Ish-drejtori i Borxhit: Masat qeveritare, negative për ekonominë

0

Ervin Kaduku

 

 

Xhentil Demiraj, ish-drejtor i Përgjithshëm i Menaxhimit të Borxhit Publik, pranë ministrisë së Financave, mendon se zgjidhja e problemeve aktuale të arkës së shtetit qëndron në rritjen e të ardhurave, jo në shkurtimet

 

 

 

Ministria-e-FinancaveSipas njërit prej zyrtarëve më të lartë të ministrisë së Financave gjatë legjislaturë së fundit, ulja e shpenzimeve buxhetore aktualisht është në nivelin e minimumit të mundshëm, duke pasur parasysh se kanë mbetur më pak se 3 muaj nga përfundimi i vitit fiskal dhe hapësira për të bërë modifikime në shpenzime është shumë e kufizuar. Xhentil Demiraj shprehet se manovrimi më i mundshëm është ulja (shtyrja, mbase) e disa investimeve të filluara, por edhe kjo s’është pozitive për ekonominë, vetëm se do të ishte një masë e detyruar në këtë moment.

 

Të ardhurat

Problemi i vërtetë, sipas Demirajt, qëndron në çështjen e të ardhurave: një rënie kaq e madhe e të ardhurave është vështirë të akomodohet në periudhë kaq të shkurtër dhe qeverisë i duhet të marrë masa tejet urgjente dhe efikase për ristabilizimin e ritmit të mbledhjes së të ardhurave fiskale. Në këtë aspekt, tranzicioni i gjatë paszgjedhor i ka shërbyer negativisht vendit, thotë ai.

Sipas ekspertit Demiraj, niveli 72-73% në raport me prodhimin e brendshëm bruto i borxhit publik, që ka përmendur, në disa raste kreu i Financave Shkëlqim Cani, është mjaft i rrezikshëm, nëse nuk adresohen me shpejtësi faktorët për zgjidhjen e situates, të tillë si rritja e menjëhershme dhe e konsiderueshme e nivelit të të ardhurave në buxhet, menaxhimi i kujdesshëm i shpenzimeve, mbajtja hapur e kanaleve të ndryshme për financimin e qëndrueshëm të nevojave të buxhetit (përfshirë roll-overin dhe shlyerjen e borxhit ndaj kreditorëve), rikthimi i besimit dhe optimizmit në ekonomi.

Gjithsesi, thotë ai, kur flasim për nivele të tilla të borxhit, duhet të kemi parasysh se bazohet në një vlerësim ne nivelin e 500-600 milionë dollarësh të borxhit ndaj biznesit. “Deri në evidentimin e saktë dhe përfshirjen në buxhet të këtij borxhi, mendoj se raporti i borxhit ndaj PBB-se nuk do jetë mbi 68%”, – deklaron Xhentil Demiraj.

 

Kreditimi

Nëse Shqipëria merr borxhe, për çfarë duhet t’i përdorë ato? Për ekspertin e Financave, për ekonominë shqiptare, ky është një moment i pazakontë, që implikon marrjen e masave disi të kundërta në afatshkurtër, krahasuar me ato në afatmesëm: nëse në afatshkurtër objektivi primar është konsolidimi fiskal (rritja e të ardhurave, ulja e të gjitha llojeve të shpenzimeve), në afatmesëm është rikthimi i rritjes së lartë dhe të qëndrueshme, që midis te tjerash nënkupton edhe rritjen e shpenzimeve kapitale. Nëse financat publike nuk stabilizohen shpejt, kalimi i ekonomisë në krizë të plotë është thuajse i pashmangshëm. Në afatmesëm, ka një sërë masash dhe reformash që duhen ndërmarrë në mënyrë që ekonomia të rritet qëndrueshëm dhe borxhi të reduktohet gradualisht. Nuk ka shumë rëndësi se sa në ç’nivel ekzakt do të jetë borxhi në vitin x a y, por ka rëndësi që ky nivel të futet në një trajektore të qëndrueshme rënieje, thekson ai.

Lidhur me rrezikun se mos Shqipëria rrezikon një “skenar grek”, ai shprehet se nuk e beson një gjë të tillë, duke marrë parasysh faktin se ekonomia shqiptare është ende në rritje dhe borxhi i ri merret ende për investime, jo për shpenzime operative. Megjithatë, nëse nuk identifikohen dhe zhvillohen shpejt burimet e rritjes, kombinuar me përmirësimin e qëndrueshëm të mbledhjes së të ardhurave dhe menaxhimin eficient të shpenzimeve, ekonomia e vendit do të qëndrojë e rrezikuar, thekson Demiraj.

 

Objektivat

Padyshim, faktori më i rëndësishëm është rritja e qëndrueshme dhe e lartë e ekonomisë, në nivelin e potencialit të saj (rreth 6%/vit), thekson ish-drejtori i Borxhit. Që kjo të arrihet me sukses, duhen identifikuar dhe zhvilluar shpejt burimet e rritjes, duhet përmirësuar klima e biznesit dhe duhen ndërmarrë reforma te thella institucionale që sjellin besimin e investimit në vend, duhet zgjidhur drejt, shpejt dhe pa konflikt social çështja e pronave, duhet zhvilluar sa më shpejt infrastruktura energjetike e vendit, përfshirë burimet alternative; duhet investuar me efikasitet në arsimin profesional, në zhvillimin e turizmit, të kapaciteteve agro-përpunuese, etj. Pra, në esencë, ekonomia e vendit duhet të bëhet më produktive dhe më konkurruese, duke zhvilluar me shpejtësi dhe efikasitet avantazhet e saj konkurruese.

Të gjitha masat mësipërme kanë të bëjnë me rritjen e qëndrueshme të ekonomisë, dhe jo menaxhimin e borxhit në vetvete. Sigurisht që ka gjëra që duhen bërë më mirë dhe me menaxhimin e borxhit, por tek e fundit niveli i qëndrueshmërisë së borxhit publik varen principalisht nga ekonomia e vendit.

 

Premtimet qeveritare

Të gjitha premtimet në fushën fiskale, të bëra nga qeveritarët deri tani, nuk janë të mundura që të zbatohen në këtë moment, pa u evidentuar fillimisht aftësia e qeverisë për mbledhjen e të ardhurave, si dhe aftësia e saj për të bërë reforma strukturore të qëndrueshme, sipas tij.

Në këtë moment, thekson ai, qeveria thjesht nuk ka luksin për të zgjeruar bazën dhe thelluar nivelin e përfitimeve sociale, pa rrezikuar qëndrueshmërinë e financave publike.