Bastet në internet / Bllokohen adresat e para, strategjia e qeverisë dhe rreziku i “rikthimit” të site-ve

0
193

Gëzim Saliu

Adresa të kompanive ndërkombëtare të basteve si “Bet 365” dhe “William Hill” ishin të parat që u bllokuan

 

Roller Hockey Bet CompaniesQeveria nis zbatimin e nismës së bërë publike dy ditë më parë nga Kryeministri Rama për bllokimin e faqeve online të basteve. Ministria për Inovacionin dhe Administratën Publike, përmes ekspertëve të saj, ka bllokuar dje disa prej adresave të kompanive të basteve të cilët nuk operojnë në Shqipëri. Adresa të kompanive ndërkombëtare si “Bet 365” dhe “William Hill”, të cilat janë ndër më të përdorurat edhe nga bastvënësit shqiptarë ishin të pamundura për tu hapur dje online. Po ashtu edhe sitet e basteve “unibet.com” dhe “youwin.com” ishin bllokuar. Në ditët në vijim, pas raportimit të plotë nga ana e njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, e cila po harton listën e faqeve online përmes të cilave shqiptarët vënë baste sportive me kompani të cilat nuk operojnë në Shqipëri, Ministria e Inovacionit, përmes Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare do të nisë bllokimin e të gjitha linqeve.

Faqet online

Një pjesë e mirë e ekspertëve të fushës së teknologjisë theksojnë se pavarësisht masës që do të ndërmerret nga qeveria për bllokimin e faqeve online të basteve, ekziston rreziku i rifutjes së tyre në sistem. Po ashtu një tjetër problematikë që shfaqet në këtë kuadër janë edhe lojërat online të fatit që gjenden në rrjetet sociale si Facebook-u. Ndërkohë, nga ana e saj, Ministria e Inovacionit pritet të marrë masa për të parandaluar rifutjen e faqeve online të basteve të bllokuara më para, përmes krijimit të një strukturë të re që do të mbajë në vëzhgim të gjitha këto site. Dy ditë më parë, Kryeministri i vendit Edi Rama, bëri të ditur se qeveria do të bllokojë uebsajtet e basteve, duke theksuar se shqiptarët nuk mund të humbasin më para që derdhen jashtë shtetit me baste online në uebsajte të huaja. “Kemi marrë vendim që përmes Ministrisë së Inovacionit të kërkojmë bllokimin e uebsajteve ku derdhen kursime të emigracionit për familje shqiptare në Shqipëri. Shifra që Shqipëria dhe shoqëria jonë humbasin në aventurën e basteve online në destinacione jashtë Shqipërisë brenda 1 viti varion nga 500 deri në 700 milionë dollarë. Shifër e papranueshme dhe formë e papranueshme për një vend evropian”, – deklaroi Rama. Ndërkohë lidhur me mënyrën se si do të bëhet i mundur ndalimi i faqeve online të basteve, Kryeministri theksoi: “Në asnjë vend të BE-së ku duam të integrohemi nuk ekziston në asnjë lloj proporcioni të krahasueshëm ajo që ekzistonte në Shqipëri. Shqipëria nuk ka nevojë për plagë dhe dhimbje krejtësisht të evitueshme. Plagë dhe dhimbje që krijohen nga një grusht njerëzish, duke thithur në mënyrë marramendëse në labirintet e këtij aktiviteti djem të rinj, adoleshentë, nxënës, studentë që në vend të shkojnë në shkollë, dergjen dyerve këtyre kazinove. Kjo do të shkojë deri në fund, jo vetëm me bllokimin e pikave të paligjshme, por edhe me hartimin e një strategjie dalëse për të licencuarit. Shqipëria nuk mund të jetë vendi ku të luhet kumar”. Disiplinimi i lojërave të fatit online është një problem jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për shumë vende në Bashkimin Evropian. Të gjitha këto vende synojnë të kufizojnë aksesin në uebsajtet e basteve të paautorizuara jo vetëm për të kufizuar largimin e kapitaleve jashtë shtetit, por edhe për të mbrojtur qytetarët e vet nga faqe bastesh online false.

 

Zgjedhjet në Korçë

Basha: Kandidati ynë ka interes prioritar qytetarët. Stratobërdha: Transparencë për Bashkinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shoqëruar nga deputetët Ridvan Bode dhe Edmond Spaho, kanë zhvilluar dje një takim elektoral me qytetarët e Korçës, në mbështetje të kandidatit për kryetar Bashkie, Sotiraq Stratobërdha, zgjedhje të cilat do të zhvillohen më 3 nëntor. Nga Korça, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka theksuar se kandidati që ka zgjedhur e djathta është shprehja e qytetarisë. “Në këto zgjedhje, demokratët konkurrojnë si opozitë dhe u takoi demokratëve të Korçës, rasti për t’u kthyer në kutitë e votimit dhe të udhëheqin bashkëqytetarët e tyre drejt kutive të votimit, pak muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, për arsye që dihen. Kandidati që kemi përzgjedhur bashkërisht, është shprehje e respektit dhe e nderimit për këtë qytet dhe qytetarët, korçarë dhe korçare të cilëve u dhimbset, u bëhet vonë dhe i qajnë hallin qytetit të tyre. Kemi kandiduar personin që besojmë se ofron më së miri potencialin për të avancuar alternativën tonë për Korçën, për të vënë në qendër të programit dhe qeverisjes lokale të Korçës, jo kryetarin e Bashkisë, as shokët apo miqtë e tij personalë, por për të vënë në qendër të Bashkisë së Korçës qytetarin korçar, hallet e problemet e tij, shpresat e dëshirat e tij e të saj, për veten tuaj, për fëmijët dhe qytetin tuaj. ”, – tha Basha. Më tej, kreu i PD-së vlerësoi figurën e Stratobërdhës, duke theksuar se,: “Me praktikën më të mirë të qeverisjes dhe vlerat më të mira të praktikave që ka pasur rastin t’i shikojë por edhe të jetë pjesë e tyre gjatë qëndrimit në Kanada, sot para jush vjen Sotiraq Stratobërdha, më i pjekur, më i aftë, më i vendosur, më i përkushtuar dhe definitivisht më i qartë se Sotiraqi tjetër, sa i përket asaj që u ofron qytetarëve të Korçës dhe qytetarisë korçare për ditët e ardhshme. U ofron transparencë, u ofron llogaridhënie, u ofron modesti, shërbim të përkushtuar ndaj qytetarit, jo arrogancë, as arbitraritet, as errësirë për vendimet kryesore që prekin çdo qytetar të Korçës, u ofron mbi gjitha atë që buron thellë nga zemra e tij dhe zemra e çdo qytetari korçar, dashurinë e pamatë për qytetin tuaj, për perlën e qytetarisë shqiptare, për Korçën tuaj,  për Korçën tonë”. Në fund të fjalës së tij, kreu i demokratëve theksoi se  këto zgjedhje kanë të bëjnë drejtpërdrejt dhe në thelb me qytetarët e Korçës, hallet dhe problemet e tyre. “Ndaj me besimin më të plotë se kandidatura e zotit Stratobërdha dhe programi i tij do të votohen gjerësisht nga qytetarët e Korçës, për të mirën tuaj, për të mirën e qytetit tuaj, dua edhe njëherë t’ju garantoj se aleanca për qytetarinë korçare, Partia Demokratike, aleatët e saj, kandidati ynë janë dhe do të mbeten në dispozicionin tuaj në ditët dhe javën e ardhshme, për të bërë të mundur të sqaroheni për çdo çështje dhe detaj të programit të tij, rrugë më rrugë, shtëpi më shtëpi”, pohoi Basha. Nga ana e tij, kandidati Stratobërdha është shprehur: “Hyra në këtë garë për t’i bërë gjërat më mirë ku të gjithë qytetarët do trajtohen njësoj, sepse Bashkia nuk është pronë e një grushti njerëzish apo pronë e një individi dhe se institucioni i Bashkisë do të funksionojë në bazë të parimit të transparencës”. Kandidati i PD-së, Sotiraq Stratobërdha, do të garojë më 3 nëntor për kryetar të Bashkisë së Korçës përballë kandidatit socialist Sotiraq Filo.

 

Reagimi ndaj Ramës e Tahirit

PD, Strazimiri: Brenda një nate u shkarkuan 70 zyrtarë të Ministrisë

Partia Demokratike ka reaguar dje lidhur me deklaratat e Kryeministrit Edi Rama në “Ditën e të Rënëve të Policisë së Shtetit”, ku nëpërmjet deputetit Gent Strazimiri i hodhi poshtë ato, duke theksuar se mbështetja ndaj familjarëve te të rënëve ka qenë prioritet ndër vite. “Tallazet dhe furtunat e jetës nuk parashikohen dot me ligj, dhe kësisoj përmirësimi i kuadrit ligjor dhe ndihmës ndaj tyre nuk do të njohë kurrë kufij, e vetmja gjë që zoti Rama duhet t’u kishte premtuar sot, do të duhej të ishte respektimi i ligjeve në fuqi të paktën për ta, dhe trajtimin e barabartë të martirëve, domethënë jo ndarjen e tyre si deri në vitin 2005 në “të vrarë në kohën e Berishës dhe të vrarë në kohën tonë”, – tha deputeti demokrat. Më tej ai denoncoi pushimin e 70 zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme brenda natës së të premtes, duke shkelur sipas Strazimirit ligjin dhe nëpërkëmbur dinjitetin njerëzor të nëpunësve. Në këtë kontekst, Partia Demokratike kërkon ndërprerjen e menjëhershme të trajtimit të nëpunësve të administratës si “kolaboracioniste” dhe shkarkimin e tyre me lista të zeza të përpiluara në zyrat e Partisë Socialiste. “Mbrëmë vonë, 70 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme janë thirrur, për të marrë fermanin e zi të shkarkimit nga puna, pa paraqitur asnjë motiv. Janë thirrur dhe shkarkuar natën, pa asnjë shpjegim. Administrata Publike, as nuk është plaçke lufte, e as stalla e kooperativës ku xhahilët vendosnin për “therje te detyruar” të gjësë së gjallë për t’i shtruar gostinë të deleguarit të Partisë” deklaroi deputeti i PD-së Gent Strazimiri. Ndaj deklaratave të deputeti demokrat ka reaguar dje ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili i ka hedhur poshtë ato, duke paraqitur në rrjetin social facebook një foto me disa punonjës të kësaj ministrie. “Këta janë 70 zyrtarët e lartë të policisë së shtetit që sipas deklaratës së sotme të PD-së janë shkarkuar dje natën. Ky rast është qesharak, për me tepër nga një opozite qe ka edhe mundësi te ngrihet ne nivelin e debatit te shëndoshë për reformat e vërteta në Policinë e Shtetit”, – shkruante Tahiri në rrjetin social.

 

Shkarkimi i Zhani Cikos

PD: Vendimi i qeverisë, i turpshëm. Pirgu, politikës: Tregohuni të kujdesshëm me artin!

Partia Demokratike ka reaguar dje lidhur me vendimin e qeverisë për shkarkimin e drejtorit të Teatrit të Operës dhe Baletit, maestro Zhani Cikos, duke e cilësuar të turpshëm trajtimin që Kryeministri i vendit i ka bërë maestros. Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, tha se me shkarkimin pas krahëve të drejtorit të Teatrit të Operës dhe Baletit, maestro Zhani Cikos, Kryeministri i ka vënë kazmën kontributit të palodhshëm të një jete të tërë për operën, muzikën dhe artin. “Me një vendim të errët, me prepotencë të pashoqe, Edi Rama largoi nga detyra maestron e famshëm, pa pasur guximin t’i komunikonte atij as edhe dy fjalë. Asnjë falënderim për mundin e dhënë për artin dhe kulturën e vendit”, – u shpreh zëdhënësja e selisë blu. Vorpsi tha se “Zhani Ciko po përgatitej për koncertin e djeshëm të bamirësisë dhe nuk ishte në dijeni të vendimit që Kryeministri kishte marrë ndërkohë. Ai u lajmërua nga miqtë e tij në telefon, të cilët kishin dëgjuar në media për shkarkimin e tij”, – deklaroi Vorpsi. Ndërkohë, ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha ka shprehur vlerësimin e tij për figurën e Zhani Cikos, duke theksuar: “Faleminderit, mirënjohjen më të thellë maestro i madh Zhani Ciko, për kontributin tuaj madhor për kombin shqiptar në fushën më të fisshme, më të bukur, atë të kulturës dhe artit tonë, atë të Operas dhe Baletit, muzikës klasike. Mirënjohje, mirënjohje të thellë ndaj jush, shërbëtor fisnik i kombit tonë!” Lidhur me shkarkimin e Cikos, ka reaguar dy ditë më parë edhe tenori me famë botërore Saimir Pirgu, i cili kërkoi politikës brenda dhe jashtë sallës që të tregohen të kujdesshëm ndaj artit. “Do të doja të bëja dhe një apel tjetër. Do të bëja thirrje që komuniteti i artistëve të respektohet më shumë në Shqipëri. Sot, përpara koncertit ka ndodhur një ngjarje e turpshme, që më ka prekur shumë. Por nuk do të doja të zgjatesha, kushdo le ta kuptojë. Doja vetëm t’i thosha një Faleminderit maestro Zhani Cikos”, – tha Pirgu. Dy ditë më parë, Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të radhës, vendosi për lirimin nga detyra të Zhani Cikos dhe emërimin e Ilir Kernit në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

 

Zëdhënësi i Blair-it

Campbell: Lideri laburist Miliband të marrë shembull fushatën e Edi Ramës

Zëdhënësi i ish-kryeministrit, Tony Blair, në një intervistë për gazetën britanike “The Guardian” i sugjeron liderit laburist Ed Miliband që të ndjekë shembullin e Edi Ramës gjatë fushatës zgjedhore. “Udhëheqësi i laburistëve mund të përdorë videoklipet për t’u përballur me komentet mosbesuese. Ai duhet të marrë rrezikun parasysh dhe të ndjekë shembullin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili u ballafaqua me kritikat kokë më kokë, duke dhënë shpjegime me anë të videove për komentet skeptike që mund të jepen gjatë fjalimeve”, – tha ish-drejtori i Komunikimit. Sipas Campbell videot e realizuara, rezultuan të suksesshme për Ramën, i cili fitoi zgjedhjet parlamentare në krye të një koalicioni të qendrës së majtë. “The Guardian” thekson faktin se Campbell ka vepruar si një këshilltar strategjik për median për kreun e qeverisë “Rama”, i cili kohët e fundit ka punësuar ish-kryeministrin Tony Blair për ta këshilluar Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.“Tani ka ardhur koha që një prej vendeve më të mbyllura të Evropës ish-komuniste të ofrojë disa këshilla politike për Britaninë”, – citon “The Guardian” Alastair Campbell.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency