Partizani mposhtet në Lushnjë, Skënderbeu kënaqet me barazimin

0
147

Jurges Veizaj

Sipari i ndeshjeve të javës në Superligë është hapur me surpriza. Kanë qenë lushnjarët ata që kanë mposhtur Partizanin, ndërsa Skënderbeu duket se mjaftohet me një barazim kundër Teutës.

 

 

LushnjaSfida midis Lushnjës dhe Partizanit ka qenë edhe sfida me më shumë surpriza. Ndryshe nga pritshmëritë kanë qenë lagunarët ata që do të arrinin të korrnin suksesin. Në një ndeshje të punuar shumë mirë kanë arritur që të marrin tri pikë. Janë të kuqtë e Partizanit ata që fillojnë të parët presionin. Skuadra tiranase mundohet që të shënojë një gol që në minutat e para. Janë Mitra dhe Buçaj ata që do të ishin aktorët e aksioneve të para për demat e kuq, por që nuk do të kishin sukses. Lushnjën duket se e ka kapur konfuzioni dhe nuk arrin që të dalë në formën e saj. Por gjithçka do të ndryshonte dhe do të arrinin që të fitonin avantazh në lojë, duke u kthyer rrezikshëm në minutën e 20-të. Ishte Canka ai që do të synonte që të shtangte portierin Hoxha, por që është pa efekt. Ndeshja arrin që të ekuilibrohet dhe shikohen dyluftime nga të dyja kampet e fushës. Është Trashi ai që ka mundësinë për skuadrën e Lushnjës, por që nuk arrin ta finalizojë, pasi goditi dobët dhe humbet shansin. Ishte Canka ai që do ta provonte përsëri fatin për lushnjarët, por që do të shtonte vetëm serinë e gabimeve dhe do t’i dërgonte skuadrat brenda dhomave të ndërrimit me shifrat e barabarta. Ndërsa pjesa e dytë do të merrte ngjyra të ndryshme nga ajo e pjesës së parë. Të dyja ekipet do të bënin nga një ndërrim përkatës. Menjëherë do të vinte edhe goli i parë i ndeshjes i shënuar nga lushnjarët. Ishte Trashi ai që do të çonte në epërsi skuadrën e tij. I neglizhuar paksa dhe nga mbrojtja e Partizanit, do të gjuante nga 15 metra një predhë që do të sillte avantazhin. Pak më vonë do të vinte edhe goli i dytë nga skuadra e Lushnjës. Ishte Korreshi kësaj radhe që vazhdon serinë e golave. Duke përfituar nga një goditje diagonale do të merrte topin dhe do të gjuante fortë për ta çuar numrin e golave në dy në favor të Lushnjës. Lika ndërkohë nxjerr nga loja Mitrajn për Malon, me qëllim që të ndryshojë diçka. Mirëpo duket se asgjë nuk ndryshon në lojën e Partizanit. Gabimet që bëjnë kryeqytetasit duket se thellojnë më shumë gjendjen e keqe të tyre. Lushnjarët arrijnë që t’i menaxhojnë mirë të gjitha minutat e pjesës së dytë dhe kështu arrijnë të mposhtin demat e kuq, duke dalë me tri pikë nga fusha e tyre.

 

Skënderbeu-Teuta

Në të njëjtin temp është luajtur edhe ndeshja midis Skënderbeut dhe Teutës. Janë vendasit të parët që mundohen që të ushtrojnë presion. Ekipi i Josës mundohet të shënojë i pari duke reaguar mirë me anë të Pejiçit dhe Ribajt në sulm. Ndërsa një shqetësim tjetër për durrsakët është edhe Muzaka që lëviz shpesh duke e vënë në vështirësi skuadrën durrsake. Një problem i madh do t’i hapej djemve të detit kur Da Silva ndërhyn ndaj Muzakës për të ndaluar sulmin e tij dhe ndëshkohet me karton të kuq duke e lënë skuadrën me 10 lojtarë. Por duket se edhe durrsakët nuk stepen nga kjo dhe mundohen të hidhen në sulm për të kërkuar suksesin. Është Xhafaj ai që tenton të vërë në befasi korçarët që detyrohen shumë herë të mbrohen. Ndërsa nga ana e ujqërve të dëborës është Dimo ai që do të bënte një gjuajtje të mirë, por që do të ndalej nga portieri Rizvani. Ndërsa atëherë kur mendohej se pjesa e parë do të mbyllej në barazim është Xhafaj ai që bën surprizën. Pas një dalje të Idrizaj në krah kroson në zonë duke bërë që vlonjate të fusë kokën me zgjuarsi dhe të mposhtë Shehin. Në pjesën e dytë ekipi i Josës vihet i tëri në kërkim të golit. Loja është e postuar në gjysmëfushën e durrsakëve që vihen në kërkim të golit. Ribaj zëvendësohet me Morinën që do të ishte dhe lojtari kyç për korçarët. Ishte ai që në minutën e 61 do të shënonte për kampionët dhe do të barazonte shifrat. Teuta ndërkohë nuk bie dhe tenton golin e dytë duke provuar dhe forcën e saj. Mirëpo sfida u mbyll në paqe duke konfirmuar formën e mirë në të cilën ndodhen të dyja skuadrat.

 

Mbrojtja, Partizani i shtati në europë 

Partizani renditet si skuadra me mbrojtjen e shtatë më të fortë në Evropë për sa u përket golave të pësuar deri në këtë moment. Në kampionatin shqiptar janë luajtur shtatë ndeshje deri më tani, ndërsa “të kuqtë” kanë pësuar vetëm tre gola. Reparti mbrojtës ka qenë më i stabilizuari, ndërkohë që meritë për këtë kanë pa dyshim portieri Alban Hoxha, si dhe mbrojtësit Besnik Krasniqi, Gëzim Krasniqi, Labinot Ibrahimi, Amir Rrahmani, Mevlan Murati e Feliks Udoh. Trajneri Hasan Lika i ka përdorur të gjashtë lojtarët në mbrojtje gjatë këtyre javëve. Më konstantë kanë qenë dy Krasniqët, pasi të tjerët kanë munguar nga një herë për arsye dëmtimesh dhe pezullimet nga ndëshkimet me kartonë. Ndërkohë, skuadra me mbrojtjen më të mirë deri më tani në Evropë është Roma, që në tetë ndeshje ka pësuar vetëm një gol. Më pas vjen Olimpiakos, por grekët kanë luajtur shtatë takime. Lista e mbrojtjeve të forta vazhdohet nga Sauthempton në Angli me dy gola të pësuar, Bajern Mynih në Gjermani, Fola Esh në Luksemburg, Çukariçki në Serbi, Partizani në Shqipëri, Standard Liezhi në Belgjikë, Lilë në Francë dhe Torpedo Kutaisi në Gjeorgji.

 

 

Sfidat e djeshme

SKËNDERBEU-TEUTA 1-1

Golat: Morina 61′ / Xhafaj 45+2′

SKËNDERBEU: Shehi, Ademir (Fagu 74′), Bici, Gvozdenovic, Arapi, Shkembi, Orelesi, Muzaka, Dimo (Tomic 77′), Ribaj (Morina 46′), Pejic. Trajner: Mirel Josa

TEUTA: Rizvani, Idrizaj, Osmani, Jakupi, Da Silva, Hodo, Dosti (Mustafaj 73′), Nika, Ahmataj, Mancaku, Xhafaj (A. Hoxha 88′). Trajner: Gugash Magani

Gjyqtarë: R. Sadiku

 

LUSHNJA-PARTIZANI 2-0

Golat: Trashi 48′, Korreshi 59′

LUSHNJA: Spaho, Byzhyti, Gjyla, Bjelankovic, Ndoni (E. Sula 46′), Koreshi, Topi, Mihani (Bakiasi 68′), Trashi, G. Cela, Canka (Metushi 89′). Trajner: Artan Bano

PARTIZANI: Hoxha, Ibrahimi, G. Krasniqi, Udoh, B. Krasniqi, Musta, Demiri, Hyshmeri (Lala 71′), Buac (Thana 46′), Mazrekaj, Mitraj ((Malo 62′). Trajner: Hasan Lika

Gjyqtarë: D. Jubica

 

Klasifikime

1        Skënderbeu 8        16

2        Teuta            8        16

3        Partizani       8        14

4        Laçi              8        13

5        Lushnja        8        11

6        Vllaznia         7        10

7        Bylis             7        9

8        Kastrioti        7        9

9        Kukësi                    7        8

10      Tirana           7        7

11      Flamurtari     8        5

12      Besa             7        4

 

 

Presidenti jep pasaportat për dy kuqezinj

Emir Lenjani mund të luajë tashmë me kombëtaren kuqezi, pasi ka marrë nënshtetësinë shqiptare. Mesfushori i St. Galenit u ftua nga Xhani de Biazi për dy ndeshjet e fundit kualifikuese kundër Zvicrës dhe Qipros, por për mungesë dokumentacioni nuk luajti dot me kombëtaren shqiptare. Pengesë e cila është kaluar tashmë zyrtarisht, sepse është dekretuar me shtetësi shqiptare nga ana e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Edhe një kandidat për kombëtaren U-19, Faton Ademi, ka marrë shtetësi shqiptare. Futbollisti 18-vjeçar, i cili luan me ekipin e Hertës së Berlinit U-19 është dekretuar me shtetësi shqiptare dhe së këndejmi është i gatshëm të jetë nën urdhrat e Foto Strakoshës për eliminatoret që kombëtarja U-19 nis së shpejti. Ademi luan si sulmues, ndërsa në dy paraqitjet e tij me Shqipërinë në miqësore ka shënuar dy gola.

 

 

FFK: Nuk bëjmë ftesa nëse nuk pranohemi në FIFA

Federata e Futbollit e Kosovës nuk ka ndërmend për momentin t’u bëjë ftesë futbollistëve shqiptarë që luajnë nëpër kombëtaret e tjera për të luajtur për Kosovën. I fundit që i ka dhënë sinjale pozitive Kosovës, është ylli i ri i Mançester Junajtid, Adnan Januzaj. Ai ka thënë se Kosovën e ka në mendje dhe kur të pranohet ajo, do të shqyrtojë ftesën. Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së e pranon se këtij institucioni vazhdimisht i bëhet presion nga mediat se çfarë do të bëjnë me këta futbollistë, por ai thotë se nuk do të nguten, por as nuk do t’i bëjnë askujt për të luajtur për Kosovën. “Këto pyetje që po na bëni ju, na e kanë bërë pothuajse gjitha mediumet më të mëdha evropiane. Qëndrimi i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së është që këta futbollistë derisa mos të jemi pjesë e FIFA-s e UEFA-s të vazhdojnë kështu. Në momentin që pranohemi ne do t’iu bëjmë ftesë të gjithëve. Në takim që kemi pasur me presidentin e FIFA-s i kemi shpjeguar situatën atij dhe i kemi kërkuar që këtyre futbollistëve që luajnë për kombëtaret tjera, në momentin e pranimit të Kosovës, t’iu jepet e drejta e zgjedhjes. Pra ata kanë të drejtë zgjedhje për cilën kombëtare mund të luajnë”, – ka thënë Salihu, njofton “Zëri”. “Ne jemi krenarë me këta futbollistë dhe edhe nëse ata në kohën kur pranohemi nuk pranojnë ftesën për të luajtur për Kosovë, ne prapë iu jemi mirënjohës dhe krenohemi për imazhin e mirë që na kanë dhënë. Me këta futbollistë që po e bëjnë namin nëpër Evropë, FFK-ja do të sillet në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk do t’i bëjë presion dhe nuk do ta zgjedhë asnjë formë të vrazhdë për t’i sjellë në kombëtaren e Kosovës”, – tha Salihu.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency