“Adem Jashari” bashkon Ramën, Thaçin dhe Erdogan

0
147

Kryeministri turk:  Kosova është Turqi dhe Turqia Kosovë

Detajet e ceremonisë dhe axhendës së tre kryeministrave në Kosovë

Gëzim Saliu

erdogan, thaci, ramaCeremonia e përurimit të terminalit të ri në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” mblodhi dje bashkë në Prishtinë kryeministrat e Shqipërisë, Kosovës dhe Turqisë. Rexhep Taip Erdogan, Edi Rama dhe Hashim Thaçi përcollën mesazhe paqeje e sidomos bashkëpunimi, duke theksuar partneritetin strategjik mes këtyre tri vendeve. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se ceremonia e djeshme ishte një rast kuptimplotë për të qenë krenar dhe mirënjohës për Kosovën. Sipas Ramës, aeroporti i Prishtinës nuk mund të kishte një emër më të goditur, sesa atë të njeriut që i dha krahë ëndrrës së Kosovës së lirë e të pavarur. “Kam privilegjin e madh të të qenit në krah të dy miqve dhe dy bashkudhëtarëve kaq të nderuar në rrugën e përbashkët të partneritetit strategjik mes nesh, për të mirën e popullit shqiptar dhe të popullit turk, dhe për të forcuar bashkëpunimin mes tri shteteve tona”, – tha Kryeministri. Ndërkohë, kreu i qeverisë turke foli për marrëdhëniet e hershme mes Turqisë dhe shqiptarëve, duke theksuar: “Turqia është ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu, ajo ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë kontribut për zhvillimin e gjithanshëm të saj, pasi për ne Kosova është një vend me të cilin kemi histori dhe kulturë të përbashkët”. Nga ana e tij, Kryeministri Thaçi ndau me të pranishmit në ceremoni kujtime të udhëtimit të tij të parë. “Prandaj, të nderuar kryeministra, vëllezër Edi dhe Rexhep, kujtoj sot se si Prishtina hapi dyert e këtij aeroporti për mua. Për herë të parë prej tij bëra udhëtimin me një avion ushtarak francez, nën mbrojtjen e NATO-s dhe i shoqëruar nga delegacioni kosovar, për në konferencën e Rambujesë”, – tha Thaçi.

 

Ceremonia

I ftuari i parë, i cili u ul me helikopter në pistën e vjetër të terminalit të ri, ka qenë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Pas tij edhe Kryeministri i Turqisë zbriti në aeroport edhe Rexhep Taip Erdogan, ku të dy krerët e qeverive u pritën nga Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe që të tre së bashku hapën solemnisht terminalin e ri të aeroportit. Dy kryeministrat Thaçi e Rama nuk i kursyen lëvdatat apo thirrjet “mik” e “vëlla” ndaj homologut turk. “Kryeministri Erdogan është miku dhe vëllai ynë i pandarë në ditë me diell arritjesh të bukura si kjo e sotmja, por dhe në kohë të vrenjtura kur miqtë e vërtetë dallohen mbi të tjerët. Askush nuk do ta harrojë përkushtimin dhe mbështetjen e tij të paçmuar për pavarësinë e Kosovës”, – deklaroi kreu i qeverisë shqiptare. Në të njëjtën linjë, Thaçi theksoi se Turqia ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. “Erdogan është njeriu i parë që njohu pavarësinë e Kosovës, prandaj bashkëpunimi ndërshtetëror, por edhe i popujve midis dy vendeve do të jetë jo vetëm i shkëlqyeshëm por edhe vëllazëror”, – tha ai duke e cilësuar Kosovën si shtetin e mundësive të mëdha. “Kosova është një shtet i mundësive të mëdha, i mundësive të reja, i mundësive evropiane. Sot një muaj do të përurojmë autostradën më të mirë në rajon. Të gjithë së bashku po e ndërtojmë Kosovën e re, Kosovën si atdhe të të gjithë qytetarëve të saj, po ndërtojmë Kosovën e ëndrrave tona, Kosovën evropiane”. Të pranishëm në ceremoninë e djeshme ishte familja e komandantit të UÇK-së, heroit të kombit Adem Jashari, emrin e të cilit mban aeroporti, si dhe politikanë të tjerë të Kosovës dhe ndërkombëtarë. Ndërkohë, vetëm nga Turqia erdhën mbi 600 mysafirë.

Prizren

Pas përurimit të terminalit të ri, tre kryeministrat, ai i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministri i Turqisë Rexhep Taip Erdogan dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u zhvendosën në qytetin e Prizrenit. Në këtë vizitë, Erdogan shtoi dozën e emocioneve në deklaratat e tij, duke theksuar se lidhjet ndërmjet shqiptarëve dhe Turqisë janë më të thella nga sa janë në dukje, pasi, sipas tij, Kosova është Turqi dhe anasjelltas. “Në Kosovë ndihem si në shtëpi. Prizreni është një nga shembujt e bashkëjetesës fetare. Mos harroni, Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi. Nuk lejojmë të derdhet më gjak në Ballkan. Ne duam që rajonin e Ballkanit ta shohin të gjithë si një rajon të paqes, miqësisë dhe vëllazërisë. Ne duam që në këtë rajon të zotërojë paqja, mirësia, solidariteti. Ne duam që të kemi diversitete dhe ato të konsiderohen si kulturë. E kaluara do të mbetet mbrapa. Ne duhet të tregojmë shembullin e bashkëjetesës fetare. Jo më gjakderdhje në Ballkan. Jemi njerëz me një kulturë dhe një histori të përbashkët. Mos e harroni këtë. Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi”, – u shpreh Erdogan. Në këtë kontekst, për të dëshmuar edhe më shumë lidhjet e forta mes dy popujve, Kryeministri turk tha se edhe himnin kombëtar të Turqisë e ka shkruar një shqiptar me origjinë nga Peja.

 

Rexhep Taip Erdogan

Nuk mund të duroj më që në Ballkan të derdhen më lot. T’i lemë mënjanë diversitetet dhe të zhvillohen me larmi këto diversitete. Tani e kaluara ka mbetur mbrapa. Ne çfarë do të bëjmë nuk do të shikojmë mbrapa, por drejt së ardhmes dhe të përparuarës. Ne tani duam që rajonin dhe Ballkanin ta shohim si një zonë të paqes, të vëllazërisë, për këtë kemi shembuj edhe nga historia.

Edi Rama

Nuk mund të kishte një emër më të goditur për aeroportin e Kosovës së pasluftës sesa emri i njeriut që i dha krah me jetën dhe vdekjen e tij ëndrrës së Kosovës së lirë dhe të pavarur, shtet në mes të Evropës. Adem Jashari është emri i krenarisë së këtij vendi dhe nga sot Kosova do të presë me krenari nga kjo portë miqtë e vet që shtohen dita-ditës

Hashim Thaçi

Kosova është një shtet i mundësive të mëdha dhe ne bashkarisht po e shndërrojmë Kosovën në një kantier ndërtimi dhe këtë muaj ne do të inaugurojmë autostradën më të mirë në rajon. Ne sot po ndërtojmë Kosovën e ëndrrave tona, Kosovën evropiane.

 

Terminali i ri Adem Jashari

Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” nga dje ka një terminal të ri. Aeroporti i ishte dhënë me koncesion konsorciumit turko-francez “Limak Aeroport de Lyon”, në vitin 2010, për një periudhë 20-vjeçar. Terminali ka një sipërfaqe prej 42 mijë metrash katrorë, ndërsa kostoja e investimeve është rreth 130 milionë euro. Sipas marrëveshjes me Partneritetin Publiko-Privat, ky terminal ishte parashikuar të ndërtohej 27.000 metra katrorë përderisa “Limak” pothuajse ka dyfishuar këtë hapësirë, duke e zgjeruar atë në 42.000 metra katrorë përfshirë këtu edhe urat ndërlidhëse për udhëtarë nga 3 në 4. Ajo që është pjesa më mbresëlënëse e terminalit është përmendorja e Adem Jasharit në hyrje të terminalit. Pas ndërtimit të terminalit, aeroporti do të ketë edhe transport publik, që do të ketë orar të caktuar për transportimin e pasagjerëve prej aeroportit në kryeqytet dhe anasjelltas.

 

Detajet

Kryeministri turk Erdogan shoqërohej në vizitën e tij në Kosovë nga një delegacion prej 600 personash

Përpos masave të larta të sigurisë, gjatë tubimit në Prizren nuk munguan incidentet, ku në një prej tyre, policia ndaloi një qytetar i cili tentoi të shkonte të përshëndeste kryeministrat

Kryeministri Edi Rama ishte i pari që përuroi terminalin e ri të aeroportit të Kosovës, ku u ul në pistë me një helikopter

Të tre kryeministrat në të gjithë itinerarin e axhendës së djeshme u shoqëruan nga bashkëshortet e tyre, ku veçanërisht për kreun e qeverisë, Hashim Thaçi, ishte ndër të paktat rast kur ai shfaqej me bashkëshorten e tij.

E pranishme në ceremoninë e djeshme të përurimit të terminalit ishte familja e komandantit të UÇK-së, heroit të kombit Adem Jashari, emrin e të cilit mban aeroporti. Mediat kosovare kritikuan Kryeministrin Thaçi për mospërshëndetjen e familjes së Adem Jasharit. “Kryeministri kosovar një kohë të gjatë në fillim të fjalimit të tij e ka kaluar duke i përshëndetur të gjithë, me përjashtim të familjes Jashari. I gjithë fjalimi i Kryeministrit të krijonte përshtypjen se të gjitha meritat për të arriturat i takojnë vetëm atij, ndërsa krejt në fund të fjalimit e përmend shkurt vetëm Adem Jasharin”, – shkruante “Zëri”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency