Vrasja në Gjirokastër, polifonisti debatoi me gruan për një borxh

0
137

Telnis Skuqi

 

 

Zbardhet motivi i krimit në familje. Nexhmi Mustafaraj, i dënuar për lëndë narkotike.

Familjarët e viktimave keqtrajtojnë një mjek dhe dy infermiere në spitalin e Gjirokastrës

 

KengetariPara se të vriste bashkëshorten dhe veten me plumb në zemër, po debatonin për një borxh. Ky duket të jetë shkaku i vrasjes së dyfishtë të martën në lagjen “18 Nëntori” në Gjirokastër, ku viktima mbeten Nexhmi Mustafaraj, 57 vjeç, dhe Zenelbije Mustafaraj, 49 vjeçe. Autori, njëkohësisht viktima e tragjedisë, rezulton një ish-i dënuar me dy vjet burg për lëndë narkotike. Prej asaj kohe, këngëtari i polifonisë labe ka mbartur borxhe dhe gjatë sherrit me gruan, autori ishte në presion që ky fakt të mos mësohej nga vajza e tyre 25 vjeçe, me profesion avokate në Gjirokastër. Për këtë arsye u futën në dhomën e gjumit, ku edhe u vranë. Miqtë e tyre njohin anën e mirë. Për ta ishin një çift i qetë dhe të dashur. Nexhmi Mustafaraj, një ish-efektiv policie, njihej në opinion si mjeshtri i polifonisë labe. Ka qenë marrës dhe kthyes i disa grupeve polifonike të Gjirokastrës, si dhe pjesëmarrës aktiv i ansamblit “Çerçiz Topulli” Gjirokastër. Nexhmi Mustafaraj ka qenë fitues i tri çmimeve të para dhe të dyta në evente të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare me bazë folklorin.

Sherri në spital

Dajaku ka kërcitur në urgjencën e spitalit të Gjirokastrës mbrëmjen e djeshme, pasi të afërmit e dy viktimave, që njëra u vra dhe tjetri u vetëvra, në banesën e tyre, në prani të vajzës së tyre 25-vjeçare, në lagjen “18 Nëntori”, Nexhmi dhe Zenelbie Mustafaraj, kërkonin të ringjalleshin nga bluzat e bardha. Infermierët R. K., O. M. dhe mjeku Th. B., u dhunuan fizikisht gjatë kryerjes së detyrës, që mrekullisht u shpëtuan nga një grua, jo nga policia. Arben Kuro, mjek kirurg, njëherazi nëndrejtor i spitalit rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër, pohoi se dhuna e mbrëmjes së djeshme ishte e paprecedent. “Të dhunosh tri bluzat të bardha në ambientet e punës, për mua është vandalizëm”, – shprehet Kuro. Sipas tij, një infermier ka pësuar frakturë kockore në hundë, ndërsa kolegu i tij është dhunuar fizikisht. “Është e pafalshme që me emër të fatkeqësisë të justifikosh dhunën fizike ndaj bluzave të bardha”, – thekson Kuro.
Kuro tregon se vazhdimisht mjekët e spitalit të Gjirokastrës janë dhunuar, por ngjarja e djeshme ka kaluar çdo kufi. “Një i vdekur nuk mund të ringjallet, vetëm se e kërkojnë disa njerëz”, – nënvizon Kuro, ndërsa shton se sot stafi i spitalit të Gjirokastrës do të protestojë ndaj dhunës.

Shpëtimi i mjekëve

Jeta e dy infermierëve dhe mjekut të urgjencës, vijon Kuro, u shpëtua mrekullisht nga një zonjë, motra e ish-gjyqtarit të futbollit, Astrit Mema, e cila i mbrojti me trup bluzat e bardha nga dhunuesit. “Jeta e infermierëve dhe mjekut të urgjencës ishin në rrezik, por çmenduria e dhunuesve nuk u finalizua falë vendosmërisë së një gruaje, që personalisht dua ta falënderoj”, – thotë Kuro, ndërsa shton se sot stafi i spitalit të Gjirokastrës ka vendosur të protestojë ndaj dhunuesve. Dy ditë më parë, në lagjen “18 Nëntori”, u shënua një ngjarje e paprecedentë në qytetin e Gjirokastrës. Nexhmi Mustafaraj, 59 vjeç, polifonist i këngës labe, njëherazi punonjës pranë Bashkisë së Gjirokastrës, qëlloj për vdekje me pistoletë pa leje gruan e tij, Zenelbie Mustafaraj, 49 vjeçe, pas një konflikti familjar dhe disa minuta më vonë vrau veten. Krimi ndodhi në prani të vajzës së tyre, avokate, në dhomën e gjumit. Policia aktualisht po punon për të zbuluar rrethanat e ngjarjes.

 

 

Takimi i ministrit me ambasadorin gjerman 

Ministri Naço merr mbështetjen e Hoffmanit për reformat në drejtësi

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, priti dje në një takim ambasadorin e Gjermanisë, z. Hellmut Hoffmann. Diplomati gjerman e uroi ministrin për detyrën e re në një sektor kaq të rëndësishëm, siç është drejtësia. Ministri Naço e informoi ambasadorin për reformat që ministria që ai drejton ka nisur. “Që në ditët e para të punës sime, ka nisur puna me ekipin e kabinetit mbi strategjinë antikorrupsion. Ka nisur tashmë punën portali i denoncimeve në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë në internet, i ndryshuar dhe i zgjeruar në fushën e denoncimeve të rasteve të korrupsionit. Gjithashtu, do të nisë një fushatë publicitare televizive me qëllim sensibilizues. Kjo nismë synon të zgjojë atë pjesë të shëndoshë të shoqërisë që do të luftojë korrupsionin, ashtu si ne. Do të ketë ndryshime në ligjin antimafia, duke përfshirë në këtë ligj si një vepër penale edhe rastet e korrupsionit. Do të ketë reformë në shërbimin e provës, për ta shtrirë atë në të gjithë Shqipërinë. Ky shërbim, që shmang mbipopullimin në burgje, ka edhe synimin e trajtimit më dinjitoz të të dënuarve. Gjithashtu, mbikëqyrja elektronike, e zbatuar vetëm në Tiranë, do të shtrihet në të gjithë vendin. Do të bëhet dixhitalizimi i Hipotekës dhe Noterisë, për të shmangur vështirësitë në aplikime dhe kërkesa. Zbatimi i paketës antikorrupsion do të ketë përparësi. Për të gjitha këto, do të kërkoja asistencën e ekspertëve gjermanë”, – përfundoi ministri Naço. Ambasadori tha së lufta kundër korrupsionit është e rëndësishme, pasi krijon terren më të sigurt edhe për investitorët gjermanë. Gjithashtu, ai u ndal në çështje që kanë të bëjnë me koordinimin e punës së institucioneve respektive. “Deri më sot, kemi pasur një bashkëpunim të mirë ndërinstitucional dhe dëshiroj ta vazhdojmë. Nga ana jonë si ambasadë, do të keni gjithë mbështetjen e nevojshme në nivel ekspertizë, sikurse ju kërkuat”, – u shpreh Ambasadori Hoffmann.

 

Vijojnë seancat maratonë në Gjykatën e Krimeve të Rënda 

Gjyqi i Dritan Dajtit, i pandehuri kërkon në gjykatë rrobat e katër policëve të vrarë

I pandehuri i drejtësisë shqiptare për vrasjen e katër policëve katër vjet më parë, Dritan Dajti, braktisi sërish sallën e gjyqit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, pas refuzimit nga togat e zeza të kërkesës së radhës. Gjatë seancës së djeshme Dajti kërkoi që të sillen për shqyrtim veshjet që mbanin policët e vrarë në ditën e aksionit për kapjen e tij, sepse sipas Dajtit katër policët e vrarë ishin të veshur civilë në momentin e ngjarjes. Dajti tha se ata nuk kishin shenja dalluese që mund të tregonin se ishin efektivë. Por gjykata e hodhi poshtë kërkesën e tij duke i thënë se veshjet nuk i dispononte më drejtësia, sepse ata u ishin kthyer familjarëve të viktimave. Dajti me kaq është mjaftuar dhe më pas është larguar nga salla e gjyqit. Në fund Dajti ka thënë se dëshminë do ta vijojë seancën e radhës. Më herët Dajti ka akuzuar trupën gjyqësore për bllokimin e procesit dhe zvarritje të tij. Pasi siç u shpreh vetë Dajti gjykata refuzoi të paguante avokati Ndue Pjetra, i cili ishte i gatshëm ta mbronte duke kërkuar 200 mijë euro, por gjykata nuk pranoi kërkesën e tij me arsyetim se nuk mund të jepte kaq para. Dajti tha se prokurori i çështjes po vihet në siklet nga dëshmitë e tij në gjyq. Por vetë prokuroi ka kërkuar zhbllokimin e procesit gjyqësor, duke thënë që Dajti s’duhet të lejohet me nga gjykata të bëjë deklarata mediatike. I akuzuari i drejtësisë për vrasjen e katër efektivëve të policisë, Dritan Dajti më herët ka hedhur akuza të reja për vrasje ndaj zyrtarit të lartë të policisë, Arjan Muça që drejtoi operacionin për kapjen e tij në vitin 2009. Dajti thotë se Muça ka ideuar vrasjen e sekretarit të Komunitetit Mysliman, S. Tivarit. Më herët gjykata rrëzoi kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar. Dajti me këtë kërkesë ka tentuar t’i shmanget burgimit të përjetshëm.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency