Cani: Më 30 nëntor shpallim detyrimet tona ndaj biznesit

0
131

Ervin Kaduku

 

Biznesi pret që premtimet të bëhen realitet; sipas ministrit të Financave, do të paguhet i gjithë detyrimi që shteti ka krijuar ndaj privatëve, por aplikimi i vetëm 250 subjekteve për të pretenduar pagesat lë të dyshosh

 

CaniAuditimi i borxhit që buxheti i shtetit i ka biznesit vendas dhe atij të huaj për punët publike të kryera dhe të papaguara pritet të përfundojë për rreth 40 ditë. Kështu ka deklaruar dje ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Në një konferencë shtypi, ai theksoi se tashmë dihet nga të gjithë ekzistenca e një borxhi të fshehtë, aq shumë të debatuar dhe, me të drejtë, të kthyer në një shqetësim për biznesin, që është një nga komponentët përbërës real të borxhit të shtetit. Ka edhe detyrime të tjera të buxhetit ndaj të tretëve, siç janë vendimet e gjykatave vendase dhe të huaja, detyrimet për rimbursime të TVSH-së dhe tatim fitimit të parapaguar, detyrime të pushtetit lokal etj. Por në kushtet e presioneve të forta të krizës në ekonomi dhe të rënies së ritmeve të rritjes ekonomike, qeveria ka zgjedhur me prioritet evidentimin e borxhit ndaj biznesit vendas dhe të huaj, për shkak edhe të pasojave negative që sjell ky mospagim për aktorë të tjerë të ekonomisë, si dhe potencialisht në kreditim, rritjen ekonomike, kreditë e këqija, punësim, gjendjen financiare, të likuiditetit të biznesit etj. Ky ka qenë edhe një sugjerim nga ndërkombëtarët.

Sipas kreut të Financave, në mënyrë që të shmanget çdo koment subjektiv dhe që procesi të ruajë transparencën dhe besueshmërinë maksimale sipas standardeve ndërkombëtare, ky evidentim iu caktua një shoqërie prestigjioze, e cila shprehu interesin për t’u përfshirë në këtë shërbim. “Tashmë ne jemi në situatën kur, pas negocimeve me shoqërinë “Deloitte”, u miratua ligji dhe, që në datën 19 tetor, shoqëria “Deloitte” ka të gjitha të drejtat dhe detyrimet ligjore për të marrë informacionin e përcaktuar dhe të ndjekë procedurat në përputhje me standardin ndërkombëtar të auditimit mbi Shërbimet e Lidhura SNSHL 4400 “Angazhime për kryerjen e procedurave”, pjesë e Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit”, – shtoi Cani.

Ministria e Financave u ka bërë thirrje edhe ish-titullarëve të mëparshëm të këtij dikasteri të marrin pjesë në procesin e auditimit të këtij borxhi. Madhësia e borxhit, edhe pse e vlerësuar paraprakisht bazuar në disa tregues, mbetet për t’u certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare. Shifra e saktë do të dalë vetëm pas përfundimit të punës nga “Deloitte” në datën 30 nëntor, si dhe disa proceseve verifikuese e rakorduese nga Ministria e Financave dhe ministri të tjera të përfshira në këtë proces.

Deri tani, borxhi shtetëror i është referuar vetëm borxhit publik të brendshëm, të realizuar nëpërmjet emetimit të bonove të thesarit dhe obligacioneve dhe huave të nënshkruara me huadhënës të huaj.

Krahas “Deloitte”, tha ministri, ministria e Financave po punon që, me publikimin e shifrës së “Deloitte”, të bëjë të njohur për publikun edhe komponentë të tjerë të borxhit, të cilat s’janë raportuar asnjëherë deri më sot. Kjo është një sfidë për vendosjen e disiplinës fiskale dhe marrjen e masave të forta për vënien e borxhit nën kontroll. Ky është mentalitet dhe metodë krejt e re pune e qeverisë sonë, që njeh me transparencë e guxim të gjitha detyrimet e saj ndaj biznesit e publikut, me dëshirën e vullnetin për të gjetur zgjidhjen brenda mundësive (edhe pse në hapësirë të kufizuar).

Pas njohjes së borxhit ndaj biznesit vendas dhe të huaj, Ministria e Financave po përgatit të gjitha hapat e mëtejshme për mënyrën e pagesës, një proces që do të jetë po aq transparent, edhe gjithëpërfshirës, për të mos lejuar asnjë pagesë të faturave jo reale dhe të punëve të pakryera në mënyrë cilësore. Për të forcuar transparencën dhe punën sa më cilësore e me standarde, kemi komunikuar dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me FMN-në e BB-në.

Natyrisht, biznesi është në pritje që këto deklarata të kthehen në realitet.

 

Misionet

Sipas ministrit të Financave, së shpejti në vendin tonë do të mbërrijnë dy misione teknike nga FMN dhe BB, për të asistuar qeverinë në menaxhimin e financave publike, por pa përjashtuar mundësinë edhe të kushteve me të cilat pritet të merret një borxh i ri për të shlyer sipërmarrjet.

 

Buxheti

Ai ka shtuar më the se do të bëhen të gjitha përpjekjet që buxheti për vitin 2014 të hartohet në kohë në mënyrë që ai të mos jetë i varur nga borxhet .

“Koha është e kufizuar për buxhetin e 2014-ës, por do të bëhen përpjekjet që ai të vijë në kohë. Buxheti 2014 nuk do të jetë i varur nga borxhet që po evidentojmë ndaj bizneseve. Borxhet ndaj bizneseve ishin pjesë e diskutimeve me FMN-në gjatë vizitës në Uashington. Po diskutojmë me FMN dhe BB për shlyerjen e borxheve ndaj biznesit. Pagesa ndaj bizneseve me një këst, sapo të sigurohet kredia,në mënyrë që të nxitet ekonomia”, – tha Cani.

Sipas tij mbi 250 biznese kanë aplikuar në ministri për shlyerjen e borxheve.

 

 

BB: Shqipëria nuk ka krizë, por duhet të shlyejë çdo detyrim

 Financimi i investimeve me prioritet të lartë dhe mbështetje direkte për buxhetin janë dy drejtimet, në të cilat Banka Botërore u shpreh dje se synon të ndihmojë Shqipërinë në nxitjen e ekonomisë

 

 

 

Piero Cipollone, drejtor Ekzekutiv i Bankës ishte në Shqipëri ditët e fundit, ku qëllimi kryesor i vizitës ishte të dëgjonte nga qeveria e Shqipërisë se cili duhet të jetë roli i Bankës Botërore, si një institucion zhvillimor. Në një konferencë për shtyp, pas këtyre takimeve, Cipollone tha se Shqipëria e sheh Bankën Botërore si një partner të besueshëm në punën e saj për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
“Shumë nga sfidat zhvillimore me të cilat përballet Shqipëria në këto moment, janë të njëjta me shumë vende të tjera me të ardhura të mesme”, – tha Cipollone. “Banka ka përvojën e duhur dhe për gjetjen e zgjidhjeve për Shqipërinë”.
Lidhur me negociatat për një kredi të mundshme nga Banka Botërore, Cipollone tha se Banka është e përgatitur të ndihmojë qeverinë për të shlyer borxhet ndaj bizneseve.
Znj. Ellen Goldstein, drejtorja Rajonale për Evropën Juglindore në Bankën Botërore tha: “Nuk kemi krizë por disa pika të dobëta të lidhura me energjinë dhe sektorin financiar. Lidhur me borxhin, ka kohë që e dimë që ai po shkon në nivele shqetësuese, tha ajo. Kjo në fakt është një tendencë që po ndodh në të gjithë Evropën, kur vendet përdorin shpenzimet për të nxitur rritjen. Por duke pasur parasysh nivelin e të ardhurave, qeveria duhet bëjë me kujdes, këshilloi Goldstein.

Ajo tha se konstatojmë me kënaqësi që ka interes për të inventarizuar detyrimet e pashlyera. Kjo do të çojë pa dyshim në rritjen e nivelit të borxhit. “Po diskutojmë me qeverinë dhe FMN për të gjetur një kuadër afatmesëm për të stabilizuar nivelin e borxhit publik, duke realizuar në të njëjtën kohë dhe detyrimet e tjera të qeverisë”.
Banka Botërore ka një portofol, investimesh në Shqipëri, por po diskuton dhe për opsione të tjera, shtoi përfaqësuesja e Bankës Botërore. Ka dy lloje aktivitetesh, ku po planifikohet ndërhyrja, tha ajo. Njëra është të mbështesim disa investime të përparësisë së lartë, në energji dhe furnizimin me ujë dhe një prej tyre do negociohet shpejt. Lloji i dytë i ndërhyrjes është të mbështesim direkt buxhetin që lidhen me reformat për stabilizimin makrofiskal. “Po diskutojmë për programin që qeveria ka ndërmend të realizojë. Shpresojmë që deri në pranverë të jemi në gjendje të ofrojmë këtë lloj mbështetje”, – tha Goldstein.

 

Huaja
Lidhur me huanë për qeverinë, ajo tha se ka disa hua që po diskutohen me qeverinë, ndër të tjera dhe huaja për mbështetjen buxhetore, që do të lidhet me një program të reformave financiare dhe fiskale. Ndërkohë po bëhet një analizë financiare, dhe është herët për të folur për hollësitë. Madhësia e huasë do të jetë e mjaftueshme për të mbuluar hendekun fiskal. Pasi të bihet dakord për parametrat e buxhetit do të mbetet një pjesë e deficitit që do të mbulohet nga burime të shumëfishta, ku do të ndërhyjë dhe Banka Botërore.

Cipollone tha se niveli i kredive me probleme është shqetësues. Këtu ka dy elemente. E para janë borxhet e pashlyera të qeverisë nga biznesi, problem që i duhet gjetur zgjidhje. Në anën tjetër kemi problemin e ekzekutimit të kolateralit. Ky është një problem afatgjatë, për mënyrën se si funksionon tregu dhe si ekzekutohet kolaterali.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency