Studimi i Bankës së Shqipërisë/ Fullani deklaron: Shtrëngohen kreditë, shqiptarët po marrin faje

0
134

 Ervin Kaduku

 

Guvernatori konstaton, më në fund, se individët e kanë pasur më të vështirë të marrin kredi, si për blerje banese ashtu dhe për kredinë konsumatore, duke qenë të detyruar t’u drejtohen burimeve alternative të financimit

 

para - lekeNjë studim i Bankës së Shqipërisë lidhur me aktivitetin kreditues të bankave të nivelit të dytë në vend ka “zbuluar” një fakt domethënës: shqiptarët kanë nisur t’u drejtohen burimeve informale për të marrë kredi, në mungesë të një tregu normal bankar. Ndërkohë, Shqipëria ka një paketë të plotë ligjore për funksionimin e sistemit bankar në vend, ka institucione, madje të mbipaguara, për të kontrolluar këtë treg, nuk i kanë munguar as këshillimet nga ndërkombëtarët. Por, sipas një proverbi francez, “nuk ka shurdh më të keq se ai që nuk dëshiron vetë të dëgjojë!”

Rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues pranë bankave tregojnë se standardet e kredisë për biznese mbetën të pandryshuara, ndërsa standardet për individë u shtrënguan gjatë tremujorit të tretë të vitit 2013, sipas Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues për tremujorin e tretë 2013, publikuar dje nga Banka e Shqipërisë. Sipas qëllimit të përdorimit, standardet e kredisë dhënë individëve u shtrënguan, si për blerje banese ashtu dhe për kredinë konsumatore.
Standardet e kredisë për bizneset mbetën të pandryshuara, si për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ashtu edhe për ndërmarrjet e mëdha. Bankat shprehen për shtrëngim të standardeve për kredi me qëllim financimin e kapitalit qarkullues dhe lehtësim të atyre për investim.
Faktorët me kontributin kryesor në shtrëngimin e standardeve të kredisë për individë ishin: gjendja financiare e individëve, huatë me probleme dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme. Nga ana tjetër, niveli aktual ose i pritshëm i likuiditetit të bankës, konkurrenca në sistemin bankar, mjaftueshmëria e kapitalit dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë kanë ndikuar në lehtësimin e standardeve të kredidhënies. Problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin ndërmarrja, gjendja e huave me probleme në sistemin bankar dhe situata makroekonomike në vend kanë vijuar të kontribuojnë në kahun shtrëngues të standardeve të kredidhënies për bizneset.
Vendimet e Bankës së Shqipërisë, niveli aktual ose i pritshëm i likuiditetit të bankës, konkurrenca në sistemin bankar, si dhe mjaftueshmëria e kapitalit përfaqësojnë faktorë me ndikim në kahun lehtësues të standardeve të kredisë për biznes. Kërkesa për kredi është vlerësuar në rënie për bizneset dhe për individët. Për bizneset, rënia e kërkesës u vu re si në ndërmarrjet e mëdha dhe në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ndërsa për individët, kërkesa ka qenë në rënie për kreditë me qëllim blerje banese, ndërkohë që ka ardhur në rritje për kredinë me qëllim financimin e konsumit.
Sipas bankave, faktorët kryesorë që kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të bizneseve, gjatë tremujorit të tretë të vitit, janë situata aktuale dhe e pritshme makroekonomike në vend, mungesa e kërkesës për financimin e investimeve fikse dhe përdorimi i burimeve alternative të financimit. Nga ana tjetër, besimi i konsumatorëve dhe burimet alternative të financimit, kanë ndikuar negativisht nivelin e kërkesës për kredi të individëve.

Kredia për bizneset

Standardet e kredisë. Standardet e kredisë dhënë bizneseve kanë mbetur të pandryshuara gjatë tremujorit të tretë. Balanca neto e përgjigjeve të bankave që janë shprehur për ndryshim të standardeve, shënoi vlerën 0, vlerë kjo e përmirësuar, krahasuar me atë të shënuar një tremujor më parë (-2.3%). Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, standardet e kredidhënies mbetën të pandryshuara, si për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ashtu edhe për ndërmarrjet e mëdha .
Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet u shtrënguan për kreditë me qëllim investimin dhe u lehtësuan për kreditë me qëllim financimin e kapitalit qarkullues (balancat përkatëse rezultuan -5.0% dhe 1.8%).
Standardet e kredisë për bizneset pritet që të shtrëngohen lehtë në tremujorin e katërt të vitit 2013. Balanca neto e pritjeve shënoi vlerën -0.3% (shtrëngim).

Faktorët që ndikuan në kahun shtrëngues të standardeve të kredisë për bizneset, gjatë tremujorit të tretë, ishin: problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin ndërmarrja, gjendja e huave me probleme në sistemin bankar dhe situata makroekonomike në vend. Nga ana tjetër, vendimet e Bankës së Shqipërisë, gjendja e likuiditetit, si dhe niveli i konkurrencës në sistemin bankar kanë ndikuar në kahun lehtësues të standardeve të kredidhënies për bizneset.
Kërkesa për kredi. Në tremujorin e tretë, vlerësimi i ekspertëve të bankave për kërkesën e bizneseve për kredi ka vazhduar të jetë negativ. Krahasuar me një tremujor më parë, niveli i kërkesës ka rezultuar më i ulët. Përqindja neto e bankave që kanë perceptuar rënie të kërkesës për kredi rezultoi 29.6% nga 6.9% që ishte në tremujorin e mëparshëm. Rënia e kërkesës gjatë tremujorit aktual, përputhet me pritjet e bankave për të në tremujorin e kaluar, ndonëse ka rezultuar në një nivel më të lartë (grafiku 4). Rënia e kërkesës u vu re kryesisht në ndërmarrjet e mëdha dhe për kredinë për qëllime investimi. Ndryshe nga tremujori i kaluar, bankat kanë vlerësuar në rënie kërkesën për kredi nga bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe kërkesën për kredi për kapital qarkullues.
Ekspertët e kredisë presin rritje të kërkesës për kredi gjatë tremujorit të katërt të vitit 2013, si nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ashtu dhe nga korporatat.

Kredia për individë

Standardet e kredisë. Standardet e kredisë dhënë individëve u shtrënguan lehtësisht gjatë tremujorit të tretë. Përqindja neto e bankave që shprehen për shtrëngim të standardeve të kredisë për individët, rezultoi 0.4%. Shtrëngim ky që nuk është në të njëjtën linjë me pritjet e shprehura nga bankat për këtë periudhë në vrojtimin e mëparshëm. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet u shtrënguan si për kreditë konsumatore, ashtu dhe për kreditë me qëllim financimin e banesës. Shtrëngimi i standardeve rezultoi në një masë më të madhe për kreditë konsumatore se për kreditë me qëllim financim banese. Balancat përkatëse shënuan vlerat -4.0% dhe -0.4%, në rënie krahasuar më një tremujor më parë.
Faktorët që dhanë kontribut në kahun shtrëngues të standardeve të kredisë dhënë individëve janë: niveli i huave me probleme, gjendja financiare e individëve dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme. Nga ana tjetër, faktorët që kanë ndikuar në kahun lehtësues të standardeve janë: niveli aktual ose i pritshëm i likuiditetit të bankës, konkurrenca në sistemin bankar, vendimet e Bankës e Shqipërisë, si dhe mjaftueshmëria e kapitalit të bankës.
Bankat zbatuan një politikë shtrënguese të standardeve të kredidhënies për individë, kryesisht nëpërmjet rritjes së marzhit për kreditë me rrezik dhe uljes së madhësisë së kredisë. Në tremujorin e tretë, si instrument për lehtësimin e standardeve u përdor dhe zgjatja e maturitetit maksimal të kredisë, zbutja e kërkesave për kolateral, si dhe zvogëlimi i komisioneve.
Kërkesa për kredi. Kërkesa e individëve për kredi u vlerësua në rënie, gjatë tremujorit të tretë. Balanca përkatëse shënoi vlerën -2%. Vlerësimi mbi kërkesën nuk përputhet me pritjet e shprehura në tremujorin e kaluar, për rritje të kredisë në tremujorin aktual. Kërkesa për kredi rezultoi në rënie për kreditë me qëllim blerje banese, balanca përkatëse e të cilave shënoi vlerën -11.7%. Ndërkohë, kërkesa për kredi me qëllim financimin e konsumit shënoi rritje, ndonëse më të ulët se në tremujorin e kaluar. Balanca përkatëse rezultoi 7.6%. Ekspertët e kredisë presin rritje të kërkesës së individëve për kredi, në tremujorin e katërt të vitit 2013.
Ndër faktorët me ndikimin më të madh në krahun rënës të kërkesës së individëve për kredi ishin: rënia e besimit të konsumatorëve dhe përdorimi i burimeve alternative të financimit. Nevoja për financimin e banesës dhe të konsumit, kushtet e aplikuara nga bankat dhe kushtet e kreditimit vijojnë të ndikojë pozitivisht në nivelin e kërkesës për kredi të individëve.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency