Kisha e Shën Trinisë / Kasem Biçoku: Ja ku i kundërshtoj Aleksandër Meksin dhe Kristo Frashërin

0
627

Kasem Biçoku

Për herë të parë një debat akademik për Kishën e Trinisë të Formulës së Pagëzimit; Deri tani shumë argumente nuk kanë mundur të zbardhin të vërtetën për vendndodhjen e kishës, duke i çuar kërkimet shkencore në drejtim të gabuar.

 

(vijon nga dje)

 

Zef_Kolombi_Skënderbeu_në_luftë_me_persët_19274. Lokalizimi i Kishës së Shën Trinisë në Tresh të Lezhës

Ekzistenca gjatë shekujve të Mesjetës e të periudhës osmane të një fshati me emrin Emathia (Mathia) në krahinën e Bregut të Matës, si edhe përfshirja e kësaj krahine dhe e trevave të tjera bregdetare në “Kazanë e Krujës” në makrotoponimin mesjetar Emathia (Aemathia) mundësojnë lokalizimin e Kishës së Shën Trinisë, ku u mbajt Kuvendi Kishtar i 8 nëntorit 1462.

Me rastin e përkujtimit të 500-vjetorit të Formulës së Pagëzimit, në vitin 1962, disa autorë, që nuk ishin studiues të historisë mesjetare, botuan artikuj në shtypin e kohës dhe, për vendndodhjen e kishës së Shën Trinisë, ata kanë shkruar: E. Çabej, “sot për sot nuk mund të lokalizohet më saktë… se Mati” (76); K. Frashëri, “kemi të bëjmë me një kishë të njohur të kësaj krahine, ndoshta brenda në Lis” (77); I. Zamputi, “në materialet dokumentare të shekullit XVII, që kemi pasë rastin të kalojmë nëpër duer, vetëm në një vend e kemi ndeshë kishën e Shën Trinisë, dhe pikërisht në zonën në të cilën shtrihej dikur dioçezi i Lisit”(78); Kolë Ashta, “tjetër është Lisi këtu, si qendër e dioqezit të Matit, që varej nga Durrësi. Nuk shkruhet kund, por ka gjasë se këtu në Lis, Pal Engjëlli, arqipeshkëv i Durrësit, e mblodhi Kuvendin” (79).

Lokalizimi i gabuar i kishës së Shën Trinisë, ku u mbajt Kuvendit Kishtar i vitit 1462, në krahinën e Matit të sotëm ka ndikuar negativisht në interpretimimin e dukurive gjuhësore të “Formulës së Pagëzimit”. Gjuhëtarët kanë supozuar se shkruesi i parë ka qenë prift matian, kanë kërkuar lidhje me të folmen e Matit e të Pjetër Budit, kanë parë dukuri gjuhësore më të vonshme se te Buzuku etj(80).

Këto dukuri gjuhësore duhen rivlerësur, sepse logjikisht Formula e Pagëzimit është shkruar në të folmen e besimtarëve të trevave, që do ta përdornin atë, të Peshkopatës së Durrësit dhe të Lezhës. Këto kanë qenë trevat më të pasura të Shqipërisë Perëndimore gjatë Mesjetës. Për më tej, shkruesi i dokumentit ka qenë drishtiani i kulturuar Pal Engjëlli, i cili, si kryepeshkop, ka banuar në Durrës, në trevën e të cilit zotëronte prona të shumta familjare dhe të kryepeshkopatës (81). Duhet vlerësuar edhe mendimi i Jovan Radoniçit se dokumenti origjinal i Formulës së Pagëzimit ka qenë shkruar apo redaktuar në formën përfundimtare prej Pal Engjëllit në Durrës (82), në selinë e kryepeshkopatës, ku edhe arkivohej.

Dokumenti i “Formulës së Pagëzimit” nuk është origjinali, por një kopje e shek. XVI dhe gjendet në një vëllim me dokumente të ndryshme për familjen Engjëlli, të shkruara bukur në pergamen. Vëllimi duhet të ketë qenë pronë e familjes Engjëlli dhe mund të jetë kopjuar prej një pinjolli të kësaj familje. Gjatë shek. XVI e XVII pinjollë të familjes Engjëlli janë treguar shumë aktivë në botimin e ribotimin e librave në Itali për të lartësuar lashtësinë e fisnikërinë e familjes së tyre(83).

