Korrupsion në progresion

0
119

 

Brikena Bogdo                

Analizoja këto ditë me kamera problematikën e WC-ve shkollore, fenomen me erë realisht shpuese. Historiani në dokumentar fajëson historinë, ku regjimi komunist zhbëri konceptin privat, reflektuar ende sot, tek gjithçka publike, duke përfshirë edhe haletë. Unë do të fajësoja kryesisht aktualitetin. “Kur nuk rregullojnë banjot, imagjinoni të tjerat”, – shprehet një fëmijë. Përtej botës së fëmijëve dhe përtej një tendence të theksuar politizimi, që vihej re tek kjo grupmoshë, ata kuptojnë thelbin e një problematike ose më saktë problematikat kanë prekur edhe thelbin, çikërrimat, qelizat e shtetit (Në haletë e shkollave vidhen deri detergjentet). Njohëse e mekanizmit korrupsion (e impenjuar vite në luftën antikorrupsion), ngre alarmin për abuzim, deri në cepat e margjinalizuar të shtetit, për t’u ndërgjegjësuar se si abuzohet me shumat e mëdha, në vepra të mëdha publike.

Minikorrupsioni dhe maksikorrupsioni kanë të njëjtën ligjësi, si dhe të njëjtën skemë abuzimi. Fatura, të shkruara fiktivisht, dhe para që shkojnë në xhepat e atyre, që duhet të kryenin një punë, pa treguar kurrë faturat. Tri janë rrugët e skemës korrupsion: 1. Faturat firmosen dhe puna nuk bëhet. Në shkolla, mund të gjeje hale pa dyer, pa penxhere, pa WC, pa ujë, pa sapun, refleksion i faturave fiktive. 2. Faturat përmbajnë çmime shumë herë më të larta sesa vlera reale e punimeve të kryera. Kjo reflekton tek malli, pa cilësi, dyer të thyera, WC të prishura, penxhere të thyera, kur shkolla sapo është rikonstruktuar. 3. Vidh paturpësisht dhe mos jep llogari se si administrohen lekët e taksapaguesve. Kjo skemë funksionon, si në minikorrupsion, ashtu edhe me shumat gjigande që hidhen në ndërtimin e rrugëve, apo spitaleve, apo në punët e tjera publike (maksikorrupsion). Do të analizoj disa faktorë të këtij degradimi shtetar.

Përgjatë ditëve të xhirimit ndesha absurdin. Në shekullin XXI, prindër dhe nxënës, zotëroheshin nga frika për t’u prononcuar. Heshtja qytetare, mosprononcimi qytetar, mosdenoncimi qytetar, mospjesëmarrja qytetare, mosbashkëpunimi qytetar, moskontrolli qytetar apo fragmentarizimi qytetar, antipode të një demokracie reale dhe të shëndetshme, derivojnë këtë situatë, “heshtja publike”, “informimi publik”, “korrupsioni”, “shoqëria civile”, mund të duken krejt pa lidhje me njëra tjetrën, por do t’i vendos në progresion me njëra tjetrën.

1. Heshtja publike: “Heshtja masive” e implementuar dhunshëm nga regjimi i kaluar, mbetet thelbi i formimit, mendësisë qytetare dhe psikës së shqiptarëve. Këtë mendësi e përftoi dhe e përfitoi pushteti përgjatë 20 vjet tentativë-bërje demokraci. Nëse ende mbizotërohesh si komb nga frika e të shprehurit, ke ngrirë në një status quo. “Heshtja publike” është në progresion të zhdrejtë me kulturën qytetare. Kultura qytetare minimizon heshtjen publike. “Kultura qytetare” është në progresion të zhdrejtë edhe me korrupsionin. “Kultura qytetare”, maksimizon zërin qytetar, pjesëmarrjen qytetare, kërkesë-llogarinë qytetare, për të minimizuar korrupsionin.

Në progresion të drejtë është vetëm “heshtja publike” me “mosinformimin publik” të pushtetit, e cila do të na lerë edhe për një kohë të gjatë në zhgjëndërr apo në një ëndërr për demokraci. Pushteti hesht dhe nuk denjon te japë llogari, se ku shkojnë paratë e taksapaguesve. Fenomeni korrupsion do të dominojë të gjitha raportet e faktorit ndërkombëtar apo do të mbetet pikë e rëndësishme për t’u përmbushur në rrugëtimin evropian, për sa kohë ecin progresivisht “heshtja publike” me “mosinformimin publik” të pushteteve dhe me korrupsionin. “Heshtja publike” progresivisht ushqen “mosinformimin e administratës”, e cila progresivisht ushqen korrupsionin. Pjesëmarrja qytetare, kërkesë-llogaria e kësaj qytetarie, është hapi i parë dhe vendimtar në luftën antikorrupsion.

2. Informimi publik: Sot në botën e internetit, kur lajmi në fraksione sekondash cek cepat e botës po fiton dhunshëm ose (me hir apo me pahir) e drejta e informimit publik. Informimi online është maksimizimi i mundësisë për të ditur më shumë dhe për të kuptuar më mire se si funksionon administrata shtetërore. Kjo tashmë duhet të funksiononte edhe në Shqipëri, pas një sërë reformash online, e-government, e-declaring, e-banking, e-procuring etj. (thënë shqip informimi online). Bombastike për realitetin shqiptar, i cili mbetet i painformuar edhe për çikërrimat e funksionimit të pushtetit. Zgjedhjet delegojnë pushtetin e qytetarëve. Por pushtetmarrësit fluturimthi zhdukin ekzistencën e pushtetdeleguesve, megjithëse ata janë taksapagues dhe kanë të drejtën legjitime, të dinë se si menaxhohen nga pushteti paratë. Pushteti, dhunshëm nuk jep llogari, se si i shpenzon paratë e taksapaguesve. Është pushteti ai që duhet të ketë frikë nga kërkesë llogaria qytetare, jo qytetarët të kanë frikë të prononcohen, apo denoncojnë pushtetin.

3. Shoqëria civile: Cili është roli i shoqërisë civile? Cili duhet të ishte roli i kësaj shoqërie? Pse është inekzistente shoqëria civile? Shoqëria civile përfaqësohet nga disa shoqata që mezi mbahen në këmbë (në mënyrë që të jenë lehtësisht të menaxhueshëm), jo më të kenë një zë opozitar, ashtu siç duhet të ishte roli i tyre. Ky trinitet disfunksional çon ujë tek mulliri korrupsion, që bën kërdinë në Shqipëri.

Kjo është një tendencë që po reflekton edhe në botë. Nëse në Shqipëri fenomeni “i heshtjes publike” maksimizon korrupsionin, në botën e qytetëruar ka maksimizuar krizën demokratike. Disa teoricienë masonë, në disa vepra të tyre filozofike në vitet ‘60-‘70 të shekullit të kaluar, kanë ngritur një strategji të tërë se si të zerojnë demokracinë apo të vrasin demokracinë. Por, çfarë pikërisht nga demokracia? “Përmbajtjen” duke lënë në jetë vetëm “formën”. Pushteti kuptoi që “forma” demokratike ishte mbajtësi më i mirë i aferave të tyre. Për këtë arsye, përmbajtja e demokracisë, pra demokracia pjesëmarrëse (jo qytetar pasiv, të cilit i hidhet një kockë), kjo duhej absolutisht të vdiste. Që nga ajo periudhë, strategjikisht po ndiqet një rrugë për shkatërrimin e pjesëmarrjes qytetare me projekte të mirëfillta. Në vitin 1973, u krijua një komision trepalësh, i cili nuk ishte një grup komplotistësh, përkundrazi njerëz publikë, privatë, qytetarë shumë të fuqishëm të tri blloqeve botërore: Amerikë, Evropë, Japoni, midis tyre: Rockfeller, Agnelli, Rothschild, e shumë të tjerë, të cilët mblidhen çdo vit. Në 1975, ky komision ngarkoi me detyrë tre filozofët: Huntigton, Crozier, Watanuki, që të përmbushnin detyrën e shkatërrimit të demokracisë. Ata pa humbur kohë shkruan një raport “Kriza e demokracisë”, ku shpalosin strategjinë: “Suksesi i demokracisë qëndron në asimilimin e një pjese të madhe të popullatës, në brendinë e vlerave, sjelljeve dhe modeleve të konsumit të klasës së mesme. Çfarë do të thotë kjo? Për të vrarë demokracinë pjesëmarrëse të qytetarëve, duhet që këtë masë ta shndërrosh në spektatorë dhe konsumatorë, për ta hedhur me kokë në ekzistencën komerciale dhe kulturën e vizibilitetit mediatik”. Më pas thuhet: “Për funksionimin efikas të një sistemi demokratik, nevojitet një nivel apatie nga individët dhe grupet”. D.m.th. të lësh mënjanë qytetarët, për të mos marrë pjesë në jetën publike. Kështu vdes demokracia pjesëmarrëse, ku prej kohësh një masë personazhesh qëndrojnë të margjinalizuar (të spostuar, të cepëzuar), e drejta e vetme e të cilëve është të shkojnë dhe të votojnë, pa bërë asgjë tjetër. Pra, njerëz që presin që pasuria t’u vijë nga lart apo të presin ca thërrime nga tavolinat e elitës masone. Filloi si filozofi, më pas u përpunua si strategji, për ta prekur si realitet, çdo ditë, sot.

Të kthehemi tek realiteti shqiptar. Në ç’progresion paraqitet “heshtja publike”, me mikroklimën dhe më pas me makroklimën? Përgjigjja është në progresion të zhdrejtë. “Heshtja publike” nuk mbron, as mikroklimën e individit, as makroklimën e tij. Dëshira për të ngritur mikroklimën, në përditshmërinë tonë (për të mbrojtur ngushtësisht interesin personal), do të vrasë pikërisht këtë mikroklimë (njeriu është qenie sociale dhe jeton në komunitet). Kur një prind paguan në shkolla për mikroklimën e fëmijës së tij, në qoftë se nuk lufton fort që të mirëmenaxhohet, do të shkatërrohej pikërisht kjo mikroklimë e fëmijës së tij. Qytetarët krijojnë një mikroklimë, e cila rezulton fiktive, për sa kohë fëmija i tij në shkollë ndodhet dhe duhet të mbijetojë në një makroklimë ku abuzohet rregullisht, vidhet rregullisht, një makroklimë korruptive, në një situatë të degraduar, ku fëmijës nuk i lejohet, as të lajë duart në shkolla, sepse nuk ka ujë. Kamera jonë dhe celularët e fëmijëve, që fiksojnë sot dhe fraksione sekondash, por dhe imtësi problematikash, tregojnë një realitet të mjerueshëm të higjienës në shkolla. Fëmijët, në mënyrë intuitive dhe vetëmbrojtëse, e bojkotojnë këtë makroklimë, duke mos e frekuentuar atë. Shkrimin e parë jam përpjekur ta trajtoj me humor, por kur situatën e preka nga afër, kuptova që nuk ka vend, as për humor, as për ironi, as për sarkazëm, por për një zë serioz, të rëndësishëm, të fuqishëm qytetar.

Disfunksioni i administratës: Në këtë katrahurë ka fajtorë edhe më kryesorë. Administrata shtetërore është përgjegjëse për mirëmbajtjen e shkollave. Me kamera nuk munda kurrë të kontaktoja me titullarët, kryetarët, drejtorët, pasi ata nuk ndodheshin kurrë nëpër zyra (kur ikën macja, kërcejnë më pas edhe minjtë). Nëse arrin të takosh ndonjë punonjës-uc, për të marrë informacionin e kërkuar, të thotë, duke fërkuar duart si Uriahip, apo duke u mbllaçitur: “Nuk mund të prononcohem, pa më autorizuar kryetari”. Ndërsa, zonjës së financës kërkesa ime për të më treguar shumat e parave, të firmosura nëpër fatura, iu duk gallatë. “Gallatë doni ju”, – u shpreh ajo, pa më dhënë asnjë informacion. Meqenëse kryetarët nuk ndodheshin kurrë në zyrë, informacionin e kërkuar nuk e merrje dot, asnjëherë. Por, në qoftë se “heshtja e prindërve” konsiderohet gabim, “heshtja administrative” është faj i dënueshëm, pasi shkelet ligji për informimin publik. Ai ka detyrim ligjor të informojë publikun se si shpenzohen paratë e taksapaguesve. Shteti hedh miliona lekë për mirëmbajtjen e shkollave dhe askush nuk informon se si menaxhohen fondet. Prindërit paguajnë për mirëmbajtjen dhe përsëri askush nuk tregon se si menaxhohen paratë e hedhura. Kjo heshtje prindërish u përshtatet menaxhuesve të fondeve, të cilët nuk denjojnë të japin llogari, duke shkelur ligjin e “informimit publik”, duke e çuar vendin në një korrupsion të pafre.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency