Proces zgjedhor me sfida

0
141

 

Mënyra se si do të organizohet procesi zgjedhor dhe mbarëvajtja ose jo e këtij procesi në zgjedhjet lokale më 3 nëntor, do të bartin mesazhet të caktuara, jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por edhe për partnerët ndërkombëtarë, vlerësojnë njohësit e çështjeve të zgjedhjeve dhe analistët e zhvillimeve politike në vend.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili është pjesë i koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi i zgjedhjeve më 3 nëntor pritet të përshkohet me aspekte pozitive, por edhe me sfida të shumta.

Aspekti pozitiv, i cili pritet të shpërfaqet në procesin zgjedhor, sipas tij, është mobilizimi i madh institucional dhe shoqëror, në mënyrë që parregullsitë që i kanë karakterizuar proceset e mëparshme zgjedhore, të mos përsëriten më.

“Mendoj që numri i madh i vëzhguesve vendorë, por edhe atyre ndërkombëtarë, përkushtimi i deklaruar edhe i organeve të ndjekjes për kapjen e manipuluesve të votave qysh ditën e votimit, si dhe nga ana tjetër edhe fuqizimi i masave penalizuese që janë vënë në Kodin e ri penal ndaj manipuluesve të votave, na bën neve të besojmë se tanimë do të kemi një proces më të mirë elektoral”.

“Institucionet kredibile ndërkombëtare do t’i pranojnë ato zgjedhje si të lira dhe të drejta, ndërkohë që do të kemi nga ana tjetër, edhe një qasje serioze, për të dëshmuar që Kosova është pjekur politikisht dhe demokratikisht, në mënyrë që të bartet një mesazh se në Kosovë ka filluar të instalohet një formë e mirëfilltë e demokracisë”, thotë Selmanaj.

Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Imer Mushkolaj, vlerëson se do të jetë shumë e rëndësishme mënyra se si do të përfundojë procesi zgjedhor në Kosovë, më 3 nëntor.

Sipas tij, kjo do të jetë sfidë mjaft e madhe për vendin, sepse mbarëvajtja e procesit zgjedhor mund të shikohej si një produkt i një stabiliteti më të madh për Kosovën edhe në rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.

“Pikërisht, mbarëvajtja e këtyre zgjedhjeve dhe mënyra se si ato do të organizohen, do të jetë një barometër për shumëçka, duke filluar nga dy procese shumë të rëndësishme që janë në prag të realizimit. E kam fjalën për negociatat rreth Marrëveshjes për Stabilizim – Asociim dhe mundësinë e liberalizimit të vizave, por edhe më tej, në kuptimin e një zhvillimi të përgjithshëm të demokracisë, pjekurisë politike dhe përfundimisht të organizimit të një palë zgjedhjeve ashtu siç vërtet do të duhej organizuar”, shprehet Mushkolaj.

Edhe pse mbarëvajtja e procesit zgjedhor dhe ruajtja e votës mbetet sfida kryesore në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë, megjithatë, sipas njohësve të proceseve zgjedhore dhe zhvillimeve politike në vend, sfidë mjaft e madhe dhe e veçantë do të jetë veriu i Kosovës dhe procesi zgjedhor që pritet të zhvillohet atje.

Selmanaj vlerëson se në veri ekzistojnë rrethana krejtësisht më ndryshe se në pjesët tjera të Kosovës dhe një rrjedhë normale e procesit zgjedhor atje, do të bartte mesazh pozitiv. Por, lidhur me këtë çështje, ai mbetet mjaft skeptik.

“Ajo çfarë kemi parë deri më tani, sidomos në Mitrovicën e veriut – flas për qytetin – aty shihet një situatë e tensionuar, shihet një tendencë e grupeve për të mos lejuar mbajtjen e fushatës elektorale, shihet një kampanjë shumë më e madhe kundër daljes në zgjedhje se sa për të dalë në zgjedhje”.

“Megjithatë, kjo nuk ndodh edhe në komunat tjera, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan dhe ne po duam të besojmë që kjo sfidë do të tejkalohet, pavarësisht se a mund të jetë numri i madh i daljes në zgjedhje ose jo. Mendoj se nëse çdo gjë do të shkojë në rregull, atëherë do të kemi një legjitimim të institucioneve që do të dalin nga aty”, thekson Selmanaj.

Por, Mushkolaj vlerëson se është përgjegjësi e institucioneve vendore, por dhe organizmave ndërkombëtarë që ndërmjetësojnë apo ndihmojnë në organizimin e zgjedhjeve në veri të vendit, që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrën e duhur.

“Nuk do të kisha dashur që zgjedhjet të përcillen me ndonjë incident që do të mund ta dëmtojë rëndë procesin, pavarësisht se askush nuk është i sigurt se nuk do të ketë përpjekje nga akterë që tashmë janë të njohur dhe të cilët nuk dëshirojnë që serbët të marrin pjesë në zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Kosovës. Në anën tjetër, besoj që megjithatë serbët do ta kuptojnë më në fund, pavarësisht presioneve që mund t’i kenë, se pjesëmarrja në zgjedhjet e Kosovës është e rëndësishme edhe për ta”, vlerëson Mushkolaj.

Sidoqoftë, njohësit e proceseve zgjedhore dhe zhvillimeve politike në vend, presin që të paktën sfidat dhe problemet, të cilat i kanë përshkuar proceset e kaluara zgjedhore, siç ishin abuzimet me vota, tendenca e manipulimeve për të votuar për të tjerët, për të votuar për të vdekurit, të mos përsëriten.

Ata theksojnë se liderët partiakë duhet t’ua bëjnë të qartë të gjithë vartësve dhe militantëve të tyre se vota e lirë nuk bën të preket dhe abuzohet.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency