Standard.al

Rryma ekologjike: trysni nga Brukseli

Komisioni i BE-së kritikon subvencionimin e rrymës elektrike nga dielli dhe era në Gjermani. Shumë i shtrenjtë, i njëanshëm, e ndoshta në kundërshtim me ligjin. Komisioneri për energjinë Oettinger dëshiron një kthesë.

 

Në negociatat për koalicion në Berlin mes konservatorëve (Unioni CDU/CSU) dhe socialdemokratëve (SPD) në rend të ditës është: kthesa energjitike me anë të rrymës ekologjike. Edhe BE në Bruksel është përfshirë në këtë çështje. Veçanërisht komisioneri gjerman për energjinë Günther Oettinger (CDU) angazhohet fort për një reformë thelbësore të subvencionimit të rrymës ekologjike në Gjermani.

Ligji për Energjitë e Ripërtëritshme (EEG), që u garanton prodhuesve të energjisë diellore dhe eolike në Gjermani subvencione të larta, nuk është më aktual, kritikon prej disa kohësh tashmë Günther Oettinger. Në një intervistë me “Westfalenpost” të mërkurën (30.10.’13) komisioneri i BE-së për energjinë kritikon se “mbi çmimin e energjisë ngarkohen gjithnjë e më shumë taksa. Nuk ka kuptim që sipërmarrjet me shfrytëzim intensiv energjie të largohen nga Evropa në drejtim të rajoneve të tjera në botë me taksa më të ulëta për mjedisin, dhe të krijojnë atje vende pune e të derdhin tatime”

Günther Oettinger që në verë deklaroi për portalin në internet “Energlober.de” se zgjerimi i prodhimit të rrymës ekologjike po ecën tepër shpejt dhe në kurriz të prodhuesve të tjerë të energjisë. Ata nevojiten për të prodhuar një sasi rryme bazë, pra gjithnjë të disponueshme. “Në Gjermani tani duhet të vendoset një kufizim shpejtësie për zgjerimin e sasive të rrymës nga dielli dhe era, që nuk nevojiten për sasinë bazë të rrymës”, tha Oettinger.

Nga qarqe të Komisionit të BE-së thuhet se komisioneri për energjinë së shpejti, më e vonëta deri në pranverë 2014, do të prezantojë direktiva plotësisht të reja për suvencionimin e sektorit energjitik. Oettinger nuk merr parasysh vetëm rrymën ekologjike por edhe centralet konvencionalë dhe zgjerimin e linjave transnacionale të rrymës në Evropë. Megjithatë Komisioni i BE-së hoqi dorë nga një subvencionim special i energjisë bërthamore, pas kritikash të ashpra në fillim të tetorit.

 

Më shumë treg, më pak subvencione

Përcaktimet e ligjit gjerman për subvencionimin e energjive të ripërtëritshme komisioneri i BE-së i vlerëson të dyshimta. Për shembull EEG përcakton se rryma nga dielli dhe era duhet të përçohet me prioritet në rrjetet elektrike. Për Oettinger ky rregull nuk pajtohet me të drejtën evropiane për qarkullimin e lirë të mallrave dhe produkteve.

Në Gjermani rryma ekologjike zë rreth 24 për qind në miksin e energjisë, kjo është e mjaftueshme, tha Michael Haager, bashkëpunëtor i ngushtë i komisionerit Oettinger, në shtator në Bruksel. Garancive të blerjes dhe çmimeve fikse tani u duhet vënë një tavan.

Komisioni i BE-së synon ta vendosë sistemin e subvencioneve mbi baza të njësuara në gjithë Evropën. Në periudhë afatgjatë rryma ekologjike duhet t’ia dalë në treg me subvencione të vogla. Mbështetja financiare sipas modelit gjerman ka sjellë një rritje të fortë të çmimit të rrymës elektrike për konsumatorët, të cilët bashkarisht i financojnë këto subvencione me anë të një pjesëmarrjeje financiare.

 

Subvencione të paligjshme?

Komisioneri i BE-së për konkurrencën Joaquin Almunia, e ka marrë gjithashtu në shqyrtim ligjin gjerman për subvencionimin e energjive të ripërtëritshme. Që prej verës ai ka porositur të kontrollohet, nëse sipërmarrjet me përdorim intensiv energjie, marrin në rrugë indirekte ndihma shtetërore, gjë që bie ndesh me të drejtën e BE-së. Rreth 1700 sipërmarrje, që konsumojnë shumë rrymë elektrike, janë të përjashtuara nga pagesa e taksës për rrymën ekologjike. Këtë rregull komisioneri spanjoll mund ta rrëzojë. Në rastin më të keq për sipërmarrjet, ai madje mund të kërkojë mbrapsht ndihmat e përfituara deri tani.

Zëdhënësi i ekologjistëve gjermanë për politikën industriale në Parlamentin Evropian, Reinhard Bütikofer, e vlerëson legjitim rregullin gjerman për subvencionimin e rrymës ekologjike. Sipas tij Komisioni i BE-së nuk do të guxojë të hyjë në konflikt me Gjermaninë dhe të çojë drejt rrënimit një pjesë të industrisë me konsum intensiv energjie. “Suksesi i energjive të ripërtëritshme megjithatë nuk duhet të rrezikohet nga rritja e vazhdueshme e pjesëmarrjes në kosto”, tërheq vëmendjen eurodeputeti i gjelbër.

Në Bruksel diplomatët e BE-së presin që komisionerët e BE-së do të presin me propozimet dhe vlerësimet e tyre, derisa të jenë mbyllur negociatat për koalicionin në Gjermani dhe qeveria e re të fillojë punën në fund të dhjetorit.

Comments are closed.