Standard.al

Sa më shumë njerëz në garë, aq rekorde do të thyhen

 

“Të bëjmë përpara”, libri i Sheryl Sandberg, drejtore operative e “Facebook”-ut, flet për femrat, punën dhe dëshira e tyre për të udhëhequr, botimet “Pegi”

 

 

 

Përvetësimi i revolucionit

sheryl-sandberg-time-magazine-coverMbeta shtatzënë me fëmijën e parë në verën e vitit 2004. Në atë kohë drejtoja sektorët e shitjeve online dhe menaxhimin e operacioneve në Google. Isha bërë pjesë e kompanisë rreth tre vjet e gjysmë më parë, kur fillimi ishte ende i turbullt, kompania kishte disa qindra punonjës dhe selia ndodhej në një ndërtesë të vjetër. Tre muaj pasi kisha filluar punë, Google-i u shndërrua në një kompani me mijëra punonjës dhe i shpërnguli zyrat në një kompleks të madh ndërtesash.

Shtatzëninë nuk e pata të lehtë. Të përzierat tipike, që shumica e grave i kanë vetëm në tremujorin e parë, mua më përndoqën gjatë gjithë nëntëmujorit. Shtova thuajse 30 kg dhe këmbët m’u ënjtën aq shumë, saqë më duheshin këpucë dy numra më të mëdhenj dhe arrija t’i shikoja vetëm kur i ngrija mbi tavolinën e kafes. Një inxhinier i Google-it, shumë delikat, deklaroi se projekti “Balena” ishte frymëzuar nga unë.

Një ditë, pas një mëngjesi të vështirë kaluar me kokën në WC duhej të nxitoja për një takim të rëndësishëm me një klient. Google-i po zgjerohej aq shpejt, saqë parkimi ishte një problem i vazhdueshëm dhe i vetmi vend i lirë që gjeta atë ditë, ishte shumë larg godinës. M’u desh të vrapoja përmes parkingut, që do të thotë se u përpoqa të zvarritesha pak më shpejt se zakonisht.

Kjo m’i përkeqësoi të përzierat e stomakut. Arrita në mbledhje duke u lutur që ajo çka do të më dilte nga goja, të kishte të bënte vetëm me prezantimin që duhej t’u paraqisja klientëve.

Atë natë po i tregoja për këto peripeci tim shoqi, Dave-it, i cili më tha se Yahoo-ja, ku ai punonte asokohe, kishte rezervuar vende të veçanta parkimi në hyrje të çdo ndërtese vetëm për gratë shtatzëna.

Ditën tjetër marshova – ose më mirë të them, u zvarrita – në zyrën e themeluesve të Google-it, Larry Page-it dhe Sergey Brinit. Mjedisi i tyre i punës ishte një dhomë e madhe me lodra, vegla dhe rroba të hedhura sa andej-këndej. E gjeta Sergey-n në një pozicion yoga në cep të dhomës dhe e njoftova se kishim nevojë për vende parkimi të rezervuara për gratë shtatzëna dhe sa më shpejt të ishte e mundur. Ai më pa dhe ra dakord menjëherë, duke shtuar se asnjëherë më parë nuk i kishte shkuar ndër mend diçka e tillë. Ende sot ndihem keq që s’kisha arritur ta kuptoja, derisa e provova vetë, që grave shtatzëna u nevojitej një vend parkimi i rezervuar. A nuk më takonte mua përgjegjësia për ta menduar këtë, duke qenë se isha një nga gratë më me përvojë

në Google? Por, njësoj si Sergey-t, as mua nuk më kishte shkuar ndër mend më parë. Gratë e tjera shtatzëna do të kenë vuajtur në heshtje, duke mos dashur të kërkojnë privilegje. Ose ndoshta u mungonte besimi në vetvete apo përvoja për të kërkuar zgjidhjen e këtij problemi. Të qenit drejtuese femër dhe shtatzënë – edhe pse dukesha si balenë – solli një ndryshim të madh.

Sot, në SHBA, në Evropë dhe pothuajse kudo në botë, gjendja e grave është përmirësuar ndjeshëm në krahasim me vite më parë. Ne mbështetemi në shpatullat e atyre grave që u është dashur të luftojnë për gjëra që ne sot i marrim të mirëqena. Në vitin 1947, Anita Summers, e ëma e mentorit tim, Larry Summersit, u punësua nga kompania Standard Oil si ekonomiste. Kur e pranoi propozimin për punë, shefi i saj i ri i tha: “Jam shumë i kënaqur që të kam në skuadër. Besoj se po marr të njëjtin tru, për më pak para”. Ajo u ndje e lajkatuar. Ishte një kompliment i jashtëzakonshëm t’i thuhej se kishte trurin e një mashkulli. Por, nga ana tjetër, për atë grua do të kishte qenë e paimagjinueshme që të kërkonte një pagë të barabartë me një burrë.

Ne ndihemi edhe më mirënjohëse kur krahasojmë jetët tona me ato të grave të tjera nëpër botë. Ka akoma vende ku femrave u mohohen të drejtat themelore civile. Në mbarë botën janë rreth 4.4 milionë gra dhe vajza pre e trafikimit dhe prostitucionit. Në vende si Afganistani dhe Sudani, femrat arsimohen shumë pak, ose thuajse aspak. Gratë trajtohen si pronë e burrave të tyre dhe femrat që përdhunohen, vazhdojnë të dëbohen nga familjet si mbartëse të turpit shoqëror. Disa viktima përdhunimi futen edhe në burg, për thyerje të “ligjit moral”.2 Ne jemi shekuj larg diskriminimit që vuajnë gratë në këto vende.

Por, të dimë se ka edhe më keq, s’do të thotë se duhet të hezitojmë për të përmirësuar gjendjen tonë. Kur marshuan nëpër rrugë, gratë që luftuan për të drejtën e votës përfytyronin një botë ku gratë dhe burrat do të ishin vërtet të barabartë. Një shekull më vonë, ne e kemi të vështirë ta përfytyrojmë diçka të tillë.

E vërteta topitëse është se meshkujt akoma zotërojnë botën. Kjo do të thotë se, kur vjen puna për të marrë vendime të rëndësishme, zëri i grave nuk dëgjohet aq sa ai i burrave. Nga 195 vende të pavarura në botë, vetëm 17 prej tyre drejtohen nga gratë. Në total, në mbarë botën, gratë zënë vetëm 20% të vendeve në parlament. Në zgjedhjet e nëntorit 2012 në Shtetet e Bashkuara, gratë fituan në Kongres më tepër vende se kurrë më parë, duke e rritur numrin në 18 për qind.5 Në Shqipëri, gratë zënë rreth 15,7 për qind të vendeve në Parlament. Në Parlamentin Evropian gratë zënë një të tretën e vendeve. Asnjë nga këto shifra nuk i afrohet 50-përqindëshit.

Përqindja e grave në role drejtuese është akoma më e vogël në botën e kompanive private. Një 4-përqindësh i varfër i drejtuesve të listës Fortune 500, janë gra. Në Shtetet e Bashkuara, ato zënë 14 për qind të pozicioneve të drejtuesve ekzekutivë dhe 17 për qind të vendeve në borde, një numër ky që pothuajse nuk ka lëvizur aspak gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Hendeku është edhe më i madh për gratë me ngjyrë, që mbajnë vetëm 4 për qind të posteve në kompanitë private, 3 për qind të posteve në bordet drejtuese dhe 5 për qind të vendeve të Kongresit.

Kudo në Evropë, gratë mbajnë vetëm 16 për qind të vendeve në bordet drejtuese.11 Në të gjitha vendet e botës, gratë përfaqësohen me më pak se 5 për qind si drejtuese ekzekutive të nivelit të lartë brenda kompanive private.

Progresi mbetet po kaq i ngadaltë kur bëhet fjalë për shpërblimet. Në 1970, gratë amerikane paguheshin 59 cent për çdo dollar që fitonin homologët e tyre meshkuj. Deri në vitin 2010, gratë protestuan, luftuan dhe punuan shumë fort për ta rritur shpërblimin në 77 cent. Marlo Thomas-i në Ditën e Pagës së Barabartë (Equal Pay Day) në vitin 2011, bëri një shaka ironike: “Dyzet vjet dhe 18 cent… Vetëm çmimi i një duzine vezësh është rritur 10 herë më tepër se kaq”.13 Në Evropë, gratë paguhen mesatarisht 16 për qind më pak se homologët e tyre meshkuj.Në Shqipëri, gratë paguhen mesatarisht 17 për qind më pak se burrat.

Unë i kam përjetuar nga afër këto ngjarje të trishtueshme. U diplomova në vitin 1991 dhe përfundova shkollën e biznesit në vitin 1995. Në çdo punë me perspektivë që kam pasur pas diplomimit, kisha një përzierje kolegësh, femra dhe meshkuj. E shihja që shefat ishin pothuajse të tërë meshkuj, por mendoja se ndodhte për shkak të diskriminimit historik ndaj grave. I famshmi Glass ceiling (tavani i qelqtë), ishte plasaritur gati në çdo industri, dhe unë besoja se ishte thjesht çështje kohe para se brezi im të rrëmbente postet e drejtuesve të lart. Por çdo vit e më shumë radhët e kolegeve të mia femra po rralloheshin. Dalëngadalë, po mbetesha e vetme.

Të qenit e vetmja femër më ka futur në disa situata sa të çuditshme, aq edhe demaskuese. Dy vjet pasi isha bërë pjesë e personelit të Facebook-ut si Drejtore Operative, drejtori i financës u largua papritur, duke ma lënë mua përgjegjësinë e mbylljes së një cikli takimesh gjatë të cilit kërkonim dhe merrnim mbështetje financiare nga individë dhe institucione të ndryshme.

Duke qenë se karriera ime kishte qenë e përqendruar në menaxhimin e operacioneve dhe jo atë të financës, procesi i kërkimit të kapitaleve të reja ishte i ri dhe disi i frikshëm për mua. Bashkë me grupin tim, u nisa për në Nju-Jork për të bërë prezantimin e parë me firmat investuese private. Mbledhja e parë u mbajt në një nga ato zyrat e korporatave që shohim nëpër filma, me një pamje marramendëse të Manhatan-it pas xhamave.

Unë bëra një përmbledhje të asaj që përmbante biznesi ynë, si dhe iu përgjigja pyetjeve të tyre. Deri këtu ishim në rregull. Por pastaj, dikush propozoi të bënim një pushim për disa minuta.

Në atë moment unë doja të përfitoja nga rasti për të shkuar në tualet. U ktheva nga njëri prej kolegëve që kisha në krah, dhe e pyeta se ku ndodhej tualeti i femrave. Ai më nguli sytë. Pyetja ime e la gojëhapur. “Sa ke që punon në këtë zyrë?” – e pyeta. “Një vit”, – tha. “Dhe, gjatë këtij viti, jam e vetmja femër që ka ardhur për të bërë biznes me ju?” “Kam përshtypjen se po, – tha, – ose je e vetmja që ka kërkuar të shkojë në tualet”.

Tashmë u bënë më shumë se dy dekada që kur kam filluar punë, e prapë gjërat duken thuajse njësoj. Është koha që ne të përballemi me faktin se revolucioni ynë është në ngërç.

Premtimi për barazi nuk është e njëjta gjë me barazinë e vërtetë. Një botë ndershmërisht e barabartë do të ishte ajo ku femrat do të udhëhiqnin gjysmën e shteteve dhe kompanive në botë, dhe ku meshkujt do të kujdeseshin për gjysmën e punëve të shtëpisë. Unë besoj se kjo do të ishte një botë më e mirë. Ligjet e ekonomisë dhe shumë studime mbi diversitetin tregojnë se, nëse ne do të përdornim gjithë të ardhurat dhe talentin e njerëzve pavarësisht dallimit gjinor, rendimenti ynë kolektiv do të përmirësohej ndjeshëm. Investuesi legjendar Warren Buffet ka thënë se një nga shkaqet e suksesit të tij ka qenë fakti se i është dashur të konkurrojë vetëm me gjysmën e popullsisë. Warren Buffet-ët e brezit tim vazhdojnë ende të përfitojnë nga ky avantazh. Sa më shumë njerëz të ketë në garë, aq më shumë rekorde do të thyhen. Dhe arritjet do t’i kapërcejnë kufijtë e individëve e, në këtë mënyrë, do të përfitonim të gjithë.

Një natë para se të merrte çmimin “Nobel” për paqen në vitin 2011, për përfshirjen e saj në drejtimin e protestës së grave për të përmbysur diktatorin e Liberisë, Leymah Gbowee ishte në shtëpinë time gjatë një mbrëmjeje letrare. Po festonim botimin e autobiografisë së saj, Mighty Be Our Powers (Të pamposhtshme qofshin fuqitë tona), por ishte një natë e zymtë. Njëri nga të ftuarit e pyeti se si femrat amerikane mund t’i ndihmonin ato gra që kanë përjetuar përdhunime e të tjera tmerre në vende si Liberia. Përgjigjja e saj ishte e menjëhershme: “Me më shumë gra në pushtet”. E shkuara ime është tërësisht e ndryshme nga ajo e Leymah-ut, e megjithatë të dyja kemi dalë në të njëjtin përfundim. Kushtet për të gjitha gratë do të përmirësohen kur të ketë më shumë gra në postet drejtuese, të cilat do të jenë, kësisoj, zëri i fuqishëm i nevojave dhe i shqetësimeve të grave të tjera. Kjo na sjell në një pyetje të qartë: Si? Si do t’i shembim muret që ndalojnë gratë të ngjisin majën? Gratë përballen me pengesa të vërteta në botën profesionale, duke përfshirë këtu edhe seksizmin e hapur apo të fshehur, diskriminimin dhe ngacmimin seksual. Shumë pak vende pune ofrojnë fleksibilitet, mundësi përkujdesjeje ndaj fëmijës dhe leje lindjeje, që janë të nevojshme për të ndjekur karrierën ndërkohë që rriten fëmijët. Burrat kanë më shumë mundësi për të gjetur mentorë dhe promotorë, të cilët janë të paçmueshëm për të përparuar në karrierë. Për më tepër, gratë duhet të përpiqen shumë më tepër se meshkujt për të treguar vlerat e veta. E kjo nuk është vetëm në mendjen tonë. Një raport i McKinsey-tI në vitin 2011 thoshte se meshkujt ngrihen në detyrë në bazë të potencialit, ndërsa femrat në bazë të arritjeve të kaluara. Një nga firmat e konsulencës më të mëdha dhe më të fuqishme në botë.

Përtej pengesave të krijuara nga shoqëria, gratë përballen edhe me muret e ngritura brenda vetes. Ne qëndrojmë të tërhequra për shkak të mungesës së vetëbesimit, sepse nuk ngremë dorën që të marrim fjalën, dhe zmbrapsemi atëherë kur duhet të ecim përpara. Ne përvetësojmë mesazhet negative që marrim gjatë gjithë jetës – ato që thonë se është keq të ngresh zërin, të bëhesh agresive dhe të kërkosh të jesh më e fuqishme se meshkujt. Fillojmë të presim gjithmonë e më pak nga vetvetja. Vazhdojmë të bëjmë shumicën e punëve të shtëpisë dhe të kujdesemi për fëmijët. Ne vëmë në rrezik synimet tona për karrierë që t’i lëmë vend partnerëve dhe fëmijëve që nuk ekzistojnë akoma. Në krahasim me kolegët meshkuj, shumë pak prej nesh kërkojnë të marrin poste drejtuese. Këto që po rendis, nuk janë veprime të grave të tjera. Unë e kam bërë edhe vetë çdo gabim të lartpërmendur. E ndonjëherë, vazhdoj t’i bëj. Unë mendoj se, nëse kjo listë e pengesave të brendshme fillon të pakësohet, ne do të fillojmë të fuqizohemi më natyrshëm. Të tjerë thonë se gratë mund të arrijnë majat vetëm kur të zhduken pengesat institucionale. Kjo është situata klasike: “E bën pula vezën apo veza pulën?” Pula: “Gratë do të mund t’i shembin barrierat e brendshme, nëse ne vetë do të arrijmë në role drejtuese. Do të marshojmë në zyrën e drejtorit dhe do të kërkojmë çfarë na nevojitet, përfshirë këtu edhe vendparkimin për gratë shtatzëna. Ose akoma më mirë, do të jemi vetë drejtuese dhe do të bëjmë të mundur që gjithë gratë të kenë gjithçka u nevojitet”. Veza: “Për të vënë gratë në role drejtuese, duhet të eliminojmë së pari pengesat e jashtme”. Të dyja argumentet janë të drejta. Kështu që, sa të filozofojmë mbi “pula vezën apo veza pulën”, më mirë të biem dakord për të zhvilluar beteja në të dyja frontet. Janë të dyja njësoj të rëndësishme. Po përpiqem t’i drejtoj femrat për te pula, por i mbështes plotësisht edhe ato që janë përqendruar te veza. Ngërçet e brendshme zakonisht nënvlerësohen dhe nuk merren seriozisht. Gjatë gjithë jetës sime më është treguar vazhdimisht pabarazia në vendin e punës dhe sa e vështirë do të ishte të mbaja edhe karrierën, edhe familjen. Megjithatë, rrallëherë më kanë folur për mënyrat e pengimit të vetes. Këto pengesa të brendshme meritojnë më tepër vëmendje, sepse pjesërisht varen nga vetë ne. Ne mund t’i zhdukim pengesat që kemi brenda vetes. Këtë mund ta fillojmë që tani.

Nuk e kisha menduar kurrë se do të shkruaja një libër. Unë nuk jam akademike, as gazetare, as sociologe. Vendosa të ngrija zërin, pasi fola me qindra gra, dëgjova peripecitë e tyre, ndava me to problemet e mia dhe kuptova se arritjet tona ndër vite nuk mjaftojnë, madje edhe mund të marrin të tatëpjetën. Kapitulli i parë i këtij libri rendit disa nga sfidat më komplekse me të cilat përballen gratë. Çdo kapitull në vijim përqendrohet në një rregullim ose ndryshim që mund të bëjmë te vetja: të rrisim vetëbesimin (“E barabartë në tavolinë”), ta bëjmë bashkëshortin të ndihmojë më shumë në shtëpi (“Bashkëshortë e bashkëpunëtorë”), të mos përpiqemi për standarde të paarritshme (“Miti i të bërit gjithçka”). Nuk pretendoj se kam gjetur zgjidhjet ideale për këto çështje të thella e të ndërlikuara. Unë bazohem në të dhëna, në studime akademike, në vrojtimet e mia dhe në mësime që kam nxjerrë gjatë jetës.

Disa gra, sidomos ato në fushën e biznesit, më kanë këshilluar të bëj kujdes kur flas hapur për këto çështje. Kur unë, pavarësisht këtyre këshillave, kam folur hapur, disa nga komentet e mia kanë zemëruar njerëz të të dyja sekseve. E di që ka nga ata që besojnë se, duke u përqendruar te nevoja për të ndryshuar vetveten – duke i shtyrë gratë që të shfaqin më të mirën e tyre – duket sikur unë po u heq përgjegjësitë institucioneve tona.

Ose, edhe më keq, më akuzojnë se bëj fajtore viktimën. Por qëllimi im është shumë larg kësaj, unë besoj se gratë udhëheqëse janë kyçi i zgjidhjes së problemit. Disa kritikë theksojnë se është shumë më e thjeshtë për mua të dal e të flas, duke qenë se kushtet e mia ekonomike më bëjnë të mundur marrjen e çdo ndihme që mund të më nevojitet. Qëllimi im është të jap këshilla, që do të doja t’i kisha marrë vetë shumë kohë përpara se të dija që Google-i apo Facebook-u ekzistonin, këshilla që do të kenë jehonë te gratë në rrethana nga më të ndryshmet.

Nëse çdo grua shfaq gjithë potencialin e saj, ne i afrohemi më pranë qëllimit madhor të barazisë së vërtetë.

Përktheu: Elsa Ballauri dhe Anja Basha

Comments are closed.