Vrasja e studentit në “Don Bosko” për fjalët e pista dhe zhurmat

0
143

Elton Qyno

Prokuroria dërgon dosjen në gjykatë për Elton Bajraktarin. Autori e qëlloi një herë me thikë në zemër

 

Arber MitroZhurmat poshtë pallateve të kryera nga adoleshentët dhe përdorimi prej tyre i fjalëve të pista janë bërë shkak i vrasjes së një studenti. Arbër Mitro është qëlluar një herë të vetme me thikë në zemër nga komshiu i tij, Elton Bajraktari, dhe pasi ka mundur të ecë rreth 15 metra në drejtim të dyqanit të tij, është sulmuar sërish me grushte nga autori i krimit, duke i sjellë kështu edhe vdekjen e menjëhershme. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 30 qershor të këtij viti dhe tashmë Prokuroria e Tiranës ka kryer të gjitha veprimet hetimore, duke dërguar dosjen penale në gjykatë. Ndaj autorit të krimit, shtetasit Elton Bajraktari, është ngritur akuza e “Vrasjes me dashje” si dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta”. Gjatë deklarimeve në fazën hetimore, 27-vjeçari Elton Bajraktari ka shfaqur pendesë, duke bashkëpunuar me grupin hetimor, ku ka treguar të gjithë skenën e krimit dhe debatin me viktimën Arbër Mitro. Ai ka pohuar se nuk ka pranuar ta vrasë të riun, por i është dashur të vetëmbrohet, pasi vetë Arbër Mitro e ka sulmuar duke e dhunuar fizikisht.

Fjalët e pista

Sipas dosjes hetimore të prokurorisë, më datën 30 qershor 2013, rreth orës 16:10, në rrugën “Don Bosko”, përballë një bilardoje, në trotuar, shtetasi Elton Bajraktari për motive të dobëta ka qëlluar fillimisht me grushte dhe më pas më thikë shtetasin Arbër Mitro, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme atij. Për ngjarjen është vënë në dijeni policia, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes, për të kryer veprimet e para procedurale, si këqyrja e vendit të ngjarjes, pyetja e personave që kanë parë ngjarjen, sekuestrimin e provave materiale, këqyrja e kufomës, veprime nga të cilat ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur në rrethanat e mëposhtme. Sipas akuzës, i arrestuari në flagrancë, shtetasi Elton Bajraktari, ka lindur më 20 janar 1986 në Shkodër dhe banon në Tiranë në rrugën “Don Bosko”. Po në këtë zonë familjarët e të ndjerit Arbër Mitro kanë një dyqan lojërash elektronike. Gjatë kohës së qëndrimit në dyqan i ndjeri luante edhe futboll jashtë me shokët e tij, e ndërkohë flisnin siç mund të flasin me fjalë të ndryshme kur luajnë. Një ditë ka qenë duke kaluar shtetasi Elton Bajraktari, i cili pasi ka dëgjuar se flitej me fjalë banale, i është drejtuar Arbër Mitros duke i thënë: “Mos fol me fjalë të pista, se ne këtu banojmë”, por ai ka reaguar negativisht duke qenë edhe mospërfillës. Kjo ka ndodhur përsëri ditën e ngjarjes, por për të njëjtin shkak, e për më tepër që tashmë i arrestuari kishte edhe një inat të grumbulluar nga ditët e mëparshme. Përsëri i ka kërkuar shpjegime Arbër Mitros se përse fliste ashtu dhe biseda ka degjeneruar në tone të larta, si dhe kanë filluar të shtyhen me duar me njëri-tjetrin.

Ndjekja 15 metra

Elton Bajraktari mbante në dorë një thikë dhe ka tentuar të qëllojë Arbër Mitron. Ndërkohë që ky i fundit ka filluar të largohet, Eltoni është drejtuar me shpejtësi me thikë në dorë për tek Mitro, të cilin e ka qëlluar me thikë një herë në gjoks, si dhe me grushte me dorën tjetër. I riu ka nisur të largohet, duke ecur në një distancë rreth 15 metra, ku është rrëzuar në gjunjë. Eltoni e ka arritur përsëri dhe e ka gjuajtur përsëri me grushte dhe shqelma. Më pas të dëmtuarin e kanë dërguar në spital, ku ka gjetur vdekjen, ndërsa autori Elton Bajraktari është larguar duke arritur t’i fshihet policisë së Tiranës. Më pas autori është dorëzuar në polici, më datën 30 qershor 2013, ku është mbajtur edhe procesverbali, si dhe kanë shkuar në banesën e tij dhe kanë sekuestruar mjetin e krimit, që është thikë. Nga deklarimet e administruara në dosje rezulton e provuar se midis tyre ka pasur reciprokisht fjalë fyese, por rezulton e provuar se goditjet e para fizike janë kryer nga ana e autorit, ndërsa viktima ka përdorur vetëm fjalë fyese. Ndërsa autori ka një dëmtim të papërfillshëm në krah, të cilin mund ta ketë marrë gjatë mbrojtjes që ka bërë viktima, e gjithsesi vepra penale mbetet e cilësuar si “Vrasje më dashje”, e parashikuar dhe e dënueshme nga neni 76 i K. Penal. Gjithashtu, autori ka mbajtur me vete një thikë, ndërsa për viktimën provohet se nuk ka pasur asnjë mjet të fortë prerës, shpues, që mund t’i shkaktonte sadopak lëndime fizike autorit. Mbajtja e thikës në atë formë përbën element të veprës penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”. Akt-ekspertimi mjekoligjor, datë 5 qershor 2013, për të ndjerin Mitro, ka përcaktuar se shkaku i vdekjes ka ardhur pikërisht nga goditja me thikë në aortën e zemrës.

 

 

Deklarata e ministrit të Drejtësisë pas takimit me ambasadorin izraelit

 Naço: Korrupsioni, një krim i rëndë, do të hetohet dhe të gjykohet nga Krimet e Rënda

 Ministri i Drejtësisë zhvilloi një takim me ambasadorin e Izraelit, z. David Cohen. Ministri i bëri me dije ambasadorit planet e tij të punës në kuadër të reformës në drejtësi, duke nisur nga dixhitalizimi i gjykatave dhe noterisë, me një shtrirje në të gjithë territorin e Shqipërisë. Ai tha se është përgatitur paketa antikorrupsion, ku rastet e korrupsionit do të gjykohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por do të krijohet edhe një task-forcë në nivelin e mesëm e të ulët të administratës. “Do të ketë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin e Procedurës Civile. Në praktikë lind e nevojshme të bëhen ndryshime të thella, që të mos ketë zvarritje të proceseve gjyqësore dhe vendimet të jepen në kohë. Do të ketë ndryshime edhe në Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë për dy inspektoratet përkatëse, si dhe përmirësim të sistemit gjyqësor dhe ndryshime në sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve. Ndryshime parashikohen edhe në Ligjin për Gjykatën e Lartë, pasi aktualisht janë 12.000 çështje të mbartura që në vitin 2009 – 2010, ku mesatarisht gjykohen 1000 çështje në vit, civile dhe penale. Gjykata e lartë nuk duhet të gjykojë çdo çështje që kalon për gjykim në shkallën e parë të gjyqësorit”, – theksoi Ministri Naço. Ambasadori Cohen, nga ana e tij, tha se Gjykata e Lartë e Izraelit është një nga katër të tilla në botë që trajnon gjyqtarë të tjerë. “Kam qenë vetë përgjegjës për 16 gjyqtarë nga Gjykatat e Larta të vendeve amerikane. Ata u trajnuan me metodat amerikane për luftën kundër korrupsionit, të mbuluara nga buxheti i Amerikës. Izraeli është më afër metodës së shteteve si Britania. Unë propozoj, që nëse Shqipëria mund të gjejë ndihmë nga BE-ja dhe SHBA-ja për këtë buxhet, mund të bëjmë diçka për gjyqtarët shqiptarë, që të marrin trajnim në këtë drejtim”, – u shpreh ambasadori.

 

 

Aksioni i policisë

Peqin, bllokohen 232 mijë litra solar, në kërkim pronari

Policia ka zhvilluar sërish një tjetër aksion kundër trafikimit të hidrokarbureve dhe këtë herë në Peqin janë ndaluar pesë depozita solari dhe një makina autobot që arrijnë shifrën e 232 mijë litra solar. Mësohet se efektivët janë informuar në mënyrë operative se në mes të disa pemëve, në fshatin Çopana, ndodheshin disa depozita solari, të ndërtuara në mënyrë të fshehtë. Efektivët kanë bërë bllokimin e tyre dhe u zbulua se ato ndodheshin në pronësi të shtetasit D. Ceka, i shpallur tashmë në kërkim, pasi dyshohet se solari ishte kontrabandë. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe përfaqësues të Drejtorisë së Doganave dhe Tatimeve, ndërsa në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit po kryen hetime të mëtejshme. Ekspertët kanë bërë izolimin e depozitave, ndërsa priten të tjera të dhëna mbi mënyrën e trafikimit të solarit. Ky është aksioni i radhës i policisë, e cila në bashkëpunim me Drejtorinë e Doganave dhe atë të Tatimeve janë angazhuar në një fushatë kombëtare për ndalimin e tregtimit të mallrave kontrabandë.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency