Vendimet e qeverisë Miratohet projektligji për buxhetin faktit të 2012-ës, rikthehen në detyrë anëtarët e AKEP-it

0
113

Gëzim Saliu

Mbrojtja e mjedisit dhe reforma territoriale, shtesë fondi për Ministrinë e Brendshme atë të Mbrojtjes dhe Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit

Qeveria miratoi edhe projektligjin për marrëveshjen me qeverinë e SHBA-së për qeverisje të mirë

 

 

mbledhja e qeverise RamaQeveria miraton projektligjin për buxhetin faktik të shtetit për vitin 2012, i cili do t’i propozohet Kuvendit për miratim. Projektligji synon të miratojë buxhetin faktik të shtetit, për vitin 2012, për të ardhurat, shpenzimet e qeverisjes së përgjithshme, sigurimet shoqërore e shëndetësore, si dhe për deficitin buxhetor. Po ashtu një tjetër vendim i marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë ishte ai që lidhej me rikthimin në detyrë të anëtarëve dhe të kryetarit të Këshillit Drejtues të AKEP të shkarkuar në muajin maj, pas vendimit të LSI-së për prishjen e koalicionit qeverisës me PD-në dhe bashkimin me Partinë Socialiste. “Për propozimin e revokimit të zgjedhjes së anëtarëve e të caktimit të kryetarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe rikthimin në detyrë të anëtarëve e të kryetarit të liruar para mbarimit të mandatit”, – thuhej në vendimin e qeverisë.

Mbledhja

Marrë shkas nga reforma territoriale dhe nisma për mbrojtjen e mjedisit, në mbledhjen e djeshme të qeverisë u miratua edhe vendimi për një shtesë fondesh për tri ministri të kabinetit “Rama”. “Për një shtesë fondesh në buxhetin e vitit 2013, miratuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, për mbulimin e shpenzimeve për strukturat e angazhuara për ndërhyrjen e mbrojtjen mjedisore dhe rehabilitimin e territorit”. Sipas mazhorancës qeverisëse, reforma administrativo-territoriale do të jetë një reformë gjithëpërfshirëse, e cila do të rrisë efikasitetin e njësive vendore përmes mirëqeverisjes, rritjes së eficiencës në menaxhimin e burimeve të këtyre njësive, menaxhimin e kapaciteteve, përmirësimin e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve, si dhe fuqizimin e qytetarëve dhe komuniteteve. Kjo reformë prite të jetë gati para zgjedhjeve vendore të vitit 2015. Ndërkohë qeveria miratoi dje edhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Ndërkohë një tjetër vendim i marrë dje nga qeveria ishte ai për miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për programin me shumë përfitues, në kuadër të instrumentit të IPA-s, “Asistenca e tranzicionit dhe forcimi institucional, për vitin 2013”.

 

 

Prefekti i Vlorës

Dervishi: Reformë territoriale në të gjithë qarkun

Prefekti i Qarkut Vlorë, Besnik Dervishi, u shpreh dje se së shpejti do të ndërmerret reforma territoriale në të gjithë qarkun e Vlorës, pasi shumë prej komunave të këtij qarku nuk kanë të ardhura për të kryer funksionet tyre. Deklarata e prefektit Dervishi, i cili ka vetëm pak ditë në këtë funksion vjen menjëherë pas përfundimit të konferencës së zhvilluar në Tiranë, ku u diskutua pikërisht për këtë reformë territoriale e cila do të ndërmerret në të gjitha qarqet e vendit.

 

Takimi me zyrtarin e DASH

Rama: Në çdo front me SHBA-në, luftë të hapur korrupsionit dhe krimit

Kryeministri i vendit, Edi Rama, thekson vendosmërinë e qeverisë së tij për të vijuar e konsoliduar më tej miqësinë, partneritetin dhe aleancën e pandashme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë takimit me zv.ndihmës-sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Hoyt Brian Yee, Kryeministri Rama deklaroi dje se Shqipëria do të qëndrojë “krah SHBA-së në çdo front, brenda dhe jashtë”. “Ndër pikat ku politika shqiptare nuk ndahet, miqësia e partneriteti me SHBA dhe aleancat në krah të SHBA, janë e do të mbeten një pikë kryesore. Ndërsa kjo qeveri përkatësinë e Shqipërisë në këtë miqësi, partneritet e aleancë të pandashme, e lexon edhe si detyrim për t’u udhëhequr edhe në qeverisjen e vendit tonë nga vlerat e parimet që SHBA mishërojnë e promovojnë si një shembull i shkëlqyer lirie, demokracie, prosperiteti të bazuar në respektin për individin e në konkurrencën e lirë”, – shkruante Kryeministri në rrjetin social “Facebook”, ku publikoi edhe një fotografi nga takimi me zyrtarin e lartë amerikan Hoyt Brian Yee. Ndërkohë gjatë takimit, shefi i qeverisë e uroi zyrtarin amerikan për detyrën e re dhe e vlerësoi të vyer eksperiencën që Yee ka në rajonin tonë. Rama e falënderoi Yee për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë dhe përpjekjeve të saj në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Më tej, Kryeministri Rama e njohu Yee me programin dhe prioritetet e qeverisë shqiptare, me theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryeministri u ndal edhe në operacionin më të fundit të Policisë së Shtetit për bllokimin e lojërave të fatit që ushtronin aktivitetin në mënyrë të paligjshme. Po ashtu, kreu i qeverisë, siguroi zyrtarin e lartë amerikan se Shqipëria do të jetë në krah të SHBA, në përpjekjet e përbashkëta për promovimin e paqes dhe sigurisë në botë. Nga ana e tij, zv.ndihmës-sekretari i Shtetit të SHBA-së e siguroi Kryeministrin për mbështetjen e SHBA-së në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe mirëpriti progres raportin e Komisionit Evropian që rekomandon statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.

 

Ministrja e Mbrojtjes

Kodheli, Yee: Jemi në vështirësi financiare

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, zhvilloi dje një takim me zv.ndihmës-sekretarin e SHBA, Hoyt Yee, ku kërkoi mbështetjen e SHBA për integrimin e vendit në BE dhe ka shprehur vendosmërinë e qeverisë për të luftuar korrupsionin. Ministrja Kodheli u shpreh se Ministria që ajo drejton ndodhet në një situatë të vështirë ekonomike. “Ne jemi në vështirësi të mëdha financiare. Dy përqindëshi nuk mund të arrihet. Kjo nuk do të thotë që nuk do të realizojmë objektivat. Ne jemi të vendosur të rrisim eficiencën dhe të luftojmë korrupsionin pa kompromis”, – u shpreh Kodheli. Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes e siguroi zëvendësndihmës-sekretarin e SHBA se do të forcojë kriteret dhe rregullat e përzgjedhjes për personelin që do të niset në trajnim, në vijim të bashkëpunimit në fushën e trajnimit dhe rritjes së kapaciteteve të FA, përfshirë dhe kandidatët që do të ndjekin programin e përgatitjes së oficerëve të rinj, në bashkëpunim me gardën e Nju Xhersit. Nga ana e tij, zëvendësndihmës-sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Yee, garantoi ministren Kodheli për mbështetjen e padiskutueshme të SHBA ndaj Shqipërisë. “Ne do ju mbështesim në proceset integruese të Shqipërisë në BE dhe për këtë kemi folur me partnerët tanë evropianë për çeljen e negociatave në dhjetor për marrjen e statusit të vendit kandidat”, – u shpreh Yee. Ai kërkoi një angazhim më të madh të burimeve financiare për arritjen e standardeve dhe kërkesave të NATO-s. “Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, pavarësisht nga situata e rëndë financiare, duhet të shënojë një rritje”, – tha ai.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency