30 milionë njerëz jetojnë si skllevër

0
123

 

Rreth 30 milionë njerëz jetojnë sot në kushte skllavërie. Kështu thuhet në një studim të bërë publik dhe të mbështetur nga miliarderët. Qëllimi i studimit është eliminimi i skllavërisë.

 

largea_prostitut1354446928Luisa ishte vetëm 14 vjeçe kur u rrah nga tutori i saj, derisa i ra të fikët. Ajo megjithatë mundi të ikte nga ky person, i cili një vit më parë edhe e kishte dhunuar. Pastaj ajo mëson se familja e saj ishte vrarë në Afrikë. Tutori i saj i thotë në telefon se ai i kishte dërguar vrasësit. Një fat i tmerrshëm, por jo i rrallë i një skllaveje moderne.

Vajza nga Afrika vjen në Gjermani me shpresë se do të shkojë në shkollë. Kështu i kishte premtuar një burrë, që kishte ardhur në fshatin e saj. Meqenëse jetimja duhet të luftojë çdo ditë për të mbijetuar, pranon. Por me të ardhur në Gjermani është detyruar të merret me prostitucion. “Unë jam betuar në fillim se nuk do të shkoj në polici”, – i thotë ajo një gazetareje të Radios Gjermane Deutschlandfunk. Ajo megjithatë kishte vendosur të shkojë në polici, por kishte probleme shumë të rënda me gjakderdhje, të cilat zgjasnin për tre vite me radhë.

 

30 milionë të prekur

Luisa jeton tani në një program për mbrojtjen e dëshmitarëve në jug të Gjermanisë. Koha e skllavërisë ka kaluar, por vlerësohet se në botë ka aktualisht rreth 30 milionë njerëz, që jetojnë në një skllavëri moderne. Ata nuk mund ta gëzojnë lirinë, kontrollohen dhe shfrytëzohen prej të tjerëve. Studimi “Global Slavery Index 2013” i organizatës së re “Walk Free Foundation” paraqet të dhëna të detajuara.

Në veçanti në Afrikë dhe Azi shumë njerëz jetojnë në kushte skllavërie. Në vendet e para janë India, Kina, Pakistani dhe Nigeria. Por edhe Rusia është në mesin e tyre. Studimi bën të qartë se skllavëri moderne ka në të gjitha kontinentet dhe vendet e botës. Proporcionalisht me numrin e banorëve, vendin e parë e zënë Mauritania, Haiti dhe Pakistani, për faktin se në këto vende ka më së shumti edhe martesa të adoleshenteve.

Llojet e skllavërisë janë të ndryshme, shpjegon autori kryesor Kevin Bales, në një bisedë me “DW”. Shfrytëzimi seksual në Rusi, trafikimi me njerëz në Moldavi, shfrytëzimet në Brazil, mungesa e shtetit juridik në disa pjesë të Kongos, puna e dhunshme në Kinë, skllavëria e skajshme në Indi, apo katastrofat e mëdha njerëzore në Haiti, janë vetëm disa nga problemet e mëdha, që kërkojnë zgjidhje. “Një zgjidhje e përbashkët për të gjitha këto probleme nuk ka, por secili duhet të zgjidhet më vete”, – pohon Bales.

 

Gjendja e rëndë faktike

Autorët pohojnë se në Gjermani rreth 10.500 njerëz jetojnë në kushte skllavërie. Kevin Bales pranon se është shumë vështirë të gjesh shifra të sakta. “Shumë shpesh ka dhe krime të fshehura, ndaj është shumë vështirë të gjesh shifrat”, – shpjegon ai dhe shton: “Skllavëria është si një epidemi. Nëse presim të gjitha të dhënat e sakta, njerëzit do të vazhdonin të jetonin në kushte skllavërie dhe më në fund do të vdisnin. Askush nuk do të ndihmonte”.

Organizata për ndihmën e fëmijëve, “Terre des Hommes” në Gjermani, u gëzohet parimisht shifrave të bëra publike prej organizatës “Walk Free”. Ekspertja për të drejtat e fëmijëve Barbara Küppers vlerëson përkufizimin e ri më të gjerë të skllavërisë, të bërë në këtë studim. “Këtu si skllavëri shihen të gjitha gjërat, me të cilat një person detyrohet, si për shembull martesa me detyrim. Mendojmë se kjo është pozitive”, – pohon ajo.

Qeverive u bëhet thirrje në këtë studim që të paraqesin të dhëna të sakta për skllavërinë. “Shumë qeveri nuk e dinë se për çfarë bëhet fjalë”, – thotë Barbara Küppers. Kjo vlen edhe për shtetet industriale, si Gjermania.

Punën e tyre nuk e kanë kryer si duhet as Organizata Ndërkombëtare për Punë e OKB-së. “Ajo nuk ka mjaft para për të nisur të paktën disa projekte kundër shfrytëzimit njerëzve”, – mendon Küppers. “Walk Free Foundation” mbështetet prej miliarderëve. Një zëdhënëse thotë se organizata është themeluar prej manjatit australian Andrew Forrest, ndërsa mbështetet mes të tjerësh dhe nga Bill Gates apo Richard Branson.

Barbara Küppers thotë se duhet shikuar me vëmendje, se cilat janë qëllimet e organizatës. “Është me rëndësi që të paraqiten kërkesa ndaj qeverive, por nuk duhen harruar as shumë sektorë ekonomikë”, – pohon ajo.

 

“Skllavëria të bëhet e rrallë si kanibalizmi”

Kevin Bales bën të ditur se së shpejti mund të ketë edhe raporte të tjera, me qëllim që të arrihen sa më shpejt suksese në luftën kundër skllavërisë. “Besoj se së shpejti do të ketë një indeks tjetër, i cili do t’u drejtohet sipërmarrjeve të ndryshme”, – thotë Bales. “Global Slavery Index” në formën e tanishme duhet të nxirret çdo vit.

Qëllimi është që numri i skllevërve modernë të ulet nga 30 milionë në disa mijëra dhe kjo sa më parë, mbase brenda 30 vitesh. “Skllavëria duhet të jetë aq e rrallë sa edhe kanibalizmi. Pra diçka aq e rrallë, sa të tronditë njerëzit, kur të paraqitet ndonjë rast”, – pohon ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency