Shqipëria zhgënjen me barazim ndaj Qipros

0
128

Jurges Veizaj

Një ndeshje për t’u harruar ishte edhe ajo ndaj Qipros. Kombëtarja nuk arriti që të triumfonte në ndeshjen e fundit për eliminatoret. Një bilanc jopozitiv për skuadrën e De Biazit në këto kualifikuese.

 

canaaaaaNdeshja ndaj Qipros ishte edhe ndeshja e fundit për eliminatoret e Kupës së Botës Brazil 2014. Kombëtarja kuqezi pati të njëjtin rrugë me ato të tre ndeshjeve të kaluara. Duket se dobësia më e madhe e Shqipërisë është që të shënojë. Ndeshja ndaj Qipros kishte të njëjtën panoramë. Nuk kishte të njëjtin temp si ajo me Zvicrën, por që në fund na u desh që të largoheshim nga fusha me një pikë. Një Shqipëri e zbehtë, edhe pse e mbante shumë topin nën kontroll. Ndeshja ndaj Zvicrës ishte e vështirë për mbajtjen e topit dhe terrenit, ndërsa kjo ndaj Qipros kishte karakteristika të tjera. De Biazi nuk kishte bërë shumë eksperimente dhe kishte hedhur në fushë formacionin më të mirë. Ajo që ishte risi në fushë, ishte futja e Hykës që nga minuta e parë. Lojtari është kthyer si një lojtar kyç në kombëtare pas shumë kohësh. Ai deklaroi përpara sfidës se në këtë ndeshje, edhe pse nuk kishte më vlerë për kualifikim, lojtarët do të bënin të pamundurën për tifozët. Por me sa duket, nuk arritën që t’ua plotësonin as dëshirën tifozëve të zjarrtë. Kësaj radhe, ndryshe nga herët e tjera, kombëtarja nuk kishte tifozët me vete. Duket se fansat nuk kishin të njëjtin ekzaltim dhe nuk i ndoqën kuqezinjtë në Qipro për t’i mbështetur. E gjitha kjo erdhi pas disfatave të fundit ku më e freskëta ishte ajo me Zvicrën. Loja ishte me fantazi nga ana jonë, por që nuk kishte finalizim. Duket se të luash me një sulmues nuk është zgjedhje e mirë për De Biazin. Duket se shkodrani Salihi e ka shumë të vështirë të bëjë diçka vetëm në zonë. Kjo, pasi duket i pafuqishëm kur bllokohet nga qendra. Edhe në ndeshjet e kaluara ka ndodhur i njëjti skenar. Sulmuesi që aktivizohet në Kinë, e ka shumë të pamundur që të bëjë diçka vetë. Kjo pasi nuk ka një lojtar që të mbështesë nga afër. Rama dhe Roshi janë lojtarët me më shumë potencial në fazën ofensive, por që nuk shërbejnë për Salihin, pasi shkodranin do të mund ta ndihmonte një lojtar si Bala apo Mehmeti që luajnë brenda zonës. Ajo çka u vu re është se shumë topa nga tanët janë topa në “ajër”. Kjo për vetë faktin se të gjitha kanë vetëm drejtimin për te Salihi. Mirëpo është e pamundur që të bësh diçka vetë dhe duhet të jesh shumë i ndihmuar nga fati për të shënuar. Roshi dhe Rama me Agollin bëjnë mirë nga krahët, madje shkojnë deri në zonën e rreptësisë, por kur vjen puna për te topi final, aty gjithçka prishet. Është vënë re se loja në kohën kur Bogdani ishte titullar, kishte më shumë forcë në sulm. Përveç kësaj loja në qendër pa Migjen Bashën duket pa ide dhe bëhet një lojë e njohur për kundërshtarin. Është Kaçe ai që mundohet të bëjë diçka, por që të kryesh edhe detyra për shkatërrimin e aksionit dhe pastaj të marrësh detyrën për organizim loje duket e pamundur. Duket sikur kombëtarja merr format e një skuadre anemike. Ndonjëherë jepet ideja sikur skuadra është me 10 lojtarë, për shkak të forcës së dobët në sulm. Mbrojtja paraqitet mirë, edhe pse ka dhe ajo problemet e saj. Shumë herë Mavraj me Cana duket se e menaxhojnë mirë qendrën. Pika jonë e dobët që u pa me Qipron është driblimi nga krahët. Shumë herë Lila del në sulm dhe më pas kthimi kur ka kundërsulm duket i vështirë. Shumë herë ndodh që kavajasi të kapet në kundërkohë dhe e ka të vështirë të markojë. Ndërsa Agolli është më i dalluari. Duket sikur lojtari tiranas është me punëtori në skuadër. Shumë herë e sheh që shkon nga mbrojtja në sulm. I palodhur për rolin që ka në skuadër.

Nuk pësojmë ndaj Qipros, por sulmojmë në pjesën e parë. Loja hapet mirë në të dy krahët. Roshi, Rama dhe Salihi janë ata që rrezikojnë seriozisht portën e gardianit qipriot, por nuk arrijnë rezultat, pasi gjuajtjet janë jashtë porte. Ndërkohë, Hyka me kalimet e tij i jep më shumë entuziazëm lojës. Në formë është edhe Roshi me Ramën, që janë risitë e kombëtares sonë. Të dy lojtarët janë shumë të shkathët në krahë dhe nëse do të ketë një përmirësim në fazën ofensive, do të shfaqen edhe më të rrezikshëm. Ndërkaq, qipriotët që ndodhen në vendin e fundit, shpresojnë që ta organizojnë lojën e tyre me anë të kundërsulmit. Duke shfrytëzuar aftësitë dribluese të mira, lojtarët qipriotë shfrytëzojnë krahët, por që ndalen mirë në mbrojtje. Vendasit kanë dy raste të mira, por që pritjet e Berishës e ndalojnë golin. De Biazi në pjesën e dytë vendos që të bëjë zëvendësimet, duke u munduar që t’u japë dhe lojtarëve të tjerë mundësinë. I pari zëvendësim është Hyka për Mehmetin dhe më pas do të vinte edhe futja e shkodranit Bala për Salihin. Ndërkohë, zëvendësim tjetër do të ishte edhe ai i Bulkut me të riun Abrashi. Ky i fundit shfaqet si një lojtar potencial për formacionin e të ardhmes për kualifikueset e evropianit. Lojtarët i japin më shumë freski lojës, por duket se gjithçka është e murosur. Nuk ka shumë emocion, edhe pse topi qëndron në zonën qipriote të rreptësisë. Ndërkohë, skuadra e Qipros kërkon që të surprizojë me anë të kundërsulmeve, por duket se edhe ata nuk e kanë fuqinë. Nga ana tjetër duket sikur gjërat janë më të rrezikshme me futjen e Balës dhe Mehmetit në sulm. Shkodrani Bala është një ndër të rinjtë që i duhet kushtuar vëmendje, pasi ka tepër potencial për të qenë në formacion. Bashkë me Salihin do të mund të krijonin një dyshe të mirë, edhe pse nuk janë provuar akoma bashkë. Të njëjtën analogji aksionesh ndjek Shqipëria edhe në të gjithë pjesën e dytë, por që nuk arrijnë të japin asnjë rezultat, por vetëm as kërcënojnë qipriotët. Edhe minutat shtesë nuk do të sillnin asnjë gjë të re duke mbyllur ndeshjen në rezultatin 0 me 0. Një sfidë që duket se mbyll siparin e kualifikueseve për skuadrën e De Biazit. Me një kombëtare që bëri mirë në fillim, por që shkatërroi çdo gjë në fund. Kështu, duket se tashmë sytë e kombëtares dhe De Biazit do të jenë drejt Euro 2016. Për teknikun italian ndërlikohet pak çështja, pasi disfatat e fundit mund të ndryshojnë edhe rrjedhën e rinovimit të tij, për të qëndruar në krye të stolit të kombëtares.

 

Qipro – Shqipëri 0-0

QIPRO: Georgallides, Dossa Júnior, A. Charalambous, Nikolaou, Laban, Efrem, Demetriou, Vasiliou, Alexandrou (Aloneftis 46′), Mitidis (Pavlou 65′), Soteriou (Avraam 86′). Trajner: M. Hadjipieris

SHQIPERIA: E. Berisha, Mavraj, Lila, Cana, Rama, Agolli, Bulku (Abrashi 72′), Hyka (Mehmeti 72′), Roshi, Kaçe, Salihi (Bala 87′). Trajner: De Biazi

Gjyqtarë: I. Bebek, T. Petroviç, M. Gërgiç (Kroaci)

 

Shqipëria U-19 i jep 5 shuplaka Malit të Zi

Ata që nuk arritën ta bënin të mëdhenjtë duket se e bënë të vegjlit. Dje, të rinjtë kuqezi fituan me rezultatin e thellë 5-1 kundër kolegëve të tyre 19-vjeçarë të Malit të Zi. Të besuarit e trajnerit Foto Strakosha, të cilët po përgatiten paraprakisht për raundin kualifikues në grup, po tregojnë një formë të mirë fizike. Ata do të ndeshen sërish ditën e enjte, në orën 11:00, kundër skuadrës malazeze U-19. Kjo ndeshje do t’i shërbejë trajnerit Strakosha dhe lojtarëve për konsolidimin e lojës së grupit dhe aplikimin e skemave të ndryshme. Synimi i kombëtares sonë U-19 tashmë është kalimi në raundin elitë të Evropianit. Kjo grupmoshë me në krye portierin legjendar Strakosha ka treguar që gëzon një formë të mirë dhe duket se i jep premisa kombëtares për të ardhmen. Edhe pse lojtarët nuk vijnë nga skuadrat elitare të Evropës, premtojnë shumë për të ardhmen.

Skeda e ndeshjes

Shqipëri U-19 – Mali i Zi U-19 5-1

Golat: Çekiçi 51’, 62’, Sokoli 70’, Kalaja 88’, Hoxha 93’ / Bojleviç 43’

 

 

Januzaj vihet në radarin e Milanit

Mançester Junajtid është vënë para presionit të madh pas interesimit të klubeve spanjolle, por edhe italiane, për shërbimet e Januzajt dhe janë gati t’i ofrojnë kontratë faraonike për ta pasur në skuadrat e tyre. Pas shumë klubeve të mëdha, së fundmi ka dalë në skenë edhe Milani, që kërkon ta joshë djaloshin me origjinë shqiptare që të veshë bluzën kuqezi, duke ndjekur shembullin e Juventusit, që më shumë se një vit më parë i rrëmbeu Sër Aleks Fergusonit francezin Pol Pogba. Kampionët e Anglisë i kanë ofruar Januzajt 15 mijë stërlina në javë, plus 1200 stërlina për ndeshje, plus 6000 të tjera për çdo takim të fituar, por me sa duket kjo ofertë nuk e kënaq menaxherin e lojtarët. Në këtë situatë kërkojnë të përfitojnë gjigantët e Evropës, që janë gati t’i ofrojnë një kontratë më të majmë adoleshentit me pasaportë belge, ku sigurisht më të favorizuara janë ato angleze. Ndërkohë, mbi Januzajn po ushtrohet presion edhe sa i përket zgjedhjes së tij rreth kombëtares që do të përfaqësojë në të ardhmen. Belgjika e kualifikuar në botëror tashmë ia ka bërë ftesën, Shqipëria e pret prej kohësh, ndërkohë që një debat i mprehtë ka shpërthyer edhe në Angli për mundësinë e aktivizimit të tij me kombëtaren e tre luanëve.

 

 

Lacio hedh sytë nga Kaçe dhe Abrashi

Dy mesfushorë të kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe dhe Amir Abrashi, raportohet se janë duke janë vënë nën vëzhgim nga Lacio. Igli Tare nuk ka qenë thjesht një tifoz kuqezi në shkallët e stadiumit “Qemal Stafa”, gjatë ndeshjes Shqipëri-Zvicër që u zhvillua të premten. Ish-sulmuesi kuqezi, tashmë drejtor sportiv i Lacios, ka qenë me një mision të qartë në Tiranë. Sipas medieve italiane, Tare ka vëzhguar nga afër dy lojtarë të kombëtares shqiptare. 23-vjeçari, i cili ka kaluar në të gjitha ekipet e moshave të Zvicrës së fundi zgjodhi të luante për fanellën e kombëtares së tij. Mesfushori tjetër i parë me interes dhe vëmendje është Ergys Kaçe, 20-vjeçari i PAOK-ut të Selanikut. Ata do të ishin shumë të rëndësishëm për Lacion duke parë që mesfushorët e ekipit po mbyllin një cikël dhe lojtarët e tjerë duhet të jenë të rinj. Në misionin vëzhgues, drejtuesit lacialë kanë dashur të shohin edhe mbrojtësin zviceran Fabian Shar, i cili aktivizohet tek Bazeli. euro. Për lojtarin zviceran është interesuar edhe ekipi i Napolit. Sipas thashethemeve të fundit napoletanët janë duke e ndjekur edhe mesfushorin Kaçe, i cili do të ishte zëvendësuesi ideal për Inlerin që kërkohet me ngulm nga ekipi turk i Gallatasarajit. Për mesfushorin korçar të kombëtares shqiptare janë interesuar gjithashtu edhe ekipe nga Bundesliga, por ofertat nuk kanë munguar as për kosovarin Amir Abrashi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency