Rishikimi i buxhetit të shtetit, hapet një gropë, nuk zgjidhen problemet

0
143

shehrefedin-shehu-parlamentSipas Sherefedin Shehut, deputet i Partisë Demokratike, ish-zëvendësministër i Financave, nuk ka asnjë adresim nga ana e Ministrisë së Financave për problemet kryesore të vendit, thjesht po bëhet një marrje masive borxhesh, që do të ketë pasoja, në vend që të rriten të ardhurat

Si i vlerësoni ndryshimet e fundit të projektbuxhetit me aktin normativ të fundit të miratuar nga qeveria?

Ndryshimet e fundit të projektbuxhetit prezantojnë disa tendenca negative për sa u përket standardeve të menaxhimit financiar, por edhe të zhvillimit të ekonomisë së vendit.
Është e rrezikshme, sepse kemi një rritje të ndjeshme të borxhit publik, në raport me atë çfarë është realizuar tani dhe atë që ishte parashikuar në buxhetin e këtij viti. Kjo rritje është mbi 25 miliardë lekë. Po kështu, e gjithë rritja e deficitit buxhetor bëhet për llogari të supozimit të mosrealizimit të të ardhurave dhe jo për llogari të rritjes së investimeve. Sepse, nga njëra anë, kemi rritje të deficitit në vlerë mbi 25 miliardë lekë, nga ana tjetër, kemi rreth 10 miliardë lekë shkurtim në investime, si dhe kemi ulje të shpenzimeve operative, me rreth 6 miliardë lekë, që ka të bëjë me uljen e kostos së borxhit publik.
Qeveria e Partisë Demokratike ka qenë e kujdesshme ndaj borxhit publik, sepse ka një artikull në menaxhimin e buxhetit ku detyrimet për borxhin klasifikohen si detyrime që shlyhen edhe në kushtet e tejkalimit të limitit të deficitit buxhetor. Kjo do të thotë detyrim që paguhet në çfarëdolloj rrethane. Në këtë këndvështrim, risqet e mundshme bëjnë që këto shpenzime të parashikohen dhe të buxhetohen gjithmonë mbi atë çka realizohet.
Ky vit lidhet edhe me rezultatin e menaxhimit të borxhit, por edhe me vetë tregun, sepse ka rënë kërkesa nga tregu privat dhe financimi i shtetit është bërë më i lirë nga bankat.
Rishikimi i buxhetit vetëm sa hap një gropë më të madhe dhe nuk adreson problemet që janë adresuar në publik deri më tani, sidomos shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Fakti, që mosrealizimi i të ardhurave kompensohet me rritje të deficitit buxhetor, kjo do të thotë se nuk ka asgjë të parashikuar për shlyerjen e detyrimeve të vitit të kaluar. Edhe akoma më keq, kemi një fenomen të rrezikshëm, sepse parashikohet thellim i detyrimeve, pasi ka një ulje të investimeve publike dhe ulja e tyre në fund të vitit buxhetor zakonisht nuk rekomandohet, pasi supozohet se pjesa më e madhe e tyre ose janë shlyer ose janë në proces përfundimi. Duke bërë shkurtimin e fondit ka një mundësi të madhe për rritjen e detyrimeve që do të mbarten në vitin buxhetor.

Ky rishikim ishte i detyruar, pasi buxheti fillestar i hartuar nga qeveria demokrate ishte shumë optimist. Si mendoni?

Po, rishikimi i buxhetit ishte i detyruar dhe qeveria e PD-së do ta rishikonte. Por në gjithë historinë e saj, qeveria e djathtë ka bërë rishikime. Historia ndahet në dy periudha. Gjatë 2005-2009, rishikimi është bërë në rritje dhe ulje të deficitit buxhetor. Në 2010-2013, rishikimet e bëra nga qeveria jonë kanë qenë në masën 95% rishpërndarje dhe jo shkarkim i barrës së mosrealizimit të të ardhurave te borxhi publik. Pra ka zbatuar standardet më të mira të deficitit buxhetor.
Qeveria e re, për këta katër muaj, duhet të shfrytëzonte dy momente: së pari, entuziazmin si forcë që vjen rishtas në pushtet dhe së dyti, përgjegjshmërinë. Në termat fiskalë, kjo qeveri, duhej që mosrealizimin e vërejtur në tetë muajt e parë të vitit ta zbuste në katër muajt pasardhës dhe jo ta thellonte. E thënë në shifra, mosrealizimi në total i 8-mujorit për sa u përket të ardhurave është rreth 2 miliardë lekë në muaj, në buxhetin e rishikuar mosrealizimi është në nivelin e 6 miliardë lekëve. Duhet të ulte masën e mosrealizimit dhe ky është një model që ne e kemi zbatuar në 2005-n. Në vitin 2005, në muajin shtator, në fund të 9-mujorit, mosrealizimi i të ardhurave të buxhetit ka qenë 84% dhe deri në fund të vitit, buxheti rezultoi 94%. Edhe ne nuk e realizuam planin, por ulëm ndjeshëm mosrealizimin. Këtë mund të bënte kjo qeveri. Nga ana tjetër duhet të shfrytëzonte këtë moment për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Pavarësisht nga fryrja që i bën, PD dhe qeveria e saj kanë një faturë me vlerë 100 milionë euro për punime në rrugë. Kjo qeveri është në ditët e para të saj dhe mund të shlyente borxhin pa marrë kosto elektorale.

Ministria e Financave ka deklaruar se borxhi publik mund të arrijë deri në 72% të PBB-së. Sa të rrezikshëm e shihni ju këtë nivel dhe çfarë niveli rekomandoni për vendin tonë?

Unë e shikoj të rrezikshëm jo në faktin se është kufiri i lartë, po për faktin se kjo rritje e borxhit nuk do të vijë për shkak të financimeve të detyrimeve të prapambetura, për shkak të rritjes së investimeve, por për kompensimin në administrimin fiskal. Kjo demonstrohet në buxhetin e rishikuar ku kemi një dyfishim të deficitit buxhetor kundrejt Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe kjo është shumë e rrezikshme, sepse nëse borxhi rritet në raport me PBB-në, në këtë rast ne nuk kemi tregues negativë në ekonomi, sepse rritja e borxhit ndodh çdo vit. Por rregulli i artë është që rritja e borxhit të jetë më e vogël e rritja ekonomike. Tani kemi një disproporcion të thellë pasi kemi një rritje të borxhit publik me dy herë.
Për nivelin e borxhit publik ka disa mendime dhe nuk ka një kufi unik. Rreth 60% është sot standardi më i mirë, i vendosur për BE-në. FMN-ja parashikon nën 50%, madje për Shqipërinë në kuotën e 40%, ndërkohë që një studim i fundit i realizuar në vend tregon se Shqipëria nuk ka rrezik deri në kufirin 60-65%, sepse ka bërë një analizë të qëndrueshmërisë të borxhit publik. Unë jam “partizan” i rritjes së borxhit publik, por me një kusht që kjo rritje të bëhet vetëm për mbylljen e projekteve të infrastrukturës dhe për asnjë qëllim tjetër. Madje do të ishte shumë pozitiv krijimi i një fondi të infrastrukturës, i cili mund të financohej me borxhin publik dhe buxheti i shtetit do të financonte vetëm për kthimin e këtij borxhi. Por natyrisht këto politika do të kërkonin një mbështetje të gjerë politike gjë që ka munguar dhe përveçse ka munguar, është penguar nga presioni i madh që ka bërë Partia Socialiste në kohën që ka qenë në opozitë. Ndërsa PD-ja do të mbështeste një rritje të borxhit publik 1-2%, me kusht që të ishte transparente, me një listë publike të të gjitha detyrimeve me punët e kryera dhe të papaguara nga ana e shtetit dhe jo me detyrime që mund të jenë krijuar për keqmenaxhime, mosrealizime etj.

Pse nuk e bëri qeveria e djathtë këtë gjë?

Ne nuk arritëm ta bënim këtë, për shkak të presionit të opozitës dhe për shkak të presionit nga institucionet ndërkombëtare. Ne respektuam standardet dhe praktikat më të mira të deficitit buxhetor dhe të huamarrjes publike. Në vitet e krizës, deficiti buxhetor lëvizi nga 2.8-3.4% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe nëse do të kishim mbështetje indirekte, ne nuk do të kishim asnjë detyrim të papaguar sot, sepse fatura për investime në infrastrukturë nuk është më e madhe se 100 milionë euro dhe kjo përkthehet në 1% në raport me PBB-në.

Sa të realizueshme i shikoni ju premtimet e qeverisë për reformë në taksa, sidomos të uljes së TVSH-së, në kuadrin e domosdoshmërisë për realizimin e të ardhurave?

Unë mendoj që Fondi Monetar Ndërkombëtar do t’i bëjë presion për të mos prekur TVSH-në dhe në fakt nuk duhet prekur, sepse është një e ardhur e konsoliduar dhe një burim i rëndësishëm për të ardhmen e të ardhurave fiskale. Ulja e TVSH-së nuk do të nxisë biznesin, sepse do të ndikojë në sektorë të caktuar, sepse do të favorizojë grupe të caktuar të biznesit, por nga ana tjetër, ulja e çmimeve nuk garantohet dhe ajo llogaritet deri në 5%. Zakonisht politika të tilla krijojnë premisë për stabilitet çmimi, por jo ulje të tyre. Prandaj ne operuam me uljen e taksave direkte, duke i dhënë përfitime direkte biznesit.
Rritja e taksës direkte është negative, shton kostot për biznesin në një moment kritik. Ekonomia ka ende nevojë për stimul dhe ky jepet përmes stimujve të lartë fiskalë dhe shlyerje të detyrimeve, si dhe politika që mbështesin sektorë të caktuar të ekonomisë që kanë pasur ecuri pozitive gjatë krizës, si p.sh. sektori i energjetikës ku ka potencial të madh, por ka ngërç në investim, si dhe eksportet. Është koha për pjesëmarrje të qeverisë përmes financimeve dhe politikave, por jo përmes rritjes së taksave.

A mendoni ju se Shqipëria ka riskun për të vuajtur një krizë borxhi si Greqia?

Në asnjë mënyrë Shqipëria nuk do të vuajë një krizë borxhi si Greqia, sepse treguesit realë do të jenë larg parashikimeve, sepse ky mosrealizim fsheh qëllimin për të manovruar në rastet e mbështetjes fiskale.

(marrë nga revista “Monitor”)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency