Standard.al

Katalanasit shkelin mbretërit e Madridit

Jurges Veizaj

“Klasikja” dhuroi momente të mëdha si një sfidë historike, që jep gjithmonë spektakël. Barcelona arrin që të mposhtë dy herë Diego Lopezin, duke marrë kështu një trepikësh shumë të vlefshëm.

 

75819Një superndeshje ishte ajo e luajtur në “Kamp Nou” ku Barcelona dueloi kundër Realit të Madridit. Një sfidë që kishte të mirat dhe të këqijat e saj. Një dyluftim midis dy titanëve që dhuroi gola, dëmtime, polemika. Nga mitiku “Kamp Nou” dolën fitimtarë katalanasit e Tata Martinos. Një fitore që ishte edhe një lloj hakmarrjeje. Kjo, pasi Reali në sezonin e kaluar arriti që të triumfonte, ndërsa kësaj radhe fitues ishin Ksavi me shokë. Loja nis nga këmbët e Bejlit dhe Ronaldos, që e shkelmojnë topin të parët. Reali arrin që të marrë topin i pari dhe të shkojë drejt portës, por duket se është Nejmari ai që jep emocionin i pari. Braziliani qëllon, por topi pritet mirë nga Lopezi. Loja është e egër në mesfushë dhe ka shumë ndërhyrje. Që në minutat e para të takimit është Buskets i pari që bëhet viktimë e kartonit. Katalanasi bën një ndërhyrje të rëndë ndaj Di Marias, duke bërë që arbitri ta dënojë me karton. Ndërsa duket se Barcelona është ajo që qëndron më lart. Kjo, pasi arrin që të mbrohet pothuajse në mënyrë perfekte nga sulmet e Realit dhe bën më mirë në sulm. Një mbrojtje e cila është kritikuar shumë si pika më e dobët e Barcelonës, por duket se edhe me ndihmën e mesfushës arrin që të mbulojë mirë hapësirat. Ndërsa në sulm Iniesta dhe Nejmar me Fabregasin janë ata që duken më të lëvizshëm dhe përbëjnë rrezik për Pepen me shokë. Me sa duket, pak i lënë në hije, për shkak se tashmë me ardhjen e brazilianit ka mundësi edhe të qëndrojë i fshehur. Argjentinasi del shumë mirë në sulm në një rast, por është përsëri Diego Lopez ai që reagon dhe nuk lejon topin të futet në rrjetë. Ndërsa skuadra e Realit duket paksa na kaos, pasi nuk arrin që të organizojë mirë në mesfushë, edhe pse duket e rrezikshme në sulmet që bën. Katalanasit bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë, mbajtjen e topit dhe mundohen që ta përdorin si armë. Një ditë e mirë për katalanasit në mënyrën edhe se si e sjellin lojën. Dhe është Ramos i pari që acarohet nga loja e Ksavit me shokë dhe merr të verdhin i pari për ndërhyrjen e tij. Goli i parë do të vinte shpejt për Barcelonën. Një gol që do të vinte nga princi i ri i skuadrës, Nejmar. Braziliani hyn mirë në zonë dhe gjuan aty ku nuk pritej midis këmbëve të Varanes. Mbrojtësi e devijon pak topin me këmbë dhe kjo e bën të vështirë për Diego Lopezin që ta shikojë trajektoren. Një top i cili përfundon në rrjetë dhe ngre në këmbë “Kamp Noun” të tërë. Skuadra është në delir dhe duket se gjithçka po shkon më së miri për katalanasit që arrijnë të shënojnë që në minutën e 19. Ky triumf jep dhe një triumf personal për Nejmarin, i cili del 1 me 0 në sfidën e tij ndaj princit të Realit, Bejl. Edhe pse shënojnë gol, duket se katalanasit nuk humbasin lojën e tyre, por vazhdojnë të ruajnë të njëjtin presion. Është Reali ai që tenton nga krahët, por e ka pamundur të shkojë drejt qendrës. Barça ka përsëri mundësi shënimi për gol me anë të një kundërsulmi. Është Mesi ai që del ballëpërballë me portën, por gabon, duke e gjuajtur larg kuadratit. Një gol sigurie që mund ta dërgonte Barcelonën të qetë drejt dhomave të zhveshjes. Një pozicion ku argjentinasi e ka të vështirë ta humbasë, por duket se nuk është në ditën e tij. Nga ana tjetër është Reali që do të ngrihet nga gjumi dhe të bëjë diçka. Galaktikët provojnë me anë të Bejlit apo Ronaldos, por që duket se nuk kanë efekt, pasi bllokohen mirë. Është pikërisht uellsiani ai që godet mirë, por që ballafaqohet me Valdesin që është në superformë. Një ndërhyrje të rëndë bën Adriano ndaj Ronaldos në minutën e 35. Një ndërhyrje që i jep kartonin e verdhë. Aksion i rrezikshëm i Realit do të ishte ai i Kedirës në brendësi të zonës. Gjermani ngrihet dhe proteston për kapje të topit me dorë, por që duket e paqëllimshme dhe arbitri nuk akordon penallti. Kështu, pjesa do të mbyllej në favor të vendasve, që do të shkonin drejt dhomave të zhveshjes më të çliruar.

Pjesa e dytë

Fraksioni i dytë i ndeshjes do të niste me më shumë emocione, pasi do të kishim një Real që nuk kishte çfarë të humbte. Nga ana tjetër, një Barcelonë që donte të mbyllte ndeshjen. Loja nis të luhet më shumë në gjysmëfushën e Barcelonës që kësaj radhe i duhet të mbrohet mirë për të shmangur golin. Që në fillim tronditet Valdesi, i cili detyron të presë dy gjuajtje të menjëhershme ku e fundit do të ishte nga Ronaldoja. Gardiani katalanas duket se ishte në superformë dhe kjo e ndihmoi shumë herë Barcelonën. Si Tata edhe Ançeloti vendosin të bëjnë edhe zëvendësimet e para, duke futur në fushë fillimisht Fabregasin për Sançezin. Ndërsa nga ana e tij, italiani futi në lojë Ilarramendin në vend të kapitenit Serxho Ramos, sepse spanjolli kishte marrë të verdhë e nuk mund ta rrezikonte skuadrën duke e lënë me 10 lojtarë. Ndërkohë, loja filloi të zhvendosej më shumë drejt mesfushës, ku kryhej edhe loja më e madhe. Ishte Daniel Alvesh apo dhe Iniesta me Nejmar që tentonin, por që dukej se arritën që të bllokoheshin mirë. Ndërrim tjetër ishte dhe futja e Bejlit për francezin Benzema. Një lojë e mirë e blerjes së dytë më të shtrenjtë të Realit, edhe pse nuk arriti që ta shpëtonte skuadrën e tij. Ndërsa nga ana e saj, Barcelona do të hiqte Nejmarin për të futur në lojë Sançezin. Duket se 20 minutat e fundit janë edhe ato me më shumë emocion. Është Benzema ai që do të trondiste “Kamp Noun” me gjuajtjen e tij, por është traversa ajo që ndalon golin. Ndërsa Barcelona tenton që të kundërveprojë, duke shkuar në sulm për ta mbajtur topin sa më larg portës së tyre. Duket se atëherë kur nuk pritej, Sançez bën edhe kthesën. Kiliani arrin që të shkojë mirë drejt zonës së Realit. Arrin që të shmangë mirë Varanen dhe të kalojë parabël topin mbi kokën e Lopezit, që duket i pashpresë teksa sheh topin në rrjetë. Dy me zero për katalanasit që presin vetëm të bjerë bilbili. Mirëpo gjithçka do të ndryshonte kur do të shënonte Xhesi Rodrigez, i cili pasi arrin që të marrë asistin nga Ronaldo, mposht Valdesin, duke ngushtuar kështu rezultatin. Mirëpo ekipi katalanas arrin që ta menaxhojë mirë minutat e fundit dhe fiton sfidën përballë rivalit historik. Kjo sfidë u jep katalanasve tri pikë që i mbajnë të sigurt në pozicionin e parë, ndërsa Reali qëndron në vendnumëro.

 

 

 

Bajerni dhe Borusia bëjnë detyrën

Pas triumfit në Ligën e Kampioneve, kryesuesit gjermanë nuk mposhten as në kampionat. Fitore edhe në javën e 10 të Bundesligës. Kryendeshja e kësaj jave, derbi mes Shalke 04 dhe Borusias së Dortmundit ka folur për këta të fundit që fituan 1-3 falë golave të Aubamejang Sahin dhe Blaszhikovski. Për vendasit shkurtoi diferencën Mejes në minutën e 63. Kujtojmë që në minutën e 30 Kevin Princ Boateng gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Bajerni i Mynihut me fitoren e sotme ndaj Hertës së Berlinit, përveçse ruan kreun e Bundesligës, shënon edhe tri rekorde të reja duke mos njohur asnjë humbje në 35 ndeshje; Riberi luajti ndeshjen e tij të 38 pa humbje dhe Guardiola bëhet trajneri i dytë në historinë e bavarezëve që nuk humbet në 10 javët e para. Ndeshja në “Allianz Arena” përfundoi në shifrat 3-2 me Manxukiç (2) dhe Gëtze që shënuan për vendasit dhe Ramos e Ben-Hatira që shënuan për miqtë.

 

Mançester Junajtid dhe Arsenali sigurojnë triumfin

Mançester Junaitid ka përmbysur Stok Sitin në dy minuta me Ronin në të 79-ën dhe Hernandes në të 80-ën. “Djajtë e kuq” ngjiten në kuotën e 14 pikëve dhe pozicionohen të tetët. Ndeshja filloi me një surprizë që në minutën e katër Krauç kalon në avantazh miqtë. Van Persi në të 43-ën barazon përkohësisht pasi Arnavutoviç shënon në të 45-ën. Ndërsa Liverpuli ka marrë një fitore shumë të thjeshtë me rezultatin 4-1. Suarez shënoi “hatt trick”, Morrison ngushtoi rezultatin në të 66-ën nga penalltia ndërsa Starrixh në të 77-ën shënon për vendasit. Ndërsa Arsenali vazhdon të jetë në krye të klasifikimit edhe pas javës së nëntë të Premier League-ës. Skuadra e Arsen Vengerit, e cila vinte pas një disfate të rëndë në mesjavë në Champions League përballë Borusias së Dortmundit, fitoi pastër 0-2 përballë uellsianëve të Kristal Pallas falë golit nga pika e bardhë e 11-metërshit të Mikel Artetës në minutën e 47, por 18 minuta më pas mesfushori i la “topçinjtë” me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të marrë. Ndërsa golin e sigurisë e shënoi francezi Olivier Zhirud në minutën e 87.

 

 

Comments are closed.