Ferri sipas Eni Janit

0
263

Tre personazhe që “luajnë” me ndjenjat e njëri-tjetrit. Duhen dhe urrehen. Urrejtja shkon në ekstrem sa duan të vrasin njëri-tjetrin. Por ja që nuk vdesin dot, sepse janë të vdekur tashmë. Në një dhomë ferri, por jo ferri dantesk, por atij sartrian. “Me dyer të mbyllura” titullohet premiera që do të ngjitet në Teatrin Kombëtar në datat 1, 2, 3 nëntor. Regjisore Eni Jani. Të gjithë e njohim si aktore, por këtë herë Eni ka vendosur të na përballë me të si regjisore. Çdo ditë provash për të është një hap pranë premierës. Edhe pse shfaqja e parë si regjisore dhe përballë ka aktorë me përvojë, Eni Jani është më kërkuese se kurrë. Shfaqja është e gjitha në kokën e saj dhe nuk mund të ndryshojë asnjë detaj “sepse detajet bëjnë të tërën”, – thotë regjisorja.

 

Nga Monda Shima Haxhiaj

 

EniEni, ti ke mbaruar regji, edhe pse je marrë me aktrim…

Po, kam mbaruar regji, por më kanë tërhequr tek aktrimi, po nuk është se kisha vendosur ndonjëherë se kisha hequr dorë nga regjia, thjesht nuk kisha gjetur momentin e përshtatshëm, ose nuk kam qenë e përgatitur që të merresha me këtë gjë.

 

Do të ishte Sartri ai që do të të bindte t’ia bëje bam?

Po. Edhe pse Sartrin nuk e njoh sot. E njoh që kur isha studente. Kur kishin provimet si Fjala Artistike, Regjia, Mjeshtëria e Aktorit janë lëndë që duan s’duan të bëjnë të punosh me sa më shumë materiale dhe mes tyre ishte dhe Sartri. Është punuar dhe nga studentë të ndryshëm, dikush me monologë të një personazhi, një tjetër me një fragment në regji apo dikush tjetër e ka vënë të tërë pjesën “Me dyer të mbyllura” gjithmonë në kuadër të punëve të studentëve, sepse me sa kam unë njohuri nuk është vënë ndonjëherë në skenë si shfaqje profesioniste. Që atëherë e kam njohur dhe e kam pëlqyer por asnjëherë nuk e kam ndjer veten të përgatitur për t’u marrë me Sartrin, më dukej vetja gjithmonë e vogël që të merresha me Sartrin. Nuk mund të them që tashmë unë Sartrin e kam në majë të gishtave në kuptimin e tezave filozofike apo të filozofisë së tij, por me “Dyer të mbyllura” unë e kam pasur shumë qejf dhe kam punuar me të. E kam pasur gjithmonë në mendje dhe nuk e kam pasur asnjëherë të shkëputur dhe duke pasur në mendjen time këtë gjë gjithmonë e kam kujtuar, e kam punuar. Tani erdhi momenti, u krijua një lloj hapësire dhe thashë ‘pse jo’. E mendova që ishte momenti i përshtatshëm që të merresha me regjisurë.

 

Sartri, nuk të duket një sfidë e vështirë për punën e parë të një regjisori?

Shumë më kanë thënë që pse me Sartrin, është një pjesë e vështirë, mund ta kishe nisur me një pjesë më të thjeshtë. Por më pëlqen, më ka ngacmuar gjithmonë. Por një nga gjërat që thotë dhe Sartri te ekzistencializmi është: Nuk duhet të zgjedhësh rrugën më të thjeshtë për të bërë një gjë, por atë më të vështirën. Pa hyrë në teza filozofike, është tjetër gjë çfarë do të përcillet dhe çfarë do të thonë njerëzit lart e poshtë, por ti do të përpiqesh që të bësh më të mirën. Dhe unë i qëndrova tezës filozofike të Sartrit dhe po e nis me një pjesë të vështirë. Por pavarësisht vështirësisë që ka Sartri si autor për t’u zbërthyer nga ana filozofike, mendoj te kjo vepër gjërat janë shumë të sakta. Kam frikë se sot ë krijohet një handikap që duke qenë pjesë filozofike do të jetë shumë e vështirë për t’u kuptuar. Por “Me dyer të mbyllura” nuk hyn tek pjesët e absurdit, është tjetër absurdi dhe tjetër ekzistencializmi. Gjërat janë të thëna, është e zeza mbi të bardhë dhe është më se e dukshme, më se e qartë. Nuk ka probleme të mos depërtimit të asaj çka bëjnë personazhet, cili është konflikti. Spektatori mund ta perceptojë shumë thjesht atë që ndodh.

Gjatë provave pashë se je shumë ngulmuese në atë çka kërkon që në një fjalë të dalë nga teksti apo një lëvizjeje që ti nuk e ke menduar ashtu. Pra nuk i lë dorë të lirë aktorit… Duket se e ke të qartë në kokë të gjithën.

Po, është e vërtetë. Unë e kam të qartë të gjithën. Mendoj që kjo është puna e gjithë regjisorëve dhe jo vetëm imja. Mendoj që kështu funksionon një regjisor. Pastaj gjithsecili ka mënyrat e tij të punës dhe metodën e tij. Unë për vete jam që një punë të dalë sa më dinjitoze, sepse nuk mund të them që ky është perfeksioni që bëj unë apo do dalë një punë perfekte. E rëndësishme për mua është që kjo pjesë të depërtojë të publiku dhe të ndjehet që unë punuar me seriozitet dhe është një punë dinjitoze. Në këtë moment, duke pasur këto kërkesa nuk mund t’i lejoj që të më rrëshqasin gjërat.

As edhe një detaj?

Jo, sepse detajet bëjnë të tërën.

“Ferri janë të tjerët”, – thotë Sartri. Është aktualiteti i kësaj thënieje një tjetër arsye që ju çoi drejt Sartrit?

Pikërisht. Mbase një nga gjërat që thotë është pikërisht kjo, sepse unë e lexoj e shikoj, dhe dashur pa dashur se në fund të fundit ne në teatër ngremë jetën në një mënyrë simbolike dhe jepet një mesazh i caktuar që është dhe funksioni i teatrit. Ne duke qenë se jetojmë këtu dhe gjatë jetës nuk kemi hasur në atë çka thotë Sartri dhe në atë çka mund të kenë dhe personazhet vetë konflikte me njëri-tjetrin, pra pse mos ta vëmë, pse të nisemi me këtë idenë që është i vështirë ai si autor. Në fund të fundit kjo është jeta që po jetojmë.

Nga ana regjisoriale keni ndjekur një model të caktuar?

Nuk jam përpjekur fare dhe nuk kam parë asnjë vënie të mëparshme sepse nuk kam qenë asnjëherë partizane e këtyre zgjidhjeve. Dhe kur kam qenë aktore kemi vënë në skenë një vepër të caktuar dhe mund të me jetë servirur apo më është thënë që e kemi të filmuar dhe asnjëherë nuk kam pranuar. Sepse nuk dua. Sido të jetë ndikohesh. Në kokë të mbetet imazhi dhe në punë e sipër ajo të kujtohesh dhe do ta bësh. “Me dyer të mbyllura” nuk kam parë asnjë vepër dhe çdo gjë është gjetje e imja. Çdo gjë është ashtu siç unë e kam konceptuar dhe ashtu siç e kam menduar. Nuk është se jam përpjekur të bëj thjesht një vënie. Kam një koncept timin në këtë vënie, kam ndërhyrë dhe tek autori. Por këto i kupton dikush që e ka lexuar veprën. Spektatori që nuk e ka lexuar vjen e shikon dhe e merr ashtu siç është dhe nuk e ka shumë idenë se çfarë përpunimesh apo si kam luajtur unë me simbolin ose idenë brenda veprës. Sigurisht që unë kam trajtimin tim në vepër.

 

Stafi i aktorëve që keni zgjedhur për të mishëruar personazhet njihen, siç janë Neritan Liçaj, Adriana Tolka dhe Genci Fuga. Ndërsa Laura Nezha, një aktore e re. Kur vendosët që do vinit në skenë këtë pjesë, këta ishin aktorët që kishit menduar, apo ndryshuan gjatë rrugës?

Aktorët kanë lëvizur sepse kjo pjesë ka pasur dhe peripecitë e vetë, tamam ai Ferri.. Megjithatë nuk dua të flas për këtë. E rëndësishme është që jam drejt binishit. Jam e kënaqur me kastën e aktorëve. Personazhi i Estelës është specifik dhe jo çdo aktore të shkojë te ai personazh, ose së paku siç e kërkoja unë sepse çdo regjisor mund të ketë një trajtim ndryshe të personazhit. Isha në kërkim, kur më sugjeruan Laurën. Dhe kur ma kujtuan, se është dhe çështje kujtese se nganjëherë mund të fillosh punën dhe të del një aktor dhe kujtohesh dhe thua ‘ua si nuk më vajti mendja tek ky’. Në rastin konkret ma kujtuan dhe më goditi si nga pamja e jashtme se si rol Estele e do, dhe pse Laura nuk luan me pamjen e jashtme dhe unë kam luftuar shumë që të mos luhet me pamjen e jashtme sepse nuk dua të shitet roli vetëm nga ana e jashtme. Ato janë të ndërthurura bashkë, por nuk është qëllim në vetvete që ajo të pasqyrojë bukurinë. Kam tjetër hall. Laura është aktore e re, shumë e mirë. Vërtet e talentuar dhe nuk jam bërë pishman, sepse kur ta sugjerojnë të tjerët dhe nuk e njeh është një çikë ajo pikëpyetja nëse vërtet do jetë mirë. Por vërtet doli ashtu si më thanë. Ndërsa për Neritanin nuk kam çfarë të them, kemi vite që bashkëpunojmë dhe pse në raportin aktor-aktor, ndërsa tani jemi aktor-regjisor, por jemi dhe goxha miq.

Ka filluar të të shohë si regjisore?

Neri është shumë komod në punë. Dhe jo vetëm ai, por asnjë nga aktorët nuk ma kanë bërë të vështirë punën që për herë të parë regjisore dhe ti na bën regjisoren tani se Neri ka 20 vjet që punon. Por jo, nuk ka patur atë distancën. Është shumë korrekt, përqendrohet. Përpiqet të zbatojë çdo gjë. Dhe mos t’ju vijë çudi që ka aktorë të tillë që kur i kërkon të bëjë diçka, ai të thotë “S’është kjo, sepse e mendoj unë që nuk është se e di unë. Nuk do më mësosh ti mua” etj. Gjërat të kësaj natyre nuk kam pasur. Dana (Adriana Tolka) pastaj është shumë e përkushtuar, shumë e vëmendshme, përpiqet në maksimum që çdo gjë që i është thënë të realizohet siç duhet. Genci po ashtu, dhe pse roli i tij është më episodik. Kompleksitetin e së tërës e kanë tre të parët. Janë shumë kompleksë, që sa puqen, aq edhe largohen nga njëri-tjetri. Jo pa qëllim janë vënë te kjo dhomë, për të zbuluar në fund të vërtetën e ferrit. Ata hyjnë me një ide tjetër për Ferrin dhe përfundojnë me një tjetër ide.

Pra, prisnin të vuanin, ndërkohë që ata vetë ishin vuajtja për tjetrin…

Po. Ferri janë të tjerët…

Skenografia shumë e thjeshtë. Pse kjo zgjedhje?

Skenografia dhe kostumet janë bërë nga Manjola Mesarea. Ideja e veprës nuk është mbështetur në skenografi sepse si vepër mbahet tek aktori dhe skenografia nuk ndikon në idenë e veprës. Siç e kam konceptuar unë është një vepër që mbështetet tek loja e aktorëve, tek konflikti. Por skenografia është shumë e pastër, fine, korrekte. Ka dhe idenë e saj brenda simbolikës. Çfarë unë i kam kërkuar, skenografia i ka qëndruar besnike. Ka pasur dhe ajo ide interesante që më kanë ndihmuar se të vësh në skenë një shfaqje është bashkëpunim i të gjithë komponentëve.

Të vënit në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar të ka kushtëzuar në ide?

Së pari është një përgjegjësi shumë e madhe, por që kur e kam nisur është menduar që do jetë pikërisht në Teatrin Kombëtar.

 

“Me dyer të mbyllura” është vepra ku Jean-Paul Sartre doli me shprehjen e famshme dhe shumë të diskutuar: “Ferri janë të tjerët”. Tre shpirtrat e mallkuar, Garcin, Ines, dhe Estelle i kanë sjellë në të njëjtën dhomë në ferr nga një shërbëtor misterioz. Ata të gjithë presin tortura të tmerrshme për t’u ndëshkuar në përjetësi, por ndërkohë gjejnë një dhomë të modeluar në stilin e perandorisë franceze. Garcin (Neritan Liçaj) nuk pranon të jetë fajtor, ai thotë se u ekzekutua sepse ishte pacifist, ndërsa Estelle (Laura Nezha) këmbëngul se është bërë një gabim në dënimin e saj me vdekje. Vetëm Ines (Adriana Tolka) u kërkon të mos gënjejnë veten dhe të pranojnë krimet e kryera. Ajo refuzon të besojë se ata kanë përfunduar në atë dhomë rastësisht derisa kupton se ata i kanë vënë në atë dhomë pikërisht për ta bërë njëri-tjetrin të mjerë. Pasi debatojnë për një kohë të gjatë ato vendosin të tregojnë krimet që kanë kryer. Garcia tradhtonte dhe keqtrajtonte të shoqen. Ines joshi gruan e kushëririt të saj ndërkohë që jetonte me ta, ndërsa Estelle kishte një lidhje dhe më pas vrau foshnjën që lindi nga ky bashkim. Të tre krijojnë situata të vështira. Estelle mundohet të vras Inesin duke e goditur me thikë, por ky sulm është i kotë duke marrë parasysh se ata janë të vdekur. I tronditur nga absurditeti i fatit të tij, Garcia konkludon: Ferri janë të tjerët!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency