Milani dhe Barcelona ndahen në San Siro me paqe

0
128

Jurges Veizaj

 

Një ndeshje që pati momentet e saj minutat e para, kur u shënuan edhe golat. U pa qartë një dominim i Barcelonës, por që nuk arriti të finalizonte

 

 

1381035_251728741642283_1919506207_nNjë pjesë e parë e nisur me shumë temp të lartë nga të dyja skuadrat. Milani i Alegrit shfaqet një ekip me fytyrë të re. Edhe pse pa Balon, duket se ekipi funksionon më së miri. Milanezët përpiqen që të luajnë nga krahët me topa të gjatë, në mënyrë që të vënë në vështirësi kundërshtarët, ndërsa katalanasit luajnë me tika-takan e tyre tashmë paksa të ndryshuar me ardhjen e Tata Martinos. Ndeshja duket e ekuilibruar nga të dy krahët. Mirëpo, siç ka ndodhur edhe më para, janë italianët ata që shënojnë të parët. Kësaj radhe nuk është Pato, por braziliani tjetër Robinjo. Motoçikleta arrin të mposhtë Valdesin dhe ta çojë skuadrën në epërsi. Pas golit Barcelona është ajo që tenton të marrë frenat e lojës në dorë, por Kaka me shokë mundohen që ta mbajnë topin në gjysmëfushën e katalanasve. Mirëpo, faza defensive kësaj radhe nuk lejon gabime dhe e çojnë topin në gjysmëfushë, aty ku mund ta zotërojnë. Barcelona fillon dhe hyn në lojën e saj dhe realizon shumë aksione në kërkim të golit. I dalluar te Milani është Konstant, i cili markon shumë mirë krahun e Daniel Alveshit dhe lë pak vend për lëvizje. Dhe duket se të gjitha përpjekjet do të kompletoheshin me një gol. Mesi është autori i golit. “Pleshti” arrin që të futet në zonë mirë dhe në dyluftim e sipër arrin ta shtyjë topin drejt portës së Amelias, që nuk kishte se çfarë të bënte, veçse ta nxirrte jashtë saj. Në minutat e tjera ishte një lojë kryesisht e përqendruar në gjysmëfushën e Milanit. Mesi dhe Nejmar me shokë tentonin të shkonin drejt golit të dytë, por ishin vetëm raste të shpërdoruara. Një Barcelonë që zotëron topin, ndërsa Milani përpiqet të arrijë diçka me anë të kundërsulmit. Kështu, skuadrat do të shkonin në dhomat e zhveshjes me një rezultat të barabartë. Ndërsa pjesa e dytë është më shumë taktike, pasi të dyja skuadrat fillojnë të mendojnë se si të ruhen dhe të fitojnë ndeshjen. Milani ndërron autorin e golit, Robinjo, për të futur në lojë Balotelin. Italiani rikthehet te Milani pas disa kohe dhe mes shumë polemikash, nëse do të aktivizohej apo jo në këtë sfidë. Ndërkaq, sfida ruan të njëjtën panoramë me atë të së parës: me një Barcelonë që luan më shumë dhe një Milan që tenton të fitojë me pak mundim në sulm. Alegri bën një zëvendësim tjetër, duke futur Polin në vend të Birsës për t’i dhënë më shumë freski sulmit. Barcelona nga ana e saj ndërron vetëm Sançezin me Fabregasin për të bërë më pak defensive lojën. Shumë finte nga ana e katalanasve, por që e kanë të vështirë të depërtojnë në zonën e fundit, aty ku shumë lojtarë të Milanit mbrojnë portën e Amelias. Një rast të mirë ka Muntari, i cili del shumë mirë në zonë, por që bllokohet në momentin e fundit dhe topi përfundon në duart e Valdesit. Ndërsa pak më parë kishte qenë Barcelona ajo që tentoi për shënim goli. Është Adriano që del ballë për ballë me portën, por që tregohet i pasaktë, duke e nxjerrë topin jashtë. Ndërkaq, topi vazhdon të endet në mesfushë dhe në zonën e Milanit duket se minutat e fundit po japin edhe më shumë presion. Loja blindohet para mbrojtjes së Milanit, aty ku Mesi dhe Pedro që zëvendësoi Nejmarin, mundohen të realizojnë golin e fitores. Ekipi i Alegrit e ka të vështirë të dalë para, kështu që zë vend para portës së tyre për të mos lejuar gol. Për Milanin do të ishte një humbje e rëndë edhe në San Siro, pasi skuadra ka disa kohë që nuk është në formë dhe shumë e komentojnë se është në rënie të lirë. Baloteli me Polin duket se nuk kanë mundësinë të tregojnë veten, pasi skuadra e tyre është e përqendruar në fazën mbrojtëse. Barcelona tenton të çajë nga krahët, por duket tepër të vështirë me murin që është ndërtuar. Kështu, ndeshja do të mbyllej me shifra të barabarta, duke u dhënë skuadrave nga një pikë. Një sfidë në San Siro që nuk pati fatin e vitit të shkuar.

 

 

Ndeshjet e Ligës së Kampioneve

Steaua e Bukureshtit          1-1      Bazel

Shalke 04                  0-3      Çelsi

Marsejë                      1-2      Napoli

Arsenal                                  1-2      Borusia e Dortmundit

Austria e Vjenës                   0-3      Atletiko Madrid

Porto               0-1      Zenit Petërburg

Sëlltik                         2-1      Ajaks

Milan              1-1      Barcelona

 

 

Osvaldo me sytë drejt Italisë

Mund të zgjasë vetëm pak muaj aventura e Osvaldos në Premier League. Sulmuesi i Sauthemptonit, i blerë nga Roma në verë për 13 milionë paund, ka shprehur dëshirën që të largohet nga Anglia dhe të rikthehet në Argjentinë, por më parë synon të luajë sërish në Itali. “Daily Mirror” shkruan se Juventusi e kërkon në formë huazimi deri në fund të sezonit, por në garë është gati të futet edhe Interi që e shikon Osvaldon si zgjidhje për problemet e vazhdueshme fizike të Militos. Përshtatja e italo-argjentinasit në kampionatin anglez nuk ka ecur ashtu siç pritej, por nuk është vetëm kjo arsyeja e largimit të mundshëm. Vetëm një gol në 7 ndeshje dhe një pozicion jo shumë i preferuar në fushë kanë ftohur raportet me trajnerin Maurisio Poketino, me të cilin Osvaldo ka kërkuar të diskutojë për të ardhmen. Ekipet që e kërkojnë në Serinë A nuk mungojnë dhe në horizont duken që tani oferta konkrete për të. Dëmtimi i Militos mund ta sjellë ish lojtarin verdhekuq në Milano dhe për Maxarrin do të krijonte një çift ideal në vijën e sulmit bashkë me algjerianin Belfodil. Por ka edhe një kandidaturë tjetër nga Italia, është ajo e Juventusit. Bardhezinjtë mendojnë ta marrin në huazim për ta blerë më pas në fund të sezonit.

 

 

 

Talenti kroat në janar pjesë e Bajernit

Nuk është Lionel Mesi që është lojtar te Barcelona, por ai që prej disa kohësh konsiderohet si trashëgimtari i tij evropian, Alen Haliloviç. Ndaj talentit të lindur në vitin 1996 të Dinamos së Zagrebit ushtron presion Totenhemi dhe gjysma e Evropës, por është Bajerni i Mynihut ai që zë “pole position” në preferencat e lojtarit. Një goditje e bukur me kosto zero për 20 vitet e ardhshme. Edhe në merkato bavarezët konfirmohen si një klub avangardë, disa metra larg ndjekësve. Programacion, politikë ekonomike perfekte dhe ndjekje në nivelin më të lartë të talenteve nëpër botë. Pas triumfit të trefishtë erdhi Guardiola, trajneri më i mirë në botë. Tani mund të vijë edhe një Mesi, Alen Haliloviç, fenomeni kroat 17-vjeçar që e kërkojnë të gjithë të mëdhenjtë. Për më tepër mund të shkojë në “Allianz Arena” me kosto zero, duke lënë me gisht në gojë Totenhemin që ka ofruar një shumë jo të vogël për të. Por Bajerni është Bajern dhe presidenti i Dinamos së Zagrebit, Mamiç, do të kuptojë, edhe pse propozimet për xhevahirin e tij nuk i mungojnë. Edhe Interi, Juventusi dhe Milani ishin interesuar para se çmimi i tij të ngrihej në mënyrë proporcionale. Gjithsesi, Haliloviç dhe sidomos i ati i tij kanë zgjedhur Bajernin dhe vështirë se mund të bëhet ndonjë gjë për t’i bërë të ndryshojnë mendje. Klubi gjerman është një garanci për të ardhmen e djaloshit dhe këtë i ati i tij e di mirë. Nuk ka rëndësi se “Spurs”-at i kanë ofruar 20 milionë paund, Haliloviç është i destinuar ta lërë Kroacinë me kosto zero.

 

Ançeloti i frikësohet Juves, Konte ndërron modul

 

Sfida më emocionuese do të jetë ajo midis Realit të Madridit dhe Juventusit. Një klasike emocionuese që ka shumë për të dhënë. Në intervistë për këtë sfidë ka folur Karlo Ançeloti para mediave përkrah të cilit ishte edhe Ronaldon. Një ndër daljet e rralla të portugezit, prandaj edhe ai vetë përpiqej të ishte i rezervuar për të mos shkaktuar polemika. Kështu, i pyetur për situatën e Kasijasit, Ronaldo tha se ka një opinion të vetin, por nuk dëshiron probleme dhe preferon heshtjen. Në lidhje me Bejlin, numri 7 i “Los Blancos” deklaroi se mbi uellsianin është vënë shumë presion, për shkak të çmimit rekord të blerjes së tij nga Totenhemi, por siguroi se ai është i qetë dhe do të japë maksimumin për skuadrën. Juventusi është një nga të paktat skuadra që nuk ka pësuar gol nga Kristianoja, kjo për arsye se ai nuk e ka pasur asnjëherë rastin të përballet me bardhezinjtë, të cilët 10 vjet më parë ishin shumë pranë tij. “Është e vërtetë që kam qenë pranë Juves, por në fund firmosa me Mançester Junajtidin. Tani jemi të fokusuar te kjo ndeshje dhe duhet të jemi të motivuar më pas për “klasiken” me Barcelonën. Nuk besoj se kjo javë do të jetë vendimtare për fatin e skuadrës, por gjithsesi është e rëndësishme”, – ka thënë ylli galaktik. Edhe tekniku italian i madrilenëve përpiqet të karikojë në maksimum ekipin dhe nuk i jep shumë rëndësi rënies dramatike të Juventusit kundër Fiorentinës në kampionatin italian. “Forca e Juves është organizimi që ka ndërtuar në këto dy vjet. Ky është rreziku dhe jo ndonjë lojtar në veçanti, si Vidal për shembull. Janë të rrezikshëm në kundërsulme dhe kanë Pirlon që është i jashtëzakonshëm. Kemi një javë të rëndësishme, por mendoj se Barça-Real është thjesht një ndeshje. Gjithsesi, ne do të kërkojmë më të mirën e mundshme”, – është shprehur tekniku italian. Për krahasimet që bëhen shpesh mes Ronaldos e Bejlit, Ançeloti tha se ky nuk është një debat brenda Realit dhe bën mirë të qëndrojë jashtë klubit, të dy janë lojtarë shumë të mirë dhe nuk ka asnjë problem nëse luajnë bashkë. Një pyetje ndërkohë edhe për paraardhësin e tij, Murinjo. Tekniku pohoi se nuk flet prej kohësh, por i quajti të mira marrëdhëniet me ish-teknikun e Realit të Madridit, Murinjon. Ndërsa Antonio Konte nuk mund t’i besojë më formacionit me tre mbrojtës dhe sidomos ndaj një kundërshtari si Reali i Madridit. Pritet që në fushën e lojës bardhezinjtë të luajnë me skemën 4-3-1-2. Trajneri juventin dëshiron që ndaj madrilenëve të përdorë të gjithë mesfushorët e tij, të cilët deri më tani kanë qenë pika më e fortë e këtij Juventusit. Në skemën e re Markizio do të luajë pas dy sulmuesve dhe prapa tij do të vendosen Vidal, Pirlo dhe Pogba. Në mbrojtje pritet që Kielini të kalojë në të majtë, Bonuçi dhe Barzalji në qendër dhe Kaseres në të djathtë. Në sulm konfirmohen Tevez dhe Lorente. Ndryshimi i modulit vjen pas humbjes zhgënjyese në Firence dhe një tentative për të përballuar anësorët e Realit të Madridit. Ndërkohë, italiani mund të vërë në rol edhe Markizion si trekuartist që është provuar edhe më parë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency