Ministri i Ekonomisë: Taksa e makinave të përdorura do të rritet

0

Ervin Kaduku

Loading...

 

Ky treg përbën evazion të lartë fiskal, pasi është jashtë sistemit fiskal dhe TVSH-së. Bizneset e shitjeve të makinave të përdorura në 70% të tyre janë të palicencuar dhe të paregjistruar

 

 

makina-te-vjetraMinistri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, u angazhua dje që në bashkëpunim me kompanitë koncesionare të markave të automjeteve, të përcaktohen hapat për vënien në rrugë ligjore, vendosje të standardeve të BE dhe barazi fiskale për bizneset në tregun e automjeteve në vend. Ahmetaj u takua me përfaqësuesit koncesionarë të firmave të njohura në botë në prodhimin e automjeteve, me aktivitet tregtar dhe shërbimi në Shqipëri, me kërkesë të tyre, ku u njoh me shqetësimet që paraqet sot ky treg, i cili përballet me evazionin e lartë nga tregu në lulëzim i shitjes të automjeteve të përdorura.
Drejtues të përfaqësive të firmave si FIAT, BMW, Mercedes-Benz, KIA Motors, Peugeot, Porsche, Mazda, Citroen etj. kërkuan që tregu i automjeteve të përdorura të rregullohet me ligj, pasi është jashtë sistemit fiskal dhe zhvillohet në pabarazi të plotë me tregun e rregullt të makinave të reja. Ata ngritën shqetësimin e madh, pasi bizneset që drejtojnë sot, përballen me tregun informal të shitjes së makinave të përdorura dhe shërbimeve. Sipas tyre, nëse shteti do të vilte taksat nga ky treg, do të përfitonte rreth 100 milionë euro në vit.
Tregu informal në gjithë vendin përfaqësohet me mbi 10 mijë biznese të tilla, të përhapur në gjithë Shqipërinë, ku vetëm në Tiranë numërohen gati 3000 të tillë. Në vit sot importohen mbi 50 mijë makina të përdorura në vit. Duke qenë se shumica e tyre kanë përdorim 20-vjeçar, ato kanë tejkalim të normës së lejuar për ndotjen e ajrit, një ndër shkaqet për rritjen e sëmundjeve kancerogjene, kanë nivel të ulët të cilësisë, çka bëhet shkak për rritjen e numrit të aksidenteve në rrugë.
Ky treg përbën evazion të lartë fiskal, pasi është jashtë sistemit fiskal dhe TVSH-së. Bizneset e shitjeve të makinave të përdorura në 70% të tyre janë të palicencuar dhe të paregjistruar, ndërsa tregu i serviseve punon me pjesë këmbimi që hyjnë në vend si hekurishte, duke ju shmangur tatimeve.
Kjo situatë jashtë normalitetit të rregullave të tregut ka bërë që biznesi i shitjes së makinave të reja me rreth 20 kompani koncensionare, që kanë 3000 të punësuar të siguruar, janë pagues të rregullt të taksave, të pësojë vit pas viti humbje të mëdha. Nga 4000 copë makina të reja që shitën në vitin 2008, sot tregu është zvogëluar me 60% të tij, duke zbritur në rreth 1500 copë të shitura këtë vit.

Tregu informal

Shqiptarët kanë blerë më shumë makina gjatë vitit të kaluar, por kryesisht në tregun e atyre të përdorura. Sipas përllogaritjeve të specialistëve, bazuar në numrin e makinave të hyra në vend në 2012, dhe një çmimi mesatar, sipas markës së tyre dhe vjetërsisë, rezulton se janë shpenzuar rreth 300 milionë euro për blerjen e automjeteve, një shumë që është gati tri herë më e lartë se ajo e harxhuar në vitin 2010 për të njëjtin qëllim, ndërkohë që dhe numri i makinave të importuara për të njëjtat periudha rezulton i trefishuar. A mund të thuhet se ministria e Transportit i ka bërë drejt “hesapet”, me ndryshimet ligjore që ka kërkuar – dhe që janë miratuar – në qeveri? Përgjigja për këtë pyetje mund të jepet vetëm po të analizohet me hollësi tregu, por ajo vështirë se do të ishte pozitive.

Çfarë ndodhi që konsumatorët u dyndën masivisht drejt blerjes së automjeteve, kryesisht atyre të përdorur? Më shumë se një rritje e fuqisë blerëse, kjo tendencë shpjegohet me ndryshimin e regjimit taksor ndaj automjeteve të vjetra: gjatë vitit 2010 dhe gjysmës së dytë të vitit 2011 ishte në fuqi ligji i cili “penalizonte” ndjeshëm importimin e mjeteve të përdorura me shumë vite përdorimi (më shumë se 10 vjet) përmes taksës së ndotjes, e cila përllogaritej duke u bazuar në: vitin e prodhimit të mjetit, kapacitetin motorik, llojin e lëndës djegëse etj. Po ashtu, kjo taksë u shpreh edhe në mjetet që ishin pjesë e parkut të automjeteve, përmes taksës së rishitjes së mjetit. Këto masa nxitën tregun e automjeteve të reja me zero kilometra që shiten prej koncesionarëve dhe frenuan atë të shitjes së makinave të përdorura.

Situata ndryshoi tërësisht pas shtatorit 2011, me importet e automjeteve të përdorura, që u rritën ndjeshëm në katër muajt e mbetur të 2011-s, duke vazhduar, ndonëse me ritme më të ngadalësuara, përgjatë gjithë 2012-s.

Në vitin 2012 rezultojnë të jenë importuar në total 52,179 makina, me një rritje prej 143% me bazë vjetore, nga të cilat, vetëm rreth 1800 ishin të reja, ndërsa të tjerat të përdorura, sipas të dhënave nga Doganat.

Në total janë regjistruar për herë të parë rreth 47 mijë mjete, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTR), nga të cilat, më shumë se 45 mijë ishin të përdorura.

 

Shtimi i ndotjes 

Shtimi i makinave që në pjesën më të madhe kanë një moshë mbi 10 vjet, ngre një tjetër alarm. Atë të ndotjes së mjedisit. Sipas një studimi të vitit 2012 të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nëse mjetet diesel nuk janë të pajisur me sistemet më të fundit të reduktimit të emetimeve ndotëse, këto emetime rezultojnë të jenë kancerogjene.

Dhe në Shqipëri, rreth 50% e makinave që qarkullojnë në vend, kanë një vit prodhimi deri në 1995, pra janë mbi 18 vjet të vjetra.

“Kontrolli teknik për nivelin e ndotjes, që kryhet në pikat e kontrollit teknik, fatkeqësisht është akoma opsional, d.m.th nuk është kusht për t’i penguar mjetet që të mos marrin kolaudimin e përvitshëm teknik”, – thotë Zeneli. Nëse do realizohej kjo, shumë nga këto mjete që janë shumë të vjetra, nuk do të mund të qarkullonin, sepse do të frenoheshin te kontrolli teknik. Sipas burimeve jozyrtare, 30% e mjeteve nuk i kalojnë normativat për të cilat janë prodhuar dhe jo më të respektojnë normativat evropiane të ndotjes ku ne synojmë të anëtarësohemi.

Loading...