Prof. Civici: Koston e borxhit qeveria e re e gjen të ulur

0
137

Ervin Kaduku

 

Profesori Adrian Civici mendon se nuk kërcënohemi nga një krizë borxhi si e Greqisë. Borxhi shqiptar dhe struktura e tij janë aktualisht shumë më transparente se borxhi grek përpara shpërthimit të krizës

 

 

Ardian CiviSipas prof. Adrian Civici, lëvizjet e fundit të qeverisë për ndryshimet në buxhet (ulja e shpenzimeve me 16 miliardë lekë, në kushtet kur mosrealizimi i të ardhurave deri në fund të vitit pritet të jetë rreth 40 miliardë lekë dhe rritja e kufirit të borxhit me rreth 22-24 miliardë lekë) janë vendime e lëvizje që në gjuhën e lojës së shahut cilësohen si “me detyrim e përcaktim”. Duket se rishikimi dhe mbyllja e buxhetit të vitit 2013 është e kushtëzuar si nga nevoja për shkurtime e rivendosje të ekuilibrave financiarë, ashtu dhe nga realizimi i disa shpenzimeve të domosdoshme me natyrë operative apo investime publike. Mendoj se janë lëvizje të drejta, por të përkohshme në sensin e filozofisë së tyre si politika afatgjata. Do të jetë projektbuxheti i vitit 2014 dhe kryesisht paketa fiskale e re ato që do dëshmojnë se si pritet t’i realizojë objektivat e saj qeveria e re në sferën e qëndrueshmërisë fiskale, deficitit buxhetor, nivelit të borxhit dhe investimeve publike prodhuese që stimulojnë rritjen ekonomike.

 

Borxhi publik

Si po procedon qeveria me borxhin? Ministri i Financave ka deklaruar se borxhi deri në fund të vitit mund të arrijë deri në 72% të PBB-së. Prof. Civici mendon se ky është tashmë një nivel i rrezikshëm për një ekonomi të brishtë dhe të prekur nga kriza si ekonomia shqiptare, aq më tepër që edhe rritja jonë ekonomike për 2-3 vitet e ardhshme nuk pritet ta kalojë nivelin 2-2.5%. Në këtë sens, kosto dhe detyrimet e shërbimit të borxhit bëhen një barrë e rëndë për buxhetin dhe stabilitetin e financave shqiptare. I vetmi “avantazh” që ne kemi në këto momente në lidhje me borxhin e brendshëm është se kosto e tij është e ulët si pasojë e normave të ulëta të interesit në tregun e bonove të thesarit. Nëse Shqipëria duhet të kërkojë një borxh të ri, dhe shenjat janë të dukshme që kjo do ndodhë, ndoshta është më e përshtatshme të bëhet në tregun e huaj në monedhë të huaj, euro ose dollarë amerikanë dhe për periudha sa më afatgjata, pasi një borxh i ri në tregun e brendshëm do ta thante akoma më shumë disponibilitetin e bankave për t’i dhënë kredi biznesit dhe konsumatorëve individualë.

 

Politika e zhvillimit

Rritje e borxhit për të nxitur rritjen ekonomike dhe apo masa shtrënguese me synim uljen e borxhit, cila politikë do të ishte më e përshtatshme në kushtet aktuale të ekonomisë shqiptare? Eksperti i ekonomisë mendon se kjo është sot dilema dhe debati më i ashpër që zhvillohet ndërmjet ekonomistëve, që ka gjetur vend në shumë institucione të rëndësishme si BQE, Fed, BE dhe Eurozona, FMN, Banka Botërore, OCDE, qeveri të ndryshme evropiane etj. Deri tani, në filozofinë dhe politikat për stabilitetin e financave publike dhe përballimin e krizës ka mbizotëruar versioni ortodoks, i udhëhequr nga FMN-ja e Gjermania se vetëm rigoroziteti i ashpër financiar dhe ekuilibrimi sa më i shpejtë i treguesve buxhetorë e fiskalë bën të mundur suksesin e shpejtë, megjithëse të dhimbshëm në efektet e tij në ekonominë reale dhe çështjet sociale. Por, në muajt e fundit, kryesisht nën ndikimin e ekonomistëve amerikanë neokeynesianistë si Krugman, Stiglitz, apo ish-kryeministri Mario Monti në Itali etj., po përvijohet ideja se politikat e reduktimit të borxheve sovrane duhen të jenë më të buta, më afatgjata dhe mbi të gjitha të kombinuara me politika stimuluese të rritjes ekonomike. Mendoj se kjo logjikë është më e përshtatshme edhe për Shqipërinë në këto momente. Ne duhet të kombinojmë sa më mirë masat për balancimin e financave publike me masat për nxitjen e rritjes ekonomike. Që Shqipëria të mos jetë e rrezikuar nga pesha e rëndë e borxhit publik, duhet që brenda disa viteve, ne të arrijmë një nivel borxhi nën 50% dhe një nivel rritjeje ekonomike mbi 4%.

 

Kriza greke

Prof. Civici mendon se nuk kërcënohemi nga një krizë borxhi si e Greqisë. Borxhi shqiptar dhe struktura e tij janë aktualisht shumë më transparente sa borxhi grek përpara shpërthimit të krizës. Marrëdhëniet tona me FMN-në, qoftë dhe vetëm në kuadrin e “artikullit 4”, e kanë evidentuar çdo vit formën dhe natyrën e këtij borxhi. Aq më tepër, që së shpejti, pritet që FMN-ja të jetë më prezente në Shqipëri për monitorimin e sektorit financiar e monetar dhe mbi të gjitha, për të dhënë gjithë rekomandimet e specializuara për politika adekuate “antiborxh” dhe “antideficit buxhetor” të cilat ne duhet t’i aplikojmë me rigorizitet.

 

Perspektiva

Por, duhet që brenda disa vitesh ne të kalojmë në një situatë buxhetore pa deficit primar, qoftë kjo edhe duke pranuar disa kosto sociale apo elektorale. Dhe pastaj gradualisht të shkojmë drejt axhustimit të nivelit të borxhit në një periudhë afatmesme. E rëndësishme është, që çdo borxh i ri të merret ekskluzivisht për investime rentabël në ekonomi, për investime që rrisin punësimin, eksportet dhe shfrytëzimin e burimeve prodhuese vendase. Duhet të heqim dorë nga praktikat e kushtueshme që të bëjmë vepra madhore me shpenzimet buxhetore, pasi kjo mënyrë destabilizon financat dhe rrit oreksin e tyre për borxh. Të paktën, në shumicën e vendeve të ngjashme me Shqipërinë, veprat e mëdha të infrastrukturës apo ekonomisë bëhen kryesisht me IHD, koncesione, projekte evropiane etj.

 

Besueshmëria

Sa të realizueshme janë premtimet e qeverisë së re për uljen e një sërë taksash (kryesisht niveleve të TVSH), përshkallëzimin e tatimit mbi të ardhurat, rritjen e pritshme të tatimfitimit, në kuadrin e domosdoshmërisë për konsolidim fiskal? Civi mendon se

uljet e taksave po bëhen çdo ditë e më pak të mundura, natyrisht jo në tërësinë absolute të tyre, pasi përjashtime dhe nevoja emergjente ka në çdo çast. Në këtë fundviti 2013, mosrealizimi i të ardhurave në buxhet, përveç efekteve të krizës, informalitetit apo uljes së konsumit, reflekton dhe politikën e uljes së taksave, në njëfarë mënyre garën paraelektorale për uljen e taksave. Për sa i përket tatimit mbi të ardhurat, kjo është një pikë delikate që kërkon vëmendje ndaj ndjeshmërisë së bizneseve dhe individëve, analizë krahasuese me vendet e rajonit, në mënyrë që të mos humbim në nivelin e konkurrueshmërisë, dhe mbi të gjitha rekomandimet e fundit të FMN-së që qeveria të jetë sa më transparente dhe sa më e përmbajtur në ndryshime të shpeshta të regjimit fiskal.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency