Standard.al

Krijimi i kushteve është një mjedis kulture dhe edukate për të rinjtë

Nga Viron Bezhani

 

Viti i ri akademik për arsimin e lartë ka nisur dhe tashmë e gjithë vëmendja e rinisë shqiptare është kthyer te auditori. Një rini e cila kërkon, me ato mundësi që ka, të ecë përpara dhe të japë kontributin e saj në zhvillimin e këtij vendi. Një Shqipëri ende me shumë probleme për të zgjidhur, por që nuk duhet të lërë absolutisht pas dore të ardhmen e saj, rininë. Për këtë arsye, ndaj këtij brezi duhet një vëmendje shumë e madhe, përtej të zakonshmes, sidomos tani, në kushtet e fillimit të vitit të ri akademik. Pikërisht me rinisjen e mësimit në universitete duhet që të rinjtë dhe të rejat që studiojnë të ndihen më komod në shumë gjëra. E kjo veçanërisht vlen për ata që studiojnë larg shtëpive të tyre, për ta ndjerë veten në një mjedis të ngrohtë dhe sa më të mirë.

Për këtë arsye, sot konviktet duhet të jenë më shumë se një shtëpi për ta, një mjedis funksional dhe i domosdoshëm për të kaluar orë të tëra në kushte normale. Kjo është ajo që të gjithë ne duhet t’u japim sot këtyre të rinjve, që na kanë besuar, atyre prindërve që kanë besuar fëmijët e tyre tek ne. Konviktet nuk duhet të jenë thjesht një “hotel”, por më shumë, një mjedis ku studimi të jetë sa më komod dhe të gjithë ata që punësohen në këto mjedise të jenë në shërbim të studentëve. Jo vetëm se për këtë paguhen, por sepse po i shërbejnë të ardhmes së vendit, e cila ka nevojë të ndihet e mbështetur dhe e përkrahur. U shërbejnë mijëra të rinjve që kanë këtë personel si njerëzit më të afërt, ku besojnë dhe me të cilët ndajnë hallet e tyre të përditshme.

Për të qenë student sot e rëndësishme është banimi. Kjo mbetet vështirësia më e madhe edhe për ne drejtuesit, kjo është sfida kryesore, pasi ne kemi në duart tona “brumin” e së ardhmes, rininë. Nëse një student nuk i ka kushtet e ka tepër të vështirë të arrijë sukses. Dhe me fjalën “kushte” nuk duhet të nënkuptojmë vetëm një strehim për studentët, por një mjedis të kulturuar dhe edukativ, për krijimin e të gjitha mundësive për argëtim, lexim, aktivitet fizik e më gjerë.

Në mjediset ku këta studentë do të qëndrojnë dhe studiojnë ka shumë probleme, të cilat duhen trajtuar me kujdes e me radhë, për të mos i lënë asgjë rastësisë dhe të mbyllin sytë para tyre. Shumë mjedise sot brenda, jashtë dhe pranë konvikteve janë kthyer në qendra tregtie, ndërkohë që ato mjedise duhet të jenë të lira dhe në funksionim të studentëve. Kjo ka sjellë edhe një papastërti në shumë mjedise, pa gjelbërim dhe nuk është kjo edukata e duhur me të cilët ne si punonjës dhe studentët duhet të rritemi. Për këtë arsye nga të gjitha palët duhet një bashkim forcash e idesh, për të krijuar një mjedis që na rrethon të kulturuar e mbi të gjitha edukativ. Për këtë arsye, unë si drejtues do të bashkëpunoj edhe me Bashkinë e Tiranës për lirimin e mjediseve publike të pushtuara dhe për të patur një mjedis përreth konvikteve të pastër.

Mjaft mjedise e kushte brenda konvikteve nuk janë normale, pasi mungojnë salla studimi, të cilat ndoshta janë por jo në gjendje normale dhe funksionale. Të lëna në mëshirë të fatit dhe që nuk janë vënë në dispozicion të studentëve, duke mbetur kështu thjesht salla sa për numër. Masat e para për rregullimin e riparimin e tyre kanë nisur, duke nisur nga A-ja, nga karriget, për të bërë atë që jemi ngarkuar të bëjmë, t’i shërbejmë studentëve. Duhen krijuar mundësi që studentët të kenë më shumë aktivitete kulturore, sportive e argëtuese, për të shijuar kohën e lirë dhe jo ta kalojnë atë kohë kafeneve, basteve apo kazinove. Një rini me më shumë aktivitet fizik është një rini e shëndetshme dhe e kulturuar. Rinia është e ardhmja e kombit dhe ne duhet ta edukojmë atë si duhet dhe për këtë, në radhë të parë, duhet t’i krijojmë kushtet normale për studim e jetesë, për ta bindur që të ndjekë rrugën që ne po i tregojmë.

Sot kudo ka vend për përmirësim të punës, mjafton dëshira, vullneti dhe bashkëpunimi mes të gjitha palëve. Vetëm kjo do të na japë atë rezultat që ne kërkojmë, që studentët dhe prindërit e tyre kërkojnë nga ne. Ata na kanë besuar fëmijët dhe ne nuk duhet t’i zhgënjejmë, duke u dhënë thjesht një dhomë, por duke u dhënë më shumë kulturë e edukatë. Duhet t’u japim vlerësimin e merituar, për t’i orientuar falë kulturës tonë këta të rinj drejt rrugës së duhur.

Comments are closed.