Më 1966, katër vjet pas përkujtimit të 500-vjetorit të “Formulës së Pagëzimit” prej autorëve të sipërpërmendur, gjurmuesi i kulturës popullore të rrethit të Matit, ku banonte, Dilaver Kurti, është shprehur për Shën Trininë se “e kemi identifikuar me Trininë e Shlliut, midis këtij katundi e Stelushit” (84), kështjellë “në malësinë verilindore të Matit që është kufi me Dibrën, në një qafë jo shumë larg fshatit të sotëm Murrë”(85). Ndërkohë, me ratin e kremtimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, u bënë gërmime arkeologjike në Stelush prej Skënder Anamalit (86), i cili gjurmoi edhe gojëdhënat e trevës për shek. XV dhe nuk e gjeti kishën e Shën Trinisë. Edhe D. Kurti e braktisi pretendim e tij për gjetjen e kishës në juglindje të Shëlliut e në afërsi Stelushit dhe, pas disa vitesh, u rishfaq me një pretendim të ri se, gjoja, kishën e Shën Trinisë e kishte gjetur në veri të Shëlliut, në dy vende: “Midis katundit Shëlli dhe lagjes Dazaj të Macukullit, mbi kodrën e Ballës në Dharbel” dhe “në Skrepe te qafa e Kishës” (87).

A. Meksi i ka miratuar këto pretendime të D. Kurtit (88) edhe prej mendimit të gabuar të tij se Valter Shtulla: “si rezultat i kërkimeve në terren e gjen me vend identifikimin e vendit dhe rrënojat e Shën Trinisë”(89). V. Shtylla i është referuar botimit të D. Kurtit për Kishën e Shën Trinisë (90) dhe, siç më është shprehur, nuk ka bërë kërkime në terren për këtë kishë dhe as i ka shkelur ato anë.

Shëlliu është fshat periferik në lindje të Matit, në pjesën më malore të tij, kufitar me krahinën e Dibrës dhe në largësinë më të madhe me selinë e kryepeshkopatës së Durrësit, në varësi të së cilës ka qenë peshkopata katolike e Matit (Shtjefni, Stefaniaka). Sipas regjistrave kadastralë osmanë të shek. XV e XVI, Shëlliu ka qenë një nga fshatrat më të vegjël të Matit (91), rrjedhimisht nga më të varfërit e tij dhe me një terren tepër të thyer. Udhëtimi drejt tij është shumë i vështirë edhe në ditët tona, udhëtim që unë dhe historianë të tjerë e kemi bërë së bashku, në vitin 2007, për të parë Stelushin (92).

Vendndodhja periferike lindore e fshatit Shëlli në krahinën e Matit, numri i vogël i banorëve, rrjedhimisht edhe të ardhurat ekonomike të pakta të tij, e përjashtojnë mundësinë që aty të jetë ngritur ndonjëherë një institucion fetar katolik krahinor nga më të rëndësishmit (kishë parrokiale dhe manastir), ku mund të mblidheshin të gjithë klerikët e Matit, për më tej edhe klerikët e viseve bregdetare shqiptare. Institucione të tilla ngrihen në qendrat kryesore ekonomuke e administrative të krahinave, të cilat nuk kanë qenë dhe nuk mund të jenë në periferi të tyre dhe në largësinë më ekstreme me selinë e kryepeshkopatës. Selia e peshkopëve të Matit (Peshkopata e Shtjefnit), gjatë periudhës osmane, ka qenë në pjesën perëndimore të Peshkopatës, si në Priskë, Buran, Kllojkë, Mamël etj.(93), për të qenë sa më afër selisë së kryepeshkopatës së Durrësit dhe trevave bregdeare.

Për më tej, Kuvendi Kishtar i 8 nëntorit të vitit 1462 është mbajtur në një stinë shirash e moti me të papritura dhe është jashtë logjike që, kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, dhe klerikë të tjerë të trevave bregdetare, të ndërmerrnin një udhëtim aq të largët e të vështirë për tu tubuar diku pranë fshatit Shëlli të Matit.

Paragjykimi për vendndodhjen e Kishës së Shën Trinisë në Mat ka lindur edhe prej mos shqyrtimit të kujdesshëm të dokumenteve të shek. XVII, në të cilat qartazi ajo është përmendur si kishë parrokiale e rrënuar në Peshkopatën e Lezhës, si edhe Matja si fshat në krahinën e Bregut të Matit. Kisha e Shën Trinisë është përmendur dy herë: në relacionin e vitit 1629 të peshkopit të Lezhës, Benedikt Orsinit, dhe në relacionin e vitit 1636 të peshkopit të Sapës, Frang Bardhit.

Në relacionin e B. Orsinit, ndër të tjera, janë shënuar kishat parrokiale të rrënuara të Peshopatës së Lezhës: “San Martino di Ploxa, della Santissima Trinita di Seglienza, di Santa Madalena di Barbasiori, S. Veneranda di Reja, S. Giorgio del fico, S. Alessandro de Gaibi, S. Alessio de Caproli, S. Demetrio di Darda, S. Biagio di Solomundi, S. Salvatore et Santa Veneranda de Velia, S. Salvatore di Rebico”(94).

Në relacionin e F. Bardhit për kishat e Peshkopatës së Lezhës, ndër të tjera, janë shënuar: “S. Veneranda de Reia, S. Trinitas de Schiesa et S. Maria de Barbecioni” (95). “S. Trinitas de Schiesa” e relacionit të F. Bardhit është vendosur pranë kishave të Rejës e të Barbecionit, po ashtu si “Santissima Trinita di Seglienza” e relacionit të B. Orsinit, prandaj kemi të bëjmë me të njëjtën kishë, ndryshe nga P. Bartl, i cili e ka lokalizuar në Shkjezë të Shkodrës (96). “Schiesa” e F. Bardhit duhet të jetë fshati “Shukalza” i “Vijaletit të Dhimitër Jonimës” të shek. XV e “Shije (Sheje)” i “Vijaletit të Petro Jonimës” të shek. XVI (97).

Emrat e disa kishave ndihmojnë për lokalizimin e vendbanime përkatëse, të cilët, nëpër dokumentet mesjetare e më të vonshme, dalin me emra të ndryshëm, me sa duket të lagjeve apo të vendbanimeve të tjera kufitare me njëra-tjetrën. Për çështjen në shqyrtim kanë interes disa raste.

Togfjalëshi “Monasterium Sancti Alexandri de (in) Colemathia” (98) ka dy të dhëna të rëndësishme: emrin e fshatit Emathia (Matja) në kompozitën Colemathia (Col-Emathia, në Kodrën e Emathias, në Kodrën e Matjes) dhe emrin e shenjtorit Sanctus Alexander. Prania e një manastiri tregon se aty ka qenë një stacion rrugor gjatë shekujve të Mesjetës dhe se fshati Emathia (Matja) ka pasur mjedis ekonomik të mirë.

Emri i këtij fshati ka vijuar të përmendet edhe gjatë shekujve XVI-XVII: Mathia, Mataris, Matres dhe, gjatë asaj kohe, në Mathia (Matja) kishte banuar edhe një funksionar i rëndësishëm i administratës osmane (99), çka tregon se ky fshat ka pasur kushte relativisht të mira për të jetuar.

Manastiri i “Colemathias” (i Kodrës së Matjes) e ka pasur emrin Sanctus Alexander prej shenjtorit të kishës. Në dokumentet e mëvonëshme, me emrin e këtij shenjtori në krahinën e Bregut të Matës përmendet vetëm një kishë parrokiale e rrënuar, me disa toponime,: “S. Alessandro de Gaibi”, “S. Alexander de Bochiano et Gaibi” dhe “Bochijano e Trijnsci…La chiesa titolare è S. Allessandro”(100).

Kishat parriokiale janë ngritur në fshatra të rëndësishëm, ku banonin vetë klerikët e rangut të lartë, të cilët kishin nën varësi edhe kisha të tjera të atij fshati ose kufitare me të. Emri i shenjtorit të kishës, Sanctus Alexander, na tregon se: Kolematia, Mathia, Gaibi e Trijnshi janë emra të të njëjtit fshat, emra që janë shfaqur në dokumente të kohëve të ndryshme, dhe se Bokiano ka qenë afër tij.

Emri Trijnsci (Treshi) është shfaqur për herë të parë në dokumentet e vitit 1671 (101) si fshat në krahinën e Bregut të Matës (102). Më përpara njihej edhe me emrin “Dardha”: “Shën Dhimitri i Dardhës, sot quhet Trishi… Kisha e Trishit…dikur Shën Dhimitri i Dardhës” (S. Demetrio di Darda, oggi detta Trysci… Chiesa di Trysci…una volta S. Demetri di Darda) (103).

Nga këto emra, vijueshmëri deri në ditët tona kanë Mathia (Matja) te Bregu i Matës dhe Trijnsci (Trijnshi) te Treshi.

Trijnshi (Treshi), Dardha, Kolematia (Kodra e Matjes), Emathia (Matja) dhe Gaibi, që janë shfaqur në dokumente të kohëve të ndryshme, janë emra të të njëjtit fshat apo të lagjeve të tij, kurse Bokiano lagje ose fshat kufitar me të.

Në majë të kodrës pranë fshati Tresh, “nga ku shfaqet një horizont shumë i bukur” (104), dhe në rrethinat e tij kanë qenë: manastiri e kisha e Shën Aleksandrit gjatë Mesjetës e më pas, kisha parrokiale e Shën Dhimitrit, që ishte krejtësisht e rrënuar (105), dhe po aty u ndërtua kisha e re e Shën Kollit në fund të shek. XVIII (106).

Po në këtë vendbanim të rëndësishëm ka qenë edhe kisha parrokiale e rrënuar: “Santissima Trinita di Seglienza” apo“S. Trinitas de Schiesa”, e cila në dokumente është shënuar pranë toponimeve që lokalizohen në fshatin Tresh e në rrethinat e tij, si Gaibi, Bokiano (Bochiano) etj.

Emri Trinita i kishës ndihmon për lokalizimin e saj, sepse emrin e shenjtorit të kishën e kishte marrë fshati Tresh, siç tregojnë dokumentet e viteve 1671-1866. Në një relacion të vitin 1896, Preng Doçi e ka shkruar emri i këtij fshati në trajtën e sotme: “Trêsci” (107).

Trajta fillestare e emrit të fshatit Tresh është shkruar italisht me disa ndryshime grafike, nga të cilat më të rëndëshimjet janë dy: shkronja n në rrënjën e emrit, si edhe pranija në të e dy zanoreve: ii, îi dhe ij.

Emri i fshatit me shkronjën n në rrënjë është shkruar: Trijnsci, Trinsci dhe Trynsci (108) dhe pa shkronjën n është shkruar: Triisci, Trîisci, Trijsci, Trisci, Triscij, Trissi dhe Trysci(109).

Pranija në rrënjën e emrit të fshatit e bashkëtingëllores n dhe e zanores i apo dyfishimi i saj (ii, îi dhe ij) janë të dhëna të mjaftueshme që tregojnë se prejardhja e emrit të fshatit Tresh është nga Trinia, sepse dikur aty ka qenë kisha parrokiale e Shën Trinisë, që në dokumentet e viteve 1629 dhe 1636 është përmendur si rrënojë (110).

Kisha parrokiale e Shën Trinisë në Tresh ka qenë në një trevë shumë të rëndësishme të shtetit të Kastriotëve dhe nga më të pasurat të Shqipërisë Perëndimore gjatë Mesjetës, si edhe pranë kryqëzimit të dy rrugëve tregëtare ndërkrahinore nga më kryesoret të Shqipërisë së Epërme: të rrugës veri-jug, përgjatë trevave bregdetare, me rrugën Lezhë-Prizren e më tutje.

Në Kuvendin Kishtar të vitit 1462 morën pjesë masivisht “rektorët dhe priftërinjtë” e Dioçezës së Durrësit dhe të Dioçezës së Lezhës dhe Kuvendi u mbajt “në praninë e fisnikëve e të vegjëlisë, që qenë të panumër” (111).

Mjedisi ekonomik, gjeografik dhe politik i fshatit Matje ka qenë i përshtatshëm për mbajtjen e Kuvendit. Kisha e Shën Trinisë kishte manastir, ku mund të bujtin pjësëmarrësit e shumtë të Kuvendit dhe udhëtimi i tyre mund të bëhej pa shumë vështirësi edhe në kushtet e motit të vjeshtës nëpër rrugët ndërkrahinore që përshkonin trevat e pjesëmarrësve në Kuvend.

Kuvendi u mbajt sipas traditës së kuvendeve kombëtare “në praninë e fisnikëve e të vegjëlisë, që qenë të panumër”, duke pasur kështu një mbështetje të gjërë politike (të finikëve) dhe shoqërore (të fisnikëve dhe të vegjëlisë). Prania e fisnikëve në Kuvend, sipas dokeve vendore, kërkonte që aty të ishte edhe i zoti i “shtëpisë”, Skënderbeu, për të nderuar pjesëmarrësit e shumtë në të, si edhe kryepeshkopin Pal Engjëllin dhe peshkopin Andrea të Lezhës, dy nga përkrahësit më të zjarrtë të tij e me ndikim të madh shoqëror e politik (112). Pjesëmarrjen e Skënderbeut në Kuvendin Kishtar të vitit 1462 e dëshmon tërthorazi dokumenti i Formulës së Pagëzimit: “Nën të ndriturin zotin Skënderbe, zot i Arbënisë, dinjiteti kishtar gëzon të gjithë lirinë dhe mbrojtjen…Klerikëve u lejohet të mbajnë armë, të plagosin dhe të vrasin” (113).

 

Reference:

76-Formula e Pagëzimit, f.110.

77-Formula e Pagëzimit, f.125-126.

78-Formula e Pagëzimit, f.140.

79-Formula e Pagëzimit, f.145.

80-Formula e Pagëzimit, f.34, 46, 115-116 etj.

81-O. Schmitt, Arbëria Venedike, f.535.

82-J. Paдoнић, Ђуpaђ Kacтpиoт, f.135.

83- Kasem Biçoku & Jup Kastrati, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Bibliografi 1454-1835, I, Tiranë, 1997, f.64-66, 86. Për jetën dhe veprimtarinë e Pal Engjëllit shih: Oliver Jens

Schmitt, Paul Angelus, Erzbischof von Durazzo, und seine Bedeutung für den Türkenkampf Skanderbegs, në: “Thesaurismata”, 30 (2000), Benetia, 2000, f.127-161; Po ai, Skënderbeu si Aleksandër i ri. Përvetësimi i traditës së antikitetit në Arbërinë e mesjetës së vonë, në: “Hylli i Dritës”, nr. 2 (253), Shkodër, 2007, f.36-56.

84-Dilaver Kurti, Ku u shkrojt dokumenti më i vjetër i gjuhës shqipe?, në gaz. “Zëri i Rinisë”, Tiranë, 22 tetor 1966, Po ai, Diskutim rreth kumtesës së S. Anamalit, në: Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, Tiranë, 12-18 janar 1968, Tiranë, 1969, f.609-610.

85-Skënder Anamali, Kalaja e Varoshit në Mat – Stelushi, një hallkë e sistemit mbrojtës të Skënderbeut, në: Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike…, f.250; (referimi në vijim: S. Anamali, Kalaja e Varoshit në Mat).

86-Muzafer Korkuti & Skënder Anamali, Fouilles archeologiques 1965-1966 en Albani, në: “Studia Albanica”, Tiranë,1967, f.139-156 (f.153-156:7. La forteresse de Skanderbeg a Mati); S. Anamali, Kalaja e Varoshit në Mat.

87-Dilaver Kurti, Trashëgimi Iliro-Arbërore, Tiranë, 1999, f. 301-3; Po ai, Shënime etnografike nëpër Mat, Tiranë, 2004, f. 22.

88-A. Meksi, Vendndodhja, f.34: “Ai gjeti pranë fshatit Shlli të Matit rrënojat e një kishe të vjetër me emrin Shnritat që shpjegon qartë prejardhjen nga Sancti Trinitati. Më saktë ai përcakton: “midis katundit Shëlli dhe lagjes Dazaj të Macukullit, mbi kodrën e Ballës në Dhrabël. Në kërkimet e mëvonëshme në toponimin e zones ai na kumton se në Skrepe te Qafa e Kishës emërtohet Shën Trina”.

89-A. Meksi, Vendndodhja, f.36.

90-Formula e Pagëzimit, f.78.

91- S. Pulaha, Burime osmane, f.354; A. Cтojaнoвcки, Дeфтep нa Oxpидскиoт Caнџaк,f.181.

92-Oliver Jens Schmitt, Skënderbeu, shqip nga Ardian Klosi, Tiranë, 2008, f.9.

93-Injac Zamputi, Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë, vëllimi I (1507-1592), Tiranë, 1989, f.344, III, f.33; Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shekullin XVII, teksti origjinal dhe përkthimi përgatitur nga Injac Zamputi, vëllimi II (1634-1650), Tiranë, 1965, f.235, 339, (referimi në vijim:I. Zamputi, Relacione, II); K. Biçoku, Kastriotët, f.78.

94-I. Zamputi, Relacione, I, f. 400-401; Albania Sacra Geistliche Visitationsberichte aus Albanien 1: Diözese Alessio Herausgegeben und bearbeitet von Peter Bartl, 2007, Harrossowitz Verlag – Wiesbaden, f. 86; (referimi në vijim: P. Bartl, Albania Sacra).

95 – Illyrici Sacri tomus septimus. Ecclesia Diocletiana, Antibarensis, Dyrrachiensis, et Sirmiensis Auctore Daniele Farlato presbytero Societatis Jesu, et Jacobo Coleto olim ejusdem Societatis alumno. Venetiis, MDCCCXVII. Apud Sebastianum Coleti.

Superiorum permissu ac privilegio, f.204a-b; P. Bartl, Albania Sacra, f.89; K. Biçoku, Kastriotët, f.86, shën. 77.

96- P. Bartl, Albania Sacra, f.78.

97-S. Pulaha, Burime Osmane, f.364; A. Cтojaнoвcки, Дeфтep нa Oxpидскиoт Caнџaк, f.295.

98-ADA, II, f.74, 165, 259, 268, 271, 281; Archivio Segreto Vaticano, Registro Laterano, vëll. 255, 76v, 187v; Oliver Jens Schmitt, Arbëria Venedike (1392-1479), Tiranë, 2007, f.131; K. Biçoku, Kastriotët, f.83, 89.

99- I. Zamputi, Relacione, I, f.50, 53, 128-129; 286-287; S. Pulaha, Burime Osmane, f.336; A. Cтojaнoвcки, Дeфтep нa Oxpидскиoт Caнџaк, f.294

100-P. Bartl, Albania Sacra, f.86, 89, 179.

101-P. Bartl, Albania Sacra, f.121.

102- Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985, f.113.

103- P. Bartl, Albania Sacra, f.234, 244, 250, 304.

104-P. Bartl, Albania Sacra, f.342.

105-P. Bartl, Albania Sacra, f.151, 170, 304, 328.

106-P. Bartl, Albania Sacra, f.234, 328.

107P. Bartl, Albania Sacra, f.395, 440.

108-P. Bartl, Albania Sacra, f.179, 184, 186, 192, 209, 213, 214, 328, 342, 358, 368, 391, 395.

109-P. Bartl, Albania Sacra, f.117, 118, 121, 151, 170, 188, 190, 195, 198, 234, 244, 250, 263, 265, 273, 293, 297, 304, 308, 321.

110- P. Bartl, Albania Sacra, f.86, 89.

111 -N. Jorga, Notes et extraits, IV, f.194; J. Paдoнић, Ђуpaђ Kacтpиoт, f.135; Formula e Pagëzimit, f.99.

112-K. Biçoku, Kastriotët, f.96-98; Po ai, shih: Formula e Pagëzimit, f.29-32.

113-N. Jorga, Notes et extraits, IV, f.194; J. Paдoнић, Ђуpaђ Kacтpиoт, f.135; Formula e Pagëzimit, f.102.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency