Zhgënjen shtatori, Tatimet dhe Doganat me drejtues të rinj, por të ardhurat në ulje

0
122

Ervin Kaduku

 

TVSH-ja është taksa më e rëndësishme në buxhetin e shtetit, por vijon të jetë zëri që në vlerë absolute ka rendimentin më negativ në mbledhjen e të ardhurave buxhetore, duke ndikuar në gati 65% të rënies

 

 

Ministria-e-FinancaveAdministrata doganore dhe ajo tatimore janë “pajisur” tashmë me drejtues të rinj, por rezultatet, të paktën deri tani, kanë qenë zhgënjyese. Vetëm në shtator, periudhë kur u ndërruan zyrtarisht pushtetet, të ardhurat në buxhet ishin 24.5 miliardë lekë, duke qenë 6.5% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe rezultati më i dobët që nga shtatori i vitit 2008. Kjo del nga shifrat më të fundit, të realizimit të zërave të buxhetit të shtetit për periudhën nga janari deri në fund të shtatorit 2013.

Të ardhurat në buxhet arritën në 235 miliardë lekë për periudhën janar-shtator 2013, duke qenë 4% (rreth 10 miliardë lekë) më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 23.4 miliardë lekë më pak se plani vjetor.

Shifrat bëhen të ditura në tabelat fiskale të periudhës janar-shkurt, të publikuara nga Ministria e Financave.

Vetëm në shtator, periudhë kur u ndërruan zyrtarisht pushtetet, të ardhurat në buxhet ishin 24.5 miliardë lekë, duke qenë 6.5% më pak se e njëta periudhë e vitit të kaluar dhe rezultati më i dobët që nga shtatori i vitit 2008.

Për 9 mujorin, të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 162 miliardë lekë, me një rënie prej 6.5% (apo 11.2 miliardë lekë) në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në krahasim me planin, buxhetit i mungojnë nga dy institucionet kryesore që mbledhin të ardhurat në vend 23 miliardë lekë.

TVSH-ja vijon të jetë zëri që në vlerë absolute ka rendimentin më negativ në mbledhjen e të ardhurave buxhetore, duke ndikuar në gati 65% të rënies. Sipas të dhënave nga financat, të ardhurat nga TVSH ishin rreth 79 miliardë lekë në fund të 9 mujorit, duke u tkurrur me 8.4%, apo 7.2 miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Zëri i dytë më negativ porsa i përket rënies në vlerë absolute është ai i akcizës, që arriti në rreth 26 miliardë lekë, me një rënie prej 8.9% apo 2.5 miliardë lekë, në raport me periudhën janar-shtator 2012.

Edhe tatim fitimi zbriti me 1.2 miliardë lekë, apo 9.3%, në 11.5 miliardë lekë.

Me ecuri pozitive ishin të ardhurat personale, që u rritën me 6.8% (1.4 mld lekë) në 21.7 miliardë lekë.

Në buxhetin e rishikuar së fundmi, parashikohet që mosrealizimi i të ardhurave të jetë rreth 40 miliardë lekë, duke parashikuar kështu një gropë prej 17 miliardë lekësh për vetëm 3 muaj.

 

 

(Burimi: Ministria e Financave)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency