KËRCËNIMI Patrulla për mbrojtjen e familjeve të 3 zyrtarëve

0
148

Anxhela Tato

 

Ish-shefi i Parandalimit të Krimit B. K. u kërcënua nga një numër me prefiks gjerman

Policia, dy zyrtarët D. M. dhe Sh. T, shënjestër në atentate me lëndë eksplozive

 

Drejtoria e policise TiraneMerren në mbrojtje familjet e tre zyrtarëve të lartë të policisë. Burimet konfirmojnë caktimin e patrullave pranë banesave të efektivëve për të parandaluar rrezikun që erdhi pas alarmit të kërcënimeve. Nga të dhënat paraprake mësohet se bëhet fjalë për ish-kreun e Parandalimit të Krimit B. K., ish-nëndrejtorin e Policisë së Tiranës D. M. dhe efektivin e patrullave Sh. T. Dy zyrtarët D. M. dhe Sh. T. janë bërë objekt atentatesh me lëndë eksplozive, duke u marrë menjëherë në mbrojtje, ndërsa zyrtari B. K. është kërcënuar në celular nga një numër me prefiks gjerman. Sipas të dhënave të policisë, bëhet me dije se ish-shefit të Parandalimit të Krimit i ka ardhur një telefonatë në celular nga një person, i cili e ka kërcënuar me jetë. “Më ke futur në burg dhe ke për ta parë se çfarë do të të bëj”, fjalia e autorit të kërcënimit. Ndërsa nga ana e bluve ka nisur puna për verifikimin e autorit të kësaj bisede telefonike, i cili bëhet me dije se ka telefonuar disa policë derisa ka arritur të gjejë numrin e B. K. Policia e Tiranës ka vendosur një shërbim të operacioneve speciale për ruajtjen e banesës dhe familjen e oficerit B. K. Gjithashtu ka marrë në mbrojtje familjet e dy kryepolicëve të tjerë.

Dy atentatet

Dy zyrtarët e policisë D. M. dhe Sh. T kanë qenë shënjestër e dy atentateve me eksploziv, ngjarje të ndodhura në hapësira të ndryshme kohore. Me qëllim parandalimin e çdo rreziku të mundshëm, policia i ka marrë në mbrojtje familjet e D. M. dhe Sh. T. Në dhjetor të vitit 2011, një sasi eksplozivi u vendos në hyrjen e banesës së ish-nëndrejtorit të Policisë së Tiranës, D. M. Sipas të dhënave paraprake, policia bëri me dije se kamerat e rrugës kishin arritur të regjistronin veprimet e atentatorit, i cili ishte i vetëm në kryerjen e këtij akti të rëndë. Atentatori ishte i maskuar dhe fytyra e tij nuk shquhej. Ai kishte lëvizur lirshëm drejt pallatit ku banon familja e D. M. dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Pak minuta pas vendosjes së eksplozivit ka ndodhur shpërthimi. Policia e ka konsideruar shpërthimin të lidhur me detyrën e D. M., i cili para disa vitesh kishte plagosur një personazh me rrezikshmëri të lartë gjatë një aksioni për arrestimin e tij. Ngjarja ndodhi mëngjesin e 8 dhjetorit në rrugën “Frosina Plaku”, ku nga shpërthimi fatmirësisht ka pasur vetëm dëme materiale. Rasti i dytë është shënuar vetëm para pak ditësh, në afërsi të komisariatit numër 6. Efektivi Sh. T. sapo kishte mbyllur shërbimin, kur është futur në makinën e tij personale. Sapo ka ndezur çelësin e makinës, ka parë flakë në pjesën e pasme dhe fatmirësisht ka arritur të dalë me shpejtësi nga automjeti. Ekspertë të kriminalistikës u shprehën se është mrekulli se si efektivi ka arritur t’i shpëtojë një atentati të tillë. Ndërsa mësohet se lënda eksplozive ishte në sasi të madhe, e vendosur në pjesën e pasme të automjetit. Efektivi Sh. T. kishte arrestuar vëllain e autorit të ngjarjes për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Për këtë ngjarje të rëndë u vu në pranga edhe kolegu i tij, punonjës në komisariatin numër 5, si bashkëpunëtor në krim, ndërsa Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë arrest me burg.

 

Incidenti tek PSD-ja, lihen të lirë 3 policët privatë

Lihen të lirë tre policët privatë që u përfshinë në incidentin para selisë së Partisë Social-Demokrate. Nga ana e togave të zeza, është cilësuar si e paligjshme prangosja e tre efektivëve, në ngarkim të të cilëve rëndon akuza e kundërshtimit të punonjësve të policisë. Gjyqtarja Marinela Osmani, pasi dëgjoi pretendimet e prokurores dhe avokatit mbrojtës, e cilësoi të paligjshëm arrestimin në flagrancë të tre punonjësve të policisë private Pladomen Popa, Denis Doçi dhe Edmond Shala, dhe caktoi ndaj tyre masën e sigurisë “Detyrim për paraqitjeje”. Mbi tre të dyshuarit rëndon akuza e kundërshtimit të punonjësve të policisë. Për këtë akuzë, ata do të ndiqen në gjendje të lirë, ndërsa administratori i kompanisë private e cilësoi incidentin me policinë një keqkuptim. Pak ditë më parë, policia private u konfliktua me Policinë e Shtetit, pasi përmbaruesi privat kërkoi nga drejtuesit e PSD-së lirimin e objektit në zbatim të vendimit të gjykatës. Ndërkohë, Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve reagoi përmes një konference për shtyp në lidhje me konfliktin për lirimin e ndërtesës, ku është ngritur prej vitesh selia e PSD-së. Kreu i Dhomës Kombëtare e Përmbaruesve, Alimadhi, e cilësoi të turpshme sjelljen e kryetarit të PSD-së, Gjinushi, i cili kundërshton lirimin e ndërtesës. Alimadhi theksoi se çdo veprim i përmbaruesve për rastin në fjalë ka qenë në përputhje me ligjin dhe vendimin e gjykatës.

 

I dënuar për grabitje, pranga efektivit të Krimit Ekonomik

Arrestohet efektivi i Drejtorisë së Pastrimit të Parave, cili rezultoi me precedentë penalë. Nga të dhënat paraprake të policisë mësohet se është vënë në pranga Beqir Kuteli, i cili figuron i dënuar nga Gjykata e Vlorës me 5 vjet heqje lirie. Beqir Kuteli është shpallur fajtor për akuzën e grabitjes së bankave dhe falsifikimit të dokumenteve. I arrestuari punonte në Drejtorinë e Pastrimit të Parave në kryeqytet, në një kohë që ishte i shpallur në kërkim. Bëhet me dije se ai është zbuluar pas përgjimeve të bisedave telefonike. Ende nuk bëhen me dije sesi një personazh i proceduar ka përfunduar në radhët e bluve, duke punuar në një ndër sektorët më të rëndësishëm të krimit ekonomik. Momentalisht 46-vjeçari po mbahet në qelitë e paraburgimit në pritje të përgatitjes së dokumenteve për transferimin e tij në Vlorë, ku pritet që të ekzekutojë masën e dënimit dhënë nga togat e zeza me 5 vjet burgim për grabitje dhe falsifikim dokumentesh.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency