Kisha e Shën Trinisë Kasem Biçoku: Ja ku e kundërshtoj Aleksandër Meksin dhe Kristo Frashërin

0
260

Debati/Emri mesjetar i Lezhës dhe Emathia (Matja) e Formulës së Pagëzimit

Për herë të parë një debat akademik për Kishën e Trinisë të Formulës së Pagëzimit; Deri tani shumë argumente nuk kanë mundur të zbardhin të vërtetën për vendndodhjen e kishës, duke i çuar kërkimet shkencore në drejtim të gabuar.

 

 

 Kasem Biçoku

 

 

24 tetor kopert1. Trajta vendore dhe ajo veneciane e emrit të Lezhës

 

Trajtat e emrit mesjetar të Lezhës dhe ndryshimet grafike të tyre në dokumentet mesjetare nuk janë bërë objekt studimi. Mosnjohja e tyre ka shkaktuar paqartësi te disa studiues që kanë shkruar për Peshkopatën e Lezhës dhe për “Peshkopatën” e Lisit. Për këtë të fundit kam shkruar se është fiktive, nuk ka ekzistuar para shek. XVII dhe se është sajesë e Mark Skurës (1), mendim i kundërshtuar prej Aleksandër Meksit (2).

Shkrimi i A. Meksit dhe botimet e autorëve të tjerë, mbi të cilët ai është mbështetur, kanë një dobësi themelore të përbashkët: mosnjohjen e trajtave të emrit mesjetar të qytetit të Lezhës, rrjedhimisht edhe ato të Peshkopatës me të njëjtin emër, si edhe njohjen e kufizuar të dokumenteve mesjetare për Shqipërinë.

Emri mesjetar i qytetit të Lezhës ka dy trajta: 1) Trajtën e latinizuar të emrit të hershëm me prejardhje ilire, që është parësore, Lissum (Lissus); 2) trajtën e latinizuar Alessium, që është krijuar prej kancelarisë veneciane në mesin e shek. XIV. Edhe Marin Barleti ka treguar se emri i qytetit ka qenë Lissus, kurse Allessius është emri i ri i tij (3).

Lissum (Lissus) është trajta bazike e hershme dhe është përdorur me ndryshime grafike prej autorëve të vjetër për qytetin e Lezhës dhe për qytetin e epërm pranë saj: “Lissum, Lissos, Lisson, Akrolissum, Akrolissos, Akrolisson” (4). Kjo trajtë është përdorur edhe prej autorëve bizantinë (5).

Në dokumentet mesjetare të kancelarive të huaja, trajta bazike Lissum (Lissus) është shkruar me ndryshime grafike, karakteristikë kjo për shumë toponime të Shqipërisë, madje edhe në afërsi të qytetit të Lezhës, si Rodon, Ishëm, Shufada etj. (6)

Autorët e botimit më të rëndësishëm të dokumenteve mesjetare për historinë e Shqipërisë, dr. Ludovicus de Thallóczy, dr. Constantinus Jireček dhe dr. Emilianus de Sufflay, te treguesi i emrave të veprës së tyre, kanë shënuar këto ndryshime grafike të trajtës Lissum (Lissus): “Lessium, Lexium, Leexium, Lesium, Λίσσος, Έλίσσος, Leš” (7). Krahas këtyre ndryshimeve grafike, në dokumentet mesjetare të botuara prej tyre dhe prej autorëve të tjerë, trajta Lissum (Lissus) është shkruar edhe me ndryshime të tjera grafike: Lecium, Lecxum, Lesium, Lessum, Lesum, Liessum, Liesseuich, Lissium, Lixium, Lisign (8).

Emri mesjetare i Lezhës në trajtën “Lesium, Lesum, Lessium e Lessum” është shfaqur për herë të parë në dokumentet e viteve 1277-1336 si emërtim lumi, tregu e mase vëllimi(9) dhe më vonë si emër qyteti e kështjelle (10). Në dokumentin e vitit 1336, krahas shkrimit dy herë të trajtës Lessium, është dhënë vetëm një herë edhe trajta e re veneciane “Allessium”(“usque Drinum vel Allessio”) (11), si një dukuri rastësore, sepse në vëllimin e dytë (1344-1406), të veprës së L. de Thallóczy, dr. C. Jireček dhe dr. E. de Sufflay, ajo shfaqet për herë të parë në vitin 1398 si emër kështjelle: “castrum Alexii” (12). Në vitet që vijuan (1399-1406), trajta “Allessium” është bërë mbizotëruese dhe është në 15 dokumente (13) të vëllimit II ndaj 7 që ka trajta Lissum (Lissus) (14), trajtë që, deri në vitit 1398, është në 14 dokumente të këtij vëllimi (15). Trajta e hershme Lissum (Lissus) ka vijuar të përdoret krahas trajtës së re veneciane Alessium edhe në të njëjtin dokument (16).

Dokumentet veneciane për historinë e Shqipërisë, të botuara nga Giuseppe Valentini (17), i ndriçojnë më tej ndryshimet grafike të trajtave mesjetar të emrit të Lezhës. Për këtë mjafton të shqyrtohen dokumentet e tre vëllimeve të para të botimit të tij monumental.

Emri mesjetar i Lezhës është përmendur vetëm dy herë në vëll. I (1301-1384) të dokumenteve veneciane, në vitet 1353 dhe 1383. Në to tregohet prejardhja vendore e dy personave: “Moretus de Alexio; Andrea de Alexio” (18). Në vëll. II (1384-1396), emri mesjetar i Lezhës është me ndryshimet grafike “Leexium, Lesium, Lexium” në 8 dokumente dhe “Alexium, Alexum” në dy dokumente të viteve 1389 dhe 1393, ku tregohet prejardhja vendore e dy personave: “Petrus de Alexio; castellanus de Alexo” (19).

Në dokumentet e vëll. III (1396-1406), pasi Venediku kishte marrë nën zotërim kështjellën e Lezhës (20), më 1393, mbizotëron trajta veneciane Alessium. Në fillim kjo trajtë është përdorur për prejardhjen vendore: “Paulus Alesij Albanensis” (21); dhe, që nga viti 1397, edhe si emërtim vendi e kështjelle: “In loco nostro Alesij; Castrum Alexij” (22). Nga 38 dokumente, ku përmendet emiri i Lezhës në këtë vëllim (23), vetëm në 8 prej tyre është shkruar “Lexium, Lesium, Lessium”. Prej këtyre, në pesë raste emri është shkruar në të dy trajtat (Lessium dhe Alessium) (24) dhe në tri dokumente vetëm në trajtën Lessium (25).

Trajta Alessium është mbizotëruese edhe në një vëllim me dokumente të viteve 1400-1405. Nga 30 dokumente, ku është emri i Lezhës (26), në 10 prej tyre është përdorur, latinisht e italisht, trajta e hershme Lissum (Lissus) me ndryshime grafike: Lecium, Lecxium, Lesium, Lesse, Lessio, Lessium, Lesso, Lexium, Lixium (27).

Dokumentet e vëllimeve të sipërpërmendura dëshmojnë se trajta veneciane Alessium është përdorur për herë të parë e shumë rrallë në mesin e shek. XIV. Në fund të këtij shekulli e në vijim, trajta Alessium është bërë mbizotëruese në shkresat e administratës veneciane dhe se trajta e hershme Lissum (Lissus) ka vijuar të përdorej rrallë prej saj.

Përdorimi i trajtës së re Alessium është bërë prej kancelarisë veneciane në shërbim të administratës së vet, për të shmangur ngatërrimin e emrit të Lezhës me emrin venecian Lesina të ishullit dalmat Hvar, që kishte kaluar nën zotërimin venecian që në shek. XIII (28). Në dokumentet veneciane emri i këtij ishulli është shkruar me ndryshime grafike: Lesina, Lexina, Liesna, Lissa (29) etj. Vetë toponimi Lesina dhe ndryshimet grafike në shkrimin e saj e bënin emrin e ishullit dalmat shumë të ngjashëm me emrin mesjetar të Lezhës. Për të shmangur ngatërrimin e emrit të ishullit me atë të qytetit shqiptar u krijua një kompozitë, duke i shtuar emrit mesjetar të Lezhës germën A (Alessium) për ta dalluar se nuk ishte Lesina (Lezina).

Trajta e hershme Lissum (Lissus) e emrit të Lezhës ka vijuar të përdorej gjithnjë prej shqiptarëve, edhe gjatë shek XV, siç e dëshmojnë dy letra të Skënderbeut, të shkruara latinisht dhe sllavisht: “Datae in Lesio; 8 Лeш8” (30). Nën ndikimin e shqiptarëve, kjo trajtë është përdorur edhe prej fqinjëve të tyre, siç e tregojnë dokumentet mesjetare raguziane (31).

Midis ndryshimeve të shumta grafike të trajtës Lissum (Lissus), të emrit mesjetar të Lezhës, dallimi më i rëndësishëm është në zanoret i dhe e të rrënjës Lis dhe Les. E dyta ka lindur gjatë Mesjetës dhe është mbizotëruese në dokumentet e asaj periudhe.

Rrënja Lis, e trashëguar prej emrit të vjetër ilir, ka vijuar gjithnjë të shkruhet, ndonëse rrallë, gjatë shekujve të mesjetës e më pas, duke bashkëjetuar me rrënjën mesjetare Les të emrit të qytetit.

Trajta e hershme Lissum (Lissus) është përdorur prej administratës veneciane si toponim me rrënjën Les dhe si emërtim kishtar me rrënjën Lis (Lix): “ad Episcopatum Lixiensem” (32), krahas përdorimit rëndom prej saj të trajtës veneciane Alessium.

Rrënja Lis (Lix) e emrit mesjetar të Lezhës është shkruar dy herë si emërtim dioqeze në një letër të vitit 1404, që Papa Inoçenti VII i ka dërguar peshkopit të Lezhës: “Parrochialis Ecclesia Sancte Eufemie de Calmeto Lixiensis Diocesis… Ecclesie Lixiensis” (33). “Ecclesia Beate Marie de Castello dicte Lissiensis diocesis” (34) është shënuar në një letër të vitit 1453 të papa Nikollës V; po ky papë, të njëjtën rrënjën (Lis, Lix) të emrit mesjetar të Lezhës, e ka përdorur edhe më pas (35).

Rrënja Lis (Lix) e emrit mesjetar të Lezhës ka qenë e njohur dhe e përdorur në mjedisin kishtar shqiptar edhe në fund të shek. XV, siç e dëshmojnë, p.sh., veprat e peshkopit të Ulqinit, Martin Segoni. Emrin mesjetar të Lezhës ai e ka shkruar “Alisium (Alissium)” (36) një përshtatje të trajtës së hershme Lissum (Lissus) me atë veneciane Allessium, duke marrë prej së dytës vetëm shkronjën e parë A.

Mund të arrihet në përfundimin e sigurt se për emrin e dioqezës së Lezhës, krahas rrënjës mesjetare Les (Lex), në dokumentet kishtare të shek. XV ka vijuar të përdoret edhe rrënja e hershme Lis (Lix).

Këtë e dëshmojnë edhe dy dokumente të mesit të shek. XV, ku është përmendur peshkopi Andrea i Lezhës, dokumente që kanë interes të veçantë për çështjen në shqyrtim.

Emri i peshkopit Andrea është shënuar në një letër të 22 gushtit 1454, që Papa Nikollës V ia ka drejtuar peshkopit të Lezhës dhe peshkopit të Pultit: “Venerabilibus fratribus Andree Lixiensi et Nicolao Pulatensi episcopis salutem etc…” (Përshëndetje vëllezërve të nderuar, peshkopëve Andrea të Lezhës dhe Nikolla të Pultit) (37). Dokumenti i dytë është i 8 nëntorit 1462: “…In ecclesia Sancte Trinitatis de Emathia… presentibus ibidem venerabile fratre nostro domino Andrea, episcopo Lising, suffraganeo nostro…” (Në kishën e Shën Trinisë të Matjes… duke qenë i pranishëm aty ndihmësi dhe vëllai ynë i nderuar zoti Andrea, peshkop i Lezhës) (38), dokument ky shumë i njohur, sepse në të është dëshmia më e hershme e shkrimit të një fraze të tërë në gjuhën shqipe, Formula e Pagëzimit (39).

Peshkopi “Andrea Lixiensis”, i letrës së 22 gushtit 1454 të Papa Nikollës V, është pranuar edhe prej A. Meksit se i përket peshkopatës së Lezhës (40), por nuk është pranuar si i tillë te “Andrea, episcopo Lising” të dokumentit të 8 nëntorit 1462.

A. Meksi është mbështetur te disa autorë, të cilët toponimet mesjetare me rrënjën Lis i kanë menduar gabimisht se i përkasin fshatit Lis të krahinës së Matit. Ata kanë shkruar: Kristo Frashëri, “trajta latinishte “episcopo Lisigh” ose “episcopus Lixiensis”, që ndeshet në burimet mesjetare, i ka shtyrë mjaft studimtarë, ndër ta edhe medievistin e njohur Milan Sufflay, që është marrë në mënyrë të veçantë me historinë e Shqipërisë, të shkasin në gabim, duke kujtuar se kanë të bëjnë me peshkopatën e Lezhës, e cila në fakt në burimet mesjetare quhet Episcopatus Alexienses” (41); Injac Zamputi, “disa studiues kanë kujtue se kisha i përket dioçezit të Lezhës, tue u gënjye me termën latine “Lisiense”, që e interpretuen baras me “Alexiense… Pa vetëdije kanë bamë pështjellim studimtarët e mavonshëm, tue ra në pozitat e Farlati-Coletit, të cilët në “Illyricum Sacrum”, vëll. VII, e kanë konsakrue pështjellimin me sentencën “Alexiensis seu Lisiensis”(42); Kolë Ashta, “do bërë dallimi se tjetër është Lisus, Lisi, Leshi, Lezhja, Lezha, si qytet pranë Shkodrës, e tjetër është Lisi këtu, si qendër e dioqezit të Matit, që varej nga Durrësi” (43); Lorenzo Tacchella, “peshkopata e Lizias (Lisia), “Lisien” si dhe “Lixien”… ngatërrohet me atë të Lezhës: “Alexien”, “Lixien” dhe “Lissanen” (44).

Mendimet e këtyre autorëve nuk janë rrjedhojë e shqyrtimit të dokumenteve mesjetare, por janë thjesht paragjykime dhe paqartësi, sepse asnjëri prej tyre nuk është studiues i mirëfilltë i historisë mesjetare të Shqipërisë. Prandaj Andrean e dokumentit të vitit 1462 ata e kanë hamendësuar si peshkop të “Peshkopatës së Lisit” (45). Ky dokument nuk është origjinal, por është kopje e shek. XVI (46), prandaj toponimi “Lising” mund të jetë një devijim grafik nga dokumenti origjinal. Sidoqoftë, rrënja Lis e trajtës Lising për emrin mesjetar të Lezhës, siç është treguar më sipër, është në vijim të traditës së hershme shkrimore kishtare.

 

2. Peshkopë të Lezhës gabimisht janë menduar si të Lisit

 

Përveç mosnjohjes së varianteve të shumta të emrit mesjetar të Lezhës, A. Meksi mund të ishte vetëpërmbajtur po të kishte parasysh ndryshimet e dukshme grafike që ka trajta latine me atë italiane të disa emra personalë, si edhe po të kishte shqyrtuar e hartuar me kujdes antroponiminë te “Ipeshkvia e Lisit (Liciense, Lisiense, Lexiense)” dhe “Ipeshkvia e Lezhës (Alexiense, Lexiense)” (47), që janë dhënë te “Shtojca” e shkrimit të tij me “Listat e Ipeshkve të Kishës Katolike në dioqezat e Shqipërisë së Mesme” (48).

Për “Ipeshkvinë e Lisit (Liciense, Lisiense, Lexiense)” ai ka dhënë emrat e 11 peshkopëve (disa emra në trajtën latine dhe të tjerë në atë italiane), gjatë një periudhe kohore nga viti 1358 deri më 1513. Për “Ipeshkvinë e Lezhës (Alexiense, Lexiense)”, për vitet 592 deri më 1656, ai ka shënuar emrat e 48 peshkopëve, nga të cilët 29 janë deri në vitin 1513, vit ku përfundon lista e peshkopëve të hamendësuar prej A. Meksit si të “Peshkopatës” së Lisit.

Nga krahasimi i listave emërore të të “dy peshkopatave” del se shumica e 11 peshkopëve të “Ipeshkvisë së Lisit” e kanë emrin edhe në listën tjetër, te ajo e “Ipeshkvisë së Lezhës”. Emrat e peshkopëve të “Ipeshkvisë së Lisit” dhe vitet e ushtrimit të detyrës së tyre po i japim të gjithë, sipas pasqyrimit të A. Meksit, duke treguar edhe rastet përkatëse që janë në listën e “Ipeshkvisë së Lezhës”, si edhe arsyen pse disa emra nuk janë aty:

1. “1358-69 Burchardus” i “Ipeshkvisë së Lisit”; emir i tij nuk është në listën e Lezhës, sepse në këtë listë mungon emri i ndonjë peshkopi tjetër për ato vite.

2. “Para 1370 Johanis” dhe “1370 Giovanni Hueti de Codomo” te “Ipeshkvia e Lisit”; mund të jetë i njëjti person, emir i të cilit është dhënë latinisht (Johannes) dhe italisht (Giovanni). I njëjti emër, pa datë, është edhe te lista e“Ipeshkvisë së Lezhës”: “??? intruso Giovani Lursi (Nigro)”. I vendosur në listë midis viteve 1365 dhe 1369, Giovanni (Giovani) është trajta italiane e emrit vetjak të të njëjtit person që në listën e “Ipeshkvisë së Lisit” është dhënë latinisht, Johannes (Johanis).

3. “1373-85 Gregorio Laurenti da Venezia” i “Ipeshkvisë së Lisit”; trajta italiane e emrit të tij është ridhënë latinisht në listën e “Ipeshkvisë së Lezhës”: “1385 Gregorius de Venetia”.

4-6. Tre peshkopë të “Ipeshkvisë së Lisit” (1392 Martinus, ? Nicolo “Oculi Grandi” dhe “1436 Giogio”) nuk i kanë emrat në listën e “Ipeshkvisë së Lezhës”, sepse në këtë listë nuk ka të shënuar emra peshkopësh të tjerë për vitet 1392-1436.

7. “1441 Andrea” i “Ipeshkvisë së Lisit”; është i njëjti peshkop, edhe pse emri i tij është dhënë te “Ipeshkvia e Lezhës” pas 13 vitesh, “1454 Andreas”, sepse gjatë atyre viteve (1441-1454) mungon emiri i ndonjë peshkopi tjetër në të dyja listat.

8. “1467 Biagio Bramay” i “Ipeshkvisë së Lisit” nuk është në listën e “Ipeshkvisë së Lezhës”, sepse në këtë listë mungojnë emrat e peshkopëve për vitet 1460 deri më 1473.

9. “1498 Francesco de Comitibus” i “Ipeshkvisë së Lisit” është ridhënë dy herë në listën e “Ipeshkvisë së Lezhës”: “1498 Franc Comiti” dhe “1504 Franciscus de Comitibus”.

10. “1510 Giorgio Nigris” i “Ipeshkvisë së Lisit” është shënuar dy herë në listën e “Ipeshkvisë së Lezhës”: “1509 Georgius Negri” dhe “1512 Georgius”.

11. “1513 Michael de Natera” i “Ipeshkvisë së Lisit” është ridhënë edhe në listën e “Ipeshkvisë së Lezhës”: “1513 Michael de Natera”.

Nga sa u parashtrua del se A. Meksi është treguar fare i pakujdesshëm në hartimin e listës me emrat e peshkopëve të “Lisit”, duke mos i shqyrtuar e ballafaquar emrat e tyre me ata të listës së Lezhës. Pakujdesinë e tij në hartimin e këtyre listave e tregon edhe mungesa në to e emrit të peshkopit Andrea të Kuvendit Kishtar të nëntorit 1462 (49), me të cilin ai është marrë gjerësisht në shkrimin e tij (50).

 

 

3. Emathia (Matja) bregdetare si makrotoponim dhe si emër fshati

 

Lokalizimi i gabuar i trajtës me rrënjën Lis (Lix) të emrit mesjetar të Lezhës, duke e ngatërruar me emri fshatin Lis të Matit, është bërë prej A. Meksit e studiuesve të tjerë edhe nga paragjykimi i tyre për shtrirjen gjeografike të toponimit Emathia (Aemathia) të dokumentit të vitit 1462 (“In Ecclesia Sancte Trinitatis de Emathia”; në kishën e Shën Trinisë të Matjes) (51), duke e njëjtësuar me shtrirjen e sotme të krahinës së Matit.

Ky paragjykim është një gabim fare elementar, sepse kishat njëjtësohen me emrat e vendbanimeve, të fshatrave ose të qyteteve, dhe jo të krahinave. Këtë e dëshmojnë dokumentet kishtare e laike të të gjitha periudhave historike. Nëpër krahina ka disa kisha me emrin e të njëjtit shenjtor dhe për identifikimin e tyre nuk mund të shërbejë makrotoponimia (emrat e krahinave), por emrat e vendeve ku ngriheshin kishat e manastiret.

Me këtë rast, edhe pse është dytësore në krahasim me emrin e vendbanimit Emathia (Matja), e shoh të nevojshme të ndalem më gjerësisht për shtrirjen gjeografike perëndimore të makrotoponimit Emathia (Matja) gjatë Mesjetës. Ajo ka qenë më e madhe se shtrirja e krahinës së sotme të Matit (52), që është trashëgimi e ndarjeve administrative osmane, e dokumentuar si e tillë që në vitin 1467 e më pas(53). Për ti dalluar ato, duhet të përdoren emërtimet historike: Matja si makrotoponim mesjetar dhe Mati si makrotoponim i periudhës osmane e i ditëve tona.

Shtrirja gjeografike perëndimore e makratoponimit Emathia (Matja) gjatë shekujve të Mesjetës mund të njihet nga të dhënat e dy dokumenteve të shek. XV.

Në një vendim të Senatit të Venedikut, të 20 shkurtit 1445, për dhënien e qytetarisë veneciane Skënderbeut dhe vëllait të tij të madh, Stanishës, është përmendur Emathia: “Quod Magnifici domini Stanissa et Georgius Castrioti domini Dibri et Ematie (Zotërinjtë e madhërishëm Stanisha dhe Gjergj Kastrioti, zotër të Dibrës dhe të Matjes)”. (54)

Emri i Dibrës dhe i Matjes në këtë dokument është shënuar sipas shkresës autorizuese të Skënderbeut e të Stanishës, me të cilën ata e kishin pajisur ambasadorin e tyre, rrjedhimisht ata kanë shprehur mendimin e bashkëkombasve të tyre për makrotoponimet e kohës dhe për shtrirjen gjeografike të tyre.

Dokumenti i mësipërm është hartuar pas kryengritjes çlirimtare të nëntorit të vitit 1443 dhe Kuvendit të Përgjithshëm të Lezhës, të mbajtur më 2 mars të vitit 1444. Kryengritja e ringriti shtetin e Kastriotëve dhe, në veri e në jug të tij, u çliruan edhe treva të tjera të Shqipërisë së Epërme e të Mesme, ndërsa Kuvendi realizoi bashkimin politik dhe ushtarak të fisnikëve shqiptarë dhe të trevave të tyre.

Sipas dokumentit të vitit 1445 shteti i Kastriotëve përbëhej nga dy pjesë të mëdha, në lindje ishte Dibra dhe në perëndim të saj Emathia (Matja). Rrjedhimisht emërtimi i dytë kishte përfshirë edhe trevat bregdetare. Është e dokumentuar mirë se, edhe para kryengritjes çlirimtare të nëntorit 1443 dhe ringritjes të shtetit të Kastriotëve prej Skënderbeut, trevat bregdetare nga Shufadaja (grykëderdhja e Matit) në veri deri në Rodon në jug kanë qenë nën zotërimin e Gjon Kastriotit e të Skënderbeut që gjatë viteve 20 e 30 të shek. XV(55).

Dokumenti i dytë është një letër e shkruar në Durrës, më 31 korrik 1457, dhe ka një rëndësi të veçantë, sepse në të është treguar se kufiri veriperëndimor i Matjes arrinte deri në Lezhë : “Nunc vero el dicto exercito e intrado in la Matia, paexe d’Albania pur del dicto Sig.r Scandarbego, a la confine de Alexio” (Tani kjo ushtri ka hyrë në Matjen e të sipërpërmendurit zotit Skënderbe, kufitare me Lezhën, trevë e Shqipërisë) (56). E dhëna e këtij dokumenti për shtrirjen e makrotoponimit Matja deri në Lezhë është e saktë, sepse është shkruar prej qeveritarit venecian të Durrësit, Mark Diedos, njohës i drejtpërdrejt i trevave shqiptare, prandaj edhe emri i krahinës është shkruar prej tij sipas gjuhës shqipe të kohës, Matja. Letra i është dërguar dukës së Venedikut, prandaj Mark Diedo ka qenë shumë i kujdesshëm në shkrimin e saj, sepse, për gjendjen në trevat e Lezhës e kufitare me te, duka informohej edhe më mirë prej qeveritarit venecian të saj.

Makratoponimi Emathia (Aemathia) është përdorur edhe prej Martin Segonit e Marin Barlecit. M. Segoni e ka përdorur si emërtim për Maqedoninë mesjetare (57). M. Barleci ka treguar në veprën e pare të tij se “Maqedonia… dikur ka qenë perandori e quhej Aemathia”(58). Në veprën e dytë të tij, emri Emathia (Aemathia, Aemathius) është përdorur si makrotoponimi për krahinën mesjetare të Matjes (59), si emërtim fushash(60) dhe si emërtim lumi një here (61), lum që për së dyti e ka emërtuar Mathia (62), në përshtatje me trajtën shqipe të makrotoponimit homonim. Sipas M. Barlecit Ujëbardha (Albulena, pranë Mamurrasit) ishte në Fushën e Matjes (Aemathiae Campus) (63).

Po ashtu, si qeveritari venecian i Durrësit në vitin 1457, edhe M. Barleci ka treguar më pas, gjatë përshkrimit të episodit të vrasjes së Ballaban “Pashës” (Ballaban Beut) pranë mureve të Krujës në pranverë të vitit 1467, se Matja mesjetare shtrihej deri në Lezhë: “Skënderbeu pasi u kthye nga Roma, mblodhi nga çdo anë dhe bashkoi në një vend një ushtri shumë të madhe… Këtë ushtri Skënderbeu e ndau më dysh. Në krye të njërës vuri princin Lekë Dukagjini… në krye të tjetrës Nikollë Monetën, fisnik prej Shkodre… Këta, duke i drejtuar forcat prej Lezhës përmes fushave të Matjes (campos Aemathios) dhe pyllit të Jonimëve, do ta sulmonte armikun nga kjo anë… Skënderbeu… do të sulmonte nga ana tjetër… Jonima, vëllai i Ballabanit… e kish kaluar tanimë malin e Bulgarit. Skënderbeu, kur e mori vesh këtë… vazhdoi për tërë natën me shpejtësinë më të madhe në drejtim të Jonimës… duke e zënë të gjallë bashkë me të birin Heder” (64). Kjo ngjarje është rrëfyer më 1 maj 1467 prej një bashkëkohësi, pesë ditë pas largimit të tij nga viset shqiptare. Ndër të tjera, ai ka treguar se vëllai i Ballabanit “qe kapur në një fshat dhe i kishin prerë kokën” (65).

Toponimet “pylli i Jonimëve” dhe “mali i Bulgarit” e përforcojnë mendimin e M. Barleci për shtrirjen veriperëndimore të Matjes deri në rrethinat e Lezhës. Mali i Bulgërit shtrihet në veri të Milotit dhe në jug të Rubikut dhe është kufiri lindor i trevës së Bregut të Matës (66).

“Pylli i Jonimëve” ka qenë në Bregun e Matës, sepse kjo treve, me shtrirje nga Lezha deri në Rubik, ka qenë emërtuar “Vilajeti i Dhimitër Jonimës” në regjistrat kadastralë osmanë të viteve 1431-1432 e 1467 dhe si “Vilajeti i Pjetër Jonimës” në atë të vitit 1583, ku përfshihej edhe Lezhën dhe fshatin Mërqi në veri të saj(67). Sipas këtyre regjistrave, ky vilajet (krahina e Bregut të Matës) ka qenë i lidhur ngushtësisht me trevat në jug të lumit Mat, prandaj bashkë me to ka qenë i përfshirë në të njëjtën njësi administrative osmane, në “Kazanë e Krujës”(68); rrjedhimisht së bashku edhe në makrotoponimin e mëparshëm Emathia (Matja), si pjesa perëndimore e zotërimeve të Kastriotëve, siç e kanë dhënë edhe dy dokumentet e sipërpëcituar, të viteve 1445 dhe 1457, si edhe M. Barleci, i cili Ujëbardhën pranë Mamurrasit e ka lokalizuar në Fushën e Matjes (Emathiae Campus) (69).

Kuvendi kishtar i vitit 1462 është mbajtur: “In Ecclesia Sancte Trinitatis de Emathia… apud monasterium S. Trinitatis de Emathia” (në kishën e Shën Trinisë të Matjes… pranë manastirit të Shën Trinisë të Matjes) (70). Emathia (Matja) padyshim është emri i një fshati pranë një rruge të rëndësishme, në një mjedis gjeografik me kushte relativisht të mira jetese, manastiri i të cilit, si kudo gjatë Mesjetës, ka shërbyer edhe si stacion qëndrimi për udhëtarët e për karvanët e mallrave.

Fshati Emathia (Matja) është përmendur edhe në dokumente mesjetare më të hershme, në kompozitën Colemathia: “monasterium Sancti Alexandri de (in) Colemathia” (manastiri i Shën Aleksandrit në Kodrën e Matjes), manastir ky i Peshkopatës së Arbnit, në Bregun e Matjes (71). Emri i këtij fshati rishfaqet edhe në dokumentet e Periudhës Osmane.

Në dokumentet e gjysmës I të shek XVII është përmendur fshati Mathia (Matja) në krahinën e Bregut të Matit: “Kur shkova në shtëpinë e allajbeut në Mathia”; “Do të shkonim në shtëpinë e allajbeut në Niathia (Mathia)”(72), “Mathia, nr. i shtëpive 40, i burrave 100”(73). “Mataris” e “Matres” është përmendur edhe më parë si fshat i “Vijaletit të Dhimitër Jonimës” e i “Vijaletit të Petro Jonimës” (74).

Makrotoponimi i sotëm Bregu i Matës është emërtim i krahinës që shtrihet midis bregut të djathtë të lumit Mat të poshtëm në jug dhe Lezhës në veri (75). Makrotoponimi Bregu i Matës dhe, siç më ka shkruar Gjovalin Shkurtaj, emri Made-Madja për lumin Mat në të folmen e anasve të vjetër janë dëshmi të gjalla për vijimësinë këtyre emërtimeve, që nga shekujt e mesjetës e të Periudhës Osmane, dhe se në makrotoponimin mesjetar Emathia (Matja) kanë qenë përfshirë edhe rrethinat e qytetit të Lezhës.

 

 

Shënime:

 

1-Kasem Biçoku, Peshkopata e Arbnit dhe Kastriotët, në: “Studime Historike”, nr.3-4, 2007, Tiranë,2009, f.23-24, 32-33; ribotuar në “ K. Biçoku, Kastriotët në Dardani, Albanica, Tiranë – Prishtinë, 2009, f.86-87, 96-97. Po ai, Mjedisi kishtar dhe politik i Kuvendit të vitit 1462, në “Formula e Pagëzimit” (Kumtesa dhe artikuj)” Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, 2008, f. 16-17, 30-31; (referimi në vijim: K. Biçoku, Kastriotët).

2-Aleksandër Meksi, Vendndodhja e “Manasterium SancteTrinitatis de Emathia”, qendra dhe shtrirja e peshkopatës së Lisit në kohë dhe gjendja kishtare në krahinën e Matit dhe ato pranë gjatë shekujve XIV-XVII, në: “Hylli i Dritës”, vjeti XXXI – Prill – Maj – Qershor 2011 – Nr. 2 (269), f.33-57; (referimi në vijim: A. Meksi, Vendndodhja).

3-Marini Barletii de obsidione Scodrensi Ad Serenissimum Leonardum Laurentanum Aristocratiae Venetae principem concesiones variae a Maumethe turcarum principe et ab aliis praefectis artificiose compositae, [Impressum Venetiis per Bernardinum Venetum

4-Ilirët dhe Iliria te autorët antikë (Burime të Zgjedhura për Historinë e Shqipërisë vëllimi I), Tiranë, 1965, f.49, 50, 52, 61, 62, 67, 88, 89, 90, 92, 125, 129, 138, 155, 194, 152, 268, 419, 456, 487, 521, 558.

5-Burime tregimtare bizantine për Historinë e Shqipërisë, shek. X-XV, përgatitur për botim nga Koço Bozhori – Filip Liço, Tiranë, 1975, f.35, 376.

6-Alen Dyselje, Dalja në det e pricipatës së Kastriotëve prej fundit të shek. XIV deri në vdekjen e Skënderbeut, në: Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, Tiranë, 12-18 janar 1968, Tiranë, 1969, f. 124-125, 130-131; (referimi në vijim: A. Dyselje, Dalja në det e pricipatës së Kastriotëve).

7-Acta et Diplomata Res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia. Collegerunt et Digesserunt Dr. Ludovicus de Thallóczy, Dr. Constantinus Jireček et Dr. Emilianus de Sufflay. Volumen I (annos 344-1343 tabulamque geographicam continens), Vindobonae MCMXIII. Typis Adolphi Holzhausen. Volumen II (annos 1344-1406 tabulamque geographicam continens), Vindobonae MCMXVIII. Typis Adolphi Holzhausen. Vëll. I: f.258, 273; Vëll. II: f.263, 280; (referimi në vijim: ADA).

8-ADA, I, f.153, 157; II, f.100, 209; Dokumente për Historinë e Shqipërisë të shek. XV, I (1400-1405). Redaktor përgjegjës Aleks Buda, përgatitur nga Injac Zamputi dhe Luan Malltezi, Tiranë, 1987, f.123, 327, 330, 373, 376, 403, 454, 528-529; Joвaн Paдoнић, Ђуpaђ Kacтpиoт Cкeндepбeг и Apбaниja y XV вeкy, Бeoгpaд, 1942, f.81, 135, 305; (referimi në vijim: J. Paдoнић, Ђуpaђ Kacтpиoт).

9-ADA, I, f.111, 153, 157, 229, 234, 238.

10-ADA, II, f.54, 124 etj.

11-ADA, I, f. 238.

12-ADA, II, f.169.

13-ADA, II, f.169, 172, 176,183, 193, 199, 203, 206, 207, 218, 223,234, 236,238.

14-ADA, II, f.176, 183, 209, 211, 224.

15-ADA, II, f.170, 176, 183, 209, 211, 224.

16-ADA, II, f.176.

17-Giuseppe Valentini, Acta Albaniae Veneta Saeculorum XIV et XV Josephi Valentini S. J. labore reperta et transcripta ac typis mandata, I-XXV, München, 1967-1979 ; (referimi në vijim: AAV).

18-AAV, I, f.141, 262.

19-AAV, II, f.100, 229.

20-Historia e Popullit Shqiptar, vëllim i parë, Tiranë, 2002, f. 309, 323.

21- AAV, II, f.45.

22-AAV, II, f.56, 89.

23-AAV, II, f.10, 45, 55, 56, 89, 90, 96, 121-123, 127, 151, 174, 178, 206, 226-227, 256-257, 263, 272, 284, 287, 288, 300-301,315-316, 341, 373-375, 382, 385, 440, 441, 444, 453, 463, 465, 466,469, 500, 504.

24-AAV, II, f.122, 122-123, 127, 178, 226-227, 465.

25-AAV, II, f.10, 55, 178.

26-Dokumente për Historinë e Shqipërisë të shek. XV, I (1400-1405), redaktor përgjegjës Aleks Buda, përgatitur nga Injac Zamputi dhe Luan Malltezi, Tiranë, 1987, f.85, 105, 115, 123, 182, 120-122, 227, 239, 259, 262, 267, 293, 299, 305, 327, 330, 344, 373, 376, 385-387, 398, 403-404, 429, 454, 528-529, 530, 531, 538, 578; (referimi në vijim: Dokumente, I).

27-Dokumente, I, f.115, 123, 327,, 330, 373, 376, 403-404, 429, 454, 528-529.

28-Enciclopedia Italiana di scienze, lettere ed arti, Roma, MCMXXXIII, vol. XX, f.959.

29-Sime Ljubić, Listine o odnošajih izmedju Južnogo Slovenstva i Mletačke Republike, Zagrab, 1876-1891, vol. IX, f. 115, vol. X, f.127; ADA, II, f.2, 235; J. Paдoнић, Ђуpaђ Kacтpиoт, f.19, 41,152

30-J. Paдoнић, Ђуpaђ Kacтpиoт, f.109, 122.

31-Dokumente, I, f.373, 376, 403, 429,454.

32- Dokumente, I, f.330.

33-Dokumente, I, f.528-529.

34-Archivio Segreto Vaticano, Registro Laterano, vëll.485, fl.130v.

35-J. Paдoнић, Ђуpaђ Kacтpиoт, f. 138.

36-Agostino Pertusi, Martino Segono di Novo Bordo, vescovo di Dulcigno un umanista serbo-dalmato del tardo Quatrocento, Roma, 1981, f.103, 109, 235, 396; (referimi në vijim: A. Pertusi, Martino Segono).

37-J. Paдoнић, Ђуpaђ Kacтpиoт, f.81.

38-J. Paдoнић, Ђуpaђ Kacтpиoт, f.135.

39-Punimet e autorëve kryesorë që kanë shkruar për Formulën e Pagëzimi dhe Kuvendin Kishtar të vitit 1462 janë përfshirë në botimin: Formula e Pagëzimit (Kumtesa dhe artikuj), Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, 2008; (referimi në vijim: Formula e Pagëzimit).

40- A. Meksi, Vendndodhja, f.47.

41-Formula e Pagëzimit, f.125.

42-Formula e Pagëzimit, f.139-140.

43-Formula e Pagëzimit, f.145.

44-Lorenzo Tacchella, Le antiche sedi episcopali latine, greche e bulgare dell’Albania etnica e della Macedonia, Milano, 1990, f.85-88, 85, shën.439; (referimi në vijim: L. Tacchella, Le antiche sedi episcopali).

45-A. Meksi, Vendndodhja, f.33-44; Formula e Pagëzimit, f.125-126, 139.

46-Formula e Pagëzimit, f.106, 142.

47-A. Meksi, Vendndodhja, f.44, 46-48.

48-Po aty, f. 44-54.

49-A. Meksi, Vendndodhja, f.44.

50- A. Meksi, Vendndodhja, f.34 etj.

51-Nicola Jorga, Notes et extraits pour server à l’histoire des Croissades au Moyen-âge, IV, Bucarest, 1915, f.194-195, (referimi në vijim: N. Jorga, Notes et extraits, IV); J. Paдoнић, Ђуpaђ Kacтpиoт, f.135-136.

52-Kasem Biçoku, Për Skënderbeun, Tiranë, 2005, f.114; (referimi në vijim: K. Biçoku: Për Skënderbeun).

53-Lufta Shqiptaro-turke në Shekullin XV –Burime Osmane– përgatitur për shtyp nga Selami Pulaha, Tiranë, 1968, f.326-332, 346-362, (referimi në vijim: S. Pulaha, Burime Osmane); Турски Документи за историјата на мaкeдoнcкиoт нapoд Oпшepeн пoпиceн дeфтep нa Oxpидскиoт Caнџaк oд 1583 гoдинa, тoм VIII книгa 2, пepeвoд, peдaкциja и кoмeнтap Д-p Aлeкcaдap Cтojaнoвcки, Cкoпje, 2000, f.96-215; (referimi në vijim: A. Cтojaнoвcки, Дeфтep нa Oxpидскиoт Caнџaк)

54- AAV, XIX, 20.

55- A. Dyselje, Dalja në det e pricipatës së Kastriotëve, f.121155; K. Biçoku: Për Skënderbeun, f.67-90, 160-163, 174-176, 180-182, 185-218; K. Biçoku, Kastriotët, f.69-98.

56- J. Paдoнић, Ђуpaђ Kacтpиoт, f.87.

57- A. Pertusi, Martino Segono, f.39, 107: “Via Egnatia ex Epiro sive Dirachio per Emathiam in Thraciam progrediens”.

58-M. Barletius, De Obsidione Scodrensi, fl.11v (përkth. f.32).

59-Marinus Barletius, Historia de Vita et Gestis Scanderbegi Epirotarum Principis Cum Privilegio [Impressum Romae per B.V.] fl.Ir, Vv, XIv, LXIIIIv, LXXXIIIIr, CXIIIv, CXIIIIv, CXVIIv, CXXIv (përkth. shqip: Marin Barleti, Historia e jetës dhe e vepravet të Skënderbeut, Tiranë, 1964, f.50, 59, 77, 228, 282, 366, 368, 376, 388); (referimi në vijim: M. Barletius, Historia (përkth.).

60-M. Barletius, Historia, fl.XIv, CXVIIv, CLIIIIv (përkth., f.77, 377, 476).

61-M. Barletius, Historia, fl.XIv (përkth., f.77).

62-M. Barletius, Historia, fl.CXVv (përkth., f.371).

63-M. Barletius, Historia, fl.CXVIIv (përkth., f.377).

64-M. Barletius, Historia, fl.CLIIIIv (përkth., f.476).

65-Francisco Pall, I rapporti italo- albanesi intorno alla metà del secolo XV(Documenti inediti con introduzione e note storico-critiche), në «Archivio strorico per le provincie napolitane», IV, Napoli, 1965, f.224: “Sot ka ardhur një raguzian, i quajtur Mikel, pronar anije, i cili thotë se para pesë ditëve ishte nisur nga lumi i Bunës së Shqipërisëdhe…se zoti Skënderbe ndodhet në kamp me nja 16.000 veta dhe se çdo ditë kampi shkon duke u shtuar, se shqiptarët vrapojnë drejt tij. Edhe thotë se zoti Skënderbe ka qenë në Krujë…dhe se Ballabani…mbeti i plagosur prej një heshte në gryk dhe vdiq;para katër ditësh qe kapur vëllai i tij në një fshat dhe i kishin prerë kokën”

66-Gjovalin Shkurtaj, Vëzhgime rreth të folmeve të malësorëve të Bregut të Matës, të Ishullit të Lezhës e të Ishullit të Shëngjinit, në: “Studime Filologjike”, Tiranë, 1972, nr.2, f.81-121.

67- Halil Inalcik, Hicrî 835 tarihli Sûret-i Defter-i Sancak-i Arvanit, Ankara, 1954, tim. 335; S. Pulaha, Burime osmane, f.334-340, 364-366; A. Cтojaнoвcки, Дeфтep нa Oxpидскиoт Caнџaк, f.270-292.

68-K. Biçoku, Kastriotët, f.76.

69-M. Barletius, Historia, fl.CXVIIv (përkth., f.377).

70-N. Jorga, Notes et extraits, IV, f.194-195; J. Paдoнић, Ђуpaђ Kacтpиoт, f.135-136.

71-ADA, II, f.259; Archivio Segreto Vaticano, Registro Laterano, vëll. 255, 76v, 187v; Oliver Jens Schmitt, Arbëria Venedike (1392-1479), Tiranë, 2007, f.131, (referimi në vijim: O. Schmitt, Arbëria Venedike); K. Biçoku, Kastriotët, f.83, 89.

72-Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shekullin XVII, teksti origjinal dhe përkthimi përgatitur nga Injac Zamputi, vëllimi I (1610-1634), Tiranë, 1963, f.50, 53, 128-129; (referimi në vijim: I. Zamputi, Relacione, I).

73-I. Zamputi, Relacione I, f.286-287.

74-S. Pulaha, Burime Osmane, f.336; A. Cтojaнoвcки, Дeфтep нa Oxpидскиoт Caнџaк, f.294.

75- Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985, f.113. Në këtë botim makratoponimi Bregu i Matës është shkruar Bregu i Matit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency