Standard.al

Përmbytet periferia e Tiranës, Basha me 300 punonjës të bashkisë në ndihmë të familjeve

Përmbytje në Krujë, Vlorë, Lezhë, Kukës dhe në shumë qytete dhe fshatra të tjerë

Banorët: Pamë tmerrin me sy

 

BashaReshjet e dendura të një nate më parë kanë përmbytur periferinë e Tiranës. Dalja nga shtrati e lumit të Tiranës ka bërë që ujërat të vërshojnë përnjëherësh në shtëpitë e banorëve pa u lënë atyre asnjë mundësi për të shpëtuar orenditë shtëpiake. Janë rreth 1000 banesa të përmbytura dhe 6 mijë qytetarë ndodhen në situatë emergjente. Sipas banorëve, uji ka vërshuar menjëherë, bashkë me ta dhe balta e cila bënte të pamundur lëvizjen. Në disa zona periferike të Tiranës, por edhe në Kamëz, uji ka kapur nivelin e 2 metrave lartësi. “Asgjë nuk ka ngelur në shtëpi, çdo gjë e ka prishur uji, me divane, dyshekë etj. Nga ora 05:00 uji ka ardhur tek ne. Ishim në gjumë dhe nuk e dimë se si kemi dalë”, – shprehet një banore. “Sapo i kisha blerë të gjitha pajisjet e kuzhinës të reja. Përmbytja m’i shkatërroi. Lartësia e ujit arriti deri në 2 metra”, – thotë një tjetër banor. “Nga qeveria kërkojmë ndihmë sa më parë, sidomos për fëmijët, të cilëve nuk kam as bukë t’u jap”,- theksojnë banorët.

 

Kryebashkiaku

 

Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, i shoqëruar nga të gjithë punonjësit e bashkisë, kanë nisur që në orët e para të mëngjesit aksionin për t’u ardhur në ndihmë familjeve. Bashkia ka ngritur menjëherë komisionin e emergjencës civile, për të evidentuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet. Kryebashkiaku Basha ka vizituar disa familje, shtëpitë e të cilëve u përmbytën. Basha ka theksuar se kjo situatë e jashtëzakonshme kërkon përgjigje nga të gjitha institucionet e vendit. “Rreth orës 05:00 të mëngjesit, si rezultat i reshjeve të pandërprera që kanë arritur kuotën e 60 mm, në më pak se 4 orë, lumi i Tiranës ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur pjesë të mëdha të njësisë bashkiake nr. 11 dhe më tej të bashkive e komunave kufitare. Mbi 1000 familje, mbi 6000 qytetarë gjenden në këtë situatë të cilën do e cilësoja si emergjente, për nga kushtet e përmbytjes. Për fat të mirë, nuk ka pasur viktima apo probleme me njerëzit, ndonëse në disa raste të shtëpive njëkatëshe, evakuimi i banorëve është bërë menjëherë tek komshinjtë, por ka dëme të mëdha materiale”, – u shpreh kryebashkiaku. Sipas Bashës: “Është e nevojshme që me bashkërendimin e punës, të kemi një bashkërendim edhe me institucionet qendrore, për të shtuar krahun e punës që ndihmon në pastrimin e zonës dhe për të stabilizuar furnizimin me gjërat bazë, kryesisht me ujë të pijshëm, i cili do të fillojë menjëherë me autobot dhe me mjete të tjera furnizimi nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve”. Pas përpjekjes për t’u ardhur në ndihmë banorëve, sipas dispozitës dhe praktikës së shtetit shqiptar, do të bëhet evidentimi i dëmit.

 

Ushtria, në ndihmë të banorëve

 

Bashkë me punonjësit e Bashkisë ka shkuar në ndihmë të banorëve edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e shoqëruar nga ushtria. Ministrja e Mbrojtjes tha: “Ka dalë jashtë përdorimit çdo orendi e banorëve. Ka një problem të ndërtimit të banesave pranë lumit. Shirat kanë agravuar situatën. Forcat e ushtrisë dhe forcat e policisë janë këtu. Po merren të gjitha masat. Fillimisht do të ndihmohen fëmijët dhe gratë. Mendoj që kanë ndërtuar në vendin e gabuar, por kjo nuk do të thotë se do të merren masa për të zgjeruar shtratin e lumit, pasi është mbyllur për shkak të inerteve gjatë ndërtimit. Kjo ka bërë që rrjedha e lumit të ngushtohet, duke bërë që uji të dalë nga shtati. Jam e informuar që edhe në Vaqarr ka situatë të tillë të agravuar dhe do shkoj edhe atje dhe do shoh si do të shkojë”, – deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, pas inspektimit të situatës.

 

Turbullohet Bovilla

 

Reshjet e shumta të mbrëmjes së 15 tetorit, duke u gdhirë e mërkura, kanë turbulluar ujin mbi normat e lejuara të burimit të Bovillës së Vjetër. Ujësjellësi Tiranë që bëri të ditur mëngjesin e djeshëm lajmin, informon se për këtë arsye është ndërprerë furnizimi i linjës 700 mm, deri në stabilizimin e situatës. Kjo linjë furnizon me ujë në zonat Zall-Herr, Babrru, ish-reparti ushtarak 3700. Gjithashtu stacioni i pompimit në Qafë-Mollë nuk është në punë aktualisht për shkak të shkarkimeve elektrike që ka pasur si rezultat i reshjeve të shiut.

 

Ndërpritet energjia elektrike

 

Ndërkohë, kompania CEZ bën me dije se si pasojë e motit të keq, disa zona të Tiranës ishin pa energji elektrike ditën e djeshme. Ndërprerje të energjisë elektrike ka pasur në zonat Kodër-Kamëz, Bathore, Universiteti Bujqësor i Kamzës dhe rruga “Qemal Stafa” në Paskuqan. Shkak për ndërprerjen është bërë dëmtimi i disa fibrave. Zyrtarë të CEZ-it bëjnë me dije se është përmbytur nënstacioni elektrik në Kombinat. Kjo ka sjellë që të mbeten pa energji edhe zonat Kombinat, Vaqarr, Prush dhe Yzberisht. Kompania bën me dije se po punohet për zgjidhjen e situatës.

Dëmtohet “Shën Mëria” në Voskopojë

Shirat e dendura kanë dëmtuar gjatë natës çatinë e kishës “Shën Mëri”, në Voskopojë. Autoritetet vendore të Voskopojës kanë kërkuar ndërhyrje emergjente për të riparuar çatinë e kishës, e cila është klasifikuar si monument kulture i kategorisë së parë. Ndërkohë, përmbytje ka pasur në të gjithë vendin, duke përfshirë Vlorën, Krujën, Lezhën, Kukësin, Fierin dhe shumë zona të tjera.

 

Probleme në Rrugën e Kombit

 

Reshjet e dendura të shiut, që kanë rënë gjatë para dy netëve, kanë shkaktuar probleme në autostradën Morin – Kukës, pjesë e autostradës Kalimash – Morin. Në vendin e quajtur Rrethrrotullimi i Kukësit dhjetëra metra kubë dhe gurë kanë rrëshqitur nga skarpatat anësore duke zënë pothuajse tërësisht njërën pjesë të korsisë së rrugës. Kjo situatë është e pranishme në të gjithë autostradën, ku gurët bien në rrugë e ku punonjësit e policisë rrugore detyrohen që t’i lëvizin ato, pasi autostrada nuk ka një kompani e cila mund ta mirëmbajë atë. Drejtuesit e ndërmarrjes së rrugëve, ndonëse nuk prononcohen për mediat, thonë se që nga muaji maj, i këtij viti, autostrada nuk mirëmbahet duke e lënë pothuajse fare në mëshirë të fatit. Shirat kanë përmbytur 4 fshatra në Bubq të Krujës. Bëhet e ditur se nga shirat janë përmbytur fshatrat Bilaj, Murqinë, Mazhe e Mallkua. Shirat gjithashtu kanë dëmtuar sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore.

 

 

Kryetari i Bashkisë Kamëz: Ja tre kolektorët që sjellin përmbytjet

Të gjitha institucionet janë mobilizuar ditën e djeshme për t’u ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur. Bashkë me to edhe Bashkia e Kamzës, ku ka qenë vetë kryetari i bashkisë, Xhelal Mziu, i cili i ka inspektuar disa zona të përmbytura. Ai është shprehur se ka një angazhim total për të përballuar këtë situatë. Sipas të dhënave, rezultojnë disa zona të përmbytura, ku bëjnë pjesë rreth 200 familje në lagjet Valias, Frutikulturë, Laknas dhe Bathore, si rezultat i reshjeve të dendura të shiut. “Theksoj se krahas ndërhyrjes momentale me kapacitetet e bashkisë, ka nevojë edhe për mbështetjen e qeverisë shqiptare nëpërmjet Drejtorisë së Emergjencave Civile për pastrimin e kolektorëve dhe ndihmës financiare ndaj familjeve të prekura nga përmbytja. Bashkia po shfrytëzon të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj për zgjidhjen e situatës”, – tha z. Mziu. Ai ka bërë me dije se bashkia disponon projektet e tre kolektorëve të hapur që shkaktojnë përmbytjen në këtë zonë:

1-Kolektori i Valiasit të Ri, nga “Bulevardi Blu” deri në grykëderdhjen e lumit të Tiranës

2-Kolektori i Frutikulturës nga “Bulevardi Blu” deri në grykëderdhjen e lumit të Tiranës

3- Kolektori i hapur i lagjeve nr. 1, 2, 3 dhe 4 në Bathore.

 

 

 

Comments are closed.