Emigrantët sigurohen për të gjitha degët e sigurimit që kanë pasur në sigurimin e detyrueshëm, si: në rast sëmundjeje, invaliditeti nga aksidenti në punë e sëmundjet profesionale, barrëlindje, si dhe për të gjitha llojet e pensioneve
Sigurimi vullnetar është një e drejtë që vepron për të gjithë personat e interesuar, shtetas shqiptarë ose të huaj në Shqipëri, dhe vetëm për shtetasit shqiptarë kur jetojnë jashtë shtetit. Në kushtet që për të përfituar një pension pleqërie duhen 15-35 vjet sigurim, është e rëndësishme të mos krijohen ndërprerje në karrierën e punës dhe në periudhat e sigurimit. Plotësimi i viteve të munguara mund të realizohet nëpërmjet skemës së sigurimit vullnetar, që është pjesë përbërëse e ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” dhe shërben për t’u krijuar mundësi shtetasve shqiptarë për të plotësuar vjetërsinë e nevojshme për punë, në mënyrë që të përfitohet një pension i pjesshëm apo i plotë. Kjo skemë njeh të drejtën për vazhdimin vullnetar të sigurimit në kushtet e ndërprerjes së sigurimit të detyrueshëm. Është në interes të personave që nëse ndërpresin sigurimin e detyrueshëm, të vazhdojnë sigurimin në mënyrë vullnetare. Në këtë rast ata sigurohen për të gjitha degët e sigurimit që kanë pasur në sigurimin e detyrueshëm si: në rast sëmundjeje, invaliditeti nga aksidenti në punë e sëmundjet profesionale, barrëlindje, si dhe për të gjitha llojet e pensioneve. Ata kanë të drejtë të paguajnë kontribute deri në nivelin maksimal, për përfitime deri në nivelin maksimal. Kjo skemë njeh të drejtën për zgjerimin vullnetar të degës së sigurimit për dy grupe të mëdha: të vetëpunësuarit dhe punëdhënësit, të cilët janë në skemën e sigurimit të detyrueshëm. Kjo do të thotë se ata mund të sigurohen vullnetarisht për përfitime që nuk mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm, si: në rast aksidenti në punë, sëmundje profesionale dhe paaftësi të përkohshme në punë. Gjithashtu, kjo skemë njeh të drejtën për sigurim vullnetar, në kushtet kur personat e interesuar nuk janë ekonomikisht aktivë dhe sigurohen për vitin korent. Ata kanë të drejtë të paguajnë kontribute deri në nivelin maksimal, për përfitime deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar.
Përfitojnë
Të vetëpunësuarit (me përjashtim të të vetëpunësuarve në bujqësi), të punësuarit dhe punëdhënësit privatë, mund të vazhdojnë krahas sigurimit të detyrueshëm, edhe sigurimin vullnetar, për një pension më të lartë të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar. Për të përfituar një pension të plotë, duhen plotësuar dy kushte kryesore, që janë: mosha (e cila është 65 vjeç për meshkujt dhe 60 për femrat) si dhe vjetërsia në punë (35 vite), ku përfshihet dhe periudha e shërbimit ushtarak për meshkujt dhe koha e studimeve universitare për femrat. Kjo kategori mund të sigurohet për vitet e mbetura për të marrë përfitim të pjesshëm apo të plotë, sipas rastit. Në çdo moment të jetës së tij personi duhet të jetë i siguruar. Personat të cilët nuk janë në marrëdhënie pune, duhet të jenë klientë të skemës së sigurimit vullnetar për të qenë në vazhdimësi të siguruar. Shumë persona të larguar nga Shqipëria kanë një vjetërsi pune në qendra të ndryshme prodhuese dhe joprodhuese, për periudhën e jetuar në vend. Për përfitimin e një pensioni të pjesshëm kërkohen 15 vite sigurimi në punë. Aktualisht ka shumë shtetas që janë në prag përfitimi, por që u mungojnë një ose disa vite sigurimi. Në këto kushte, edhe periudhat e mbuluara humbasin. Mjafton që personat t’i mbulojnë me sigurim vullnetar këto vite të munguara e të plotësojnë deri në 15 vjet sigurime, për të përfituar një pension të pjesshëm. Një pjesë e emigrantëve mund ta kenë plotësuar vjetërsinë për 15 vjet pune për të marrë një pension të pjesshëm, por është më me interes të plotësojnë 35 vjet pune, për të marrë një pension të plotë pleqërie. Edhe këta individë mund “të blejnë vitet e punës” menjëherë, për t’u shtuar vitet e siguruar të punës.
Për të gjithë emigrantët, me interes do të ishte edhe njohja me vazhdimësinë e sigurimit vullnetar, duke paguar kontribute çdo vit. Parapagimi i shumës vjetore ka një ulje prej 6%, gjashtë mujore 3% dhe tremujore 1.5%. Një kategori relativisht e madhe personash është në kushtet e emigracionit ilegal, si dhe e regjistrimit me identitet të rremë, duke u përjashtuar nga skemat e mbrojtjes shoqërore të vendeve respektive, si dhe nga përfitimi në rast të nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale me këto vende. Kjo kategori është e interesuar të përfshihet në skemën e sigurimit vullnetar. Kategoria e punonjësve sezonalë ose dhe part-time, në emigracion, është jashtë skemës së sigurimeve shoqërore. Kategoria e grave shtëpiake, në emigracion, është jashtë skemës së sigurimeve shoqërore. Është në interes të gjithë personave, që skema iu ofron këtë shërbim, të njihen me mundësinë e pagesave dyfish, trefish deri në pesëfish të kontributit minimal, sipas mundësive financiare, për të përfituar deri në pension maksimal të pleqërisë. Në rast fatkeqësie, kur personi pëson aksident apo sëmuret, në kushtet e të qenit i siguruar dhe që plotëson kriteret, ai mund të marrë pension invaliditeti gjatë gjithë jetës së tij. Në rast fatkeqësie ekstreme, vdekja e personit të siguruar, shoqëron dhënien e pensionit familjar për bashkëshorten dhe fëmijët.
Procedura
Procedura e sigurimit vullnetar është shumë e thjeshtë. Personi paraqitet në strukturat e ISSH, Agjenci ose Drejtori Rajonale dhe merr kontakt me punonjësin e ngarkuar me sigurimin vullnetar, i cili i jep gjithë informacionin lidhur me këtë skemë sigurimi. Mbasi personi i interesuar vendos të aplikojë në skemën e sigurimit vullnetar i kërkohen këto dokumente:
– Fotokopje e librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit dhe fotokopje e librezës së kontributeve nëse ka;
– Certifikatë personale ose fotokopje e pasaportës /letërnjoftimit /kartës së identitetit/pasaportës biometrike.
Punonjësi i sigurimit vullnetar, mbasi i llogarit vjetërsinë aktuale personit të interesuar e informon për periudhën kontributive që i duhet për të përfituar një pension të pjesshëm ose të plotë, si dhe për masën e kontributit që duhet të paguajë. Kur personi i interesuar vendos të aplikojë, plotëson marrëveshjen për periudhën dhe fushën përkatëse të sigurimit vullnetar. Mbas nënshkrimit të marrëveshjes, punonjësi i sigurimit vullnetar, i plotëson urdhër-veprimin. Me marrjen e urdhër-veprimit, personi paraqitet në bankë për të bërë pagesën. Punonjësi i sigurimit vullnetar, pasi bën konfirmimin me Sektorin e financës për arkëtimin e shumës së shënuar në urdhër-veprim, bën regjistrimin e tij në një faqe të veçantë të regjistrit. Më pas bëhet dhe regjistrimi në regjistrin elektronik të bazës së të dhënave të miratuar. Për çdo person të siguruar punonjësi i sigurimit vullnetar mban një dosje të veçantë, ku është i gjithë dokumentacioni përkatës. Emigrantët mund ta kryejnë vetë sigurimin vullnetar, por në rast pamundësie, mund të autorizojnë të afërmit e tyre këtu në Shqipëri, të cilët kryejnë të gjitha procedurat e sipërpërmendura.
Shembull 2
Një qytetar i datëlindjes 10.10.1949, i ka shkëputur marrëdhëniet e punës në 30.9.2006. Gjithsej ka 32 vite e 6 muaj vjetërsi pune. Sa duhet të paguajë për të përfituar një pension të plotë pleqërie?
Në përgjigje të pyetjes së qytetarit sqarojmë se për të përfituar një pension të plotë pleqërie duhen 35 vite sigurim, pra atij i nevojiten edhe 2 vite e 6 muaj për ta përfituar këtë pension. Nëse personi, duke filluar nga 1.10.1993, ka të pambuluara me sigurim 2 vite e 6 muaj, atëherë ai mund të bëjë sigurim vullnetar për këtë periudhë duke paguar:
30 muaj * 4,110 lekë/muaj = 123,300 lekë.