Transferta bankare në botën e jashtme për dy grosh

0
136

Ai që dëshiron të transferojë para në botën e jashtme, duhet të paguajë taksa të larta dhe të ketë pak durim. Një shërbim i ri në internet premton transferta të pandërlikuara bankare – pa shpenzime të fshehta

 

para (1)“Hej, kosto të fshehura! Ju zbuluam”. Kjo shprehje, që tingëllon gati si kërcënim, është shkruar me gërma të mëdha në faqen e internetit të sipërmarrjes së re, “Transferwise”. Kjo sipërmarrje bën të mundur që të përcillen në botën e jashtme para pa kosto të larta dhe me kurse mesatare këmbimi – “fare pa dhimbje koke”, siç thuhet më tej.

Dhimbje koke patën dy themeluesit e shërbimit, Taavet Hinrikus dhe Kristo Käärman, kur dy londinezët “e ardhur” donin të përcillnin para në dhe prej atdheut të tyre, Estonisë. “Këtë platformë ne e krijuam thjesht nga halli që patëm”, – thotë Kristo Käärman në bisedë me “Deutsche Welle”-n. “Kur erdha në Londër, m’u desh të paguaja për ca kohë llogari në Estoni. Për çdo transfertë bankare ata futnin në xhep rreth pesë përqind të shumës. Kjo nuk më pëlqeu”. Shoku dhe kolegu i tij, Taavet Hinrikus kishte një problem të ngjashëm. Atë e paguanin në euro, megjithëse jetonte në Londër, ku është në qarkullim paundi, sterlina britanike. Kështu që të dy shokët shpikën një sistem: Kristo transferonte paund në llogarinë rrjedhëse të Taavetit. Dhe Taaveti transferonte euro në llogarinë rrjedhëse të Kristos – pa kosto dhe me kursin zyrtar të valutës. Në këtë mënyrë lindi ideja për sipërmarrjen e re.

 

T’u bësh bisht kostove të fshehura

 

Në vitin 2011 ky shërbim doli për herë të parë në internet. Që prej disa kohësh ai mund të përdoret edhe në Gjermani. Nga kjo platformë e re përfitojnë para së gjithash migrantë, të cilët transferojnë shpesh shuma të mëdha parash në atdheun e tyre. Edhe sipërmarrje, të cilat paguajnë punonjësit e tyre në botën e jashtme mund të përfitojnë nga ky portal i ri.

“51 paund britanikë në euro para 22 minutash”, “3000 paund britanikë në euro para pak minutash” – në faqen e internetit mund të shohësh drejtpërdrejt si kryhen në sfond transfertat bankare. Aktualisht, ky shërbim mbështet transferimin monetar midis të tjerash midis euros, paundit britanik, zllotit polak, larit gjeorgjian dhe forintës hungareze.

 

“Transferwise” në internet

 

Për çdo transfertë, “Transferwise” arkëton një taksë prej një euro, kur kemi të bëjmë me përcjellje bankare mbi 200 euro paguhet 0,5 për qind e shumës së parave. Bankat kërkojnë shumicën e herëve një taksë shumë më të lartë dhe kërkojnë veç kësaj një kurs më të lartë këmbimi. Ndërsa “Transferwise” përdor përkundrazi kursin zyrtar mesatar të devizave, të ashtuquajturin “mid-market exchange rate” për të bërë transfertat në një monedhë tjetër. Sipas të dhënave të “Transferwise”, deri tani përmes kësaj platforme janë përcjellë më shumë se 300 milionë euro. Klientët sipas të dhënave kanë kursyer rreth 12 milionë euro taksa.

Po bankat si reagojnë?

Bankave me siguri që ky model nuk u pëlqen”. “Transferwise” tani u hap edhe në Gjermani, por sipërmarrja ekziston që prej disa vjetësh. Bankat dhe Arkat e kursimeve me siguri do të jenë përgatitur për këtë”, – thotë Markus Feck nga Qendra e Konsumatorëve në Nordrhein-Vestfali. Por që bankat të reagojnë shpejt, për këtë ai dyshon. “Një sipërmarrje e re e tipit Start-up është e zhdërvjellët. Ajo ka mundësi të strukturohet krejt ndryshe nga një bankë, që ekziston prej vitesh dhe që punon në një mënyrë të caktuar. Shpesh bankat e kanë të vështirë të ndjekin rrugë krejt të reja”.

Po çështja e sigurisë, si paraqitet?

“Në transfertat e pagesave në internet mund të ketë herë pas here probleme sigurie. Kjo mund të prekë çdo bankë në internet”, – thotë Fleck. “Transferwise” është ngritur mbi kërkesat më të reja të rrepta të sigurisë. Veç kësaj, aty nuk ka asgjë që mund të vidhet, sepse “Transferwise” në dallim nga një bankë nuk i mban paratë e klientëve të saj”.

 

(marrë nga “Deutsche Welle”)

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency