Pengmarrja e vajzës minorene, autori kishte konflikt me të atin

0
181

Elton Qyno

Përplasja fizike me oficerin e policisë dhe dyshimet se Kristian Binjaku ka kryer edhe tri vjedhje

 

Bledar NaciNjë konflikt me babain e minorenes të shpëtuar nga efektivi i policisë Bledar Naçi, ka ndikuar që Kristian Binjaku të hakmerret në një mënyrë të pazakontë. Vogëlushja ishte drejtuar për të blerë disa ushqime në marketin e lagjes, por e ka parë veten duke u tërhequr me forcë drejt banesës së 22-vjeçarit Binjaku, i cili duke përfituar edhe nga errësira, i ka mbyllur gojën vogëlushes 9-vjeçare, me qëllimin që ajo mos të bërtiste. 22-vjeçari ka dashur të abuzojë seksualisht me vajzën në një nga hyrjet e pallatit, por kur është pikasur nga punonjësi i policisë, nuk ka bërë asnjë veprim, veçse është munduar të fshehë minorenen, për të mos u vënë re nga punonjësi i policisë, që ishte vënë në ndjekje të tij. Mirëpo, strategjia e Binjakut nuk ka funksionuar, edhe pse e ka kërcënuar deri në vdekje vajzën minorene, pasi efektivi i policisë, Bledar Naçi, ka mundur të verifikojë të gjitha hyrjet e pallateve dhe menjëherë të dallojë vajzën e 8-vjeçare që mbahej me forcë nga shtetasi Binjaku. Efektivi i policisë së Fierit është afruar drejt hyrjes, në tentativë për të liruar vajzën e vogël, është përleshur fizikisht me 22-vjeçarin, derisa ka mundur ta neutralizojë dhe t’i vendosë prangat. Më pas në zonë kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë bërë të mundur shoqërimin e Binjakut në polici, ku edhe është marrë në pyetje. Veç akuzës së “Heqjes së paligjshme të lirisë”, ndaj Binjakut është ngritur dhe akuza e “Goditjes së punonjësit të policisë” dhe “Vjedhjes me dhunë”.

Denoncimi i qytetarëve

Sipas zyrës së shtypit të Policisë së Shtetit, në datë 10 tetor 2013, rreth orës 17:00, Patrulla e Përgjithshme ka qenë duke patrulluar në brendësi të lagjes “Konferenca e Pezës” Fier. Në pjesën pas zyrave të Kryqit të Kuq, punonjësit e policisë kanë kontaktuar me qytetarë, të cilët i kanë njoftuar se është rrëmbyer një fëmijë i vogël dhe personi është larguar në brendësi të lagjes. Menjëherë pas këtij informacioni nga ana e Punonjësve të Policisë është bërë njoftimi te salla operative Fier, si dhe i patrullave të tjera duke u dhënë emrin e vajzës 8-vjeçare, karakteristikat e saj, si dhe karakteristikat e rrëmbyesit. Me marrjen e njoftimit në zonën nga mendohej se ishte larguar rrëmbyesi u kaluan të gjitha shërbimet e Policisë në terren duke rrethuar të gjithë zonën, si dhe për një kontroll të plotë me qëllim kapjen sa më shpejt të rrëmbyesit. Në këtë operacion u mobilizuan menjëherë veç Patrullave të Përgjithshme dhe punonjës të Policisë Kriminale.

Përplasja fizike

Në zonën ku u fokusua operacioni i kërkimit, në kompleksin e pallateve “Mertiri” ku ka qenë duke kontrolluar Specialisti i Policisë së zonës, kryeinspektor Bledar Naçi është konstatuar prej tij në shkallët e katit të dytë të një pallati një person me karakteristikat e dhëna, si dhe me një vajzë të vogël, të cilën e mbante nga dora. Punonjësi i policisë është prezantuar, por personi menjëherë ka reaguar ndaj tij duke e shtyrë dhe duke tentuar të largohet. Kryeinspektor Bledar Naçi, pasi i ka hequr vajzën e vogël nga duart është përleshur me rrëmbyesin, duke e neutralizuar dhe e prangosur. Pas kësaj vajza e vogël ka dalë jashtë ambienteve të pallatit, duke u marrë nga vëllai i saj. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë Patrullat e Përgjithshme, të cilat kanë bërë shoqërimin në komisariat të autorit, i cili quhej Kristian Binjaku, banor i lagjes “Liri”. Ndaj këtij shtetasi është marrë masa e arrestit në flagrancë dhe materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë.

 

 

Flet kryeinspektori Bledar Naçi: “Ndërhyra, sikur të ishte fëmija im”

 

Kryeinspektori Bledar Naçi ka treguar momentet e vështira dhe përplasjen fizike për lirimin e vajzës së mitur. Sipas tij, vajzën e gjeti të tronditur dhe të frikësuar nga personi që e mbante për dore. “Ishin të dy, në hyrje të një pallati, dhe rrëmbyesi ishte bashkë me vajzën, duke mbajtur për dore”, – tregon oficeri i policisë, Bledar Naçi. Ai ka treguar se ka bërë një përplasje fizike me rrëmbyesin, të cilin e ka vënë në pranga më pas, duke e çuar në qelitë e policisë së Fierit. Ai ka treguar edhe për vlerësimet që ka marrë nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Kryeministri Edi Rama. “Ndihem shumë i vlerësuar dhe i motivuar për të vazhduar punën e mëtejshme”. Sipas tij, “një polic në radhë të parë duhet të kryejë detyrën e tij”. Gjatë aksionit të djeshëm, Naçi tregon se ka ndërmarrë aksionin duke e ndier veten prind në radhë të parë e pastaj oficer policie. “Në rastin e djeshëm fillimisht e ndieja veten një prind dhe pastaj një oficer policie”, – është shprehur kryeinspektori Naçi. “Në raste të tilla duhet që të ndërhyhet me çfarëdo lloj kostoje”, – përfundon rrëfimin e tij kryeinspektori Bledar Naçi.

 

Dy të kërkuarit nga Interpol Roma

 Të dënuar në Itali për drogë policia i arreston në Shqipëri

Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditës së djeshme bënë të mundur arrestimin e dy personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime në fushën e narkotikëve. Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan, nga një operacion i konkluduar, dje rreth mesditës, është arrestuar shtetasi shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar Gëzim Karaj, 45 vjeç, nga Elbasani. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma. Ndaj tij Gjykata e Milanos ka lëshuar urdhrin e arrestit të datës 16 prill 2013, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale “Trafik droge”. Ndërkohë, po ditën e djeshme, nga një operacion i strukturave kundër narkotikëve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës u bë e mundur kapja e të kërkuarit Pirro Spiri, 40 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Frosinones me vendim të datës 30 korrik 2013, e ka dënuar me 14 vjet burgim për “Shkelje të ligjit mbi drogat-heroinë”. Aktualisht ky shtetas duhet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit prej 10 vjetësh e 5 muaj. Arrestimi i tyre është bërë me qëllim ekstradimi drejt shtetit italian, bazuar në marrëveshjen ndërmjet dy vendeve.

 

Korrupsioni në polici

 “Arrest shtëpie” për nënkomisarin Cinari

 Gjykata e qytetit të Pogradecit ka dhënë dje masën e sigurisë “Arrest shtëpie” ndaj nënkomisarit të policisë së këtij rrethi, Agustin Cinari, i cili akuzohet për marrje ryshfeti. Prokuroria kishte kërkuar dhënien e masës “Burg pa afat” për Cinarin. Hetimet e prokurorisë tregojnë se nënkomisari i kishte bërë presion një qytetari që për të mbyllur çështjen e akuzave për disa vjedhje në qytetin e Pogradecit, i kishte kërkuar 500 mijë lek të vjetra. Personi ka denoncuar rastin në SHKB dhe arrestimi është bërë në një nga lokalet e qytetit teksa nënkomisari ka qenë duke marrë paratë e kërkuara. Nën/komisari u prangos tre ditë më parë ndërsa dje në gjykatë ai i mohoi akuzat, që t’i ketë kërkuar para personit, ndaj të cilit kishte ngritur akuzën e vjedhjes së disa baterive.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency