Pas akuzave të PD-së Dorëhiqet kreu i Policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani

0
157

Sonja Caka

 

Kërkesa i dorëzohet kreut të Burgjeve, Artur Zoto

Argumentimi: Akuzat më kanë shqetësuar, kam marrë pafajësi nga gjykata

 

sylejmaniPas akuzave të PD-së, dje dha dorëheqjen drejtori i ri i Policisë së Burgjeve, i emëruar në mes të muajit tetor 2013. Enrik Sulejmani e ka lajmëruar dorëheqjen e tij me anë të një kërkese drejtuar drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto. “Me anë të kësaj kërkese, kërkoj mirëkuptimin tuaj për të miratuar dorëheqjen time nga funksioni i drejtorit të Policisë së Burgjeve të Republikës së Shqipërisë”, – thuhet në letrën e Sulejmanit. Ish-drejtori i Policisë së Burgjeve thotë se “ky vendim vjen si pasojë e shqetësimit, në lidhje me disa lajme të pavërteta të publikuara në një organ të medias së shkruar pas emërimit tim në këtë detyrë. Ndiej të domosdoshme të sqaroj me këtë rast, se asnjë prej akuzave ndaj personit tim nuk bazohet në fakte reale”. Ndërkaq që më pas, Sulejmani ka shpjeguar pozicionin e tij në lidhje me akuzat që janë bërë ndaj tij. Në letrën e tij, Sulejamni thotë: “Çështja në të cilën emri im është përfshirë pa të drejtë, është gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe është dhënë një vendim që mban nr 760, datë 8.7.2013, ku Gjykata ka vendosur deklarimin e pafajshëm ndaj personit tim”. “Ndaj këtij vendimi, nga ana e Prokurorisë është ushtruar ankim në Gjykatën e Apelit. Vetë organi i akuzës është bindur se akuza e ngritur ndaj meje nuk qëndronte, ndaj në seancën gjyqësore në Gjykatën e Apelit, nga ana e Prokurorit të Apelit, është kërkuar të hiqet dorë nga apeli dhe të vendoset mospranim i ankimit”, thuhet në letrën e Sulejmanit drejtuar drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto. Sipas tij, Gjykata e Apelit Tiranë vendosi mospranimin e ankimit me vendimin nr. 4, të datës 12.1.2005. “Deklaroj se dorëheqja ime vjen me qëllimin e mirë, që nga kjo çështje të mos cenohet imazhi i institucionit ku unë ushtroj funksionin tim. Gjithashtu, kam bindjen, se një situatë e tillë është e motivuar politikisht”, – përfundon letra e drejtorit të hequr Enrik Sulejmani. Ndërkaq, dy ditë më parë, Partia Demokratike, akuzoi Sulejmanin se në vitin 2003 është arrestuar në Rinas, për trafik njerëzish.

Kërkesa

“Me anë të kësaj kërkese, kërkoj mirëkuptimin tuaj për të miratuar dorëheqjen time nga funksioni i drejtorit të Policisë së Burgjeve të Republikës së Shqipërisë. Ky vendim nga ana ime vjen si pasojë e shqetësimit, në lidhje me disa lajme të pavërteta të publikuara në një organ të medias së shkruar pas emërimit tim në këtë detyrë. Ndiej të domosdoshme të sqaroj me këtë rast, se asnjë prej akuzave ndaj personit tim nuk bazohet në fakte reale. Më lejoni të kujtoj për interes të publikut, se çështja në të cilën emri im është përfshirë pa të drejtë, është gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe është dhënë një vendim që mban nr 760, datë 8.7.2013, ku Gjykata ka vendosur deklarimin e pafajshëm ndaj personit tim. Ndaj këtij vendimi, nga ana e Prokurorisë është ushtruar ankim në Gjykatën e Apelit. Vetë organi i akuzës është bindur se akuza e ngritur ndaj meje nuk qëndronte, ndaj në seancën gjyqësore në Gjykatën e Apelit, nga ana e prokurorit të Apelit, është kërkuar të hiqet dorë nga apeli dhe të vendoset mospranim i ankimit. Gjykata e Apelit Tiranë vendosi mospranimin e ankimit me vendimin nr. 4, të datës 12.01.2005. Deklaroj se dorëheqja ime vjen me qëllimin e mirë, që nga kjo çështje të mos cenohet imazhi i institucionit ku unë ushtroj funksionin tim. Gjithashtu, kam bindjen, se një situatë e tillë është e motivuar politikisht. Përfitoj nga rasti të shpreh konsideratën time më të lartë për Ju dhe institucionin që drejtoni”, – përfundon letra dërguar kreut të burgjeve.

Akuza

PD: U arrestua në vitin 2003 për trafikim të qenieve njerëzore

Partia Demokratike denoncoi më 22 tetor emërimin e Enrik Sulejmanit, drejtor i Policisë së Burgjeve. Ajo deklaroi se Suljemani u arrestua në vitin 2003 me akuzën e trafikimit të qenieve njerëzore, kur ai ishte kryepolici i aeroportit të Rinasit. “Me këtë emërim, kjo qeveri ka rënë moralisht, ende pa mbushur të 40-at”, – thanë demokratët. “Por, pak ditë më parë, Enrik Sulejmani rilindi, u gradua, u emërua drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Burgjeve. Njeriu që u shkarkua nga një ish-ministër socialist sot me LSI-në si trafikant dhe njollë turpi i Policisë së Shtetit para 10 vitesh, u rilind pak ditë më parë duke u emëruar në krye të rreth 3000 policëve të burgjeve dhe u ngarkua të ruaje të gjitha bandat e trafikut ndërkombëtar. Ai që portën që lidhte Shqipërinë me botën, e shndërroi në portën e trafikut ndërkombëtar, sot pas 10 vitesh po i besojnë çelësat e qelive të trafikantëve”, – u shpreh një nga deputetët e PD-së.

 

 

KLD

Gjatë vitit 3013, 636 ankesa për gjyqtarët, për 14 kërkohet procedim

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nëpërmjet një deklarate për mediat, ka sqaruar se gjatë vitit 2013 ka pasur 636 ankesa për gjyqtarët, nga ku në 12 prej tyre ka pasur shkelje. Zyra për shtyp e KLD-së, bën me dije: “Në regjistrin e ankesave të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, rezulton se nga qytetarët dhe institucionet për vitin 2013, kanë ardhur 636 ankesa. Për 12 nga këto ankesa, është konstatuar shkelje dhe materialet e kontrollit i janë dërguar Ministrit të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor, si i vetmi organi i cili mund të iniciojë procedimin disiplinor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në total, duke përfshirë edhe ankesat e vitit 2012, KLD ka dërguar në Ministrinë e Drejtësisë 20 kërkesa procedime për 14 gjyqtarë. -Për 67 gjyqtarë të shkallës së parë dhe të apelit, pas konstatimit të parregullsive të ndryshme të kryera, i është tërhequr vëmendja me shkrim. Nga të cilat 19 raste janë bërë bazuar në ankesat e ardhura në vitin 2011, 15 raste janë bërë bazuar në ankesat e ardhura në vitin 2012, dhe, siç thamë më lart, 33 raste janë për ankesat e ardhura gjatë vitit 2013. Po sipas KLD-së, 325 ankesa janë arkivuar, pasi nga vlerësimi paraprak është konstatuar se janë të pabazuara për arsye se – objekti i tyre, pretendimi i ngritur në ankesë, është jashtë kompetencës dhe veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë (ankesa ndaj institucioneve jo gjyqësore); janë ankesa të cilat duhet të ndiqen nga qytetari në rrugë ankimore në gjykatën kompetente gjë për të cilën Këshilli (inspektorati) nuk mund të ndërhyjë. Për 56 raste janë evidentuar shkelje shumë të lehta, të cilat nuk përbëjnë shkak për fillimin e procedimit disiplinor. Për këto raste është vendosur që të mbahen parasysh gjatë vlerësimit profesional dhe etik të gjyqtarëve. Për 23 raste pas verifikimit është konstatuar se nuk ka shkelje nga ana e gjyqtarëve. 65 raste janë aktualisht ende në proces verifikimi nga Inspektorati i KLD në gjykata të ndryshme. 122 ankesa janë në proces vlerësimi paraprak nga inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në përfundim të shqyrtimit inspektorati mund të vendosë kthim përgjigje për qytetarët; arkivimin e ankesës pasi nuk ekzistojnë elementë të mjaftueshëm për të filluar një kontroll; verifikimin e rastit. Për vitin 2013, Këshilli i ka referuar për kompetencë institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme, 5 praktika që konsistojnë në raste të denoncuara nga publiku dhe për të cilat inspektorati i KLD nuk ka kompetencë ligjore t’i hetojë”, – përfundon deklarata e zyrës së shtypit.

Sarandë

Aksidentoi çiftin e bashkëshortëve, prangoset

Policia e Sarandës ka vënë në pranga një 69-vjeçar, i cili akuzohet për “Shkelje të rregullave të qarkullimit”. Sipas burimeve policore, arrestimi në flagrancë i të moshuarit është bërë pasi aksidentoi dy ditë më parë një çifti bashkëshortësh që po lëviznin me motor. Të njëjtat burime bënë me dije se në pranga u vu Zejnel Zejneli, 69 vjeç, banues në fshatin Vrion të rrethit Delvinë. “Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi duke drejtuar automjetin e tij me targa AA320EB në rrugën hyrëse të Ksamilit ka aksidentuar shtetasit V. Z., dhe J. Z., (bashkëshortë) të cilët po udhëtonin me një motoçikletë pa targa” bëjnë me dije burimet policore. Si pasojë e aksidentit është dëmtuar rëndë shtetasja J. Z., 36 vjeçe, e cila është transportuar në Spitalin Ushtarak Tiranë për ndihmë më të specializuar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency