Fundi i “njeriut të kuq” është anuluar

0
147

 

 Me dhënien e Çmimit të Paqes të Tregtisë Gjermane të Librit shkrimtares bjelloruse, Svjetllana Aleksijeviç, u mbyll Panairi i Librit të Frankfurtit: mbyllje dinjitoze e një panairi që kërkon më shumë kontakt me njerëzit.

 

16 tetor libriPër Svjetllana Aleksijeviçin të jetosh do të thotë të lexosh – apo e anasjella? Ajo bën pjesë në brezin që është edukuar “nga librat, jo nga realiteti”, ka thënë ajo njëherë. Këtë brez e ndesh edhe në librin e saj më të fundit, “Koha secondhand”. Në të ajo bën ta marrin fjalën njerëz, që i kanë treguar asaj për një jetë në gërmadhat e Bashkimit Sovjetik të rrënuar, për ëndrra të dështuara dhe për biografi të shkatërruara. Se çfarë rëndësie ekzistenciale kanë pasur librat për brezin e saj, janë të paktë ata që mund ta përfytyrojnë në Perëndim. Atje bëheshin biseda në kuzhinë për poetin Mandelshtam, gatuhej supa me një roman në dorë. Por Svjetllana Aleksijeviç e di edhe se që prej fundit të Bashkimit Sovjetik, të gjitha këto nuk kishin më rëndësi: “fjalët e humbën kuptimin”.

 

Publiku në ethet e panairit

Megjithatë: njerëz që nuk duan të jetojnë pa letërsi pa dyshim që edhe ka në një botë, ku librat hidhen me ngut si mall në treg. Dhe duket se Panairi i Librit të Frankfurtit, më i madhi në botë dhe tregu më i rëndësishëm i licencave, e ka rizbuluar këtë vit lexuesin. Me më shumë aktivitete sa kurrë më parë, 3500, rreth 700 në ditë. Publiku kishte më shumë mundësi se kurrë që të infektohej nga temperatura e panairit.

 

Topografia e vdekjes

Në një kohë që panairi ripërtërihet në mënyrë të vazhdueshme në kërkim të tendencave dhe ideve, mbyllja e tij ceremoniale mbetet e pandryshuar që prej mbi gjashtë dekadash: dhënia e Çmimit të Paqes të Tregtisë Gjermane të Librit në kishën Paulskirche të Frankfurtit. Personat që e kanë marrë këtë çmim të krijuar me iniciativën e librashitësve, që prej vitit 1950, me natyrën e tyre të guximshme, nganjëherë edhe të diskutueshme dhe me fjalimet e tyre kanë ngjallur herë pas here debate intelektuale.

Në më të guximshmet me siguri bën pjesë Svjetllana Aleksijeviç, që si gazetare dhe shkrimtare e vë gishtin herë pas here në plagët e historisë sovjetike. E lindur më 1948 në Ukrainë, ajo u rrit në Bjellorusi, e cila ishte shkretuar dhe shpopulluar: në Luftën e Dytë Botërore që vrarë një e treta e popullsisë. “Kjo topografi e vdekjes dhe luftës për të mbijetuar”, – tha historiani Karl Schlögel në fjalën e tij të lëvdimit, ishte e njohur për gazetaren e re. Dhe ajo përcaktoi edhe punën e saj si shkrimtare. “Unë kam shkruar pesë libra, por në thelb unë shkruaj prej më shumë se që prej 40 vjetësh një libër të vetëm”, – shpjegoi Svjetllana Aleksijeviç në fjalën e saj të falënderimit: “Shkruaj një kronikë ruso-sovjetike: revolucion, gulag, luftë… Çernobil… fundosja e “Perandorisë së kuqe”“.“

 

Kokrriza rëre të historisë

Ngjarje që formuan një shoqëri të tërë. Aleksijeviçi i nxjerr ato në dritë. “Pas nesh ndodhet një det gjaku dhe një varr gjigand vëllezërish, – tha ajo në Paulskirche, – në librat e mi është “njeriu i vogël” ai që tregon për vete. Kokrriza e rërës e historisë. Atë nuk e pyesin kurrë, ai zhduket pa gjurmë, sekretet ai i merr me vete në varr. Unë shkoj tek ata që nuk kanë zë. Unë i dëgjoj, i përgjoj. Rruga është për mua një kor, një sinfoni. Të vjen pafundësisht keq, sa shumë gjëra thuhen, pëshpëriten, thuhen me zë të lartë drejt asgjësë”.

Ashtu si në librat e saj, edhe në fjalimin e saj ajo montoi copëza të historisë. Këto ajo i ka mbledhur pas fundit të BS “Në bazë të anketimeve, njerëzit janë për Stalinin, për një “dorë të fortë” dhe për socializmin. Fundi i “njeriut të kuq” është anuluar”. Një punonjës i vjetër i KGB-së më tha në tren fare hapur:”Pa Stalinin te nuk është e mundur të arrihet asgjë. Çfarë njeriu? Asgjë”.

Një fjalim prekës. Pas kësaj, publiku u rikthye në orët e fundit të panairit, ku shtëpitë botuese dhe librashitësit bënë të dielën pasdite bilancin e parë pozitiv. Po është pjesë e historisë së papërsëritshme të Panairit të Librit të Frankfurtit, që ai nuk përbëhet vetëm nga shifra suksesi, por është edhe një forum intelektual. Një fjali e mbajtëses së Çmimit të Paqes do të mbetet në kujtesë:”Nganjëherë e pyes veten se pse kam zbritur herë pas here në ferr. Për të gjetur njerëzit”.

 

 

 

Shkrimtarit francez Athanas de Thracy i dorëzohet çmimi “Ditët e Naimit”

 Nesër në Tetovë fillon festivali letrar “Ditët e Naimit”

 

Nga sot, 17 deri më 20 tetor, do të mbahet në Tetovë dhe në Tiranë Edicioni XVII i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Në këtë edicion do të zhvillohen një sërë aktivitetesh letrare, artistike dhe kulturore. Ardhjen në këtë edicion e kanë konfirmuar 35 poetë nga vende të ndryshme të botës, si: Kanada, Meksikë, SHBA, Kebek, Kostarikë, Porto Riko, Indi, Pakistan, Danimarkë, Holandë, Gjermani, Itali, Francë, Belgjikë, Izrael, Palestinë, Indi, Ukrainë, Bullgari, Turqi, Slloveni, Kroaci, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe 20 poetë nga e gjithë hapësira shqiptare, pastaj aktorë, gazetarë e dashamirë të poezisë, të Festivalit, të Naim Frashërit. Çelja festive e Edicionit të XVII do të bëhet me anë të ndezjes së fishekzjareve para Qendrës së Kulturës, më 17 tetor (e enjte), në orën 19.30. Në fillim do të vendosen kurora lulesh para shtatores së poetit tonë kombëtar “Naim Frashëri” që ndodhet në qendër të Tetovës, të cilin Drejtoria, Festivalit e pat ngritur në 100 vjetorin e vdekjes së tij. Në Sallën e Madhe do të bëhet hapja solemne e Programit të Edicionit të XVII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, nga ana e Drejtorit të Festivalit, Shaip Emërllahu. Më pas me një fjalë përshëndetëse do t’u drejtohet të pranishmëve ish-ministri i Kulturës i Republikës së Shqipërisë, z. Visar Zhiti. Ndërkaq, në orën letrare ‘Globi poetik’ poetët e shumtë do të lexojnë krijimet e tyre në dy gjuhë: shqip-anglisht, si dhe do të jepen disa performanca muzikore. Brenda kësaj ore, drejtori i Festivalit do t’ia dorëzojë çmimin e madh ‘Naim Frashëri’ dhe titullin Anëtar Nderi të Festivalit laureatit nga Franca, Athanas de Thracy, i cili kohë më parë u shpall nga juria e Festivalit. Të theksojmë se titullin Anëtar Nderi të Festivalit deri me sot e kanë marrë shkrimtarët dhe intelektualët e njohur, si Ismail Kadare, Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Abdellatif Laabi (Marok), Peter Poulsen (Danimarkë), Lionel Ray (Francë), Eva Lipska (Poloni), Craig Czury (SHBA), Tua Forstrom (Finlandë) etj.

Në ditën e dytë të programit, në orën 10:00, në amfiteatrin e USHT-së, do të përurohet laureati, Athanas Wntchev de Thracy. Për veprën e tij do të flasë kryetari i jurisë, prof. dr. Agron Tufa, ndërsa rektori Vullnet Ahmeti do t’ia ndaj atij logon e Universitetit. Më pas, poetët do të nisen me autobus për në Shqipëri.

Pjesën e dytë të programit poetët do ta realizojnë në Krujë dhe në Tiranë. Në Krujë do ta mbajnë orën letrare ‘Poetë dhe vargje’, kurse në hotelin International Tirana në Tiranë do të mbahet nata e mbylljes së Festivalit. Në Prishtinë, Festivali organizohet në bashkëpunim me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Atje pas performancave leximore të poezive do të ndahen edhe çmimet tjera letrare të Festivalit, siç janë: ‘Ditët e Naimit’, ‘Menada’, ‘Oaeneumi’ dhe ‘Qiriu i Naimit’. Drejtoria edhe në këtë edicion ka botuar antologjinë e poezive të poetëve pjesëmarrës me titull ‘Fytyrë e heshtur’, të përgatitur nga Shaip Emërllahu.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency