Bashkia, thirrje qeverisë: Ndihmoni 700 familje që rrezikohen nga epidemitë

0
116

Bozdo: E turpshme, neglizhenca e paprecedentë e qeverisë

 Poni: Qeveria u tall, solli vetëm 50 krevate marinari

 

permbyt1381914364Kur kanë kaluar gjashtë ditë nga përmbytjet në zonën e Bregut të Lumit, qeveria ende nuk ka marrë masat për të shpallur gjendjen e emergjencës. Përveç gjendjes së mjerueshme që po kalojnë këta banorë prej afro 1 jave, në mungesë të ushqimeve e materialeve të tjera të domosdoshme, pasi çdo gjë që kishin u përmbyt nga dalja nga shtrati e lumit të Tiranës, rrezikohen edhe nga epidemia. Të vetmit që u kanë ardhur në ndihmë këtyre banorëve kanë qenë 400 punonjësit e Bashkisë që po pastrojnë zonën dhe banorët të cilët gjenden në këto ditë të vështira janë braktisur nga qeveria, deputetët e majtë dhe këshilltarët e majtë të Bashkisë. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, e ka konsideruar të turpshme indiferencën e qeverisë. “Jemi përsëri këtu, në zonën e përmbytjes së madhe, 700 familje janë në këto kushte që i keni parë. Nuk kanë asgjë, as ushqime, as ilaçe, as libra për fëmijët. Prej 6 ditësh që kur ndodhi kjo përmbytje, Bashkia ka qenë prezent këtu, brenda të gjithë mundësive të saj. Unë personalisht kam kërkuar pranë prefektit të Tiranës, por edhe me kontaktet pranë qeverisë, që Ministria e Shëndetësisë të marrë masa, sepse ky ujë që shikoni sot është ujë me përbërje edhe të ujërave të zeza dhe jemi në kushtet e përhapjes së një epidemie”, – u shpreh Bozdo. Nënkryetari i Bashkisë u shpreh se institucioni i Bashkisë ka marrë përsipër të bëjë ato gjëra që duhet të bëjë, por, sipas tij, “bashkia nuk i ka mjetet dhe mekanizmat për t’iu përgjigjur kësaj emergjence të jashtëzakonshme civile”.

 

 

Këshilltarët e djathtë

Edhe dje deputetët e Partisë Demokratike dhe këshilltarët e djathtë kanë qenë në zonat e përmbytura. “Është tallje që në një zonë me 700 familje të prekur më shumë se rëndë, më shumë se kaq nuk ka ku të shkojë, të sjellësh vetëm 50 krevate marinari apo batanije. Është e turpshme dhe më duhet t’ju kujtoj juve dhe gjithë të tjerëve që vetëm 3 muaj më parë, ne kemi pasur një qeveri që në një fatkeqësi me 20-30 mijë banorë, në një zonë me 100 mijë banorë i kemi ardhur në ndihmë në situata emergjente, ushqimore, sanitare, veshje e me radhë. Janë vetëm 7000 banorë të prekur shumë rëndë, që kërkonin një vëmendje maksimale. Me sa duket, qeveria e Shqipërisë këtë nuk do ta bëjë, nuk ka asnjë justifikim dhe ne do i drejtohemi të gjithë qytetarëve dhe njerëzve të ndershëm, do i drejtohemi organizmave ndërkombëtarë, do e bëjmë dhe vetë, për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve e motrave tona”, – u shpreh Ferdinand Poni, kreu i grupit të këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës.

 

Deputetët

Në zonat e përmbytura ka qenë dje edhe deputeti i Partisë Demokratike në Tiranë, Myqerem Tafaj. “Këto lagje janë të prekura rëndë nga përmbytjet, por është e pafalshme që një javë pasi ka ndodhur përmbytja, nuk ka asnjë lloj ndërhyrje nga pushteti qendror, nga qeveria dhe asnjë lloj vëmendje për normalizimin e situatës. Këtu, kemi të bëjmë me një situatë tepër të rëndë, e cila çdo ditë mund të shkaktojë një epidemi, këtu duhet të jenë strukturat e Drejtorisë Shëndetësore Rajonale, strukturat e Institutit të Shëndetit Publik, duhet të jetë qeveria, ministrat, duhet të jetë kryeministri. Është e pafalshme që këto vatra, të mbeten në një gjendje të tillë të pa normalizuar. Pushteti lokal ka bërë maksimumin”, – përmendi Tafaj.

 

Ndihmoni familjet e përmbytura 

“Ndonëse kanë humbur gjithçka kishin krijuar në vite, madje edhe librat e fëmijëve dhe çdo çast janë të kërcënuar nga epidemia, Kryeministri, ministri i Brendshëm, ai i Shëndetësisë, Ministria e Mbrojtjes që u premtoi ndihmë, Ministria e Arsimit dhe prefekti i Tiranës vazhdojnë ta injorojnë fatkeqësinë e këtyre banorëve që jetojnë pak metra larg institucioneve qendrore të shtetit. Në këto kushte, Bashkia e Tiranës kërkon sensibilizimin e qytetarëve për t’u ardhur në ndihmë këtyre banorëve. Çdokush mund të kontribuojë në numrin e llogarisë 2014730702, për të mbledhur kontributet monetare të qytetarëve. Ndërkohë, të gjithë qytetarët që duan të kontribuojnë me ushqime veshmbathje, orendi, materiale elektroshtëpiake etj., mund t’i dërgojnë pranë Qendrës Sociale Multidisiplinare, rruga ”Maliq Muça”, njësia bashkiake nr. 9”, – përfundon thirrja e Bashkisë së Tiranës.

 

 

 

Nikolla: Hapen konkurset për drejtorët e rinj, PD: Po bëhen spastrime politike në arsim

 

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka bërë publik se janë hapur konkurset për drejtuesit e rinj të drejtorive arsimore. “Ftesa është për të gjithë që të jenë pjesë e konkurrimeve për të dhënë gjithë profesionalizmin, shpirtin dhe dashurinë e tyre për të ringritur sistemin arsimor në Shqipëri dhe nga ana tjetër do të kemi edhe 13 finale publike, ku 3 deri 5 kandidatë që përzgjidhen në bazë të dokumentacionit dhe kritereve që ligji kushtëzon do të ketë shfaqjen e tyre, të projektit të tyre, se si do ta ndryshojnë arsimin në qarkun, në rrethin, në shkollën e kështu me radhë se do të jetë një proces zinxhir, në përputhje me ligjin”, – u shpreh Nikolla. Konkursi për përzgjedhjen e 13 drejtuesve të drejtorive arsimore në 12 qarqe të vendit është shpallur të hënën dhe kandidatët mund të paraqesin dokumentacionin pranë Ministrisë së Arsimit deri në datën 28 tetor. Ky konkurs pason inspektimin e kryer nga Ministria e Arsimit në drejtoritë arsimore dhe 26 shkolla në vend, gjetjet e të cilit, sipas ministres Nikolla, janë më shumë se shqetësuese për shkak të emërimeve pa kriter dhe për arsye politike. Po dje Partia Demokratike e konsideroi këtë një fushatë spastrimesh politike në arsim. “Spastrimi politik i mësuesve sipas bindjeve politike, po maskohet me një të ashtuquajtur inspektim që po bëhet nga një grup i përbërë nga militantë politik të sapoemëruar në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve. Ne i ftojmë mësuesit e funksionarët arsimorë, të reagojnë e të rezistojnë ndaj presionit që do t’ju bëhet nga militantë dhe grupe kontrolli militantësh, që do të drejtojnë këtë fushatë të spastrimit politik në arsimin shqiptar. i bëjmë thirrje ministres së Arsimit e Sporteve, të ndërpresë këtë fushatë të padenjë për arsimin. Partia Demokratike do të asistojë cilindo që do të ndëshkohet politikisht, pa të drejtë e në shkelje të ligjit”, – tha deputetja demokrate, Eleina Qirici.

 

Policia Bashkiake, gjoba për subjektet që zënë hapësirat publike

 

Policia Bashkiake ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike. Aksioni është përqendruar sot përgjatë bulevardit “Zogu i Parë”, në njësinë bashkiake nr. 9. Ky bulevard ka qenë problematik, sa i përket tregtimit në mënyrë të paligjshme nga ana e shitësve ambulantë dhe subjekteve tregtare. Gjatë aksionit, Policia Bashkiake ka bërë të mundur vendosjen e gjobave dhe bllokimin e mallit për 7 subjekte. Drejtori i Policisë Bashkiake Vullnet Topalli ka shprehur vendosmërinë për të vijuar punën, për lirimin e të gjithë hapësirave publike në kryeqytet, hapësira të cilat u përkasin qytetarëve të Tiranës dhe jo individëve apo subjekteve të veçanta, si edhe për të mbështetur çdo tregtar apo subjekt i cili tregton në mënyrë të ligjshme. Aksioni do të vijojë më pas edhe në “Tregun Elektrik” si dhe në çdo rrugë dhe rrugicë të kryeqytetit, edhe në ditët në vijim. “Policia Bashkiake ka ndërmarrë një hap, duke u bllokuar aktivitetin dhe mallin këtyre subjekteve që nuk i janë bindur urdhrit të Policisë Bashkiake. Kjo nuk mund të tolerohet më, si këto subjekte dhe të tjerë në rrugët e Tiranës. Sot, Policia Bashkiake, ashtu si çdo ditë tjetër po vazhdon të kryejë të njëjtën detyrë dhe është e vendosur ta kryejë këtë detyrë deri në fund, për sa kohë këto subjekte nuk denjojnë të zbatojnë urdhrat dhe vazhdojnë në mënyrë të palicencuar, në mënyrë të kundraligjshme që të zhvillojnë aktivitetin e tyre tregtar”, – u shpreh Topalli.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency