Kërkohet bllokimi i hyrjes në Shqipëri të makinave të vjetra

0
216

makina-shumeEkzekutivi shqiptar pritet të shqyrtojë kërkesën për ndalimin e importit të automjeteve që nuk përmbushin standardet e Bashkimit Evropian. Kërkesa i është adresuar zyrtarisht Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik që drejtohet nga Arben Ahmetaj dhe mban firmën e përfaqësisë së koncesionarëve të automjeteve të reja në vend. Vetë përfaqësuesit e koncesionarëve, në një seancë dëgjimore në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese shprehën shqetësimin jo vetëm mbi mënyrën e funksionimit të tregut të automjeteve, por edhe për kushtet teknike dhe vjetërsinë mbi 12 vjeçare që kanë më shumë se 50 për qind e automjeteve që qarkullojnë në vend.

Në rast se kërkesa e koncesionarëve për lejimin e importit të automjeteve sipas standardit euro 5 dhe euro 6 do të miratohej, atëherë automjetet e vjetra do të duhet të zëvendësohen nga automjete të reja, çka do të sillte një kosto, mbase të papërballueshme, për qytetarët shqiptarë. Ekzekutivi ka paralajmëruar një reformim të thellë në tregun e shitjes së automjeteve, pas shqetësimit të shprehur nga koncesionarët mbi konkurrencën e pabarabartë që u vjen nga tregtarët informalë. Në këtë kuadër është paralajmëruar edhe nisja e një aksioni për të ndaluar shitjen e palicencuar të automjeteve dhe për formalizimin e këtij tregu.

Përfaqësuesit e koncesionarëve kryesorë të makinave në vend kanë marrë pjesë në një seancë dëgjimore në Komisionin Kuvendor të Veprimtarive Prodhuese. Mësohet se koncesionarët kanë kërkuar që të ndalohet importi i makinave që nuk respektojnë të paktën normativën Euro 5 të ndotjes së mjedisit (makina të prodhuara përpara vitit 2005-2006). Pak kohë më parë koncesionarët zhvilluan edhe një takim me ministrin e Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj, ku u diskutua dyfishimi taksës së qarkullimit të makinave në vitin 2014. Duket se ligji për taksimin e mjeteve do të jetë i njëjtë me atë të Bashkimit Evropian, çka do të thotë se makinat e vjetra do të paguajnë taksa më të larta dhe makinat e reja do të çlirohen nga taksa e qarkullimit. Ndryshimet ligjore që pritet të hartohen së shpejti do të konsistojnë në faktin se automjetet që ndotin ambientin detyrimisht duhet të paguajnë taksa të larta.
Në qershor të këtij viti buxheti i shtetit pësoi një humbje në vlerën e 2.5 miliardë lekë nga hyrja në fuqi e ligjit të ri për përgjysmimin e taksës së qarkullimit të makinave.
Në Shqipëri për periudhën janar-shtator mësohet se janë regjistruar rreth 40.000 makina të reja, nga këto rreth 2000 janë shitur nga koncesionarët, rreth 275.000 janë importuar nga individët dhe pjesa tjetër është e importuar.

 

 

 

Stream Oil: Qeveria shqiptare nuk po na heq licencën

Kompania kanadeze “Stream Oil & Gas” u është përgjigjur zërave për fillim të procesit të heqjes së licencës, duke përditësuar të dhënat për pagesën e rentës minerare ndaj shtetit shqiptar. “Stream” deklaroi se lajmi në media se “Albpetrol” ka filluar procedurën e heqjes së licencës kompanisë për shkak të mospagesës së detyrimeve nuk është i bazuar. Kompania thekson se, pas nënshkrimit të marrëveshjes fillestare me shtetin shqiptar më 2007, ky i fundit vendosi një vit më pas një taksë të re (renta minerare) prej 10%. “Sipas termave të Marrëveshjes fillestare, çdo taksë e re (përfshirë rentën minerare) do të përfshihet duke amenduar Marrëveshjen. “Stream” dhe “Albpetrol” kanë filluar ekzekutimin e këtyre amendamenteve, siç tregohet nga refuzimi i “Albpetrolit” për të marrë prodhimin paraekzistues”, – thotë kompania.

Pak ditë më parë, në media u hap njoftimi se qeveria ka nisur procedurat për prishjen e koncesionit të parë të madh, i cili mesa duket do të jetë në fushën e naftës. Sipas një media televizive, “Albpetrol”, kompania publike që mbikëqyr koncesionet e naftës ka filluar zyrtarisht procedurat për të prishur marrëveshjen me kompaninë kanadeze “Stream Oil” për shkak të parregullsive në shlyerjen e detyrimeve financiare të përcaktuara me ligj. “Stream Oil” shfrytëzon 4 vendburime të njohura nafte dhe gazi në Shqipëri, atë të Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollaj në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës.
Por ndonëse i shfrytëzon këto burime prej disa vitesh duke nxjerrë fitime, sipas “Albpetrol”, kompania kanadeze nuk ka paguar detyrimet që i rrjedhin nga marrëveshja koncesionare, posaçërisht ato të ndarjes së prodhimit.
Bëhej fjalë për 50 mijë tonë naftë, 10 milionë metër kub gaz, si dhe shumë fatura të tjera për energjinë dhe shërbime të tjera të përfituara nga kjo kompani, të cilat “Stream Oil” duhet t’i kishte derdhur në “Albpetrol”, por që prej vitesh nuk e bën. Sipas përllogaritjeve, vlera totale e dëmit shkon nga 30 deri në 35 milionë dollarë. “Stream Oil” është një kompani që në të shkuarën është denoncuar shpesh nga ish-opozita e majtë si e lidhur me qeverinë e atëhershme të demokratëve. Nisja e procedurave për heqjen e koncesionit të saj, përbën rastin e parë kur shteti tenton të anulojë një koncesion të madh me impakt të fortë në publik.

“Diskutimet e fundit me përfaqësuesit e Ministrisë kanë treguar se qeveria nuk synon të ndërmarrë ndonjë aksion kundër Stream”, – deklaroi dr. Sotirios Kapotas, president dhe drejtor i përgjithshëm i kompanisë.

 

Rezultate pozitive nga shpimet në Shpirag

Kompania e naftës “Petromanas” dhe “Royal Dutch Shell PLC” njoftuan arritjen e rezultateve pozitive në testin e kryer në zonën e kërkimit Shpirag-2 edhe në Bllokun 2-3 në një sipërfaqe prej 3.450 metrash katrorë, në pjesën jugqendrore të Shqipërisë. Operacionet e testimeve filluar në mes të tetorit, pas mbërritjes së të gjitha pajisjeve të nevojshme. Pas stimulimit acid nafta në zonën Shpiragu-2 rrodhi natyrshëm për 24 orë. Më pas kompania filloi pastrimin e më pas realizoi një testim të zgjatur tre ditor.
Mësohet se gjatë testit të zgjatur, në zonën Shpiragu-2 rrodhi naftë në normat 1500 – 2200 naftë fuçi në ditë (ekuivalenti në BOE); 800 deri 1.300 fuçi në ditë (PBD) e 35-37 gradë naftë API dhe 2- 5 mmcfd gaz në presionin e pusit që varion nga 1700 në mbi 3000 psi. Norma e gazit ishte 2500 – 2800 scf/bbl.
“Testimet konfirmuar aftësinë e pusit për rrjedhjen e lehtë të naftës dhe të sigurojnë vlefshmërinë e hershme të potencialit të Bllokut 2-3, por dhe të investimet të konsiderueshme që janë realizuar deri tani në këtë aset. Edhe pse rezervat e karbonatit varen nga natyra poroze e rezervuarit ne jemi shumë të inkurajuar dhe kemi besim për sasinë e naftës që do të rrjedhë në zonën e parë”, – tha Glenn McNamara, CEO i “Petromanas”.
Ndërsa Edwin Verdonk, zëvendëspresident i “Shell Exploration Europe” tha se rezultatet e Shpiragu-2 janë inkurajuese dhe mbështesin potencialin që ka kjo zonë e Shqipërisë për naftë. “Ne jemi optimistë për përpjekjet që do të bëhen vitin e ardhshëm që do të na ndihmojnë për të vlerësuar plotësisht vëllimet dhe aftësinë e prodhimit të këtij rezervëmbajtësi.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency