De Biazi: Edhe dy vjet udhëtim me Shqipërinë

0
140

Jurges Veizaj

Një ndër çështjet më të nxehta për sa i përket kombëtares shqiptare duket se ka shkuar drejt zgjidhjes. Kësaj heshtjeje i ka dhënë fund tekniku De Biazi, i cili parashikoi se do të qëndrojë edhe dy vjet te Shqipëria.

 

 

De-BiaziMe këtë bilanc në këto ndeshje, De Biazi duket se nuk arriti që ta kryente më së miri detyrën e tij, por ajo që është e rëndësishme, është se tekniku italian është më i miri që ka pasur kombëtarja deri më tani. Risitë e reja në skuadër, lojtarët, mënyra e lojës apo dhe skemat surprizë janë disa nga elementet që na bëjnë të duam ta mbajmë De Biazin në stolin e kombëtares. Gjatë këtyre kohëve të fundit, ka nisur një telenovelë e gjatë për sa i përket rinovimit të trajnerit për të qëndruar në Shqipëri, por duket se jo gjithçka është drejt përfundimit. De Biazi, sipas burimeve nga mediat, kërkoi nga FSHF-ja një rritje prej 30% të rrogës së tij aktuale. Një rritje që do ta çonte në shifrën e mbi 1 milion eurove. Një shifër e cila nuk ishte parë më parë nga federata për një trajner, pasi kjo vlerë e paguar është e papërballueshme për një federatë të vogël si kjo jona. Ndërsa sipas mediave Armando Duka ishte treguar bujar dhe i kishte ofruar një rritje të rrogës me 10 për qind. Një shifër tepër e mirë për ne, por që duke parë hendekun prej 20%, duket se jo gjithçka është drejt kompromisit. Italiani deklaroi në kohën kur ky thashethem transmetohej: “Po jua them pa më pyetur ju. Kam shprehur me kohë vullnetin për të lidhur me federatën edhe një kontratë tjetër dyvjeçare, por ndërkohë kam pasur edhe disa oferta të tjera, duke qenë se disa ekipe shohin që kontrata ime aktuale është drejt skadimit”, – deklaroi De Biazi. Për këto negociata dha një deklaratë edhe krahu i djathtë i De Biazit, Bushi. Ish-sulmuesi i kombëtares deklaroi: “Dëshira jonë është që trajneri të vazhdojë akoma me ne. Presidenti ka bërë publike ofertën e tij dhe edhe trajneri ka bërë të tijën. Ne s’kemi mundësi shumë të mëdha, pasi jemi një federatë e vogël megjithatë do të shohim. Në këtë moment, të gjitha mundësitë janë të hapura”. Sipas këtyre deklaratave, duket se rritja do të kishte një rritje. Por vetë tekniku vetë deklaroi se këto shifra ishin të pabaza dhe nuk janë fare në vleftën që përflitej nga mediat. Tashmë De Biazi duhet të jetë me sy vetëm nga evropiani. Duka ka vënë si kusht në kontratë kualifikimin e kombëtares në këtë eveniment. Nëse kontrata është pranuar do të thotë që edhe kushti duhet të jetë pranuar nga De Biazi, atëherë do jetë realisht hera e parë në gjithë historinë e ekipit tonë përfaqësues që do pretendohet të bëhet një hap kaq i madh. Sipas burimeve, mësohet se De Biazi e ka pranuar parimisht këtë kërkesë të Dukës, por më së pari ka kërkuar që të mësojë edhe shortin e këtyre kualifikimeve. Turneu do të zhvillohet në Francë, teksa shorti i kualifikimeve do të hidhet në Nisë, më 23 shkurt 2014. Ndërsa shorti për këtë kampionat, pas kualifikimit të 24 skuadrave, do hidhet më 11 dhjetor 2015 në Paris. Italiani ka ulur pretendimet financiare nga 30% që pat kërkuar më përpara në 15%, duket se edhe në këtë pikë Duka nuk do të bëjë asnjë lëshim, duke i qëndruar ofertës së dhënë që në mesin e gushtit, me 10% rritje page. Vetëm në rast se Kombëtarja do merrte 6 pikë në dy takimet e këtij muaji atëherë Duka do pranonte që ta ngrinte ofertën e tij deri në 15%. Italiani e nisi zyrtarisht aventurën me kuqezinjtë me miqësoren me Gjeorgjinë më 29 shkurt të 2012, takim që përfundoi me fitoren 2-1 të vendasve. Goli i vetëm i Shqipërisë në këtë sfidë u shënua nga Edgar Çani, i grumbulluar për herë të parë në kombëtare. Më 22 dhe 27 maj të këtij viti FSHF i siguroi De Biazit edhe dy miqësore të tjera, edhe pse jo zyrtare, me Katarin dhe Iranin, të cilat Shqipëria i fitoi përkatësisht 2-1 dhe 1-0. Pikërisht në këto sfida spikati edhe portieri Etrit Berisha, i cili grumbullohej për herë të parë me përfaqësuesen. Më 15 gusht të 2012 u luajt në “Qemal Stafa” miqësorja e fundit me Moldavinë në kuadër të përgatitjeve të eliminatore të Botërorit Brazil 2014, takim që përfundoi më rrjeta të paprekura. Më 7 shtator të 2012 Shqipëria e italianit i nisi më këmbë të mbarë eliminatoret me fitoren 3-1 me Qipron, ndërsa katër ditë më pas u mposht 2-0 në transfertë nga Zvicra. Por ndeshja që e cila i ka mbetur peng 57-vjeçarit, është humbja 2-1 në shtëpi me Islandën më 12 tetor të këtij viti, edhe pse katër ditë më pas kuqezinjtë morën një trepikësh me shumë vlerë ndaj Sllovenisë në “Qemal Stafa” falë golit të Odise Roshit. Në shkurt dhe mars të 2013-ës Shqipëria luajt dy takime miqësore me Kamerunin 0-0 dhe Gjeorgjinë 1-2, ndërsa kulmin në eksperiencën e tij me kuqezinjtë De Biazi e arriti me fitoren 1-0 në “Uleval” të Oslos me Norvegjinë më 26 mars. Para se të luhej ndeshja e kthimit në Shqipëri, e cila përfundoi 1-1, formacioni i De Biazit fitoi thellë 4-1 në miqësore me Lituaninë. Më 14 gusht të këtij shënohet fitorja e fundit e kuqezinjve me Armeninë me shifrat 2-0, ndërsa në katër eliminatoret e fundit u shënuan 3 humbje dhe një barazim, Slloveni–Shqipëri 1-0, Islandë–Shqipëri 2-1, Shqipëri–Zvicër 1-2 dhe Qipro–Shqipëri 0-0. Në total në drejtimin e teknikut italian Shqipëria ka zhvilluar gjithsej 18 ndeshje, me bilanc 7 fitore, 4 barazime dhe shtatë humbje, dhe me golaverazh të përgjithshëm 20-17. Dhe në fund të gjithës kësaj maratone Kombëtarja kuqezi qëndron sërish e parafundit në grupin e saj me vetëm dhjetë pikë, 3 më pak nga rekordi që mbahet nga tekniku gjerman Hans Peter Briegel. Pra, asnjë evoluim, por sërish në vend-numëro. Nëse do të marrim në konsideratë vetëm ndeshjet eliminatore bilanci është tre fitore dy barazime dhe 5 humbje, me golaverazh nëntë gola të shënuar dhe 11 të pësuar. Përtej rezultateve teknike, puna e De Biazit vlerësohet për numrin e madh të lojtarëve, mbi 45, të grumbulluar në kombëtare gjatë drejtimit të tij ku spikasin prurjet e reja Etrit Berisha, Alban Meha, Burim Kukeli, Gashi, Valdet Rama apo Agon Mehmeti, Armando Sadiku, Ergys Kaçe, Edgar Çani, Migjen Basha, Amir Abrashi, Shkëlzen, Jurgen Gjasula, Elseid Hysaj, pa harruar emra të tjerë si Ilir Berisha, Loret Sadiku, Azdren Llullaku, Ermir Lenjani, Vullnet Basha etj, që pavarësisht se janë grumbulluar me kuqezinjtë nuk janë aktivizuar në ndeshjet eliminatore. Nëse ky grup konsolidohet dhe trajneri do të arrijë të krijojë një ekip të fortë për të përballuar sfidat e mëdha, atëherë ekipi mund të ketë shanse për Euro 2016.

 

Lushnja forcon masat e sigurisë për Partizanin

Presion i madh ka sfida midis myzeqarëve dhe demave të kuq. Të shtunën në Lushnjë do të luhet ndeshja kundër Partizanit. Interesimi i madh i tifozerisë vendase dhe asaj nga kryeqyteti ka rritur presionin edhe tek drejtuesit e klubit lushnjar, por edhe tek policia ne qytet. Kështu, policia ka kërkuar forca shtesë për të siguruar mbarëvajtjen e takimit dhe shpresojnë që gjithçka të shkojë mirë në një ndeshje ku rivaliteti nuk mungon.

 

Flamurtarit i rikthehen shtatë lojtarë

Duket se pas problemeve që kanë pasur në këtë fillim kampionati, mund të vijë edhe zgjidhja. Njoftohet se ka lajme të mira nga infermieria për skuadrën e Flamurtarit. Skuadra që drejtohet nga trajneri Ernest Gjoka, vuan në fundin e tabelës dhe shkaku kanë qenë dëmtimet e shumta që vlonjatët kanë pasur. Në fundjavë, në ndeshjen e radhës Flamurtarit do t’i rikthehen 7 futbollistë titullarë që menjëherë do të jenë pjesë e skuadrës. Moçka, Veliu, Begaj, Lena, Telushi, Arbri dhe Abilaliaj pritet t’u rikthehen vlonjatëve që tani më shumë se kurrë kanë nevojë për pikë duke qenë se kanë prekur fundin në tabelë. Dhe problemet me rendin kanë qenë disa nga problemet që e kanë ndjekur ekipin gjatë këtyre javëve.

 

 

Shorti i play off-it për botërorin, më 21 tetor

Me përfundimin e ndeshjeve nëpër grupe për kualifikimin në botëror janë marrë vesh edhe skuadrat që do të luajnë në play off. Një detyrë jo e lehtë për skuadra që do të përjetojnë emocione të forta. Skuadra si Belgjika, Italia, Gjermania, Holanda, Zvicra, Rusia, Bosnjë-Hercegovina, Anglia dhe Spanja janë zyrtarisht nëntë skuadrat evropiane që presin biletën për në Brazil 2014 si kryesueset e 9 grupeve përkatëse. Ndërkohë, Kroacia, Portugalia, Greqia, Suedia, Franca, Ukraina, Rumania dhe Islanda janë ekipet e kualifikuara në play off dhe që do të luftojnë për 4 biletat e fundit të kualifikueseve evropiane në botëror. Danimarka humbi shansin të luante në play off, sepse është skuadra e dytë më e dobët. Kështu, 4 kombëtaret më të forta sipas renditjes së FIFA-s do të shmangin përplasjen mes tyre në shortin e 21 tetorit. Sipas koefiçientit aktual skuadrat e vazos së parë do të jenë Kroacia, Portugalia, Greqia dhe Suedia, ndërkohë që Franca do të renditet në vazon 2. Gjithsesi, renditja e fundit e FIFA-s do të publikohet sot dhe aty do të shihet edhe më art pozicionimi nëpër vazo. Ndeshjet play off do të luhen më 15 nëntor dhe 19 nëntor. Shorti i finaleve të botërorit do të hidhet më 6 dhjetor në Bahia. 32 skuadrat e kualifikuara do të ndahen në 4 vazo. Organizatorët e Brazilit dhe 7 skuadrat më të mira në renditjen e FIFA-s do të jenë në vazon e parë. Pritet që ky botëror të jetë nga më të forti,t pasi janë kualifikuar të gjitha skuadrat më të forta dhe pritet edhe dora e dytë e këtyre pas ndeshjeve të play off-it.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency