Flet ish-ministri Arben Malaj: Qeveria po rrit borxhin publik në nivele kritike, jo i shëndetshëm për ekonominë

0
124

 

Ervin Kaduku

 

Prof. dr. Arben Malaj, ekspert ekonomie, ish-ministër i Financave: Rritja ekonomike, duke rritur borxhet në nivele kritike krahasuar me të ardhurat e buxhetit dhe aftësinë konkurruese të ekonomisë, konsiderohet e dëmshme. Edhe ideja se po e financojmë borxhin me kosto të ulët nuk e përligj papërgjegjshmërinë në rritjen e tij

 

malaj-280x200Qeveria “Rama” mori tashmë edhe miratimin e Kuvendit për ndryshime të rëndësishme në buxhetin e këtij viti, që synojnë kryesisht jo lëvizjen tradicionale të qeverive në çdo vend të botës, që do të ishte ajo e uljes së evazionit fiskal dhe rritjes së të ardhurave buxhetore, por në të kundërt, rritjen drastike të borxhit publik.

Kjo do të shoqërohet edhe me uljen e shpenzimeve me 16 miliardë lekë, në kushtet kur mosrealizimi i të ardhurave deri në fund të vitit pritet të jetë rreth 40 miliardë lekë dhe rritja e kufirit të borxhit me rreth 22-24 miliardë lekë.

Sipas ish-ministrit të Financave në disa qeveri të majta, Arben Malaj, në kushtet kur deri në gusht kishin mbetur vetëm 3.5 miliardë lekë si kufi i huamarrjes së brendshme, qeveria është e detyruar të rishikojë buxhetin për të mos ndërprerë pagesat për shpenzimet e nevojshme të funksionimit të saj, ku përfshihen pagat, sigurimet shoqërore, pensionet, buxheti social, investimet publike etj. Rishikimi për ta bërë atë sa më realist dhe sa më funksional për pjesën e mbetur të vitit e përligj rishikimin e buxhetit. Për të rritur përgjegjësinë e qeverisë në menaxhimin e financave publike dhe për të respektuar autoritetin kushtetues të Parlamentit për miratimin e buxhetit dhe të ndryshimeve të tij, duhet të eliminohen ndryshimet me akt normativ. Për sa u përket shifrave të rishikuara, ato zakonisht janë pjesë e debatit jo të lehtë midis opozitës dhe mazhorancës, ku duhet të dominojë përgjegjësia dhe profesionalizmi më shumë se populizmi dhe zhurma.

 

Nivelet e borxhit

Por, si e komenton ish-zyrtari socialist faktin që borxhi deri në fund të vitit mund të arrijë deri në 72% të PBB-së? Sipas Malajt, ky nivel borxhi është jo i shëndetshëm për ekonominë tonë. Rritja ekonomike, duke rritur borxhet në nivele kritike krahasuar me të ardhurat e buxhetit dhe aftësinë konkurruese të ekonomisë, konsiderohet e dëmshme për rritjen ekonomike. Ky mësim vjen edhe nga analiza e krizës aktuale në shumë vende të tjera, tha ai. Edhe ideja se po e financojmë borxhin me kosto të ulët nuk e përligj papërgjegjshmërinë në rritjen e tij. Kjo sepse kostot e ulëta të borxheve të mëdha janë të përkohshme, influencohen ndjeshëm nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të parasë, si dhe rriten shpejt dhe bëhen të vështira për t’u menaxhuar në rastet e krizave politike në vend. Kështu ndodhi edhe me Italinë, e cila, edhe pse për shumë vite e financonte borxhin e saj të lartë mbi 120% të GDP-së me kosto të ulët, në një moment që besimi i tregjeve u trondit nga kriza politike, interesat u rritën deri tri herë më shumë se nivelet mesatare historike, duke e thelluar krizën e saj.

 

Stabiliteti makroekonomik

Malaj thekson se është pranuar se ka një lidhje ndërvepruese midis rritjes ekonomike dhe stabilitetit të financave publike. Në kushtet kur konsumatori dhe investitori privat reduktojnë kërkesën dhe investimin e tyre në ekonomi kërkohen politika pro rritjes ekonomike, që nënkuptojnë në kohë krizash (por vetëm në kohë krizash) edhe rritje të përkohshme dhe të kontrolluar të deficiteve dhe borxheve për të ndalur rrënimin e mëtejshëm të ekonomisë. Mbajtja në një nivel të caktuar e kërkesës agregate kërkon rritjen e borxhit publik deri në pragun që nuk rrezikohemi nga efekti i njohur “crowding out”.
Politikat pro rritjes ekonomike kanë si efekt jo vetëm reduktimin e riskut të rënies më të thellë të rritjes ekonomike, por edhe të faktit se pa rritje ekonomike nuk mund të ketë qëndrueshmëri të financave publike. Nga ana tjetër, këshillohet që politikat pro rritjes ekonomike të bashkëshoqërohen dhe harmonizohen edhe me politikat pro qëndrueshmërisë fiskale, sepse përtej një niveli të caktuar, borxhet bëhen të dëmshme për rritjen ekonomike, e vështirësojnë, ulin apo e vrasin atë. Politikat pro stabilitetit të financave publike krahas fokusit të përqendruar te rritja ekonomike kërkojnë të respektohen më mirë rregullat fiskale, të cilat plotësohen në dinamikën e tyre, duke u fokusuar gjithnjë e më shumë në analizën e risqeve potenciale dhe parandalimin e tyre.

Debate të vështira

Sa do të ishte shifra ideale për borxhin publik të Shqipërisë, që do të stimulonte ekonominë, pa rrezikuar rëndimin tej mase të shtetit me detyrime të ardhshme? Kësaj pyetje ish-kreu i Financave e ka të vështirë t’i përgjigjet. Është shumë e vështirë që të përcaktoj një nivel konkret të borxhit publik që të konsiderohet borxh i shëndetshëm bazuar në prioritetet për të cilat është përdorur apo për nivelin e ulët të riskut që ka ndaj rritjes ekonomike, shton ai. Sipas Malajt, studimet e publikuara të FMN-së rekomandojnë nivele shumë më të ulëta se niveli i pritshëm në fund të vitit 2013 dhe rekomandojnë një strategji afatmesme deri afatgjatë për ta ulur në 40-50% të PBB-së. Nuk duhet të harrojmë së për përcaktimin e nivelit të borxhit që (nuk) dëmton rritjen ekonomike pati debate të vështira akademike midis konkluzioneve rekomanduese të dy profesorëve të Universitetit të Harvardit dhe gjetjeve kundërshtuese të studentit të MIT.
Kjo do të thotë që nivelet konkrete të borxheve për vendet konkrete janë të vështira për t’u kalkuluar saktë dhe e dyta politizimi i gjetjeve akademike i dëmton dhe vetë këto gjetje, të cilat duhet të jenë orientuese por jo strikte, imponuese, pasi është vështirë të parashikohen efektet pozitive dhe negative të një numri të konsiderueshëm faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm, mbi zhvillimet ekonomike-sociale dhe buxhetore të çdo vendi.

 

Borxhi dhe kriza

Por, a rrezikon Shqipëria të vuajë një krizë borxhi si Greqia dhe pse? Malaj mendon se është ende në kohë të shmangë çdo skenar kaq të rëndë dhe të vështirë sa ai i Greqisë. Parakusht kryesor mbetet rritja e përgjegjshmërisë në qeverisjen e vendit, bërjen në kohë të reformave të duhura, reduktimi i populizmit elektoral me politikat fiskale dhe investimet publike, konsolidimi i një administrate sa më profesionale dhe padyshim është i domosdoshëm reduktimi i ngërçeve, krizave dhe konflikteve politike. Një studim i sapobotuar i FMN-së për reformat e tregut të punës, reduktimin e papunësisë dhe varfërisë, kur krahason rastet e sukseseve (Gjermania, Brazili) dhe dështimeve (Spanja) identifikon edhe momentin kur ato ndërmerren. Më konkretisht, reformat që bëhen në momentet kur vendi ka rritje ekonomike kanë mundësi shumë më të mëdha suksesi se reformat që ndërmerren në kohë krizash. Pra duhet të mendojmë në kohë të mirë si të përballojmë kohët e këqija.

 

Zgjidhjet ideale

Ku duhet të përqendrohet sektori financiar i Ekzekutivit për një performancë sa më pozitive? Malaj thotë se nuk duhet të ketë vonesa për hapat konkretë në stabilitetin e financave publike. Kjo duhet të fokusohet te kontrolli më i rreptë i shpenzimeve dhe investimeve pa efekte konkrete, por nuk përjashton domosdoshmërinë për të riparë strukturën dhe nivelin e taksave të cilat pa disinkurajuar/dëmtuar konsumin dhe investimin por edhe duke rritur të ardhurat në buxhet duhet të lehtësojnë reduktimin e niveleve të larta të deficiteve dhe borxheve.

Sa të realizueshme i shikoni premtimet e qeverisë së re për uljen e një sërë taksash (kryesisht niveleve të TVSH), përshkallëzimin e tatimit mbi të ardhurat, rritjen e pritshme të tatimfitimit, në kuadrin e domosdoshmërisë për konsolidim fiskal?

Nëse realizimi i premtimeve për heqje, përjashtim dhe ulje taksash do të mbetet prioriteti edhe në kohë i qeverisë edhe në kushtet e një situate të përkeqësuar të financave publike, druhem se ato do të kenë efekte jopozitive mbi rritjen ekonomike, mbi uljen e papunësisë dhe varfërisë. Qeveria duhet të fokusohet te reformat që nxisin rritjen ekonomike dhe te politikat dhe masat që rrisin të ardhurat, reduktojnë shpenzimet he keqpërdorimet buxhetore dhe që së bashku i bëjnë më të lehta kostot sociale të paketave antikrizë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency