Popujt nuk kanë prindër

0
229

Elis Buba

Nga diktatura e proletariatit tek proletarët ligjvënës në kushtetutën e xhunglës

 

 

Shqipëria, ish-vendi i punëtorëve, me një rritje popullsie gjithnjë në përparim në zonat urbane, me një kontrollueshmëri të varfër të rraqeve sociale që mbështjellin kodrinat e periferive, thuhet se prej vitesh ka marrë në dorë fatet e veta.

Kapitujt historikë të Ballkanit e në përgjithësi të Evropës Lindore u shpështollën vrullshëm në fund të viteve ‘80 e në fillim të viteve ‘90. Mjedisi cinik politiko-social hodhi themelet e forta të dëshirës për përmbysje njëherë e mirë në harresë, të totalitarizmit të kuq në predominancën e tij. Për një kohë të gjatë krerët gati elegjikë të Shqipërisë, le të themi marksiste, nuk u treguan minimalisht të arsyeshëm, kur morën vendimin anakronik për ta kthyer vendin me sy nga Lindja e për ta epitetuar politikisht e njëherazi patetikisht shkëmb graniti. Pas thuajse 50 vjetësh diktature proletariati, pas miliona vargjesh tingëllimash armësh, që shtrinë përmbys intelektualë finë me pseudonime kriminale dhe kriminelë me pseudonime edhe më të rëndomta, fisnikët e mençur shqiptarë kuptuan se shqipen e qeveriste papërkthyeshmërisht e si mos më keq, një diktator. Pra, pas një vargu tingëllimash e breshërish dashurie, të kushtuara shtrenjtë, befas u gjendëm në një teatër bunkerësh, të dobësuar nga kushtet e burgut, të sëmurë, të pangrënë, në një sistem astmatik vlerash, idesh, rrugëdaljesh dhe konotacionesh. U kapëm gafil në një përsiatje hidhërimi, teksa më në fund, për të paktën një herë në historinë tonë të minuar nga dramaturgë të kuq me yll në ballë, ia mbërritëm qëllimit t’i themi të zezës të zezë e të bardhës të bardhë. Shkak për revoltat bëhen gjithnjë motive të karakterit të zakonshëm. Varfëria, shtypja, izolimi, terrori, gënjeshtrat, demagogjia, retorika patetike, shkrehëse e një shpirti popullor të vuajtur për liri. Në krye të tunelit, i cili për disa ishte edhe fundi i tij, më në fund diktaturës së proletariatit iu fol në emër e në një mënyrë përçmuese dhe jo me jargë e lot patetikë ndër dhëmbë. Asaj iu tha në sy diktaturë, a thua se deri në atë moment të historisë nuk e kishin dëgjuar, shkruar e lexuar në qindra vende me germa kapitale “Diktatura e proletariatit”. Asokohe argumentet false u orvatën të impononin me pahir qëndrimin e theksuar të konservatorizmit monist për të rritur, edhe pse pa sukses, ndikimin në rigjallërimin mendor të turmës ende të pakrye.

Shkak për revoltat, e përsëris, bëhen gjithnjë motive të karakterit të zakonshëm. Gjithnjë të nënvlerësuara, gjithnjë të anuara larg vëmendjes vigjilente, por gjithnjë aty.

Aspekti heroik i ndarjes nga plaçkitësi i përbashkët, i cili bashkë me të vetët nuk i mori kurrë parasysh këto motive të karakterit të zakonshëm, i dehu e i risolli esëll herë pas here rrymat e mendimit metafotikisht zyrtar dhe opinionin metaforikisht publik. Mosmarrja parasysh e këtyre motiveve u bë vetëlinçim në një përshesh vlerash dhe debatesh mbi vlerat hipotetikisht autentike dhe vlerat e rreme. Çuarja e Shqipërisë në betejën e stërkënduar patetikisht “nga fitorja në fitore” nuk parashihte qartë shqiptarët. Dëshirën e tyre. Fluturojmë të ngjitur në qafën e një shqiponje të fortë apo të një pule qorre? A fitojmë edhe ne nga këto fitore të njëpasnjëshme apo fiton vetëm ai që e shkruan këtë slogan të radhës, i cili ndot fasadat e lagjeve dhe njëherazi trutë e miletit?

Një zhgjëndërr e harmonizuar me përshkrime lirike dhe premtime idilike u mitizua sakaq. Me rroba ende të përlyera me plagë e gjak, populli u gjend me ndër krye dëshirën e zjarrtë për krerë të rinj e një udhëheqës të ri të vendit, në qafën e të cilit do të vareshine do të peshonin fuqishëm qëllimet dhe dertet e një shqipeje të penguar e të rënë nga fluturimi i inskenuar në analet e kësaj historie që nuk e dimë ende se kush e ka çarë me shpatë në dorë.

Autoriteti dhe influenca e nivelit të lartë e kësaj rryme të re gjeti shpejt fytyrat e saja më përfaqësuese. Ngulja këmbë në reformat radikale, ndryshimet rrënjësore, dëshira për informim në formatit modern, të yshtura nga pozitat historike-histerike, bënin të mundur një dyzim emocionesh të forta e të papërmbajtshme sa herë rrymat e mendimit metaforikisht zyrtar dhe opinionit metaforikisht publik bëheshin një. Njerëzit, turma nuk dëgjonte kurrë me vëmendje deri në fund fjalët e folësit, por gjithnjë në papërmbajtje e sipër shpërthente në slogane të shkurtra, tapuese e kyçëse të gojëve në tribunë. Ky akt përbën hapin e parë të organizimit të çorganizimit.

Nuk dëshiroj të flas për udhëheqës politikë këtu. Mjaft është folur, shkruar, lexuar e kënduar për ta. Jam duke folur për popullin. Ato fytyrat e ndezura brohoritëse, trumbetuese, bombastike e ulëritëse, përthithëse të propagandës. Dëshira e tyre e pafajshme më bën çudi, gati më ëmbëlson e më zbut. Me mendjen e një njeriu që nuk dëshiron t’i përvishet kaheve politike e indoktrinuese unë sot qesh se nuk qaj dot, me fatet e popullit tim, të të afërmve të mi, familjes sime e shumë e shumë të tjerëve. Këtyre iu delegua detyra e hatashme e të qenit thjesht popull, në këtë fat të mbrapshtë që shkroi fjalën tranzicion mbi kokat tona. Virtytet e larta shqiptare u gdhinë nga terri, me ndjenjën e një fëmije që kupton se ai që e ka sjellë deri në këtë ditë përdore, nuk është prindi natyral edhe pse është shtirur për plotë dekada si i tillë. Popujt nuk kanë prindër, nuk kanë një baba, nuk kanë një nënë. Kanë burra dhe gra shteti. Deri në pikën që këta të fundit do deficitojnë, pra do dalin jo fort eficentë, të shumtët nuk do dinë ç’të bëjnë. Ndërsa më të hedhurit, më të shkathëtit, shqarthët, tertelecët, më mosbesuesit, të pajisur gjithnjë me atë petkun gjysmë të errët e gjysmë të egër të aventurierit do t’i referohen atij që nuk i ka lënë kurrë në baltë. Instiktit primordial të mbijetesës brenda çorbës. Ata do të bëhen brenda pak vitesh heronjtë e rinj të subkulturës, do të bëhen prindër të vetes, njohës autentik të realitetit shthurës të botës dhe ligjvënës në kushtetutën e xhunglës.

Sikundër është menduar dhe mendohet, masat e mesme jetojnë me frytet e punës së tyre. Ky është fakt, po aq sa është fakt që ekonominë e vërtetë shqiptare dhe hyrjen e vonë në krizën mbarevropiane të vendit nuk e ka kushtëzuar shumë trasta monetare që qarkullon nga dora në dorë mes masave punonjëse, apo industrialistëve të vegjël. Përmbledhja e shumë fakteve, krejt lehtësisht të verifikueshme, nuk merr në konsideratë zarin e hedhur të polemikave e polemistëve. Por bazohet në verdhushka konkrete, të ardhura, siç thuhet, nga emigracioni. Ai dyzim emocionesh të forta e të papërmbajtshme sa herë rrymat e mendimit metaforikisht zyrtar dhe opinionit metaforikisht publik unifikoheshin, u shua fort shpejt. Duke sjellë në vëmendjen tonë cilësinë e kahershme sanguine të popullit tonë, që merr si flaka e kashtës e më pas harron. Tashmë edhe militantët duan para në dorë për të dalë lartë e poshtë mitingjeve. Në unison të dyja këto rryma mendimi, tashmë në një mënyrë gjysmë të zëshme e jo krejtësisht të qartë bluajnë mes dhëmbëve një opinion që fraksionon mprehtë leximin sa i takon natyrës së problemeve të popullit. Në fokus tashmë hyjnë shumë më shumë mungesa, shumë më shumë ngjyresa në detaj të këtyre mungesave. Tani nuk është më populli kundër diktatorit apo diktaturës si sistem korroziv vlerash dhe të mirash. Tanimë ndodhemi përball një turme të ndarë proverbialisht në mënyrë të barabartë. Nuk kemi më një mësymje kundër mullinjve të erës së institucioneve moniste dhe rrënimit me duart tona të së mirës tonë të përbashkët, pronës publike. Por kemi një halabakëri burrnore, të dalë kthjelltazi në një shfaqe që po merr nivele artistike, prej patosit që rrjedh nga foltoret e që titullohet “ata kundër nesh”.

Në unison të dyja këto rryma mendimi, fajësojnë të varfrin për varfërinë e tij, fajësojnë mbipopullimin, për prapambetjet në zhvillim. Gati të shtyjnë drejt babëzisë për barbari. Të shtyjnë drejt përfitimeve të paligjshme, në hordhi ku gurgullojnë lumenj narkotikësh. Ata të mëdhenjtë po pasurohen në këtë mënyrë, Shqipëria po zbukurohet në këtë mënyrë, njerëzia po bëhen me prona dhe shtëpitë i bënë vila në këtë mënyrë. Ligjvënësit janë të parët që nuk pyesin për ligjin në këtë mënyrë dhe barqet nuk bëjnë tjetër veçse fryhen në këtë mënyrë. Klubet e natës rrinë hapur edhe ditën nga e hëna në të hënë në këtë mënyrë dhe dehja e këtij populli miop është dëshirë e kahershme e tiranëve që u ka rastisur të bëjnë karrierë të fuqishme në Tiranë.

…më të hedhurit, më të shkathëtit, shqarthët, tertelecët, më mosbesuesit, të pajisur gjithnjë me atë petkun gjysmë të errët e gjysmë të egër të aventurierit do t’i referohen atij që nuk i ka lënë kurrë në baltë. Instinktit primordial të mbijetesës brenda çorbës. Pasi të kenë dalë nga vargu i kurbetllinjve, me xhepat e ënjtur si plënce, do thurin sonete poetike me tematikë patriotike. Do tu rikthehen studimeve, shkrimeve, botimeve, të stërvitur me një moskokëçarje konfliktuale, të stërvitur me logjikën e shkrehur shqiptare, e cila duartroket të fortin, gangsterin, e sojin e sorollopin që përfiton miliona brenda natës. Pasi të kenë koklavitur zorrët e barkut të një shteti, me allishverishe të ndërsjella, papandehur do të gjenden duke propaganduar me zell, si pjesë e aparatit politikëbërës, gjysmë të futur pas ndonjë foltoreje me sigël partie. Modeli i liderit të ardhshëm, i vetëshpallur si qëmoti. Tek e fundit si të gjithë kryepeshkopër moralë që ka përcjellë Shqipëria. Plot me të meta dhe kufizime teknike, mendore dhe në doktrinë, lakuriq nga ndjenjat humane. I vetëbërë, i vetëndërtuar, i vetëftuar është ky model udhëheqësi që na mëson me sjellje e gjeste atë që ai e ka verifikuar katërcipërisht, që herët në lëkurën e tij, popujt nuk kanë prindër. Askush nuk kujdeset për ta, pa u kujdesur shumëfish për vete, përndryshe pushteti politik nuk do të qe aspak i lakmueshëm.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency