Bizneset shqiptare dhe amerikane Ja 30 kërkesat tona për Tatimet

0
151

Ervin Kaduku

Drejtorja e re e Tatimeve përballet me një “çarçaf” vërejtjesh nga ana e komunitetit të biznesit, shqiptar e të huaj, të grupuar në radhët e Dhomës Amerikano-Shqiptare të Tregtisë

 

 

drejtoria e tatimeveKomuniteti i biznesit që aderon pranë Dhomës Amerikane të Tregtisë ka kërkuar dje nga Drejtoria e Tatimeve që të rritet transparenca e kontrolleve tatimore dhe mos ketë selektim të bizneseve në rimbursimin e TVSH-së. Kryetarja e Komitetit të Taksave dhe Ligjeve pranë kësaj Dhome, Ardiana Shehi, prezantoi një paketë përmbledhëse të problemeve të çështjeve tatimore, si dhe disa sugjerime të tyre për ndryshimet në legjislacionin tatimor. Këto kërkesa bënë gjatë një takimi të anëtarëve të kësaj dhome më drejtoren e Përgjithshme të Tatimeve, Brisida Shehaj. Ndërsa presidenti i Dhomës Amerikane, Mark Crawford, theksoi se gjatë viteve të kaluara nga administrata tatimore, rimbursimi i TVSH-së për bizneset është bërë në mënyrë jo të drejtë, por selektive.

Marrëdhëniet midis biznesit dhe administratës së mëparshme tatimore kanë qenë mjaft të acaruara dhe jo bashkëpunuese, çka ka bërë që në shumë raste ky komunitet të reagojë. Kjo, sipas tyre, ka sjellë përkeqësimin e klimës së të bërit biznes në vendin tonë, si dhe negativitet në përshkrimin e Shqipërisë në studimet vendase dhe ndërkombëtare.

 

Ja kërkesat e komunitetit amerikan të biznesit të pranishëm në vendin tonë:

 

Mosrimbursimi i TVSH është në shkelje të plotë të kushteve dhe procedurave të parashikuara nga ligji nr. 7928, datë 27.4.1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, i ndryshuar, si dhe udhëzimi nr. 17, datë 13.05.2008 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, i ndryshuar.

 

Procesi i rimbursimit është selektiv, ka abuzime me kontrollet tatimore dhe afatet e kryerjes së kontrolleve të cilat konfirmojnë TVSH-në për t’u rimbursuar.

Problem është edhe mosllogaritja nga sistemi elektronik dhe nga organet përkatëse tatimore i kamatvonesave përkatëse për vonesa në rimbursimit e TVSH.

 

Ushtrimi pa arsye i rikontrolleve tatimore të përsëritura për të njëjtin detyrim tatimor dhe të njëjtën periudhë tatimore, dhe në shkelje të plotë të nenit 85 të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore”, i ndryshuar.

 

Tejzgjatja e paarsyeshme e kontrolleve tatimore në kundërshtim me programet përkatëse të kontrollit tatimor dhe afatet dhe procedurat përkatëse ligjore.

 

Moszbatimi i parimit të mirëbesimit në raport me tatimpaguesit; kontrollet tatimore kanë kryesisht rol penalizues dhe jo ndihmues/këshillues siç përcaktojnë parimet e përgjithshme të ligjit nr. 9920 “Për procedurat tatimore”, i ndryshuar.

 

Moskompensimi i të gjitha llojeve të detyrimeve tatimore për t’u paguar me të gjitha llojet e detyrimeve tatimore të paguara më tepër (përfshire TVSH dhe kontributet e sigurimeve), siç përcaktohet në dispozitat përkatëse të ligjit nr. 9920.

 

Moskompensimi i detyrimeve të paguara më tepër me detyrimet e ardhshme tatimore për t’u paguar

 

Mungesa e transparencës dhe e unifikimit në lidhje me vendimet e Drejtorisë së Apelimit Tatimor dhe vendimet teknike të DPT; për raste të ngjashme jepen zgjidhje të ndryshme duke shkelur parimin e paanshmërisë në zbatimin e ligjit. Mungesa e interpretimeve unifikuese ndikon në cenimin e sigurisë juridike. Vendimet teknike me fuqi retroaktive janë të papranueshme.

 

DPT nuk shprehet për kërkesat specifike që paraqesin tatimpaguesit dhe në përgjigjet e këtij institucioni nuk gjen zgjidhje mbi themelin e kërkesave përkatëse, por kryesisht citohen vetëm dispozita ligjore duke e lënë çështjen të pazgjidhur dhe duke krijuar pasiguri për tatimpaguesit.

 

Tejzgjatje e paarsyeshme dhe e paligjshme e procedurave të likuidimit të subjekteve tregtare për shkak të shtyrjes së paarsyeshme në kohë të kontrolleve përkatëse që duhet të kryejnë organet tatimore. Sipas ligjit, kontrollet tatimore nuk janë të detyrueshme

 

Të ndalohet praktika e përcaktimit të detyrimeve tatimore mbi bazën e zgjidhjeve ligjore që çojnë në pagesa më të larta të detyrimeve tatimore; organet tatimore për qëllime të detyrimeve tatimore të tatimpaguesit duhet të respektojnë lirinë kontraktore të tatimpaguesit.

 

Abuzime nga administrata tatimore gjatë kontrolleve tatimore me rivlerësimin e çmimeve të shitjes në kundërshtim të plotë me nenet 70, 72 dhe 73 të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore”, i ndryshuar.

 

Procedurat e zbatimit të marrëveshjeve të mënjanimit të taksimit të dyfishtë: Sipas ligjit, DPT është përgjegjëse për zbatimin e dispozitave të DTT dhe përcakton procedurat e zbatimit të marrëveshjeve DTT. Si pjesë e procedurave janë edhe formularët e aplikimit të DTT-ve. Janë raportuar raste kur biznesi ka ndjekur të gjitha procedurat për zbatimin e DTT duke marrë dhe përgjigje pozitive nga DPT, por nga ana e kontrolleve tatimore, biznesi është penalizuar me detyrime për tatimin në burim dhe gjoba e kamatëvonesa të lidhura me të, pa marrë parasysh dispozitat e marrëveshjeve përkatëse DTT dhe konfirmimet nga DPT.

 

Penalizimi nga mosnjohja e fshirjes së borxhit të keq edhe pas provizionimit të plotë të llogarive të farkëtueshme dhe konsiderimi i fshirjes së këtyre borxheve si kusht i plotësuar për fillimin e procedurave të falimentimit; kjo qasje ka sjellë që shumë tatimpagues të mos bëjnë fshirje/deklarime të borxheve të këqija duke rezultuar në pasqyra financiare që nuk reflektojnë saktë realitetin financiar.

 

Vërehet mungesë koordinimi dhe komunikimi mes institucionit të QKR, i ngritur për krijimin dhe regjistrimin etj., të subjekteve tregtare, me drejtoritë tatimore përkatëse.

 

Vërehet mungesë komunikimi dhe koordinimi midis organeve tatimore dhe atyre doganore për qëllime të shkëmbimit të të dhënave, kompensimit të detyrimeve tatimore të paguara më tepër etj., i cili sjell ngarkesë me detyrime tatimore të tatimpaguesve.

 

Qartësimi më tej i ndarjes së kompetencave midis institucionit të DPT dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit (‘KLSH’) në lidhje me të drejtën e inspektorëve të KLSH për të kontrolluar subjektet tregtare private për qëllime të detyrimeve tatimore; ky qartësim duhet të synojë mbi të gjitha mbrojtjen e të drejtave të tatimpaguesve dhe shmangien e kostove të biznesit për shkak të kontrolleve të mbivendosura dhe të paarsyeshme.

 

Të rritet shkalla e konsiderimit të rekomandimeve të Avokatit të Tatimpaguesve nga administrata tatimore.

 

Të rritet niveli i bashkëpunimit midis Avokatit të Tatimpaguesve dhe Avokatit të Popullit për qëllime të ndërhyrjeve efektive në interes të tatimpaguesve të të gjitha niveleve.

 

Inspektorët e Drejtorive Rajonale Tatimore reflektojnë mungesë të njohurive rreth legjislacionit tatimor të zbatueshëm dhe procedurave të rregullta ligjore, veçanërisht në lidhje me zbatimin e DTT etj.

 

Krijimi i praktikave tatimore nga organet tatimore, përfshirë edhe Drejtorinë e Apelimit Tatimor, vetëm mbi bazën e legjislacionit tatimor pa marrë parasysh dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative, legjislacionit tjetër përkatës, dhe hierarkinë e ligjeve.

 

Vërehen abuzime me kompetencat dhe tendencë për të penalizuar subjektet tatimore pavarësisht përfundimeve reale konkrete të kontrolleve.

 

Vërehen edhe probleme në lidhje me etikën personale të inspektorëve tatimorë etj.

 

Ndryshimi i shpejtë i legjislacionit tatimor dhe parashikimi i dispozitave të paqarta të cilave u jepet interpretim jo uniform përbën një problem gjithmonë e më te madh për sigurinë juridike të sipërmarrjeve private.

 

Hyrja në fuqi e legjislacionit te ri tatimor (përfshirë edhe aktet e tjera normative apo ndryshime të tyre që sjellin barrë fiskale) të jetë gjithnjë në fillim të vitit fiskal.

 

Aktet normative nënligjore të Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Financave etj., që bëjnë pjesë në legjislacionin tatimor duhet të rishikohen në mënyrë që të jenë në përputhje dhe të mos tejkalojnë dispozitat e parashikuara në ligjet përkatëse të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë.

 

Sugjerohet se ndryshimi i nenit 107 të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore”, i ndryshuar, i cili parashikon si kusht për shqyrtimin e Ankimit Administrativ Tatimor pagesën paraprake të detyrimit tatimor (duke përjashtuar gjobat) është thelbësor për shmangien e abuzivizmit në penalizimin e tatimpaguesve. Propozohet që pagesa e detyrimit tatimor të jetë e detyrueshme për t’u paguar vetëm pas marrjes së një vendimi të formës së prerë nga gjykata.

 

 

Biznesi në rrezik: Tatimet po na çojnë drejt kolapsit, ja 30 kërkesat tona

 

Shuma e huasë së humbur (ato që janë më shumë se një vit vonesë dhe që banka nuk ka më shpresë se mund t’i rikuperojë) kanë arritur në rreth 440 milionë euro. Kreditë e humbura u rritën me shpejtësi në tremujorin e tretë të vitit 2013, në 11.2%, sipas të dhënave të publikuara sot nga Banka e Shqipërisë, nga 9.23% që ishin në tremujorin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë që nga tremujori i dytë 2001, kohë kur sistemi bankar u pastrua nga kreditë e këqija të bankave të atëhershme shtetërore (ish-Banka e Kursimeve – sot Raiffeisen dhe Banka Kombëtare Tregtare).

Një rritje e tillë ishte paralajmëruar dhe nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i cili në daljen e tij të fundit për shtyp tha se “një faktor pozitiv i vënë re gjatë muajve të fundit dhe i inkurajuar nga Banka e Shqipërisë është pastrimi i bilanceve të bankave nga kreditë me probleme pa shpresë rikuperimi. Përtej ndikimit statistikor të tij në afat të shkurtër, pastrimi i bilanceve të bankave është pjesë e një procesi kompleks të administrimit të portofolit të kredive me probleme”.

Në vlerë absolute, kreditë e humbura (ato që janë më shumë se një vit vonesë dhe që banka nuk ka më shpresë se mund t’i rikuperojë) kanë arritur në rreth 440 milionë euro.

Në tremujorin e tretë, një zhvillim pozitiv është rënia e lehtë e totalit të huave me probleme, në 24.34%, nga 24.38% në tremujorin e dytë.

Pavarësisht rritjes së huave me probleme, sistemi duket se nuk po prodhon më me shpejtësi kredi të pakthyera në afat, teksa përkeqësimi i këtij treguesi është ndikuar kryesisht nga kalimi i huave të dyshimta në të humbura.

Si një zhvillim pozitiv, pesha e huave standard (të kthyera në afat) u rrit për herë të parë që nga tremujori i tretë 2009, duke arritur në 67.15% në fund të tremujorit të tretë, nga 66% një tremujor më parë.

 

Humbja

 

Sistemi bankar ka rezultuar me humbje për 9 mujorin, për herë të parë që nga viti 2008, duke reflektuar pastrimin e bilanceve të bankave nga kreditë e humbura.

Sipas të dhënave tremujore, që janë publikuar nga Banka e Shqipërisë, humbja e sistemit bankar për periudhën janar-shtator 2013 ishte 1.27 miliardë lekë, nga 3.1 miliardë lekë, që kishte qenë fitimi për të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kthesa është bërë në tremujorin e tretë, ku humbja e sistemit ishte rreth 2.8 miliardë lekë, apo rreth 20 milionë euro. Deri në fund të qershor sistemi rezultonte me fitim prej 1.5 miliardë lekë për 6 mujorin.

Gjatë tremujorit të tretë, nisi procesi i pastrimit të bilanceve të bankave nga kreditë me probleme pa shpresë rikuperimi. Kjo solli dhe një rritje të shpejtë të kredive të humbura në këtë periudhë, në 11.2% në fund të shtatorit, sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, nga 9.23% që ishin në tremujorin e mëparshëm. Në vlerë absolute, rritja e huave të humbura vetëm në një tremujor është rreth 70 milionë euro.

Dhe ka qenë pikërisht rritja e shpejtë e shpenzimeve për provigjioneve (kosto që lihet mënjanë për mbulimin e kredive me probleme), ajo që ka gërryer fitimet e bankave. Sipas të dhënave nga banka e Shqipërisë, shpenzimet për provigjione u rritën në 14 miliardë lekë për 9-mujorin 2013, nga 4 miliardë lekë, që ishin për të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një shtesë në vlerë absolute prej 9.2 miliardë lekë (rreth 66 milionë euro).

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency