Vrasja Hakmarrja, ekzekutohet në lokal i riu në Drenovë të Korçës

0
176

Sonja Caka

Dyshohet për prishje të pazarit të drogës, shoqërohen 15 persona. Dëshmitarët: Ishte i pamaskuar, nuk e njohëm

 

lokali ku ka ndodhur vrasjaNjë i ri është ekzekutuar me breshëri plumbash në mes të lokalit në Drenovë të Korçës. Viktimë e këtij atentati ka mbetur Vaso Lita, 32 vjeç, i cili në momentin e ngjarjes ka qenë i shoqëruar me shokët e tij. Nga hetimet e para, nisur edhe nga e kaluara e viktimës, policia ka ngritur edhe dyshimet e para mbi shkakun e vrasjes, ndërsa ende nuk ka një emër personi si të dyshuar për këtë krim. Sipas policisë, 32-vjeçari njihet për përfshirje të tij në trafikun e drogës dhe ka dyshime se vrasja e tij mund të ketë të bëjë me ndonjë hakmarrje të mundshme. Megjithatë, policia nuk ka përjashtuar as pista të tjera të mundshme. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Ngjarja

Krimi i rëndë u shënua rreth orës 02:00 pas mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme në një lokal në fshatin Drenovë, ku viktimë ka mbetur 32-vjeçari Vaso Lito. Sipas burimeve paraprake të policisë së Korçës, viktima ka qenë me shokët e tij në këtë lokal, kur një person i pamaskuar ka hyrë në ambientet e barit dhe ka qëlluar disa herë me breshëri plumbash mbi trupin e 32-vjeçarit. Më pas ai është larguar me shpejtësi me një automjet duke përfituar edhe nga errësira. Menjëherë, Lito u transportua për në spitalin e Korçës për të marrë ndihmën e parë, por si pasojë e plagëve të marra nuk mundi të mbijetojë.

Hetimi

Policia e Korçës bën me dije se hetimet e deritanishme janë përqendruar në pistën e hakmarrjes, pasi 32-vjeçari Vaso Lito ishte person me precedentë të mëparshëm penalë për trafik droge. Policia, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ka shoqëruar për në komisariat 15 persona të cilët kanë rastisur në ambientet e lokalit të fshatit në momentin e krimit. Nga dëshmitë e tyre policia ka nisur kërkimet për personin i cili mbetet ende i paidentifikuar. Policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e personit të vrau 32-vjeçarin. Kjo është vrasja e dytë në harkun kohorë të tre ditëve në rrethin e Korçës. Pasditen e 5 nëntorit një 23-vjeçar, Adriatik Bregu u ekzekutua po në një lokal në fshatin Libonik. Policia mundi të identifikojë autorin e krimit, shtetasin Donald Kreka 25 vjeç.

 

Ceremonia

Tragjedia në Pogradec, përcillen për në banesën e fundit 5 të rinjtë

Pas nxjerrjes nga nëntoka, dje janë përcjellë për në banesën e fundit pesë të rinjtë që mbetën viktima në galerinë e braktisur. Disa orë pasi u gjetën edhe trupat e tjerë të pajetë, në Dardhas të Pogradecit, nga familjarët u organizua edhe ceremonia mortore. Mëngjesin e djeshëm, grupet e kërkimit gjetën në thellësi të minierës edhe trupat e tre vëllezërve Edison, Nertil dhe Ledjon Hamolli. Të rinjtë u bllokuan në galeri prej mëngjesit të së mërkurës, por humbja e tyre u kuptua një ditë më pas. Ditën e enjte, grupet e shpëtimit mundën të nxirrnin vetëm dy nga trupat, atë të Sazan dhe Arjan Hamollit. Me gjithë kërkimet disaorëshe, niveli i lartë i gazit nuk lejoi vazhdimin e operacionit për nxjerrjen e trupave të pajetë. Të afërmit e tyre deri në momentin e fundit pretenduan që tre djemtë ishin gjallë, por për fatin e tyre të keq, rezultoi të ishte e kundërta. Pesë të rinjtë u bllokuan në minierën e braktisur në kohën kur po mblidhnin skrap. Ata kishin ndezur gjenerator brenda galerisë dhe e kishin lidhur me një pompë për nxjerrjen e ujit. Tymi i gjeneratorit, përzierë me gazin e nëntokës, dyshohet se ka asfiksuar të rinjtë. Komuna Dardhas shpalli dy ditë zie dhe kërkoi që shteti të mbyllë galeritë e kësaj miniere.

 

 

Sekuestrohen 100 kg marijuanë, në kërkim 2 trafikantët

Policia në Gjirokastër ka bërë të mundur kapjen dhe sekuestrimin e një sasie prej 100 kg marijuanë. Operacioni është zhvilluar në aksin rrugor Kordhocë – Dervicjan. Policia ndoqi një makine tip fuoristradë me targa false, që doli nga fshati Lazarat. Makinës iu bë shenjë të ndalonte kur ndodhej poshtë fshatit Lazarat, por drejtuesi i automjetit shtoi shpejtësinë. Kjo situatë është përsëritur edhe në kryqëzimin e fshatit Dervicjan, ku drejtuesi i mjetit nuk i është bindur policisë për të ndaluar. Në dalje të fshatit Goranxi pasagjeri që ishte në automjet ka hedhur në rrugë tri çanta shpine të mëdha, të mbushura me pako me lëndë narkotike, ndërsa mjeti ka vijuar në një nga fshatrat e dropullit të poshtëm për t’i shpëtuar ndjekjes së specialistëve të Antidrogës. Në të tria çantat u gjetën gjithsej 77 pako të mbështjella me natriban transparent, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike në formën e bohçes së papresuar, me peshë 1.3 kilogramë secila. Dy trafikantët janë identifikuar dhe mësohet se janë nga Fieri. Policia vijon punën për kapjen e tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency