur nevojë për të mbyllur punët e pista diplomatike, Shqipëria ka ngritur gjithmonë dorën e para. Gazeta shpjegon rastet kur Shqipëria gjithmonë ka pranuar ofertën e SHBA-së, pavarësisht rrezikut. “Një vend i varfër në mes të Evropës, Shqipëria pranoi të burgosurit ujgurë nga Guantanamoja, kur SHBA nuk mund t’i riatdhesonte ata në Kinë. Shqipëria pranoi 210 anëtarë të “Mujahedin Khalq”, një grup disidentësh iranianë që nuk mund të qëndronin më në kampin ku ndodheshin të strehuar në Irak. Tashmë, SHBA po kthen sërish shikimin tek Shqipëria, duke shpresuar që armët kimike të Sirisë të lejohet të shkatërrohen në truallin shqiptar”, – thuhet në analizën e “Los Angeles Times”. Më tej “Los Angeles Times” shkruan se kanë qenë të pakta vendet që mund të pranonin armët kimike siriane. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke udhëhequr kërkimet për një vend që do të pranojë magazinimin e këtyre lëndëve toksike, por pak vende kanë qenë të gatshme që të rrezikojnë një reagim të ashpër të brendshëm, duke krijuar probleme në siguri dhe mjedis që mund të kushtojnë me dhjetëra miliona dollarë. Norvegjia, një nga vendet që SHBA i kërkoi të kryente këtë detyrë, refuzoi. Zyrtarët danezë thanë të premten se do të ishin të gatshëm të ndihmonin me transportimin nga Siria, por jo me shkatërrimin. Shqipëria, aktualisht, po konsideron një përgjigje, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se asnjë marrëveshje nuk është arritur, pa lëshuar komente të tjera”, – shkruan gazeta. “Të gjitha qeveritë shqiptare janë të ndjeshme ndaj presionit amerikan”, – përfundon shkrimi i “Los Angeles Times”.

 

 

 

Spartak Ngjela: Pse hesht Kryeministri shqiptar?

Spartak Ngjela ka reaguar në rrjetin social “Facebook” rreth problemit të armëve kimike. “Sot ndihet të ketë një tension të madh shoqëror në lidhje me çështjen e pranimit të çmontimit të armëve kimike në Shqipëri. Por ky tension ende mbetet i pashfaqur si forcë. Askush nuk duhet të mendojë se kjo është një çështje e lehtë; madje, përkundrazi, ky është një akt i papërgjegjshëm që e kthen Shqipërinë ne një varreze te mundshme”. Ndër të tjera, zoti Ngjela ngre pyetjen: “Pse hesht Kryeministri shqiptar? Fakti që hesht, kur e gjithë Shqipëria shpreh shqetësimin e saj, kuptohet se brenda çështjes ka një mendim të keq. Një kryeministër që nuk i përgjigjet shqetësimit shoqëror dhe hesht kur duhet të flasë, nuk është më kryeministër i asaj shoqërie. Këtë duhet të kuptojnë shqiptarët sot. Prandaj, të gjithë duhet të ngrihen në këmbë, për të mbrojtur veten nga një agresion helmues. Asnjë vend tjetër nuk i pranoi këto armë për t’u çmontuar. As Italia që është vendi më i afërt me Sirinë. Dhe a e dini pse? Sepse nëpër korridoret politike u tha se “italianët protestojnë masivisht dhe asnjë qeveri nuk u reziston dot. Po ne shqiptarët, a s’jemi dhe ne të aftë që të shpëtojmë nga rreziku që po kërkon të na imponojë një qeveri profane, që po tregon se nuk e ka forcën e përfaqësimit dinjitoz të popullit të vet?”

 

 

Ministri i Mjedisit: Për armët kimike nuk është marrë asnjë vendim

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u shpreh dje se qeveria nuk ka vendosur asgjë për armët kimike dhe se vendimi do të diskutohet më të gjitha palët. “Jemi në një fazë ku Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka pasur vetëm një bisedë telefonike me Sekretarin e Shtetit Amerikan, John Kerry, ku jemi ende të panjohur nëse janë armë kimike apo lëndë kimike, çfarë rrezikshmërie kanë, si mund të trajtohen dhe çfarë dëmi mund të sjellin. Ky është një problem që meriton të diskutohet në qeverinë shqiptare dhe në parlamentin shqiptar ndaj unë do dëshiroja rëndom të mos ndodhë si në shumë raste të tjera që gjërat të politizohen, si në rastet kur ka mbizotëruar nacionalizmi apo ekstremizmi. Po flasim për një problem akoma të pashtjelluar dhe përgjegjshmëria do të jetë e madhe qoftë e Ministrisë së Mjedisit për të analizuar këtë problem”, – u shpreh Koka. Më tej ministri dha garanci se qeveria nuk do të marrë vendim në dëm të qytetarëve dhe se kjo çështje do të diskutohet dhe do të analizohet si në qeveri ashtu dhe në Parlament. “Ju garantoj se qeveria është po aq e përgjegjshme sa qytetarët shqiptarë. Çdo qytetar flet për dëmin që mund t’i krijohet vendit dhe fëmijëve tanë. Ju garantoj se dhe e ardhmja e politikanëve shqiptarë është në Shqipëri. Ne jemi të zgjedhur dhe votuar nga qytetarët dhe vendimet tona do të përkojnë me të ardhmen e Shqipërisë”, – përmendi ministri i Mjedisit. Këto deklarata Koka i bëri gjatë promovimit për nisjen e vullnetarëve në një autobus me moton “Të pastrojmë Shqipërinë për një ditë”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency