Rama teston “aleancën” me Idrizin, PS dhe PDIU bashkojnë votat dhe largojnë drejtorin e LSI-së

0
168

Gëzim Saliu

 

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Patosit, u shkarkua me votat e PS-së dhe PDIU-së drejtori dhe bordi i Ujësjellësit që i përkisnin LSI-së

 

mbledhja ne patosPartia Socialiste bashkon votat me PDIU-në. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të qytetit të Patosit u zëvendësua me votat e PS-së dhe PDIU-së, drejtori dhe bordi i Ujësjellësit të këtij qyteti, poste që prej vitesh i përkisnin Lëvizjes Socialiste për Integrim. Aleanca e PS-së me PDIU-në dhe me anëtarë të tjerë të partive të vogla bënë të mundur arritjen e 16 votave të domosdoshme për zëvendësimin e anëtarëve të këtij bordi, të cilët më parë nuk kishin pranuar zëvendësimin.

Zëvendësimi

Prej disa vitesh drejtori dhe bordi i Ujësjellësit në qytetin e Patosit ishin emra të zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kërkesa e socialistëve për zëvendësimin e tij nuk është bërë e mundur, pasi në mbledhjen që do të merrej ky vendim, një nga anëtarët e LSI-së mungonte, duke bllokuar procesin. Në mungesë të një zgjidhjeje me konsensus mes dy forcave kryesore të koalicionit të majtë, PS ka vendosur të bashkojë votat me PDIU-në. Bashkëpunimi mes partisë kryesore të së majtës dhe partisë të rreshtuar në kampin e djathtë mundësoi 16 votat e nevojshme në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Patosit, duke bërë të mundur zëvendësimin e drejtorit. Po ashtu thuajse e njëjta përplasje mes PS-së dhe LSI-së u vu re në Krutje, ku socialistët bojkotuan mbledhjen e Këshillit kur mësuan se LSI ishte shtuar me 4 vota. Që pas marrëveshjes së 1 prillit mes PS-së dhe LSI-së e sidomos rezultatit të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, qëndrimet skeptike lidhur me bashkëpunimin mes kryeministrit Rama dhe kreut të Kuvendit, Meta, kanë qenë të vazhdueshme. Rritja e partisë së drejtuar nga Ilir Meta në këto zgjedhje me më shumë se katërfishin e deputetëve që mori në elektoralet e 2009-ës si edhe “prurjet e reja” në këtë forcë politike kanë sjellë jo pak fjalë në korridoret e selisë së purpurt në kuadër të fuqizimit të kësaj partie. Nga ana tjetër, PS ka nisur flirtet e para përtej LSI-së, ku vetëm dy ditë më parë u bë publik bashkëpunimi me FRD-në për zgjedhjet lokale në Korçë. Ndërkohë vetë kryeministri Rama ka mohuar ekzistencën e një rivaliteti të brendshme në koalicionin e majtë, duke theksuar se kjo aleancë do të zgjasë gjatë. “Besoj se skeptikët e pas marrëveshjes së koalicionit përgjigjen e kanë marrë në 23 qershor, kur 1 milionë shqiptarë votuan për Aleancën për Shqipërinë Evropiane, ku aleanca PS-LSI doli me rezultate më të mira se asnjëherë më parë. Dhe vizioni, misioni dhe funksioni i qeverisë e bëjnë çdo çështje të vogël të ditës shumë relative në krahasim me çështjen e madhe që e ka lindur Aleancën për Shqipërinë Evropiane dhe që na vetëdijëson plotësisht në radhë të parë si drejtues të dy partive të kësaj aleance, qoftë mua, qoftë kryetarin e Kuvendit, por edhe gjithë të tjerët për misionin që kemi edhe personalisht”, – tha Rama në një intervistë pak ditë më parë për “DW”. Në të njëjtën linjë, edhe kreu i LSI-së Ilir Meta ka pohuar se aleanca e partisë që ai drejton me PS-në do të zgjasë më shumë se ky mandat, duke marrë shkas nga objektivi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda kësaj kohe. “Ju e dini që marrëveshja e Shkodrës është një marrëveshje strategjike, që do të thotë se i ka të gjitha mundësitë për të zgjatuar, të paktën, për aq kohë sa Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së. Ne edhe në marrëveshjen e Shkodrës angazhohemi brenda dy mandateve”, – ka theksuar Meta.

 

 

Zgjedhjet në Korçë

Rama me “qeverinë” mbyll fushatën: Votoni të ardhmen

Kryeministri i vendit Edi Rama mori pjesë dje në mbylljen e fushatës elektorale për zgjedhjen e kreut të Bashkisë së Korçës, në mbështetje të kandidatit socialist, Sotiraq Filo. I shoqëruar nga ministrat e qeverisë, Kryeministri u bëri thirrje korçarëve të dalin në votime të dielën, pasi, sipas tij, vota për kandidatin e majtë është një votë për të ardhmen dhe për të çuar më tej projektin e ish-kreut të Bashkisë, tashmë zëvendëskryeministër, Niko Peleshi. “Mitingu i sotëm është njësoj si mitingu i zgjedhjeve të 23 qershorit, fitorja e Sotiraq Filos nuk diskutohet, sepse Korça do të dijë të votojë projektin e së ardhmes, kundërshtari vetëm emrin ka të duhur. Socialistët kanë treguar se nuk qeverisin për veten, do të ndërtojmë një Shqipëri ku të rinjtë të mos varen nga mbiemri”, – u shpreh Rama. Duke theksuar se Filo gëzon një mbështetje përtej kufijve të koalicionit të zgjedhjeve të 23 qershorit, kreu i qeverisë ftoi demokratët e Korçës që të mendojnë për qytetin e tyre. Më herët, Kryeministri bëri një thirrje edhe në faqen e tij në Facebook lidhur me zgjedhjet në Korçë, ku theksoi: “Të dielën Korça duhet të votojë sërish për të zgjedhur mes vazhdimit të projektit të Nikos tanimë me mbështetjen e fuqishme të qeverisë së re të PS-LSI dhe kthimit pas, në rrugën e humbur të Partisë Demokratike, mes Sotiraq Filos, njeriut që në krah të Niko Peleshit ndoqi plot projekte dhe tanimë ka në dorë gjithë planin e punës për të ardhmen, dhe një tjetri që s’mund t’i ofrojë Korçës asgjë më shumë se politikat e dështuara të humbësve të 23 qershorit”. Zgjedhjet për kryetar Bashkie në Korçë do të mbahen ditën e nesërme, ku Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim garojnë bashkë me kandidatin Sotiraq Filo i cili mbështetet në këtë garë edhe nga FRD, e cila iu përgjigj pozitivisht ftesës së PS-së për bashkëpunim, ndërsa demokratët me Sotiraq Sratobërdhën.

 

 

 

Jep dorëheqjen shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Xhemal Gjunkshi, ka paraqitur dje kërkesën për dorëheqje nga detyra tek Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Gjeneral Brigade, Xhemal Gjunkshi u emërua në krye të Shtabit të Përgjithshëm në gusht të vitit 2011, në vend të gjeneralit Maksim Malaj, të cilit i përfundoi mandati. Më datën 7 tetor të vitit 2009-të, ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe të ligjit “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, dekretoi emërimin e Gjeneral Brigade, Xhemal Gjunkshi, komandant të komandës mbështetëse. Më parë, Presidenti Topi kishte dekretuar lirimin nga detyra të Gjeneral Brigade, Xhemal Gjunkshi, si komandant i regjimentit komando në Forcën e Bashkuar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency