Kunata e spiunoi tek gruaja për ngacmim, vritet nëna e 3 fëmijëve

0
147

Elton Qyno

Valbona Ndreu u ekzekutua me çifte në gjumë, teksa po flinte me fëmijët e saj në banesë

Lirim Ndreu vetëvritet pas krimit të rëndë. 28-vjeçari ngacmoi seksualisht nusen e vëllait

 

diberKur ende nuk ka kaluar një javë nga vrasja e dyfishtë në Gjirokastër, sërish brenda kësaj jave një tjetër krim në familje është regjistruar në Dibër. Familja Ndreu është zgjuar mëngjesin e të shtunës me dy persona të vdekur, pasi kunati ka ekzekutuar me çifte kunatën e tij 35-vjeçare dhe më pas ka vrarë edhe veten. Vrasja ka pasur si motiv një histori intime mes Lirim Ndreut dhe nuses së vëllait të tij, Valbona Ndreu. Kjo histori është mësuar edhe nga gruaja e autorit të krimit dhe se ajo ka filluar t’i kërkojë shpjegime të shoqit. Lirim Ndreu, i nevrikosur gjatë natës, pasi kishte bërë debat me gruan dhe kunatën e tij, në mëngjes ka shpërthyer derën e dhomës së gjumit ku flinte Valbona Ndreu me vajzën e saj të mitur dhe ka qëlluar në drejtim të saj, duke e lënë të vdekur në vend. Ndërkohë që, pas disa sekondash, Lirim Ndreu ka vendosur t’i japë fund dhe jetës së tij, duke bërë që numri i kësaj tragjedie të shkojë në dy persona të vdekur. Nga hetimet e para të policisë dyshohet se viktima i kishte thënë kunatës se burri i saj e ngacmonte.

Dëshmitë në vendngjarje

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes janë shprehur se para se të ndodhte krimi kishte ndodhur një konflikt mes viktimës dhe autorit, të cilët jetonin në një banesë dykatëshe. Një ditë më parë, Valbona dyshohet se i kishte rrëfyer kunatës së saj, gruas së Lirimit, se ky i fundit e ngacmonte. Kjo bisedë i ka rënë në vesh Lirimit dhe dy net më parë ka zbritur nga kati i dytë në katin e parë dhe ka debatuar me nusen e vëllait. Disa orë më pas, në orët e para të mëngjesit, 28-vjeçari, me një çifte në dorë, ka shkuar te hyrja e vëllait, ka shkelmuar derën dhe ka qëlluar në drejtim të Valbonës, e cila po flinte me fëmijët. Madje, aty është zgjuar edhe vajza e mitur, e cila ka parë skenën makabër dhe më pas, ka njoftuar të afërmit. Madje, në dhomë dallohen gjurmët me gjak të këmbëve të vogëlushes, që e tronditur ka dalë nga dhoma pas krimit. Ndërkaq, pas krimit të kryer në dhomën ku flinte kunata, autori ka dalë që aty dhe disa minuta më pas, ai i ka dhënë fund dhe jetës së vet.

Hetimet

Uniformat blu janë nisur për në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur dy viktimat dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes së dyfishtë. Nga ana e policisë mësohet se në banesën ku ndodhi krimi ka qenë e pranishme edhe nëna e 28-vjeçarit, e cila nuk ka mundur të tregojë shumë detaje për grupin hetimor, ndërkohë që procesi i marrjes në pyetje të familjarëve është lënë të kryhet pas kryerjes së ceremonisë mortore. Ndërsa për bashkëshortin e 35-vjeçares së vrarë, e cila ishte nënë e tre fëmijëve, burimet policore bënë të ditur se ai nuk ndodhej në banesë, pasi ishte larguar drejt Tiranës, me qëllim për të shkuar drejt Greqisë, ku ka emigruar disa herë për punë. Kurse për autorin e krimit të rëndë, burimet policore thanë se ishte person i skeduar disa herë për vjedhje, dhe madje për këtë akuzë është dënuar nga gjykata e Dibrës. Gjithashtu, rezulton se ai ka qenë i martuar tre herë dhe dy herë ishte divorcuar, ndërkohë që me gruan e tretë, ai kishte edhe një fëmijë të vogël. Ndërkaq, nga ekspertët, në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha veprimet procedurale, ku ka rezultuar se 35-vjeçarja është goditur me fishek çifteje në kokë. Për tre fëmijët e viktimës 35-vjeçare, të cilët kanë përjetuar tmerrin, policia dhe spitali i Dibrës kanë ofruar asistencë me psikologë, sidomos për një nga vajzat e mitura, e cila ka parë të gjithë skenën makabër.

 

 

Procesi ndaj personit që vrau katër policë hyn në histori

Çështja “Dajt” në udhëkryq, dhoma e avokatisë ia lë në derë gjykatës. “S’marrim përsipër zgjidhjen”

Dhoma e Avokatisë e Tiranës nuk merr përsipër të zhbllokoje ngërçin e procesit gjyqësor ndaj Dritan Dajtit. Në mbledhjen e këshillit është rënë dakord unanimisht se nuk është detyra e këtij institucioni të ndikojë në gjyqin e të akuzuarit për vrasjen e 4 policëve. Sipas këshillit, për organizimin dhe mbarëvajtjen e një procesi gjyqësor, sipas legjislacionit në fuqi, kujdeset gjykata dhe jo dhoma e avokatisë. Edhe në rastin e procesit gjyqësor ndaj Dritan Dajtit, dhoma e avokatisë, shprehet se ajo nuk mund të caktojë një mbrojtës për të pandehurin Dajti, pasi nuk është kompetencë ligjore e saj ky veprim procedural. Sipas këshillit, është detyrë e Gjykatës së Krimeve të Rënda, të gjejë rrugën e zhbllokimit të procesit qoftë edhe duke përsëritur përzgjedhjen e avokatëve nga lista e mbrojtësve kryesisht. Dhoma e avokatisë së Tiranës nënvizon se do të merren masa ekstreme për avokatët që nuk marrin përsipër mbrojtjen e Dajtit. Pak ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda dhe kryetari i kësaj gjykate, i është drejtuar Dhomës së Avokatisë së Tiranës, të caktoje një avokat pasi asnjë nga 120 mbrojtësit që ndodhen në listën e avokatëve kryesisht nuk merrte përsipër mbrojtjen e Dritan Dajtit. Në këto kushte, pritet që Gjykata e Krimeve të Rënda t’i drejtohet Ministrit të Drejtësisë, të zhbllokoje me ndryshime ligjore këtë precedent të rrezikshëm për sistemin gjyqësor. Dritan Dajti, akuzohet për vrasjen e 4 policëve gjatë operacionit për arrestimin e tij në gusht të 2009 dhe që nga janari i 2010 gjyqi ndaj tij vazhdon të zvarritet pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Vete i pandehuri, kërkon që procesi ndaj tij të nis nga e para, kërkesë e cila nuk pranohet nga togat e zeza, duke bërë që Dajti të bllokoje vazhdimin e procesit gjyqësor.

 

Nën hetim Kreshnik Kasa

Tiranë, zbulohet magazina me 209 copë makineri fati

Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Tiranës vijojnë të jenë të angazhuar maksimalisht në operacionin “Fundi i marrëzisë”, duke rritur numrin e subjekteve të kontrolluara dhe atyre të bllokuara. Në të njëjtën kohë po rritet dita ditës edhe numri i makinave dhe pajisjeve të lojërave të fatit të paregjistruara që po bllokohen nga policia. Në kuadër të këtij operacioni, ditën e sotme në bazë të informacioneve që dispononte komisariati i policisë nr. 3, janë sekuestruar 209 copë pajisje kompjuterike, makina elektronike lojërash fati në një magazinë në rrugën “Gjergj Legisi” në Laprakë. Gjithashtu në këtë ambient janë sekuestruar edhe 16 automjete të markave të ndryshme, disa me targa të huaja dhe disa pa targa. Nga verifikimet e para, është identifikuar se një automjet i tipit “Range Rover” është vjedhur në Itali në vitin 2008. Nga hetimet paraprake rezulton se pronar i këtij objekti është shtetasi Kreshnik Kasa, 29 vjeç, banues në Tiranë, i cili është duke u hetuar nga policia.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency