Njerëzit e vështirë!

0
199

Psikologji/ Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli

 

 

 

Majkëll R. Edelshtajn, PH.D

Dejvid Ramsej Stile, Ph.D

ankthMë bëhet sikur pothuajse i dëgjoj disa lexues që më kundërshtojnë: “A mos vallë Hedhëri duhet të pajtohet me këtë sjellje të pakujdesshme? Mos po na thua se ne duhet të tregohemi të butë e të nënshtruar?”

Njerëzit që përpiqen ta justifikojnë zemërimin zakonisht flasin sikur e vetmja alternativë ndaj tij është qëndrimi pasiv “nënshtrimi urtë e butë”. Por në fakt ka edhe plot alternativa të tjera të mundshme, si: vendosmëria e qetë ose pajtimi i arsyeshëm. Këtu kemi disa shembuj:

Një polic trafiku që të gjobit për tejkalim shpejtësie, normalisht nuk është as i zemëruar, as pasiv. Ai është i qetë, i vendosur dhe konformist.

Një boksier profesionist nuk është i nënshtruar dhe i butë në ring, e megjithatë, zakonisht nuk është i zemëruar. (Ndonjëherë ai mund ta fyejë me paramendim kundërshtarin nëse llogarit që me këtë ta irritojë dhe kështu t’ia pakësojë efikasitetin).

Një ushtare është tepër e dëgjueshme përballë komandave të rreshterit të saj. Do të ishte thjesht budallallëk nëse ajo do të sillej ndryshe, për shembull: të protestonte e zemëruar: “Unë jam e ndijshme, jam njeri, kështu që kije parasysh personalitetin tim, kur më urdhëron të vij vërdallë”. Një politikë e qëllimtë pajtuese zakonisht është metoda më e mirë kur ke të bësh drejtpërdrejt me drejtues apo me një organizëm shumë të fuqishëm, i cili i ka mundësitë për të ta dëmtuar punën tënde.

 

Modestia është një nga strategjitë e dobishme

Por ende, lexuesit mund ta kundërshtojnë këshillën që i dhashë unë Hedhërit, duke thënë: “Sigurisht, njerëz si Piteri mund t’i bësh që t’i ndryshojnë zakonet e tyre të këqia! Sigurisht që Hedhëri ka plotësisht të drejtë të zemërohet! Mos vallë po na sugjeron nocionin fetar: “ktheji edhe faqen tjetër”? Mos po na sugjeron që t’i lemë njerëzit e tjerë të na nëpërkëmbin dhe ne të mos u kundërvihemi?”

Në fillim të gjitha këto fjalë tingëllojnë si përgjigje të arsyeshme, por që shpesh shërbejnë si një justifikim i brishtë për zemërimin dhe kërkesën irracionale. Supozoni sikur jeni përballur me një person “të vështirë”. Le t’i shqyrtojmë me kujdes disa aspekte të këtij problemi:

 

Mund të ndodhë vërtet që, “nuk bën dot më asgjë) (pra, nuk ke më asnjë mundësi ta shmangësh pasojën aq shumë të padëshirueshme, e cila do të të detyrojë të pajtohesh me sjelljen e neveritshme të një personi tjetër). Nëse vërtet nuk ka mbetur më se çfarë të bësh, atëhere më mirë përballoje këtë fakt qetësisht.

Mund të qëllojë që i vetmi shans që të mbetet është: ja të ikësh, ja të rrish. Nëse vendos se më e mira është ta lësh personin tjetër, atëhere pse mos largohesh i pa zemëruar? (kur kthejnë kokën mbrapa e kujtojnë grindjet që kanë patur gjatë divorcit të një martese të përfunduar, njerëzit shpesh i gëzohen faktit të prishjes së asaj martese, ama thuajse përherë ndjejnë keqardhje për skenat e zemërimit). Nëse vendos të rrish, atëhere e pranon edhe mundësinë se ai do t’i vazhdojë sjelljet e tij të neveritshme. Në secilin prej këtyre rasteve, zemërimi jo vetëm nuk të ndihmon, por të shkakton dhe probleme shtesë. Po kështu, në secilin prej këtyre rasteve ka më shumë ngjasa që të marrësh vendimin e duhur – të rrish apo të largohesh – nëse fillimisht heq qafe zemërimin tënd dhe pranon sjelljen e personit tjetër për kohën në fjalë.

Nëse ka diçka që mund të bësh (përveç rastit kur largohesh) kjo nuk arrihet duke qenë i zemëruar ngaqë me siguri po të jesh i nxehur, do e pakësoje efikasitetin e asaj që doje të arrije (Në qoftë se është me gjithë mend e vërtetë – por kjo është diçka krejt e veçantë – se, duke shfaqur zemërim, arrin ta detyrosh personin në fjalë që të bëjë atë çka i kërkon dhe se kjo gjë nuk do të ketë pasoja negative për ty, atëherë do të qe e këshillueshme ta bëje këtë gjë, duke ruajtur gjakftohtësinë dhe vetëm të shtireshe sikur je vërtet i zemëruar).

Nëse e heq qafe zemërimin dhe qetësohesh, arrin t’i shqyrtosh më realisht opsionet e mundshme. Ti mund të eksperimentosh logjikisht me anë taktikash të larmishme për ndryshimin e personit tjetër. Kujtoju se të heqësh qafe zemërimin tënd, nuk do të thotë të pëlqesh atë çka të shtyu të zemërohesh dhe as të pajtohesh me të.

Nëse sjellja e papëlqyeshme e personit tjetër vijon për një kohë të gjatë, atëherë ekziston një mundësi e fortë që ai të mos ndryshojë kurrë dhe në rast se do të ndryshojë ndonjëherë, kjo do të ndodhë me ngadalë ose të zgjatë me vite. Edhe nëse shpresoni se ai mund të ndryshojë dukshëm në të ardhmen e afërt, do të ishte e pakëshillueshme të supozonit se ai do t’ia arrijë kësaj.

Shpesh, lloji i sjelljes që rrjedh nga zemërimi është pothuajse rruga më e keqe për të marrë rezultatin që dëshironi. P. sh.: sharjet dhe fyerjet ndaj ndokujt janë rrallë herë një metodë efikase për t’ia përmirësuar atij sjelljen. Ato shpien zakonisht në kryeneçësi dhe mëri nga ana e personit tjetër. Edhe sikur të jeni duke kryer diçka të dobishme për ta bërë atë të ndryshojë, shfaqet e zemërimit tuaj do ta vonojnë me siguri përparimin e tij.

Në mënyrë të habitshme, sjellja e zemëruar nxit shpesh herë sjelljen e papëlqyer të personit tjetër (shih diskutimin e rrethit vicioz në kapitullin 4). Mund të zbulosh se thjesht, vetëm ngaqë po tregohesh i qetë dhe i arsyeshëm tërë kohës, personi tjetër do të nisë papritur të përmirësohet. Natyrisht, kjo edhe mund të mos ndodhë, por ka plot raste të tilla, sa ia vlen që ta përmendim.

Disa herë, një shfaqje e vazhdueshme dashurie dhe dhembshurie (ose, në rastin e një marrëdhënie jo intime – e një respekti miqësor) jep rezultate pozitive në modifikimin e sjelljeve të pahijshme të personit tjetër. Ndjenjat e zemërimit do ta kishin sabotuar me siguri këtë përpjekje.

Po, Hedhëri kishte të drejtë të ndihej e zemëruar. Të gjithë ne kemi shumë të drejtë për të qenë qesharakë në lloj-lloj mënyrash.

Ka disa rrethana ku, “të kthesh faqen tjetër” mund të jetë një metodë efikase për zgjidhjen e ndonjë problemi. Është ide e keqe ta bësh si parim absolut “kthimin e faqes tjetër”, por aty ku jep rezultat, përse mos ta provosh?

 

Ju mbase vrisni mendjen se ç’u bë me Hedhërin. Duke e pranuar realitetin e vonesave të Piterit dhe duke shmangur zemërimin, ajo nisi të ndihej shumë më pak e stresuar. Pas disa muajve, në të cilët ajo demonstroi se nuk po kërkonte më që Piteri DUHEJ t’i vinte me përpikmëri në takimet, Hedhëri e gjeti rastin që, me një ton të qetë e plot humor t’i diskutonte me të vështirësitë e ndryshme që haste për shkak të vonesave të tij. Një metodë – më simbolike se të tjerat – ishte që ta detyronte të shoqin t’i paguante asaj nga një dollar për çdo minutë vonesë që bënte. Disa javë pas kësaj, vonesat e Piterit qenë ende problem, por të paktën qe zvogëluar koha e tyre mesatare dhe madje kishte raste që për kënaqësinë e të dyve ai vinte në kohë. Më në fund, Piteri u bë klient i imi dhe e ndreqi me sukses vonesën e tij. (Gjatë tri sesioneve të para të terapisë më vinte me shumë vonesë – dhe qëllimisht, unë ia faturova këtë kohë të humbur pa pikë mëshire).

 

 

 

 

 

Teknika e ndarjes së problemeve

Kurdoherë që ndokush vuan nga probleme emocionale, sikurse ishte Xheri, kam zbuluar se me anën e një procedure të thjeshtë, zakonisht e sqaron situatën:

E para,           identifiko Problemin Praktik.

E dyta,            identifiko Problemin Emocional.

E treta,  bëje sërfistin ta shohë lidhjen mes dy problemeve: emocionalit dhe    praktikut.

I shpjegova Xherit ndryshimin mes një Problemi Praktik dhe një Problemi Emocional:

– Mua më duket, – i thashë atij, – se problemi yt praktik përfshin suksesin e biznesit tënd. Si mund të nisësh sërish që të fitosh para nga aktiviteti imobiliar? Apo të bie më mirë të ndryshosh profilin e punës tënde? Problemi Emocional është se ti po e shqetëson veten për pengesat që po has tani. Përse nuk ia kushton gjithë vëmendjen punës me pronat e paluajtshme, pa e gërryer veten nga brenda për këtë?

– Do të doja ta bëj. Por do të ndihesha si i paaftë, apo si dështak, nëse biznesi do më merrte të tatëpjetën e më shteronte. Todi sapo përfundoi një shitje dymilionëdollarëshe – prej saj mori një përqindje të pabesueshme. Unë jam një hiç në krahasim me të.

Kam konstatuar thuajse përherë se personi vjen tek mua i bindur se Problemi i tij Praktik i prodhon automatikisht Problemin Emocional. Puna ime e parë është t’ia minoj këtë bindje, duke i treguar se është ai vetë që e shkakton problemin emocional me mënyrën sesi mendon. Problemi i tij praktik është i përcaktuar nga preferencat, kurse problemi emocional i mbin nga “DUHET” e tija. Më pas, të dy këto probleme, Emocionali dhe Praktiku mund të trajtohen të shkëputur nga njëri-tjetri.

Kjo mund të mos duket si ndonjë përparim i madh, por në fakt i tillë është. Sapo personi e merr seriozisht dhe nis ta trajtojë të shkëputur problemin e tij emocional nga ai praktik, ndodh shpesh një përmirësim i menjëhershëm i problemit praktik.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency