Debate tek Komisioni i Ligjeve për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë “Shkurtimi i dietave”, deputetët: Ndihemi të diskriminuar. Qeveria: Merrni taksi

0
147

Florenc Drizari

Deputetët shprehen kundër ligjit të qeverisë, por votojnë pro draftit

 

komisioni-i-ligjeve-300x200Deputetët e mazhorancës dhe të opozitës kundërshtuan projektligjin e qeverisë për shkurtimin e shpenzimeve ndaj disa kategorive të funksionarëve të lartë të shtetit.

Komisioni për Çështjet Ligjore miratoi mes debatesh projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.160, datë 15.10.2009 “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”. Opozita u shpreh kundër draftit, ndërkohë që deputetët e mazhorancës, edhe pse kundërshtuan nismën e qeverisë, votuan pro projektligjit në fjalë, duke bërë që ai të çohet për votim në seancë plenare.

Projektligji “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”, propozon eliminimin e së drejtës së përfitimit të bonusit të shërbimit të transportit për disa kategori, si; për funksionarët e sistemit gjyqësor dhe sistemit të prokurorisë, për funksionarët e sistemit ushtarak dhe policor, për funksionet drejtuese të pushtetit vendor si dhe për funksionin drejtues të disa institucioneve qendrore që kanë shpërndarje të gjerë territorial (Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ISSH dhe ISKSH.

Gjatë seancës së djeshme të Komisionit të Ligjeve, deputetët debatuan për rreth dy orë për draftin e qeverisë, duke kërkuar rishikimin e tij. Por edhe pse socialistët dhe përfaqësuesit e LSI-së, kërkuan rishikimin e listës, ata në fund votuan pro projektligjit. “Të bëhet zero, zero ky bonus dhe efekti 241 milionë të jetë për Ministrinë e Financave. Por mbas propozimit për të rritur performancën tonë si deputet, do t’i kërkoja qeverisë që ajo të marrë masat dhe të rregullojë aktivitetin e deputetit. Të na japi mundësinë e transportit”, – deklaroi deputeti Fino. Ndërsa deputeti Spartak Braho tha se lista duhet të tërhiqet për t’u plotësuar. “Merremi me një 1 milion e gjysmë dollarë për një vit. Turp për faqen e zezë! Prokurorët bredhin me makinat e kriminelëve, se nuk kanë nga t’ia mbajnë”, – deklaroi deputeti Braho.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i opozitës, Gent Strazimiri, kritikoi nismat e fundit të qeverisë duke vënë theksin tek mënjanimi i Kuvendit të Shqipërisë në raport me pushtetin ekzekutiv. “Cili është qëllimi i gjësë? Është që Parlamenti të mos funksionojë dhe ky vend mesa duket do të drejtohet nga akte normative të dala nga qeveria në kushtet e nevojës dhe të domosdoshmërisë. Parlamenti kismet kur të na duhet po e mbledhim ndonjëherë”, – deklaroi Strazimiri. Por përfaqësuesja e ministrisë së Financave, drejtoresha e buxhetit, Mimoza Dhëmbi, tha se lidhur me pretendimet e deputetëve, kufizimi është më minimal, nga 45 mijë lekë, shkon në 40 mijë lekë. Sipas saj, deputetët nuk janë aspak të diskriminuar.
Gjithashtu drejtoresha e buxhetit pranoi se në raport me 2009-ën, ka më pak kursime se sa sot. Por të njëjtin mendim nuk ndanë edhe deputetët Nard Ndoka e Mhill Fufi. “Po penalizoni deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Shkurtimet do ndikojnë në mosfunksionimin e administratës”, – tha Noka. Ndërsa pyetjes së deputetit Fufi: “Po për ne deputetët e rinj, nuk do mendoni? Ka edhe nga ata që nuk dinë t’i japin makinës”, drejtoresha e buxhetit iu përgjigj duke thënë: “Paguaj taksinë”.

 

Debatet tek Komisioni i Ligjeve për shkurtimin e shpenzimeve

Bashkim Fino: Çfarë ka ndryshuar nga ligji i 2009 deri tani që bëjmë këtë ndryshim, përjashto vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pse ne e marrim një vendim tani?!
Mimoza Dhëmbi: Në momentin që u miratua projekti, kishte një koncept të caktuar që do të eliminoheshin automjetet, një numër i madh automjetesh do të kurseheshin shumë shpenzime shoferësh karburanti, etj.
Bashkim Fino: Mua më duket shumë absurde një vendim i Gjykatës Kushtetuese, një konflikt interesi i pastër që ata marrin vendim për veten e tyre, që ata duhet të kenë bonuset, dhe t’i vjen dhe e pasqyron sot në këtë ligj.
Mimoza Dhëmbi: Po, Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim menjëherë pas miratimit të ligjit, dhe ky ligj ka qenë nul për pushtetin gjyqësor. Ne tani thjesht po e reflektojmë, por ai nuk është aplikuar.
Gent Strazimiri: Një pjesë e funksionarëve nuk do përdorin makinat. Çfarë, mos ka rënë çmimi i naftës apo kilometrat?! Mbi ç’kriter e vendosni bonusin?
Mimoza Dhëmbi: Buxheti që ishte, u konsumua. Për deputetët, kufizimi është më minimal, nga 45 mijë lekë, shkon në 40 mijë lekë. Pra, deputetët nuk janë aspak të diskriminuar.
Kastriot Islami: Ky ndryshim vjen për shkak të situatës financiare, apo për disa ka ndryshuar koncepti dhe për disa jo?
Mimoza Dhëmbi: Ndryshimi vjen për shkak të problematikës.
Eduard Halimi: Gjyqtarët dhe prokurorët që janë 86, nuk kanë marrë lekë. Në llogaritje del se kanë marrë. Ju nuk ndaloni kryebashkiakët të blejnë makina si funksionarë. Ne i ndalonim. Drejtorët e institucioneve lejohen të blejnë makina. Këta do marrin dhe shoferë.
Mimoza Dhëmbi: Është e vërtetë që në 2009 pati më shumë kursime, sesa sot. Lejohet vetëm kreu i bashkisë së Qarkut për të blerë makinë, për të zëvendësuar atë makinë që ka, por nuk lejohen krerët e komunave.
Nard Ndoka: Po penalizoni deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Shkurtimet do ndikojnë në mosfunksionimin e administratës.
Mhill Fufi: Po për ne deputetët e rinj, nuk do mendoni? Ka edhe nga ata që nuk dinë t’i japin makinës.
Mimoza Dhëmbi: Paguaj taksinë.
Petrit Vasili: Ky projekt kursen ca para. A mund të bëni një kalkulim për këto para që kursehen?
Edi Paloka: Çdo vit që vjen do marrim masa për kursime? Kështu do ta rregullojmë situatën?
Oert Bylykbashi: A e dini ju se sa shkurtohet distanca e kilometrave të deputetëve për të shkuar në zona të largëta?
Ermonela Felaj: Ta them troç, prokurorët nuk shkojnë dot në vendngjarje pa lekë xhepi. Në Qarkun e Beratit, kur kam filluar punë si prokurore, dhe ato makina që kanë janë të vjetra.
Spartak Braho: Merremi me një 1 milion e gjysmë dollarë për një vit. Turp për faqen e zezë! Prokurorët bredhin me makinat e kriminelëve, se nuk kanë nga t’ia mbajnë.
Bashkim Fino: Të hiqen bonuset dhe kursimet të shkojnë në 241 milionë lekë. Të rregullohet performanca e aktivitetit të deputetëve. Të jepet falas bileta e avionit për deputetët.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency