Kryeministri, prezantim personal për Ilir Kernin

0
151

 

Rama-kumbaro-kerrniNuk është lajmëruar media, nuk ka qenë i pranishëm për të përcjellë detyrën mjeshtri Zhani Ciko, ndërsa Kryeministri ka zbritur dje në orën 9:30 të paradites në Teatrin e Operas dhe Baletit për t’i dhënë personalisht detyrën e drejtorit balerinit Ilir Kerni. Ky post i dhënë pak ditë më parë me vendim qeverie, duke shkarkuar në mënyrë arbitrare mjeshtrin Ciko, ngjalli reaksion mes artistëve dhe një ndër ta, tenorit Saimir Pirgu, që nuk kurseu të shprehej publikisht se ishte një turp. Prej tetë vitesh në krye të TOB, Ciko ishte emëruar në kohën pas grevës së artistëve kundër ligjit që po aplikonte ish-ministër atëherë Rama, për institucionet publike të kulturës.

Ceremoniali i djeshëm, në prezantimin e Kernit, duke u shoqëruar nga Kryeministri Rama ishte i pazakontë, që nuk ndan asgjë nga konteksti politik që merr edhe ky emërim i ri, pa konkurrim, pa kritere, pa dosje strategjike për institucionin në vitet e ardhshme.

E pranishme edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, mësojmë të jetë shprehur se pritet një reformë shumë e thellë që do të përfshijë botën e artit dhe kulturës, jo vetëm në politikën e brendshme të Ministrisë, por në të gjitha institucionet. Pompoziteti i kësaj deklarate krijon më shumë gjurmën e përgatitjes së reprezaljes politike sesa të krijimit të një klime kulturore, qoftë edhe kjo transformuese. Artikulimi i ministres nën hijen e Ramës përfshin edhe spastrimet në institucionet e tjera dhe fjalë të përgjithshme për konceptet, konsideruar reformë, por pa përmendur thelbin e përmbajtjes së këtij “vizioni”, ligjet.

Nëse Ministria do të konceptohet si fondacion sigurisht që ka pasur arsye Rama që ta falënderojë Kumbaron për vizionin e saj për projektet, idetë, planet për dy institucionet, TOB dhe Galerinë e Arteve duke përjashtuar kontekstin ligjor, si institucione me të drejta kushtetuese, por me ligje të paaplikueshme deri tani.

Me mbarimin e “falënderimeve” politike, kortezinë e pazakontë të pranisë së Ramës përballë balerinit Ilir Kerni, shoku i tij i fëmijërisë, ky i fundit do të shprehej në mbyllje:

“Ardhja ime në Shqipëri nuk duhet të merret për kompliment fare, rruga e Edi Ramës për mua ka qenë xhelozi, po me ardhjen në Shqipëri më mirë të isha xheloz, sepse më duhet të punoj shumë”.

Kerni, si shumë të tjerë, edhe publik të thjeshtë, e njeh situatën dhe gjendjen e Teatrit të Operas. Dhe syri kritik i bën mirë për ta nisur punën në krye të TOB. Por, në ligjëratën e drejtë të drejtuesit, është krejt e thjeshtë të thuash çfarë pëlqen nga ëndrrat, dhe krejt e vështirë pikërisht prej vullnetit politik për të qenë konkurrent jashtë kufijve.

Re. Ku.

 

Bio

Ilir Kerni ka lindur në Tiranë më 18 maj 1959. Në 1977 mbaron Akademinë e Baletit. Si primabalerin u angazhua menjëherë në TOB në Tiranë, ku për aktivitet të shquar artistik vlerësohet me një sërë titujsh, si “Artist i merituar”, “Çmimi i Republikës”, dekorohet me Urdhrin “Naim Frashëri” i Klasit II etj. Në të njëjtën kohë është angazhuar edhe si pedagog në Akademinë e Baletit, Tiranë. Po ashtu, si pedagog ka qenë i angazhuar dhe në Tokio, Francë, Kroaci. Në vitin 1990 fiton bursën e UNESCO-s për pedagogji e kërcim, në “Grand Opera” në Paris. Pasi përfundon këtë të fundit, angazhohet në “Opera de Strasburg”. Nga 1994 e deri sot, është i angazhuar si primabalerin në Teatrin Nacional Zagreb, ku edhe këtu, për punë kualitative, është dekoruar disa herë, si: dy herë me çmimin “Oskar Ormosh”, si dhe në vitin 2002 i jepet “Çmimi më i lartë në Kroaci” për rolin e Mefistofelit në baletin “Faust”, si roli më i mirë, çmim për të cilin është nominuar edhe tri herë të tjera. Më 2005 i është besuar edhe detyra e baletmaestrit të trupës, ku është i angazhuar. Mund të përmenden dhjetëra role të spikatura të tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency